Jeta dhe vepra e Tij janë të denja, sepse është e tillë gjithçka që lartësoi atë shpirt vetëmohues, atë vullnet përkushtimi të epërm, atë devocion që do të mbetet emblematik në udhën e kapërcyellit të botës dhe fateve njerëzore. Ai që kishte gjithçka dhe braktisi të gjitha në emër të një vepre që do ta bënte të pavdekshëm, ishte dhe mbeti një akt sublim i njeriut misionar. Rrallë kush në historinë e Kishës dhe të njerëzimit ka ndikuar aq shumë në ndërrimin e botëkuptimit të gjeneratave dhe të kombeve gjatë shekujve, sa shën Françesku i Asizit. Rrallë kush aq mirë e kuptoi dhe në jetë e zbatoi porosinë e Jezu Krishtit, sikur Shën Françesku, të cilin për atë arsye admiruesit e tij e quajtën “Krishti i dytë”.
Atë Italia e zgjodhi për pajtor të vet, kurse Papa Gjon Pali II e shpalli pajtor i ekologjisë – frymëzues i ruajtjes së natyrës së shëndoshë dhe të pastër. Ky shenjt i frymëzon edhe orvatjet paqësore në përmasa botërore.
E kush ishte ky njeri i madh, i cili qe tetë shekuj gjithnjë e më tepër e tërheq pas vetes rininë dhe inteligjencën, të madh e të vogël në të katër anët e botës.
Shën Françesku i Asizit (para thirrjes dhe përkushtimit ndaj fesë së krishterë Franceso Bernardone) lindi në Asizi në vitin 1181 dhe vdiq në moshën 45 vjeçare po në Asizi me 4 tetor 1226. Ai u mundua të jetonte rreptësisht, deri në imtësi sipas shëmbëlltyrës së Jezusit (të ashtuquajturën Imitatio Christi). Është shenjt mbrojtës i Italisë, kafshëve, tregëtarëve, veprimtarisë katolike dhe mjedisit. Sh. Françesku themeloi Urdhërin Françeskan apo të urdhërit Vëllezrit e vegjël (lat. ordo fratrum minorum). Është burim shtegëtimesh në Asizi.
Françesku lindi ne vitin 1181 ose 1182. I ati ishte Pietro Bernardone, një tregtar i kamur pëlhurash nga fisi i Morikoneve. E ëma ishte Pica Bourlemount (e quajtur edhe Giovanna). Ajo rridhte po ashtu nga një familje e pasur fisnikesh nga Provenca. Pas lindjes ajo e pagëzoi atë me emrin Giovanni (nga emri i saj), por i ati pas kthimit nga një udhëtim tregtie nga Provenca (Franca) i dha atij emrin Françesko (francez i vogel) për hir te tregtisë që zhvillonte atje ku ai pati fituar pasuri e mirëqenie. Tregetine Pietro e zhvillonte ne shtëpinë në qendër të qytetit (ku tani ndodhet Chiesa Nuova, ndërtuar në vitin 1615 me shpenzimet e mbretit Filipit të Spanjës) dhe katin perdhes ai e shfrytezonte si shitore dhe depo. Pietro e shiste mallin e tij në të gjitha trojet e Dukatës së Spoletit dhe po ashtu edhe në Asizi.
Françesku u pagëzua në kishën e ndërtuar për nder të Shën Rufinos, katedrale që nga viti 1036. Ai pati një shkollim të lartë (për atë kohë) dhe jetoi një rini pa kokëçarje. Pas shkollës pranë katedrales, në kishën e Shën Gjergjit (sot bazilika e Shen Kiares) ne moshen 14 vjeçare i´u kushtua plotësisht veprimtarisë tregtare me te atin. Ne këtë kohë Francesku i pasur ndërgjegjësohet me dallimet mes pasurisë dhe varfërisë.
Në vitin 1054 përmendet lufta e parë mes Asizit dhe Peruxhia ; midis dy qyteteve ishte një armiqësi e madhe sepse Peruxhia ishte papale ndërsa Asizi perandorake. Beteja më e njohur është ajo që u zhvillua në Collestrada, paranë Peruxhias ku asizianët u mundën në vitin 1202.
