Duke lexuar, kohët e fundit, një nga librat e shkrimtarit të madh suedez Stig Dagerman (1923-1954) u ndala tek disa mendime të tij për fatin e njeriut, që luhet kudo dhe në çdo kohë, gjithmonë në sintezë me fatin e një kombi akt i njerëzimit.
Dagerman nënvizon: “Të flasësh për njerëzimin, është si të flasësh për veten. Në padinë, që individi ndërmerr, pafundësisht ndaj njerëzimit, është dhe ai vetë i përfshirë, dhe gjëja e vetme që mund ta nxjerrë të pafajshëm është vdekja. Është domethënëse, që ai e sheh veten vazhdimisht në bankën e të akuzuarit, qoftë edhe kur është gjykatës. Kurrrëkush nuk mund të pretendojë se një shoqëri, ose dhe njerëzimi po kalbëzohen pa vënë re më parë shenjat e kalbjes tek ai vetë. Kurrëkush nuk mund të thotë që qenia njerëzore është e keqe, pa dalë ai vetë i larë nga veprimet e liga. Çdo qenie njerëzore është subjekt i përjetshëm i njerëzimit dhe jep në jetën e tij ndihmesën e vet, me hir a pahir, në shtimin apo pakësimi e lumturisë dhe mjerimit, madhështisë apo poshtërsisë, shpresës apo pashpresës së njerëzimit.”
Shkrimtari francez Le Clezio, në ligjëratën që mbajti me rastin e fitimit të çmimit Nobel, e përmend Stig Dagermanin duke theksuar se fati i shkrimtarit në shoqëri tregon statusin dhe nivelin e lavdisë, apo të rënies së shoqërisë.
Në këto përsiatje të pashmangshme për një njeri të letrave si unë, m’u kujtua varrimi madhështor dhe shtetëror i Dritëro Agollit para ca kohësh. Në ceremoninë e pazakontë folën 11 oratorë, por kryesisht zotëronin dy politikanët kryesorë, kryetari i PS-së dhe kryetari i LSI-së. I fundit foli Tajari, vëllai i Dritëroit, që në fakt u shpreh në mënyrë më kuptimplote dhe më shpirtërore, sesa të tjerët. Në mënyrë të habitshme në funeralin e Dritëro Agolit në varrezat e Tufinës, në vend që ta përcillte shkrimtarin e shquar në banesën e fundit fjala autoritative e një shkrimtari të njohur, për arsye të pakuptueshme foli një politikan. Dhe mua m’u kujtuan funeralet e shkrimtarëve këto 10 vjetët e fundit. Në funeralin e Qamil Buxhelit, foli vetë Dritëro Agolli. Në funeralet e Vath Koreshit, Frederik Rreshpjes, Koçi Petritit, Skënder Drinit, Lirim Dedës, kam folur unë. Kujtoj, sidomos, funeralin e poetit Frederik Rreshpja, një nga lirikët më modernë, dhe më të mëdhenj shqiptarë, ndaj të cilit asnjë politikan, asnjë deputet, as ministri i Kulturës së kohës, nuk shprehën ngushëllime dhe nuk e nderuan në përcjelljen e pakthyeshme. Të tërë emrat e pushtetit, tashmë janë krejt të harruar, ndërsa emri i Frederik Rreshpjes nuk do të harrohet kurrë.
Po i përmend këto episode për të vërtetuar se nëse vërtet, iu bë një ceremoni mortore shtetërore Dritëro Agollit, ne nuk duhet të mendojmë se politikanët e Shqipërisë, se klasa parapolitike shqiptare, me një nivel të dyshimtë dhe ambiguid kulturor, gjoja ka një qëndrim të drejtë ndaj letërsisë dhe kulturës. Ky është thelbi i thelbeve që unë dua të kontestoj.
Të gjitha rastet flasin qartë, se statusi i shkrimtarit, i njeriut të artit dhe të kulturës, nuk ka asnjë rëndësi për politikanët e radhës të Shqipërisë. Në 2006 me ardhjen në pushtet Berisha më hoqi nga detyra që kisha si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe për fat të keq askush nuk protestoi, asnjë nga miqtë e mi shkrimtarë nuk tha ndonjë fjalë për mua, asnjë nga deputetët e PS-së nuk e ngriti zërin në Kuvend. Kjo ka qenë tronditëse për mua. PD më la 10 vjet pa punë. Por dhe kur PS i fitoi zgjedhjet në 2013, paradoksalisht, asnjë nga miqtë e mi deputetë, apo dhe shkrimtarë nuk e ngritën zërin që të rikthehesha në punë edhe për hir të dinjitetit dhe së drejtës, për të riparuar një padrejtësi njerëzore dhe kulturore. Dhe kështu unë dola në pension (me një pension qesharak), krejtësisht i nënvleftësuar nga politika, ndonëse gjatë këtyre viteve, jo thjesht për arsye ekzistenciale, por edhe të vetëdijes time krijuese, kam punuar dhe kam qenë i pranishëm në publik. Në këtë mënyrë ne mund të heqim perden për të zbuluar kokën e Meduzës, për të parë, se këto 26 vjet politika shqiptare e ka lënë në mjerim të plotë njeriun e kulturës. Është politika që e shkatërroi institucionin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, dhe sot ne jemi i vetmi vend në Europë, ndoshta dhe në botë, që nuk kemi një organizatë të shkrimtarëve dhe të artistëve, asnjë gazetë letrare, asnjë revistë etj., pra vetëm një negativizëm të plotë nga ana e shtetit dhe e politikës. Po kjo është ulëritëse, kjo gjë tregon që Shqipëria letrare, më e ndritura dhe më e shquara në shekuj, është e nënvleftësuar dhe e poshtëruar nga Shqipëria politike.
