Botimet IDK sjellin në shqip dorëshkrimet origjinale të Statuteve të Shkodrës, nga gjysma e parë e shekullit të XIV, me shtesat deri më 1949, e shoqëruar me përkthimin shqip me parathënie nga Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi; Fushat e veprimtarisë së Statuteve: Blloqet e shumta sipas të cilëve janë strukturuar Statutet: marrëdhëniet me mbretin serb, normat e së drejtës publike, të së drejtës civile, të së drejtës penale.
Nga Violeta Murati, Revista Mapo
Të nxjerra në dritë pas rreth shtatë shekujsh, Statutet e Shkodrës na sjellin një pamje të panjohur më parë të një segmenti të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, duke na shfaqur fytyrën e një vendi me qasje kah detit, pjesë e një qarku mesdhetar, që asaj kohe përbënte vetë qendrën e botës së njohur…
Në tërësinë e tyre, kapitujt e Statuteve na paraqesin një jetë qytetare e cila nuk kishte asnjë ndryshim nga ajo që zhvillohej në shumë vende të tjera të ngjashme në Europën mesjetare. Në fakt është fjala për një dokument që na lejon ta vendosim historinë e një pjese të Shqipërisë në kontekstin më të gjerë të historisë të Mesjetës italiane dhe europiane, ku atë kohë ngadhënjyen komunat dhe strukturat qytetare.
“E vërteta është që Shkodrës në atë fillim të 1300-ës, aq përshtat i shkojnë ngjasimet: ajo do mund të përshkruhet nga pamje të njëllojta, si për shembull, ato të asokohshmet të Sienës, në Itali, apo tablotë e Ambrogio Lorenzetti-t, e ngjashme me shumë struktura qytetare që po merrnin trajtë në Europë, të cilat tërhiqnin brenda mureve të tyre njerëz nga fshatrat përreth, tregtarë të kudondodhur, artizanë, pronarë të vegjël që shkonin të sajonin diçka të re, duke e nxjerrë të vjetrën jashtë errësirës së oborreve kuvendare, për t’i dhënë dritë një koncepti të ri për jetën, që përbënte fillesën e qytetërimit modern.
Statutet e Shkodrës janë një peshtaf brenda së cilit gjen qytetërimin e zhvilluar mesjetar të Shqipërisë së epërme; një dritare e hapur kanat më kanat në jetën që gëlon të një bashkësie qytetare… Sepse, edhe pse bën fjalë për një Shqipëri mesjetare të besimit të krishterë, përtej dallimeve fetare, ai shërben për të ruajtur kujtesën e kohës dhe të vendit në periudha të ndryshme ndër shekuj, e ndaj mund të quhet pasuri e gjithë shqiptarëve, e cila duhet njohur, nderuar dhe ruajtur.”, shkruan prof. Lucia Nadin.
Ndërsa historiani që është marrë me përkthimin e tyre, Pëllumb Xhufi shkruan: “Statutet e Shkodrës, që i paraqiten sot lexuesit shqiptar në një botim të ri, përbëjnë një material të rrallë për historinë e për kulturën mesjetare shqiptare. Në vitin 1873, kur zbuloi dhe botoi Kronikën e Gjon Muzakës, historiani gjerman Karl Hopf nuk ngurroi ta quajë atë “perlë e burimeve tona për Shqipërinë mesjetare”. Sot, falë kuriozitetit e pasionit shkencor për hershmëritë shqiptare të Prof. Lucia Nadin, ne zotërojmë padyshim një tjetër perlë, po aq të çmuar sa e para. Nëse e para, Kronika e Gjon Muzakës, na njeh me jetën dhe shoqërinë feudale shqiptare të shek. XIV-XV, Statutet e Shkodrës na zbulojnë në mënyrë verbuese polin tjetër të qytetërimit mesjetar shqiptar, atë të qyteteve autonome, ku Shkodra zinte një vend të veçantë nderi në krejt arealin dalmato-shqiptar”.
Vëzhgime
Në parathënien që shoqëron Statutet e Shkodrës, studiuesit parashtrojnë edhe disa vëzhgime që lidhen me kompleksitetin e fushave në të cilat ndërhyjnë normat statutore, duke paraqitur interes si për studiuesit por dhe burim për studieme shumdisiplinore që marrin në shqyrtim çështje të linguistikës të lidhura këto me terminologjinë e ngushtë të veprimtarive punuese, duke i hapur rrugë po ashtu, hulumtimeve mbi shoqërinë, doket dhe historinë e punës, nxjerr në pah parime të arkitekturës dhe urbanistikës, parashtron probleme që lidhen me ekonominë, si dhe shtjellon aspekte të botës fetare dhe kishtare.
