Arti që hedh farën e shpresës mbi rrënojat e besimit, vlerat e përtëritura të përuljes dhe devotshmërisë vijnë më shumë se sa si një vullnet i mirë, rreken të gjejnë një vend në zemrat e shterruara nga braktisja.
Katedralen e Shkodrës. E njohur si ikona e “Zojës së Këshillit të Mirë” pajtores së Shqipërisë, vepra e trashëgimisë kulturore është paraqitur në katedralen e Shën Shtjefnit në qytetin e Shkodrës, pasi qëndroi 7 muaj për restaurim në Institutin “Palazzo Spinelli” në Firence
Imazhi “Madona dhe fëmija”
“Madona dhe fëmija” është një imazh tradicional i shenjtë, ndër më të vjetrit në art dhe në ikonografinë e krishterë, i interpretuar në të gjitha llojet e arteve pamore; skulpturë, mozaikë, pikturë murale, pikturë në dru, fildish etj. Veprat e frymëzuara nga ky subjekt, përshkruajnë Virgjëreshën Mari me Jezusin fëmijë, zakonisht të mbajtur në krahët e saj. Modelet më të hershme në ikonografinë e nënës me fëmijën në krahët e saj vijnë nga të ushqyerit e fëmijëve nga gratë me qumështin e gjirit. Këto modele datojnë periudhat që nga Egjipti i vjetër, me perënditë Isis me birin e saj Horus, vazhdojnë me përfaqësimet e tilla të njohura në botën romake dhe ishin një shembull për mjeshtrit e parë bizantinë që e përpunuan në ikonografinë e re të krishterë.
Në imazhet ikonografike, Maria përfaqëson Kishën, ndërsa Jezusi, i veshur si një filozof i lashtë, themeluesin e saj. Mënyrat e ndryshme të paraqitjes së marrëdhënieve mes nënës dhe djalit nuk synonin të përfaqësonin një skenë reale, por simbolikën që përcillnin.
Historia e Zojës së Shkodrës
Historia e njohur e këtij imazhi fillon në 25 Prill 1467, kur vepra (një fragment afresku i prerë dhe i hequr) u zhvendos nga një mur i kishës së vjetër agostiniane Shën Maria në Shkodër dhe u vendos në Santuarin e Maddona del Buon Consiglio në Genazzano, pranë Romës. Sipas një legjende, në vitin 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën në rrethim e kërcënonin të çshenjtëronin kishën, piktura u shkëput për mrekulli nga muri dhe e mbajtur nga engjëjt u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik për në Itali. Në këtë largim e ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi.
Riprodhimet
Për shkak të simbolikës që përcolli, ky imazh pati një jehonë të madhe dhe gjatë shekujve të mëvonshëm, nga artistë të ndryshëm, u krijuan shumë riprodhime. Këto riprodhime të Figurës së Zojës së Shkodrës u interpretuan zakonisht në pikturën e telajos kryesisht në Itali dhe vendet e tjera evropiane, por edhe në Shqipëri. Në shekullin XVII, në familjen e paraardhësve të Pashko Vasës thuhet se ka patur një riprodhim të Zojës së Shkodrës. Kolë Idromeno i kushtoi një tablo me titull “Të ikunit e Zojës së Shkodrës në Gjenacan”, ndërsa një vepër tjetër Zojës e Shkodrës i është kushtuar në Itali dhe nga piktori shkodran me origjinë nga Dukagjini, Ndoc Martini e titulluar “T’ikunit e Figurës s’Zojës s’Shkodrës”. Një ndër këto riprodhime është dhe tabloja “Zoja e Shkodrës”, me autor anonim realizuar në shekullin XIX, që ndodhet në famullinë e Shën Shtjefnit në Shkodër.
Piktura në telajo “Zoja e Shkodrës”
Nuk ka të dhëna për vendin e origjinës të pikturës dhe as për autorin apo periudhën kur u interpretua. Mendohet se është një pikturë e interpretuar në shek. XIX. Nga të dhënat e deritanishme (jo të dokumentuara) rezulton se vepra i është dhuruar Katedrales. Informacioni i vetëm deri tani është se piktura ka qenë e vendosur në altarin e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. Në periudhën kur u ndalua besimi fetar dhe institucionet fetare u mbyllën nga shteti (1967), Katedralja e Shën Shtjefnit u transformua në një pallat sporti. “Zoja e Shkodrës” u transferua bashkë me objekte të tjera liturgjike në muzeun e ateizmit që ndodhet gjithashtu në Shkodër. Në këtë muze, vepra qëndroi për shumë vite e më pas, në vitet ‘90 u kthye përsëri në Katedralen e Shën Shtjefnit, për t’u ekspozuar në famullinë e saj. Vepra ndodhet në Famullinë e Katedrales së Shën Shtjefnit, Shkodër, nën kujdesin e Dom Artur Jakut, që është Administrator Famullitar në këtë Katedrale.