Dikur poeti i madh amerikan Ezra Pound shkroi: “Kur zbehet poezia, nis vdekja e kombit.”
Ndërsa Poul Eluard ka shënuar: “Le dur dêsir de durer” – d.m.th, “Dëshira e dhimbshme për të mbetur”, është substanca e çdo krijuesi.
Gjithashtu sjell ndërmend shkrimin e famshëm të Jean Poul Sartre për vdekjen aksidentale të Albert Camys i cili e quan veprën e një shkrimtari si pjesën më konceptuale të historisë moderne.
Para ca ditësh mora në telefon njeriun e pazakontë e letrave shqipe dhe tashmë krejtësisht në dukje i harruar, Fatos Arapin.
Herë pas here e marr në telefon Fatos Arapin, sidomos në fundvitin e kaluar, për t’i uruar vitin e ri. Por kaloi shumë kohë që zilja e telefonit binte dhe askush nuk e ngrinte receptorin, një situatë absurde si ajo në romanin “Kështjella” të Franz Kafkës.
Më në fund e ngriti receptorin Tolka, djali i Fatos Arapit. E pyeta për Fatosin dhe kërkova të bisedoja me të. Mbas gati 2 vjetësh që nuk kisha komunikuar, bisedova me poetin.
Zëri i dridhej dhe foli me ngashërim: Faleminderit, Moikom! Më kanë harruar të gjithë!…
Nuk është e vërtetë, i thashë. Ty, të kujton dhe do të kujtojë historia. Kjo është e vetmja kujtesë.
Në vitin 1999, pra 18 vjet më parë, unë kam botuar shkrimin e fundit për Fatos Arapin në shtypin shqiptar. Shkrimi quhej “Një 70 vjetor i pafestuar”. Imagjinoni që gjatë këtyre viteve emri i Fatos Arapit ngjan si i balsamosur në një shurdhëri të pafund.
Fatos Arapi është i biri i Tol Stavre Arapit, një intelektual i njohur, një atdhetar, i cili në 1914 botoi në 20 faqe poemën “Kuçedra”, si dhe la në dorëshkrim librin me publicistikë “Që të bëhet Shqipëria” (u botua në 1996). Fatosi që në vitet ’60 qe një mjeshtër i spikatur dhe autoritativ i modernitetit të poezisë shqipe. Ai është një nga emrat e mëdhenj të letërsisë.
Poezia e tij i kapërcen dimensionet e Shqipërisë dhe është padyshim e nivelit evropian. Në vitin 2008 duket sikur heshtja e anonimatit u thye në mijëra copa. Fatos Arapit iu dha çmimi ndërkombëtar i poezisë i Strugës, që e kanë marrë poetët më të mëdhenj të botës në shek.XX.
Kështu, Fatos Arapi ka marrë çmimin ndërkombëtar më të lartë, nga çdo poet tjetër shqiptar. Dhe pas kësaj, përsëri bie heshtja mbi Fatos Arapin. Deri më sot.
Kam në bibliotekën time librin studimor “Këngë të moçme shqiptare”, botuar në 1986. Këtë libër Fatosi ma ka dhuruar në shtëpinë e mikut të përbashkët, piktorit të popullit Abdurrahim Buza në 11 nëntor 1986. Ky libër është studimi më serioz që është bërë ndonjëherë në shkencën shqiptare për një trashëgimi të pashembullt poetike siç është Eposi i Veriut.
Dhe Fatos Arapin asnjëherë nuk e bënë akademik.
Fatos Arapit nuk ia ka festuar kush datëlindjet e plota siç ishte 75 vjetori, 80 vjetori, 85 vjetori etj. Si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri të harrohet kaq mjerueshëm dhe kaq në mënyrë paradoksale nga politika? Nga ministrat e ashtuquajtur të Kulturës gjatë këtyre 26 vjetëve?
Në të vërtetë Fatos Arapi nuk ka nevojë për asnjë ceremoni groteske dhe për asnjë nderim shtetëror. Duke qenë një nga krijuesit më të talentuar të kohërave moderne, ai ka vendin e tij të parrëzueshëm dot në letërsinë shqipe.
Dhe kjo jo për të tingëlluar thjesht ngushëlluese, është plotësisht e vetëmjaftueshme. Deri në amshim. Duke e përmendur emrin e Fatos Arapit për të prekur nervin e opinionit publik, unë nuk bëj gjë tjetër veçse i shërbej një të vërtete, duke dashur që të ndryshoj raportin e mbrapshtë, mjeran, të politikës ndaj kulturës. Ata që kanë sy, do të shikojnë. Ata që kanë veshë, do të dëgjojnë.
Duke i uruar jetë të gjatë, sa më të gjatë, kolegut tim të përkorë dhe të përvuajtur,Fatos Arapi, jam i bindur se vetëdija artistike e një kombi fuqizohet nga emrat e shkrimtarëve të shquar, që janë të patjetërsueshëm dot.