Albanologu Robert Elsie së bashku me gjuhëtarin Bardhyl Demiraj në një nderim të veçantë për kontributin e studiuesit Peter Bartl për historinë e Shqipërisë.
Bëhet fjalë për botimin e Qendrës së Studimeve Shqiptare në Londër, në gjuhët gjermanisht dhe italisht ku janë përfshirë artikuj të historianit gjerman.
“Shqiptarët në historinë evropiane” përfshin më shumë se 100 artikuj të Bartl, që lidhen me hulumtimet e tij historike në kohët e ndryshimeve politike dhe shoqërore.
Sipas Elsie qëllimi i këtij botimi është një vlerësim për kontributin e Bartl në pesëdhjetë vite studimi mbi historinë shqiptare, ku bëhet fjalë për një arkiv jashtëzakonisht të pasur dhe të gjerë mbi shqiptarët përballë historisë evropiane Këto artikuj reflektojnë thelbin e dijetarit, për të cilin thuhet se është miqësor, i matur, i thellë, i kujdesshëm, dhe i hapur në çdo shqyrtim shkencor.
Për Peter Bartl, albanologu shprehet se është një kërkues i heshtur dhe i palodhur për të vërtetat historike dhe historinë kulturore të këtij vendi të vogël, dhe mbi të gjitha vlerësohet për një kontribut në përballjen e të pavërtetave që janë shkruar për historinë e shqiptarëve të bërë nga studiues të tjerë.
Për herë të parë Bartl ka qenë në Shqipëri në vitin 1999 në një konferencë mbi historinë e Kishës. Në një intervistë për mediat e Kosovës, ai është shprehur se ndonëse është për herë të parë në Shqipëri, nuk priste ndonjë diçka të veçantë, për shkak se gjithnjë e ka pasur parasysh se si është ky vend. “Nuk jam aq shumë i befasuar. Kam ardhur me anije deri në Durrës dhe prej aty kam dashur që me tren shqiptar të udhëtoj dhe të përjetoj atë bukuri të fushave dhe e përjetova jetën e fushave shqiptare prej Durrësit deri në Tiranë. Si e kam paramenduar Shqipërinë në fakt ashtu edhe ishte. Përpos se kryeqytetin, Tiranën e kam paramenduar disi më të qetë se sa është, e jo ashtu me shumë qarkullime automjetesh…” Bartl është marrë me historinë e popullit shqiptar që prej mesjetës e deri më sot, saktësisht prej shekullit 16-19-të, koha e sundimit turk dhe deri në çlirimin e shqiptarëve prej tyre, ku lëvizjet nacionale kanë qenë pika kryesore e kërkimeve të tij shkencore. Po, ashtu Bartl ka rrëfyer se është marrë edhe me zhvillimin e Kishës katolike në Shqipëri prej vitit 1940 e deri në vitin 2000. “Nganjëherë është shumë vështirë sepse statistikat dhe të dhënat janë të ndryshme, siç ishte kërkimi im shkencor mbi Kishën katolike prej 1940 e deri më sot; statistikat janë shumë të ndryshme dhe kontradiktore, e kjo nuk ishte punë e lehtë, mungesa e statistikave të sakta e ka bërë punën më të vështirë, sidomos sa i takon kërkimit shkencor”. Sipas Bartil modeli i përgjithshëm historik i shqiptarëve është ende i ngarkuar me mitin nacional, duke menduar se është popull më i vjetri në Evropë. “Shkencëtarët shqiptarë duhet sa më shumë të largohen nga ky romantizëm nacional, e duhet të jenë me praktik dhe më produktiv në zhvillimin e historisë dhe historiografisë shqiptare, sepse këto gjëra romatike-nacionale i kanë thënë qysh në shekullin 19 klasikët letrarë shqiptarë dhe janë të njohura. Pra, për mendim tim, duhet që sa më parë e sa më shpejt të ndërrohen shumë gjëra në librat historike të popullit shqiptar. Shpresoj se kjo mjafton.”, është shprehur Bartl në vizitën e tij të parë, ndërsa është intervistuar nga studiuesi Albert Ramaj.
Peter Bartl është lindur në Gjermani, ndërsa studimet i ka vijuar në Goettingen dhe München (Mynih) ku me 1960 ka botuar një studim mbi historinë e Europës Juglindore, sllavistikë dhe turkologji me temë “Rolin e myslimanëve për lëvizjen kombëtare shqiptare 1878-1912“. Më pas është marrë me disa fusha të ndryshme shkencore për historinë e Europës Juglindore, para së gjithash për historinë e popullit shqiptar. Më 1971 ka bërë një punim me temën “Ballkani verior ndërmjet monarkisë spanjolle dhe qeverisë osmane”, përkatësisht për problemin turk në fund të shekullit 16 dhe fillim të shek. 17. Po në këtë punim Bartl ka hedhur shumë trajtesa mbi historinë e popullit shqiptar. Prej vitit 1980 ai ka qenë professor për historinë e Europës Juglindore në München (Mynih)
Vetëm në vitin 2000 libri i tij, “Shqipëria nga mesjeta deri sot”, është botuar në shqip, përkthyer nga Shkumbin Brestovci, nga shtëpia botuese e ipeshkvisë së Kosovës “Drita”, edhe pse libri ka qenë i shkruar për lexuesit gjermanofonë, “por nuk besoj se do t’i dëmtoj lexuesit shqiptar”, është shprehur në ironi Bartl për të./V.M
15 vjet më parë, Peter Bartl: Duhet të ndërrohet sa më shpejt historia shqiptare
Sipas Bartil modeli i përgjithshëm historik i shqiptarëve është ende i ngarkuar me mitin nacional, duke menduar se është popull më i vjetri në Evropë. “Shkencëtarët shqiptar duhet sa më shumë të largohen nga ky romantizëm nacional, e duhet të jenë me praktik dhe më produktiv në zhvillimin e historisë dhe historiografisë shqiptare, sepse këto gjëra romatike-nacionale i kanë thënë qysh në shekullin 19 klasikët letrarë shqiptarë dhe janë të njohura. Pra, për mendim tim, duhet që sa më parë e sa më shpejt të ndërrohen shumë gjëra në librat historike të popullit shqiptar. Shpresoj se kjo mjafton”, është shprehur Bartl në vizitën e tij të parë, ndërsa është intervistuar nga studiuesi Albert Ramaj.