Vite të shkuara, dy nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, janë rrekur të sjellin varjantet e tyre të qensishme rreth lidhjes së Servantes me shqiptarët.
Disa vite të shkuara, përgjatë një fjalimi të improvizuar në një konferencë, në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës, Ismail Kadare, duke përcjellë pandehmat e një folkloristi shqiptar, thotë se Servantesi ka të ngjarë të jetë mbajtur peng në një zonë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke nënkuptuar Ulqinin, dhe se historitë e një robi spanjoll shumë të ditur, për të cilin u pagua një sasi e madhe parash, që të fitonte lirinë, rrëfehen edhe sot e kësaj dite.
Këto këmbëngulje të Kadaresë duket se përforcohen nga gojëdhëna, sipas të cilave, gjatë kohës që u mbajt peng si skllav në Ulqin, Servantesi, emri i të cilit mund të jetë trashëguar nga shqiptarët në format “Servet, apo Sarvet”, ra në dashuri me një femër, kujtimin për të cilën e përjetësoi vite më pas në librin “Don Kishoti” me emrin Dylqinë, pra një emër i ngjashëm me emrin e qytetit Ulqin.
Dhe që këto pandehma i përforcon fakti se në Ulqin, ka ende një lagje që quhet “Lagjia e skllevërve”. Më tej, gjetja në historinë e largët apo edhe të afërt të paraardhësve-shembuj të forcës ekstreme, i përcillet rrotull krenarisë, porse shpejt ndjenja kthehet në brejtje të ndërgjegjes, kur përballë vihen një pirat shqiptar kokëshkretë dhe një rob spanjoll i zgjuar, që më pas do njihej në gjithë botën…
Ndrësa Dritëro Agolli e njeh dhe e pasqyron kësisoj lidhjen e Servantes me shqiptarët:
Ishte vërtet shqiptar njeriu që mbajti peng autorin e ardhshëm të Don Kishotit, apo jo? Një ngjarje të tillë, pikërisht pengmarrjen për pesë vite me radhë të Miguel Servantesit e ka trajtuar edhe një historiane e njohur hispanike, Maria Antonia Garces në librin e saj “Servantesi në Algjer, një përrallë robërie”, botuar para disa vitesh.
Autorja që ka shfletuar pothuaj të gjithë trashëgiminë arkivore për të ndërtuar këtë libër historik, shpjegon se Servantesi është mbajtur peng vetëm në Algjer, sot kryeqytet i Algjerisë, një zonë që kontrollohej nga otomanët. Pra në asnjë rast historia e Sevantesit nuk ka lidhje me Ulqinin, gjithsesi lidhja me rracën e shqiptarëve mbetet. Pasi autorja shkruan se është e vërtetë që Servantesi u kap dhe u mor peng nga një pirat shqiptar i quajtur Arnaut Mami. Po kështu, në të njëjtin punim, autorja sqaron se më pas, për pesë vjet autori i ardhshëm i “Don Kishotit” u bë pronë e një tjetër pirati dhe më tej u ble përfundimisht nga vetë pashai i Algjerit. Por si e ka ndërtuar në librin e saj këtë pjesë të historisë kjo autore?
Duhet marrë parasysh se në këto kohëra, në vitet 1500, në Mesdhe përballeshin me gjithë forcën ushtarakisht dy qytetërime, ai evropian me atë otoman. Luftime të ashpra zhvilloheshin në tokë por edhe në det, ku Mbretëria e Spanjës që zotëronte një nga flotat më të fuqishme, kishte rol parësor. Ofensiva otomane kishte bërë përparime në Afrikën e Veriut, duke vënë nën zotërim, në vitin 1517, edhe qytetin e Algjerit, që ishte fare pranë portave jugore të Europës, ndërkohë që beteja të fuqishme detare kryheshin ende për zotërimin e disa ishujve të Mesdheut, kryesisht grekë.
Gjatë javës së parë të shtatorit të vitit 1575, ushtari elitar Servantes imbarkohet në Napoli të Italisë në anijen “Sol” bashkë me të vëllanë Rodrigo. “Sol” ishte një nga pesë anijet e flotës Spanjolle që duhet të mbërrinin në Barcelonë nën komandën e Don Sancho Leivës. Por, tri ditë më pas, një stuhi godet anijet dhe vetëm tri prej tyre mbërrijnë në destinacion. Anija “Sol” nuk ia del mbanë. Për më keq akoma, më 26 shtator, pranë bregdetitë të Marsejës, kjo anije sulmohet nga piratët.
Kapedani i anijes pirate ishte një shqiptar i frikshëm, që quhej “Arnaut Mami”, emri i të cilit ndërkohë ishte bërë i famshëm në gjithë Mesdheun. Ndërsa mëkëmbësin e tij me origjinë greke e quanin Dali Mami, një emër pak i habitshëm për një grek, të cilin të gjithë kundërshtarët e epitetonin “renegat” apo “tradhtar”. Kjo sepse, sipas tyre, ai ishe rreshtuar në anën e armiqve, në anën e pushtuesve, duke e harruar se në vena i rridhte gjak ortodoks.
Gjithsesi, para se të binin në duar të piratëve, ushtarët spanjollë luftuan dhe shumë prej tyre, përfshirë kapitenin, u vranë. Ata që mbijetuan u morën peng dhe të lidhur këmbë e duar dhe u transportuan në brigjet algjeriane.
Letrat që Servantesi kishte me vete i bënë piratët të besonin se ai ishte një njeri i rangut të lartë, për kokën e të cilit mund të jepej një shumë e madhe të hollash. Në të kundërt, i vëllai, Rodrigo, që u konsiderua si ushtar i thjeshtë, iu dha si shërbëtor zotëruesit të Algjerit, Ramadan Pashës. Vetë Servantesi ra në duart e renegatit grek, Dali Mami.
Gjithsesi historia e ka të shkruar se ishte pikërisht një pirat shqiptar ai që kapi në det Servatnesin duke i privuar lirinë për 5 vjet me radhë. Sipas historiografëve spanjollë shpirti rebel i Servantes e ka yshtur katër herë në sipërmarrje arratisjeje për të fituar lirinë, por vetë 500 escudo të arta kanë bërë që shkrimtari të ishte i lirë. Fillimisht këtë shumë e paguan sundimtari i Algjerit, Hasan Pasha, i cili i fal jetën dhe i’a blen pengun e çmuar piratit Dali Mami. Më 29 maj 1580 dy priftërinj, ndërmjetës të familjes së Miguel Servantesit, mbërrijnë në Algjer. Por zotëruesi i qytetit refuzon të pranojë më pak se 500 escudo të arta në këmbim të spanjollit. Gjithsesi, priftërinjtë nuk tërhiqen dhe pjesën tjetër të të hollave e sigurojnë nga tregtarët kristianë të Algjerit. Përfundimisht, Servantesi fioi lirinë pasi të hollat u paguan një më një dhe më 19 shtator 1580 u nis për Spanjë.