Duke parashikuar se do të më duhet që, brenda një kohe të shkurtër, t’i paraqes njerëzimit me kërkesën e tij gjërat më të vështira që janë kërkuar ndonjëherë, më duket e domosdoshme të them se kush jam unë. Në fund të fundit, kjo duhet të dihet sepse unë nuk e kam lënë veten “pa dëshmi”. Por mospajtimi mes madhështisë së detyrës sime dhe vogëlsisë së bashkëkohësve të mi shfaqet në faktin se unë nuk jam dëgjuar, madje dhe as jam vënë re prej tyre. Unë jetoj me autoritetin që i kam krijuar vetes, apo ndoshta është thjesht një paragjykim besimi se unë jetoj?… Më mjafton të flas me ndonjë njeri “me kulturë” çfarëdo që vjen gjatë verës në Engadinën e Sipërme, për t’u bindur se unë nuk jetoj… Në këto rrethana, ndjej një detyrim ndaj të cilit ngrenë krye zakonet e mia, e aq më tepër, krenaria e instikteve të mia, detyrimin që të them: Më dëgjoni! Sepse unë jam ky njeri. Mbi të gjitha, mos më ngatërroni me të tjerët!
Unë nuk jam aspak, le të themi, një gogol, një përbindësh moral – përkundrazi, jam një natyrë e kundërt me ata lloj njerëzish që gjer më sot janë nderuar si të virtytshëm. E thënë mes nesh, mua më duket se pikërisht kjo është arsyeja e krenarisë time. Unë jam një dishepull i filozofit Dionis (Herakleot Dionis – Filozof grek, predikonte se me vdekjen merr fund gjithçka) dhe, për më tepër, parapëlqej më mirë të jem një satir (Satir – Qenie mitologjike gjysmë njeri e gjysmë cjap. Shoqëronin Dionisin, perëndinë e verës dhe simbolizojnë dëfrimin, satirën dhe ironinë.) sesa një shenjt. Po, lexoni të paktën vetëm këtë shkrim. Ndoshta ia kam dalë mbanë (dhe ndoshta ky shkrim nuk ka qëllim tjetër) që të shpreh në mënyrë të kthjellët dhe dashamirëse këtë kundërshti. Gjëja e fundit që do të doja të premtoja është kjo, që unë “do ta bëj më të mirë” njerëzimin. Nuk do të ndërtoj idhuj të rinj; le ta mësojnë idhujt e vjetër se ç’do të thotë të kesh këmbë argjile! Përmbysja e idhujve (kështu i quaj unë “idealet”) është zanati im kryesor. U zhvesh realiteti nga vlera, kuptimi, vërtetësia e tij në atë masë saqë u sajua një botë e rreme ideale… “Bota reale” dhe “bota e dukshme”, çka do të thotë: bota e sajuar dhe realiteti… Gënjeshtra e idealit ka qenë deri më sot mallkimi që varet kërcënueshëm mbi realitetin. Nga kjo u falsifikua dhe u llastua njerëzimi deri në instiktet e tij më të thella, deri aty sa filloi të adhurojë vlerat e kundërta të atyre vlerave me anë të të cilave sigurohej përparimi, e ardhmja, e drejta e lartë për të ardhmen.
Kush di të thithë ajrin e shkrimeve të mia, e di që ai është një ajër i lartësive, një ajër i freskët. Duhet të jesh krijuar enkas për të, përndryshe rreziku që të ftohesh nuk është i vogël. Akulli është afër, vetmia e pamasë – por, sa qetësisht qëndrojnë gjërat në dritë! Sa lirisht që merr frymë! Sa shumë gjëra ndjen poshtë vetes! Filozofia, të cilën unë deri më sot kam synuar dhe jetuar, është të jetosh vullnetarisht mes akujsh e mbi malet e larta, të kërkosh gjithçka është e çuditshme dhe problematike në ekzistencë, gjithçka që deri tani ka qenë e ndaluar nga morali. Nga përvoja e gjatë që më ka ofruar pelegrinazhi mes gjërave të ndaluara, kam mësuar t’i shoh në një mënyrë mjaft të ndryshme nga ajo që do të ishte e dëshirueshme çështjet për të cilat është moralizuar dhe idealizuar deri tani: historia e fshehur e filozofëve, psikologjia e emrave të mëdhenj të filozofisë, doli për mua në dritë. – Sa të vërteta përballon, sa të vërteta guxon një shpirt të shohë? – për mua ky ka qenë gjithmonë kriteri i vlerave. Gabimi (pra besimi tek ideali) nuk është verbëri, gabimi është përtaci… Çdo arritje, çdo hap përpara drejt njohjes është rrjedhojë e guximit, e ashpërsisë ndaj vetvetes, e pastërtisë ndaj vetvetes… Nitimur in vetitum (Shënim i përkthyesit: Nitimur in vetitum – lat. Të kërkosh të ndaluarën. Varg i poetit latin Ovidi, “Amorum” III, 4, 17.) – në këtë pikë, filozofia ime do të triumfojë një ditë, sepse, deri më sot, vetëm e vërteta është ndaluar sistematikisht.
ECCE HOMO – Si bëhet njeriu ai që është