Isabel Allende është njëra prej autoreve më të lexuara në gjuhën spanjolle. Të paktë janë atë që e dinë se autorja kiliane lufton si feministe aktive për të drejtat e grave.
Ajo ka shkruar 23 libra, të përkthyer në 35 gjuhë dhe ajo ka shitur rreth 70 milionë prej tyre. 60 herë është dekoruar në 15 vende për veprën e saj dhe dy filma ndërkombëtarë bazohen në romanet e saj.
Këto janë faktet që ofron Isabel Allende në faqen e saj në internet në rubrikën “Biografi”. Me sa duket do që për këtë të mos flitet më. Sepse në thelb, për të është irrituese që ta vështrosh jetën në këtë mënyrë: “Kemi të bëjmë vetëm me një listë të dhënash, ngjarjesh dhe arritjesh. Në realitet, gjërat e rëndësishme të jetës sime zhvillohen në dhomat e fshehta të zemrës sime dhe nuk kanë vend në një biografi”.
Nuk janë librat sukseset më të mëdha të saj, por dashuria, që e lidh atë me disa njerëz dhe momentet, në të cilat ajo është përpjekur të ndihmojë të tjerët. Për shembull kur u angazhua gjatë diktaturës ushtarake të Pinoçetit për të përndjekur politikë ose si feministe, për të luftuar deri sot për të drejtat e grave në fondacionin e saj “Isabelle Allende Foundation”.
Isabel Allende, që festoi datëlindjen e 75-të më 2 gusht, vazhdon të jetë e interesuar politikisht dhe aktive. Presidentin e ri të atdheut që ka zgjedhur, SHBA ajo e sheh në mënyrë tepër kritike. Në një intervistë me Deutsche Welle, ajo e quajti atë një biznesmen me pak skrupuj: “Nuk e di nëse institucionet amerikane janë aq të forta, për t’i rezistuar ndikimit të këtij demi të egërsuar, i cili nuk e di si mund të qeveriset”. Donald Trump është më e keqja, që mund t’i ndodhte Amerikës.
“Shtëpia e Shpirtrave”, vepra e saj e famshme
Por megjithë angazhimin e saj, janë natyrisht librat, që e kanë bërë të famshme në të gjithë botën autoren kiliane. Në radhë të parë, vepra e saj e parë “Shtëpia e Shpirtrave”. Kur Isabel Allende e shkroi sagën familjare në vitin 1982, ajo ndodhej tashmë në mërgim, në Venezuelë. Ushtria nën Pinoçetin e pati rrëzuar në Kili xhaxhanë e madh të saj, Presidentin socialist, Salvador Allende në vitin 1973. Pak kohë më vonë pas kësaj ai vrau veten. Që prej atij momenti, autorja, gazetarja dhe feministja nuk ndihej më e sigurtë në vendin e saj.
Isabel Allende lindi më 2 gusht 1942 në Lima, si bija më e madhe e një diplomati kilian. Meqenëse prindërit e saj qenë ndarë, ajo e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në shtëpinë e gjyshit. Më vonë jetoi në Bolivi dhe në Liban dhe pastaj u kthye në Kili. Atje ajo punoi si gazetare, u martua dhe bëri dy fëmijë – vajzën Paula dhe djalin Nicolas. Së bijës, e cila vdiq në moshën 28 vjeçare për shkak të një sëmundjeje metabolizmi, ajo i kushtoi në vitin 1992 romanin e saj me të njëjtin emër, shumë personal, i cili ka në qendër vdekjen e saj.
Forcimi i të drejtave të grave
Allende që herët u angazhua për të drejtat e grave. Në vitin 1968 ajo themeloi revistën feministe “Paula”, në të cilën ajo mbështeste edhe xhaxhanë e madh të saj, Salvador Allende. Që atëherë ajo shkruante pjesë të ndryshme teatrale dhe fitoi famë si moderatore televizioni. Meqenëse gjatë diktaturës ushtarake të Pinoçetit ajo nuk ndihej më e sigurtë, ajo emigroi me gjithë familjen e saj në Venezuelë.
Në mërgim ajo nisi të shkruajë një letër imagjinare, drejtuar gjyshit të saj. Letra e gjatë u kthye në një dorëshkrim dhe nga dorëshkrimi lindi romani “Shtëpia e Shpirtrave”. Që në veprën e parë ra në sy stili i pazakontë tregimtar i Isabel Allendes, në të cilin fiksioni dhe realiteti janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, i ashtuquajturi “realizëm magjik”. Vërtetësinë mizore ajo e lidhi me një botë fantazie plot magji, e cila herë pas here përmbante gjurmë shprese.
Që prej më shumë se dy dekadash Isabel Allende jeton në SHBA, ku u martua edhe për herë të dytë. Por Kili mbetet atdheu i saj, thotë ajo në intervistë me DW. “Unë vazhdoj të ndihem kiliane. Prindërit e mi janë kilianë, familja ime është kiliane dhe unë i kam jetuar vitet e para të jetës sime në Kili, vite që lënë gjurmë”. Në novelën e saj më të fundit, “Përtej dimrit” bëhet fjalë për një migrante illegale nga Guatemala dhe për një gazetare të guximshme dhe optimiste, në të cilën pasqyrohet qëndrimi i Isabel Allendes.