Çarls Dikens, ishte shkrimtarit që solli ndër qindra personazhe, edhe ata që mbeten edhe sot e kësaj dite ndër më të spikaturit në historinë e letërsisë si Oliver Twist, David Coperfild, Uriah Heep e të tjerë. Librat e tij dëshmojnë se letërsia e vërtetë është universale dhe nuk ka kohë. Dikens konsiderohet jo si një shkrimtar, por si një “ngjarje” në shoqërinë njerëzore dhe si një “flakë e vërtetë gjenialiteti”. Janë të shumtë ata që mendojnë dhe besojnë se Dikens është shkrimtari më i famshëm i prozës dhe historisë në gjuhën angleze.
– Para se të ishte një shkrimtar i njohur, Dikensi ishte një gazetar politik për “The morning Chrinicle”. Aty publikoi më pas koleksionin e punës së tij, “Skicat e Bozit”.
– Ai ka pasur një lidhje shumë të ngushtë me korbin e tij, Grip dhe kur ai ngordhi, ai e balsamosi dhe e vendosi në studion e tij, që ta kishte gjithmonë pranë. Një korb që flet është personazh në një nga veprat më pak të njohura të Dikensit “Barnaby Rudge” dhe më pas kjo vepër u shndërrua në frymëzim për Alain Poe dhe poemën e tij “Korbi”
– Kur Dikens qëndronte në hotele, zakonisht duke qenë kokë më vete dhe natyrë shumë impulsive, kërkonte që t’ia ndërronin mobiliet sipas shijes së tij. Ai kërkonte që edhe fëmijët e tij të mbanin gjithçka në rregull, dhe madje i dënonte kur nuk mbanin në rregull sendet e veta. Flokët e tij thuhet se i kishte merak dhe i krihte mbi 100 herë në ditë. Shkrimtari i madh kishte 10 fëmijë me gruan e tij Catherine Hogarth, me të cilën ka pasur një marrëdhënie jo fort të mirë dhe të cilën shpesh e përçmonte dhe e shante edhe në publik. Vetëm pak nga fëmijët e tij ishin të suksesshëm. Djali i tij i tretë shërbeu në policinë e Kanadasë për 12 vjet, derisa ndërroi jetë në moshë të re. Ai ishte në një pozicion kyç në mbrojtje të Fort Pitt, gjatë rebelimit në Northwest, në vitin 1885.
– Në jetën e tij romantike tepër vullkanike, mund të thuhet se dashuria e madhe dhe e vërtetë e tij ishte e kunata, Mary Hogarth. Kur ajo ndërroi jetë 17 vjeçe, në atë kohë Dikensi, që ishte 25 vjeç, ishte duke shijuar suksesin e tij të parë të madh me “Letat e Pickwick”. Ai e përjetoi shumë keq vdekjen e saj dhe u mpi i gjithi nga dhimbja e madhe. Nga hidhërimi ai mori nga gishti i saj një unazë, të cilën e mbajti në gishtin e tij gjatë gjithë jetës.
– Dikensi kishte një energji thuajse djallëzore. Shpesh nuk arrinte dot që të vinte gjumë në sy, dhe kështu do ta kalonte natën duke bërë shëtitje të gjata dhe të vetmuara në rrugët e Londrës. Ndonjëherë shoqërohej edhe nga shoku i tij i ngushtë, Wilkie Collins, edhe ai shkrimtar.
– Ai ka qenë ndër autorët e parë që u shqetësua për piraterinë e veprave të veta. Gjatë një turneu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1842, ai më kot u përpoq që të fliste për meritën e copyright ndërkombëtar, ndërkohë që botuesit amerikanë i botonin veprat e tij me shumicë, përfitonin vetë shumë dhe atij nuk i jepnin asgjë.
– Në shtëpinë e tij në fshat, në Gad’s Hill, Dikensi kishte një bibliotekë librash fals që të çonte në një derë të fshehtë. Ajo ishte një bibliotekë e mbushur me libra të kotë me tituj të tillë si: “A ishte e shëndoshë mamaja e Shekspirit?”
– Në vitin 1865, Dikensi dhe e dashura e tij, aktorja Ellen Ternan u përfshinë në një aksident me tren në të cilin vagoni i tyre i klasit të parë ishte i vetmi që nuk ra në humnerë. Dikensi ndihmoi pasagjerët e tjerë që të shpëtonin dhe më pas shkoi që të shoqëronte dorëshkrimin e tij, “Miku ynë i përbashkët”
– Edhe pse vendi i tij në letërsi është i sigurt në panteonin e lavdisë, edhe Dikensi ka kritikuesit e tij. Kështu për shembull, Henry James e cilësonte librin e Dikensit “Miku ynë i përbashkët”, një libër pa jetë dhe mekanik. Ndërkohë që Dikens e konsideronte si një nga kryeveprat e tij. Oscar Wilde ka thënë ndërkohë, që heroina sentimentale e “Dyqani i vjetër i kurioziteteve” ishte më shumë sentimentale se ç’duhej dhe sipas tij, “lexuesi duhet që të ketë një zemër prej guri që të lexojë për vdekjen e Nelit të vogël pa u shkrirë në gaz”.