Nga Albert Vataj
Ai, francezo-amerikani, Marcel Duchamp u lind më 28 korrik 1887. Erdhi për të qenë dhe për të mbetur në historinë e artit një zë dhe një përvojë, një identitet dhe një kurajë sfiduese. Emri dhe vepra e këtij personazhi i përket epokës së transformimeve të hovshme të shprehisë estetike në art. Diçka po ndodhte në art. Njerëzit kërkonin krejt diçka tjetër. Ndoshta velja e ngjyrave dhe formave, e dritëhijes dhe linjave, shkëlqimin dhe shastisjes, reales dhe përfytyrimit, mitit dhe biblikes, të zezës dhe lirikes kishin dhënë kaq shumë dhe shteruar. Ndryshesa afrohej me hapat të potershëm kah hyrja kryesore. Bota e botëkuptimeve ziente, jo më pak vetë ajo qenie, dedikuar përplasjes, mbrujtur krijesash dhe mëtimesh që do të hidhnin shijen dhe perceptimin në një tjetër kah. Gjithçka fillonte aty. Kujtesa ishte thjeshtë një e shkuar. Trashëgiminë kishte ndalur së renduri në udhën e tij. Ai kishte ardhur për të bërë diçka ndryshe, për të thënë diçka më shumë, e pse jo për të vendosur një vetvete të pangjashme në panteonin e artit. I pranuar ose jo, ai ishte veç si vetja, si askush tjetër dhe për të ishte mjaftueshëm, por jo gjithçka.
Shtresimi i trazimeve sizmike të antikonformizmit, bashkëjeton te ai një nga personazhet e saj më të vetvetishëm, Marcel Duchamp ( 28 korrik 1887 – 2 Tetor 1968) piktor, skulptor, shkrimtar, dhe shahist. Krejtçka e sendërtimit të tij artistik e ngërthen në sprovën e kumtimit që është qasje përnga Dadaizmi dhe arti konceptual. Edhe pse jo i lidhur direkt me grupet Dada, filozofia e manifestimit të kumtit cytet përnga kjo formë, këto mjete shprehjeje estetike.
Së bashku me Pablo Picasso dhe Henri Matisse, Duchamp është konsideruar si një nga tre artistë, të cilët ndihmuan për të përcaktuar zhvillimet revolucionare në artet plastike në dekadat e hapjes të shekullit të njëzetë, përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë dhe skulpturë. Duchamp ka pasur një ndikim të patjetërsueshëm në shekullin e hoveve të stuhishme dhe transformimeve të mëdha që pësoi mendimi dhe arti në tërësinë e vet. Guximi i një ngulmëtari të vlimeve vullkanike e degdisi Duchamp në hakërrinë ndaj Henri Matisse, sipas tij krejtçfarë vepra e Matisse kumton është qartësisht e dedikuar vetëm për të kënaqur syrin. Së këndejmi, Duchamp yshtet të kushtrojë, që artisti dhe arti na orientojë përnga shërbimi i mendjes.
Zanafilla e krijimtarisë së Duchamp gjehen të lidhura me stilin Post-Impressionist. Gjithashtu ai eksperimentoi me teknikat klasike. Kur ai u pyet më vonë për atë që kishte ngufatur në këtë hov të tjetërllojtë, mbamendet se Duchamp kishte cekur punën e simbolistit, piktorit Odilon Redon, metoda e të cilit për artin nuk ishte pamja e jashtme anti-akademike, por vramendje individuale.
Ajo mendje e kapluar prej dalldisë mbeti një faqe e rëndësishme në rrugëtimin e artit si formë komunikimi, si mjet shprehës, si e mundshme që shkallmon rregullat dhe normat për të promovuar unin e ëndrrave të çmendura të njeriut për të rrokur lirinë, pa u vramendur nga paragjykimet dhe shigjetimet e skeptikëve dhe mendjet e konservuara në epruvetat akademike.
Përmasat e botës artistike me Marcel Duchamp kishin hyrë tashmë në një dimendison tjetër. Një univers gjithëformësh e shumëpërmasshëm shpërfaqej për të krijuar një rend të ri estetik, për të rrëmbyer një vend nderi për urtinë artistike të një të “çmenduri”.