“NË MUNDSH…” poezia e britanikut Rudyard Kipling është padyshim poezia më e famshme që ka rrokur interesimin e lexuesve në mbarë rruzullin. Ajo është ndoshta poezia më përkthyer dhe interesimi i saj ka qenë që nga tekst i plotë dhe i pjesshëm i disa këngëve të famshme, i disa interpretimeve skenike, filmave, gjithashtu dhe i skalitur me shkronja të arat në fasadat e institucioneve shtetëtore, etj.
Kjo poezi është shkruar në vitit 1895 dhe publikuar më 1910. Në kuptimsin fillimore ajo duket si një letërkëshillë atërore e autorit për të birin. Por vetë Kipling ka pohuar se frymëzimi i tij poetik për këtë krijim ishte revolucionari, Leander Starr Jameson, i cili udhëheqi lëvizjen “Raid Jameson” në periudhën dhjetor 1895 – Janar 1896, kundër Republikës Transvaal për të përmbysur Qeverinë e Boer Paul Kruger. Fatkeqësish kjo lëvizje dështoi dhe ai e desh ta paguante shtrenjt. Kujtojmë se Leander Starr Jameson i përkiste sërë së lartë londineze dhe karriera, prestigji, nderi dhe integriteti i tij do të dëmtoheshin seriozish.
Kjo poezi është një emblem e artit të periudhës viktoriane dhe piket e rëndësishme e poezis botërore. Për kërshërinë e lexuesit shqiptar ka ardhur me shqipërimin e më të mëdhenjve, Fan Noli, Vedat Kokona dhe humë të tjerë, por më e parapëlqyera është ajo e Robert Shvarc.
NË MUNDSH…
Nga Rudyard Kipling
Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të renda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe BURRË do të jesh, o biri im!
Përkthyer nga Robert Shvarc