“Zotëri, hiqeni kapelën, ju lutem! i thirri me të vrazhdë një plakush i zbehtë, i strukur nën hije matanë një parmaku, i cili u ngrit përnjëherësh duke nxjerrë në pah fytyrën e një tipi të neveritshëm.
Kur hyni në një shtëpi kumari, ligji, para së gjithash ju merr kapelën. Mos është kjo një parabolë ungjillore dhe një paralajmërim hyjnor, apo një farë marrëveshje djallëzore që ju kërkon një peng çfarëdo? Mos vallë, kjo bëhet për t’ju detyruar të tregoni respekt ndaj atyre që do t’ju fitojnë paratë? Apo ndoshta policia, që futet në të gjitha gjirizet e shoqërisë, kërkon të dijë mbiemrin e kapelashitësit tuaj, ose tuajin, të shkruar në astarin e kapelës? Apo, fundja, kjo bëhet për të marrë masën e kafkës suaj e për të bërë pastaj statistikën njohëse për aftësinë mendore të kumarxhinjve? Lidhur me këtë administrata mban heshtje të plotë. Por kijeni para sysh se, sapo të bëni një hap drejt mbulesës jeshile, ju nuk i përkisni më vetes suaj, por jeni nën pushtetin e kumarit; edhe ju vetë, edhe pasuria juaj, edhe kapela juaj, edhe bastuni dhe manteli juaj. Kur të dilni, kumari do t’jua tregojë me një ironi të tmerrshme reale se prapa ju lë diçka, duke ju kthyer kapelën. Por, në qoftë se keni një kapele të re, pësimi do tu bëhet mësim, se duhet të siguroni një kostum kumarxhiu”.