Nga Albert Vataj
Ai, njeriu, nuk e di se ç’është. As nuk i duhet ta dijë se cilën anë duhet të mbaj, sepse ai është asgjë në një trajtë mishi të pështirë, gjaku të ndytë, nervash që i’a tendos paniku, frika dhe tmerri. Ai, jeton në gjithçkanë e asgjësë që vullnetlirë ka zgjedhur. Nuk ka kohë as të pendohet as të korigjohet, sepse ai jeton fajin që shkrihet në çdo qelizë që ushqehet nga ky ajër toksik që thith.
“Ne kurrë nuk mund të marrin paqe në botën e jashtme derisa nuk kemi paqe me veten”, thotë Dalai Lama.
“Nëse ne nuk kemi paqe, kjo është sepse ne kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrin”. profetizon Shën Tereza dhe vërtetë gjithnjë e më pak po e kuptojmë këtë. Dhe sa vjen dhe më të huaj jemi për njëri-tjetrin.
Ëndrra e njeriut për paqe ka vërshuar gjithnjë uturishëm nëpër netët e terrta e të makthshme të jetës dhe përpjekjeve të pareshtura për të gjetur një vend në këtë botë që na përket të gjithëve.
Njeriu, paqe ka kërkuar mbi kuja, mbi heshta e tyta, qullur në lot e përmbytur në gjak. Paqe ka gjetur në shterimin e gjendjeve të tubuar dëshirimesh, paqe i kanë dhënë në të rrejshmet çaste ëndërrtare.
E pameritë është për ty njeri, paqja?!
Shkrimtari hebre, fitues i çmimit Nobel, i mbijetuari i holokaustit, Elie Wiesel, mendon se “Njerëzimi duhet të kujtojmë se paqja nuk është dhuratë e Zotit për krijesat e tij; paqja është dhuratë jone për njëri-tjetrin”. Sa e vërtetë është kjo? Nëse jo, pse?
“Paqja fillon me një buzëqeshje ..” mendonte e shenjta jonë Terezë.
“Paqja është kaq e virtytshme, sa edhe vetë kjo fjalë ta përkëdhel veshin, thoshte Ciceroni. Kin Habard mendon se: “Edhe paqja ka fitoret e veta, jo më të vogla me ato të luftës, por asaj derimsot nuk i janë ngritur aq përmendore”.
Megjithatë, Martin Luther King mbetet i mendimit se “Errësira nuk mund ta dëbojnë errësirën: vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund të dëbojë urrejtjen:. Vetëm dashuria mund ta bëjë këtë “.
“Ju mund të thoni se unë jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi. Unë shpresoj se një ditë ju do të bashkoheni me ne. Dhe bota do të jetojë si një. ”… në paqe patjetër mendonte, John Lennon.
Gjithqysh kjo nuk vlen sot. Kjo duket kaq e huaj dhe mosbesuese. Ngjan më shumë si një trill mendjesh të stolisura me dëshirime dhe ëndrra, se sa një arsyetim rracional i përpunuar në havanin e reales dhe një ëndje për të jetuar harmonishëm në një sotme ku duhet ta meritojmë njëri-tjetrin dhe këtë shpërblesë çmojmë si bekim.
Paqe!
Kjo fjalë, ky term, ky përkufizim, është gjithnjë e më utopik, gjithnjë më i paqasshëm për njeriun, i cili rreket të jetojë globalen në një botë të shndërruar në kasapahanë të interesave individuale. Do ta kesh tepër të vështirë ta mendosh se mund të mbijë e të rritet kjo bimë në një tokë që e zhurit etja për vdekje. Kudo dhe gjithnjë predikohet për paqe dhe bashkëjetesë, por më shumë kohë dhe predispozitë merr dhuna, intoleranca, lufta.
Ronald Reagan, mendonte se “Paqja nuk është mungesa e konfliktit, është aftësia për të trajtuar konfliktet me mjete paqësore”, mjete të cilat qëllimisht trajtohen si të panevojshme nga një kastë liderësh paranojak, nga një dyzin të plotfuqishmish që i kanë shndërruar interesat e tyre të përfitimin në konflikte të përgjakshme dhe luftëra absurde. Njerëz që bredhin kufinjve, që përballen me risqet, njerëz që luten për vdekjen si shpëtim, qytete që shndërrohen në varre masive. Fëmijë që flijohen në themelet ë një botë të çmendur. Gërmadha, vdekje, kuja, lot… dhe mbi këtë panoramë morte një ngrehinë hipokrizie liderësh shtaton madhështore, jo dhe aq për ta vënë nën fre të keqen, se sa për ta promovuar atë si formë qytetërimi, si nevojë përtëritëse e kësaj krijese mjerane, e cila duke besuar në utopitë e lirisë, paqes dhe demokracisë, ajo nxiton të besojë se gjithçka që ka, është asgjë që kudërbon gjithçkanë e pështirë të shtirjes dhe manipulimit, që është vdekje që shumëzon jetën në çdo vlerë të saj.
Zoti dhe Paqja vazhdon të pranohet, ashtu siç gjithçka në këtë lojë makabre, tregtohet me këtë etiketë.