Ka një vështrim të parezistueshëm, shpues. Është po kaq joshëse dhe sensuale sa dhe e suksesshme në karrierën e saj. Mban mbi vete vite dhe ruan në shprehi të njëjtën freski, të njëjtin agresion epshi si të viteve të rinisë. Burra të tërë e adhurojnë. Gra pafund e “urrejnë”, sepse ajo gjithnjë ka aftësinë të manipulojë përqendrimin mashkullor dhe të ngas ata në tundim. Nuk ka përbetim dhe robëri puritane që i bën ballë kësaj stuhie joshëse, këtij kumtimi flakatar. Në disa anketie nga mediat prestigjioze botërore ajo ka fituar, jo vetëm si një aktore e talentuar dhe me një përvojë të admirueshme me titanët e kinematografisë, por dhe si një grua e bukur.
Revista “Esquire” e ka cilësuar si “gruaja më e bukur e planetit”. Sa e sa epitete dhe përkufizime e mbështjellin si me një aureolë, rolin dhe figurën e saj, si aktore, si grua, si bashkëshorte, si bashkëpunëtore, si aktiviste humane. Të gjitha këto për të profilizuar një personazh, një mishërim hiresh dhe force.
Jeta e saj nuk ka qenë ajo e një Hirusheje, përkundrazi i është dashur të përballet, të rrëzohet dhe të ringihet, të sfidojë kohën dhe bartësit e së tashmes. “Sido që të shkojnë gjërat, mos e humbisni dëshirën për të kërcyer dhe për të shijuar jetën”, ky është mësimi që jeta i ka dhënë aktores Catherine Zeta-Jones.
“Jam krenare për betejën që unë dhe bashkëshorti im kemi fituar”. Catherine Zeta-Jones është rikthyer pas një momenti shumë të vështirë: lufta kundër kancerit që preku të shoqin Michael Douglas. Filmi i saj i fundit, me regji të Gabriele Muccino, tregon për një ish-futbollist që bëhet trajner i një skuadre të rinjsh dhe të një gazetareje që ndihmon. Një film që është kritikuar shumë. “Jam krenare për të gjithë filmat e mi, pavarësisht gjykimeve dhe kritikave. Edhe pse me thënë të drejtën kundrejt meje kritikat gjithmonë kanë qenë të buta”.
Catherine, 48 vjeçe me origjinë nga Uellsi dhe krenare për këtë fakt, gjithmonë është portretizuar si një njeri shumë energjik që rrezaton energji pozitive. Megjithatë, edhe ajo ashtu si shumë prej nesh mban mend: “Që e vogël kam kryer shumë operacione. Sëmuresha shpesh dhe ndonjëherë kisha vështirësi të merrja frymë, të lëvizja. Në pamje të parë dukesha e shëndetshme, bëja sport, isha shumë luftarake, por kisha ndryshime humori shumë të forta”, kujton. Kohë më parë rrëfeu se vuante nga shqetësime bipolare, dhe nga kriza të thella depresioni. “Humori im tani është i qëndrueshëm. Më ndihmuan fëmijët, forca e Michael, qetësia dhe maturia me të cilin luftoi kancerin në fyt: gjëra të tmerrshme por jeta na rezervon surpriza që na bëjnë, dhe për këtë jam e bindur, më të fortë dhe të ndërgjegjshëm për ta jetuar ashtu siç duhet”. Më pas duke buzëqeshur vazhdon: “Kur isha e trishtuar, kjo më ndodh edhe tani, shikoja fëmijët përreth, Michael sërish në këmbë teksa luante golf, apo lexonte ndonjë skenar. Dhe këndoja, kërceja. Gjithmonë duhet ta bëjmë këtë. Më kujtohet thënia e një gruaje të madhe, Shirley MacLaine, jeta është e shkurtër, mbushe me kërcim”. Në filmin e saj të fundit interpreton në krah të Gerard Butler, një baba i divorcuar dhe një futbollist në krizë që vendos të bëhet trajner i skuadrës së djalit të tij në një qytezë të vogël në vendin ku jeton: “të gjitha gratë e pakënaqura të qytetit përpiqen ta joshin, por mes nesh ka një raport shumë të ndryshëm, bashkëpunimi, alegorie, pa lojëra dhe strategji femërore. Që e vogël rrija shumë me djem dhe e di mirë që mes burrave dhe grave mund të lindin histori të bukura dhe solide miqësie”. Ajo përsërit shpesh se filmi i ka pëlqyer shumë, po ashtu edhe puna me regjisorin Mucciono: “Gabriele si në jetë ashtu dhe në kinema është shumë i ndjeshëm ndaj gjërave”. Pas pothuajse dy viteve që qëndroi pa ndërprerje në krah të të shoqit, Catherine është shndërruar në një prej aktoreve më të kërkuara. Pas portretit qesharak në “Rock of Ages”, i xhiron filmat njëri pas tjetrit. “Sapo kam përfunduar “Broken City”, me Russell Croëe dhe Mark Wahlberg. Xhironim në New York dhe kur nuk isha duke xhiruar çoja fëmijët në shkollë apo shkoja të takoja Michael, edhe ai duke punuar me një film shumë të bukur me aktorë të rinj dhe shumë të zotë. Jam e sigurt që do bëjë shumë bujë, sepse merret me një problem që po përfshin gjithmonë e më shumë njerëz: varësia nga ilaçet që duhet të qetësojnë ankthin dhe stresin në jetët tona. Një skenar shumë i bukur, që do ngjallë vërtet shumë diskutime”.
Pas filmave, qetësia e rigjetur, me pak fjalë një 43-vjeçare e realizuar krejtësisht. “Po dhe kjo, sepse njoha të gjitha zonat e errëta të vetes dhe jetës sime. Dhe për më tepër, kam mësuar të vlerësoj çdo gjë të vogël. Michael është një baba fantastik, edhe pse i sëmurë për asnjë moment nuk e dha veten, por e mbajti të gjithë familjen bashkë si më parë. Ishte shumë bukur që qëndruam bashkë. Diçka e bukur, por edhe e rëndësishme. Ajo që mund të them për dashurinë është vetëm kaq: duhet të jeni gjithmonë të bashkuar. Edhe në momentet e gëzuara, por edhe në ato kur jeta të heq diçka. Sepse në fund të fundit të jep si këmbim diçka tjetër”. Për të familja vjen para të gjithash. “Nuk kam qenë kurrë e fiksuar pas djemve. Nuk doja të shoqërohesha me shumë, por vetëm të gjeja njeriun e duhur. Ishim shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, si në botën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtme. Dhe ndihem me fat që e gjeta. Për më tepër shpresoj të qëndrojmë bashkë përgjithnjë: diferenca e moshës nuk ndihet fare. Unë gjithmonë e kam konsideruar të bukur. Dhe ende vazhdoj të jem xheloze për të”. Jeta i ka mësuar asaj se duhet të ndeshesh dhe të fitosh, pa i lënë kohë asanjë vrasësi të minutave që mund të jenë shkelqimtare në karrierë dhe jetë. Ajo, Catherine Zeta-Jones, ishte dhe është një grua e bukur dhe një femër triumfesh.