Ngarendja e moshës dhe kacarritja e mundimshme në pjerrinat sizifiane të të pamundures, jo vetëm nuk e kanë përunjur poetin korçar Vladimir Toroveci,por e kanë tubuar më me zellë e më me pathos të kumtojë botën gjëmueshëm,përmes afshit dhe rënkimit.“Kush ma vrau mëngjesin”, “Ulërima e shkretëtirës”,“Krijimi i Evës” dhe tash së fundi në një përmbledhje poezish të zgjedhura,“Kohë parvenysh”, janë zanafilla e këtij dritëshikimi që do të ngasim në mugëtirën e brendisë së artthënies së Vladimir Torovecit.
“Teksti është konvencion i identitetit të autorit…” predikon Umberto Eko. Pikënisur nga kjo sentencë dhe përnga ky këndvështrim, do të përkonim në gjetjen e shtegut, se nga mund ta ngërthesh këtë lëndë, për të përftuar sandejmi limfën që kungon bujarisht poeti. Në kryeherën e të gjitha gjasave, poezia mbetet kumti ma dëshmues i shpirtit kushtrues dhe i ndjesive që kanden me flatrue ndër vedi engjudhin përmes vargjeve, metaforës dhe ligjërimit artistik. Kjo përshkrimore asht tabloja ku poeti hedh ngjyrat për të përafruar krijimin e portretit të kohës së vet.Brendia e subjektit poetik në krijimtarinë e Vladimir Torovecit qaset të shpërfaq madhështinë përmes një metaforë të ngjeshur dhe një leksiku të rrjedhshëm. Shëmbulli estetik, finesa e piruetave artthënëse, eksplozioni shpërthyes që ngjishet fjalë pas fjalë e situatë pas situate, harmonia e organizimit të gjëndjeve që e ndërkallin brendinë e tij, mbërrijnë tek lexuesi të përplotësuara.Përgjithnji kena diçka me mtue, pëshpërit nën zë, kumtesa artistike e poetit.Gjithherë e ma përfundi e tashmja ka vënë fjalën artistike, e cila ka triumfu, dhe asht kungu si zani kushtrues dhe afshin zjarrvënës i shpirtit të poetit. Sot ngase gjithseçka përpëlitet mes ngulmit për me ken mjet apo gjendje, zani ngadhnjyes i nji fondamenti i ngjet ma s’shumti një kacarritje të mundimshme përmes valëve për të kapur bregun. E megjithatë poezia e Vladimir Toroveci gjehet ngulmas në këtë përpjekje. Ai i beson dhe deshtazi e hedh veten në fushëbetejën e të pamundurave, i bindun se bota ngase ska mundësi për të ndryshuar, kjo nuk duhet të mohojë të drejtën për të rrokur vetëdijen e asaj që asht. Dhe kjo përftohet nga kumti artthënës, nga ajo brendi gufuese që ysht poetin për t’u hedhur në zjarr. Landën tekstore të krijimtarisë së Torovecit e përceptojmë si ngrtje krye, si mosepje. Me zanin që e kapërthen në caqet e epërme të rrethrrotullisë, dhe krahnorin që i gufon përnga shpërthimi, ai dëshmon. Ai asht i bindun se format e garrametshme të botës nuk ndryshojnë. Megjithatë, doradoras, fjalë pas fjale, varg pas vargu, poezi pas poezie, qëmton gropat dhe plasaritjet që ka ndërkallë e sotmja e rrethanave dhe parakushteve. I kumton urtësisht e fuqishëm.
Përmes një procesi dinamik dhe nëpër një kohështrirje që e ngërthen fort pas vetes,poeti shpërfaq kjart dhe gjimueshëm tançka trazon botën e tij. Po, atë të tashme që nuk munet me ken vetëm e tija. S’ka gjëndje fizike përjashtimore. Heshtja dhe nënshtrimi nuk munen me ken udhërrëfimtarët e një zani gjimues. Zani, që poeti ka zgjedh me vullnetin e kushtrimit. Nën përndezjen e një brendi që gjithnjë e ysht të hovet në vërshime, ai shpërfaq në vetvete sakaq dimensionin e individit kryengritës. Bota përreth poetit,siç edhe në fondamentin e perceptimit të gjithkahshëm të Torovecit, në shprëhësinë e tij të artthënies, është tjetërçka që shqisat e njeriut të zakonshëm përceptojnë.Poeti është i destinuar të kundrojë dhe të kumtojë, me ma të fuqishmen ndjesi dhe më shpërthyesen barrë adrenaline, zashëm si rrufeja. Përpjekja e tij për të dëshmuar botën është një Golgotë e gjatë dhe e përvujtshmë, e megjithatë hyjnore. Në poezinë e Torovecit kushtruese, ai nuk orjentohet nga kahje ndikesash përjashtimore.
Gjithseçka zgjohet dhe merr formë në brendinë e alkimisë së ndërmendjes artistike.Gjurmët drithëruese janë plagë që lëngojnë prej së largu e derimtash. Më së miri, ai i pohon dhe në vend që të bashkëjetojë me ta, kacafytet, lufton deri në grahmen e fundit. Padrejtësitë janë shkrepëtima që thyejnë qiejt përmbi të. Në gastaret e këtyre qiejve të thyer ai ecën këmbëzbathur për me dëshmu vetmohimin në emër të kauzës. Pandalur rend duke promovuar shpirtin ngallnjyes të poetit. Dhe këtë e bën plot ngjyra, anipse në dritëhijen e një realieti ku ai nuk ndjehet ende në paqe dhe qejfprishur me të.
Albert Vataj