Edhe Françesku si edhe shumë të rinj të tjerë mori pjesë në këtë betejë ku edhe u kap rob dhe u burgos një vit. Burgosja do të ishte për të një përvojë themelore. Thuhet se pjesëmarrja në luftime dhe përvoja e tmerreve që përjetoi e tronditën gjer në atë pikë sa që e bënë të rimendohej tërësisht mbi jetën e tij. Lufta mbaroi në vitin 1203 dhe Françesku u lirua nga robëria falë një ujdie mbi të burgosurit e luftës, që në rast sëmundjeje robi i luftës lirohej me pagesë. I ati Pietro Bernardone mori përsipër pagesën.
Françesku pasi kthehet në shtëpi e merr veten pak nga pak. Pikërisht në vendet ku ai pati përjetimet më të mëdha ndihmuan që të rizgjoheshin tek ai dashurinë për natyrën ku shikon si vepron Perëndia e adhuruar. Dëshira për drejtësi e shtyn atë të provojë vitet që pasuan (1204-1205) rrugën për në kryqëzate. Bëhej fjalë të mbërrinte në Lecce (Leçe) principaten e Gualtieri di Brienne, për të lëvizur më pas me kalorësit e tjerë së bashku për në Jerusalem. Megjithëkëtë, në Spoleto sëmuret prapë dhe rikthehet në shtëpi.
Ky gjigant i shenjtërisë, fizikisht ishte me shtat të ulët, me mjekër të vogël e të rrallë dhe të errët ndërsa në planin kulturor ishte akoma më i thjeshtë. Njihte gjuhën provansale që ia kishte mësuar i ati, sepse kishte bërë disa lexime tekstesh kavalereske. Ishte një shitës i shkathët stofërash, pranë një babai që ia mbushte kuletën me monedha. Françesku në mbrëmjet e gëzueshme me miq nuk i llogariste shpenzimet. Mori pjesë në luftrat e qytetit dhe njohu poshtërimin e disfatës dhe të një viti burgosje nga perugjianët. Në kthim u armatos kalorës nga konti Gualtieri dhe ishte gati për t’u nisur për në Pulia; por në Spoleto «iu duk se pa», tregon shën Bonaventura në biografinë e tij të famshme, «një pallat të mrekullueshëm e të bukur, me shumë armë brenda të shënuara nga kryqe, dhe një zë që vinte nga qielli: Janë të tuat dhe të kalorësve të tu». Interpretimi i ëndrrës i erdhi ditën më pas: «Françesk, kush mund të të bëjë më mirë, padroni apo shërbëtori?». Françesku e kuptoi, u kthye mbrapsht, braktisi përfundimisht shoqëritë gazmore dhe ndërsa ishte i përqendruar në lutje në kishën e Shën Damianit dëgjoi qartë ftesën: «Françesk, shko e përtërije kishën time, që siç sheh, po shkatërrohet».
I riu nuk e zgjati dhe para ipeshkvit Guidos, tek i cili i ati e kishte dërguar me forcë për ta bindur, u zhvesh nga të gjitha veshjet dhe ia ktheu prindit. U bë murator dhe restauroi mjaft mirë tri kisha të vogla fshati, mes të cilave shën Maria e Engjëjve, e quajtur Porziunkola. Një frazë ndriçuese e Ungjillit i tregoi rrugën që duhej të ndiqte: «Shkoni e predikoni… Shëroni të sëmurët…Mos merrni as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as të mbathura, as shkop». Në pranverën e vitit 1208 njëmbëdhjetë të rinj ishin bashkuar me të. Ai shkroi rregullën e parë të Urdhërit të fretërve minor, të aprovuar me gojë nga papa Inoçenti III, pasi që fretërit ishin pritur në audiencë, mes habisë dhe zemërimit të kuries papnore para këtyre të rinjëve të zbathur e të veshur keq. Por ai kundërshtues paqësor mori edhe aprovimin solemn të pasardhësit Onoriut III me vulën Solet annuere, me 29 nëntor 1223. Vitin më pas, në vetminë e Vernas Françesku mori vulën e Mundimit të Krishtit, me plagët e ngulura në gjymtyrët e tij. Pastaj me afrimin e «motrës Vdekje improvizoi Këngën e tij të fratit Diell, si himn përfundimtar në predikimin e fretërve të tij. Në fund, kërkoi të çohej në Porciunkolën e tij dhe të vendosej në tokën e zhveshur, ku u shua nën këngën e psalmit Voce mea në mbrëmjen e 3 tetorit.