“Pra, teksti i Statuteve të Shkodrës na lejon që historinë e një pjese të Shqipërisë të mund ta vendosim në historinë më të gjerë të Mesjetës italiane dhe europiane, e cila, pavarësisht ndryshimeve dhe dallimeve të kuptueshme, hedh dritë mbi mënyrën sesi ngadhënjyen komunat dhe strukturat qytetare; kësisoj edhe Shqipëria bëhet pjesë e studimeve krahasuese, të këndvështrimeve të reja brenda vëllimit tejet të madh historiografik që merret me këto dukuri”, thotë Nadin.
Secili kapitull, i analizuar veçmas si dhe brenda kontekstit, sipas studiuesve ofron mundësi për vlerësime nga më të ndryshmet, ku tërheqin vëmendjen: I pari fare, mbi të gjithë: De libertà de li forestieri a venir ne la cità nostra a star[1]. Me pak fjalë: cilido i huaj, qoftë ky sllav apo shqiptar (siç saktësohet menjëherë paskëtaj), që dëshiron të bëhet pjesë e bashkësisë së Shkodrës, është i mirëpritur, s’duhet të pësojë dhunime a mashtrime dhe duhet të mbrohet. “Kësisoj, edhe në sytë e lexuesit të sotëm fjala libertà si pjesë e tekstit, na hedh papritur dritë në brendësi të bashkësisë qytetare të Shkodrës të para gati shtatë shekujve. Na sjell ndër mend ata hapa të ngadaltë që bënte, përgjatë Mesjetës, rilindja në Itali dhe në Europë, e qendrave qytetare të mpiksura nga ngucje të reja ekonomike dhe shoqërore: «ajri i thithur në qytet të bën të lirë»; bën fjalë pra për dyndje migruese dhe zhvendosje prej fshatrave. Ato kanë vendndodhje të ndryshme, por bëhet fjalë për qytete të ngjashëm për sa i takon elementëve të tyre themelorë, edhe pse të ndryshëm për sa i takon veçantive të mënyrës së jetesës.”
Nderimi ndaj të huajit që dëshiron të bëhet bashkëqytetar haset përsëri në kapitullin nr. 262: gjatë vitit të parë të qëndrimit të mos jetë i rënduar nga barra fiskale, askush s’duhet të përfitojë nga gjendja e tij dhe vetëm gjyqtarët mund të gjykojnë mosmarrëveshje të mundshme mes tij dhe ndokujt që i del ballë. Në këtë mënyrë, mbrojtja e individit mbikëqyret me përgjegjësi të ndërsjellët.
Po ashtu, edhe kapitulli 89, i cili bën fjalë për zgjedhjen e «gjyqtarëve dhe zyrtarëve», të habit kur sheh sa aktual tingëllon: porositet që të zgjidhen njerëz të aftë, të gatshëm që të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët; porositet që të mos merren parasysh këndvështrime personale, që ndjekin zgjedhje miqësore/armiqësore, por që si debia lezer quelli che sia sufficienti et hutili/umili a la nostra citade. E non per parte né refutar nessuno bon omo per nimistade[2]. Përmasat e një “polisi” dalin në pah më qartë, që aq mirë i përshtatet asaj për çka po flisnim përreth kapitullit të parë, mbi mikpritjen ndaj të huajit sipas ligjeve të Komunës.
Për t’u marrë në shqyrtim është dhe kapitulli 266, i cili trajton pagesën në rastet e hakmarrjes: bashkëshorti nuk mund ta tërheqë nga paja shumën e nevojshme për të dëmshpërblyer të dëmtuarin, gruaja duhet të merret në mbrojtje nga Komuna dhe burri që bëri la pazì të jetë i vetmi përgjegjës përpara ligjit dhe fuqisë së tij.
Një kapitull i tillë, e përsërisim që ta nënvizojmë, tok me ata 224 dhe 225 që u kushtohen vrasjeve, heq një vijë të dukshme ndarëse nga logjika e hakmarrjeve përmes “i sangui”, pasi në këtë lëm ndërhynte, me veti vendimmarrëse dhe ndëshkimore, veç ndërmjetësia financiare.
Për sa i përket gruas, madje dhe fyerja me fjalë ishte e ndëshkueshme dhe aq më tepër nevojitej të merrej në mbrojtje nëse do të kishte pasur të bënte me ndonjë dhunë të çfarëdollojshme (sforzada over batuda over robada[3]): nëse përgjegjësia binte mbi një klerik, nevojitej edhe ndërhyrja ndëshkuese e ipeshkvit, ndërsa nëse ishte një laik, ky qe i detyruar të martohej me gruan me qëllim ndreqjeje ose, nëse kjo ishte martuar tashmë, ta dëmshpërblente atë me një shumë të caktuar. Afërmendsh bëhej dallim mes le bone dhe le cattive femine; të përdalave u kërkohej që t’u qëndronin larg banesave të zentiledonn. Kjo e dhënë e fundit të kujton lidhjen me ambiente të ngjashme sociale tjetërkund në Europë, duke të sjell ndërmend lagjet e “mbrame”, të banuara nga masa shtresash sociale të ulëta, që shpesh kishin lidhje dhe mbështetje prej të ashtuquajturave urdhëra lypsarë, siç qenë domenikanët dhe françeskanët.
Gruaja, veç të qenit e lirë në lënien e një dhiate, mund të thërritej për t’u paraqitur si dëshmitare para gjyqit si për çështjet e saj personale, ashtu dhe për ato që i përkisnin të shoqit (në rast se ky ndodhej jashtë qyteti). Nëse burri s’do të ishte i pranishëm dhe në borxhe, huadhënësi s’mund të prekte dot pasurinë e së shoqes, por vetëm atë të borxhliut, in ogni parte del mondo që ai të gjendej.
“Edhe në këtë rast (thoshte kapitulli 117), para syve tanë shpaloset një skenar i pafund: hapësira për udhëtime, shkëmbime, të një Shkodre qytetare e cila bashkëbisedonte – përmes tokës dhe detit – me tregtinë ndërkombëtare, në një horizont të hapur për lëvizje drejt dhe nga bota e njohur asokohe. Një horizont i cili përfshinte cittadini e forestieri, cittadino e sclavo (slavo) e arbanese, latino e sclavo; që lidhte së bashku botë të ndryshme, atë të qytetit, la citade de Scutar, me botën e fshatrave, la provincia (kapitujt 130, 136, 262, 193). “
Në tërësinë e tyre, kapitujt e ndryshëm të Statuteve studiuesit ndalin në paraqitjen e jetës qytetare e cila nuk kishte asnjë ndryshim në krahasim me atë që zhvillohej njëkohësisht në shumë vende të tjera të ngjashme në Europën mesjetare, një jetë që ecte sipas hapit të kohës së shënjuar nga tingulli i kambanave: kambanat e Kishës së Shën Stefanit, siç pamë, thërrisnin në zgjedhjen e ofiqeve ditën e Shën Markut, ashtu siç kasnecët njoftonin rrugëve (kap. 176). E tillë jetë qytetare shënjohej sipas kalendarit të kremtimeve fetare, në mënyrë që rojtarët e hardhive, për shembull, të punonin nga dita e Shën Elisë në atë të Shën Mëhillit (Kap. 82); ose që ata të cilët kullosnin buaj in montizio ta kryenin në kohën mes ditës së Ngritjes në Qiell dhe asaj të Shën Ndreut. Shqipëria e shek. XIV ishte ende një trevë e krishterë, më së shumti e ritit greko-ortodoks në jug dhe romano-katolik në veri.
“Një fllad qytetërimi është ky tekst i vyer pra, i motit kur bota mesdhetare ishte djep i moçëm qytetërimesh, shkëmbimesh idesh, popujsh dhe kulturash. Nga porti në port, nga porti i Venedikut në atë të Shkodrës, si dhe nga vetë Venediku në Shkodër, në Durrës, Korfuz e Butrint. Nga një breg në tjetrin, si nga ranishtat e Vlorës në lagunat venedikase ose ato të Markeve dhe të Pulias. Kjo është bota që shfaqej në portolanët e moçëm, në hartat e lundërtarëve, ku gjithë qytetet buzë detit, siç shprehej aq bukur historiani Braudel, kapeshin dorë për dore. Prof. Nadin ndalet dhe në vëzhgimin se mbi taksat doganore dhe peshimet përkatëse, normat statutore s’lënë hapësira boshe (kapitujt 64, 65, 108) duke bërë të qartë llojin e veprimtarisë tregtare që ziente përreth Shën Sergjit, sasinë e anijeve që duhej të ankoroheshin, në një ecejake të dendur shkëmbimesh. “Janë pikërisht Statutet, të cilat, tok me pamjen e një Shqipërie qytetare, i japin jetë asaj prirjeje shekullore kah detit të shumë banorëve të saj (për rremtarët, remigatori, flet kap. 60).
Pasi “Shqipëria” vërtetë do të thotë vend i shqipeve dhe i maleve, por vetë shqiponja dykrenore e flamurit të saj sikur na fton t’i japim zë një tjetër fytyre të këtij vendi, atij të brigjeve dhe detit. Mjaft me interes është roli që i jepet noterit (për shembull në kapitujt 66, 93): ky – të mos harrojmë që ishte “shkronjësi i qytetit” dhe në Europë kishte një arsimim universitar (njëlloj si mjeku) – edhe në Shkodër të sjell ndër mend ekzistencën e një kulture të shkruar që aq shumë i interesonte sferës laike, po aq sa dhe asaj të selive ipeshkvnore dhe kuvendeve”.
Për studiuesen me interes janë edhe një bllok kapitujsh që risjellin një panoramë të jetës profesionale të qytetit shqiptar, duke u përqendruar sidomos në artizanatin e përpunimit të lëkurës (këpucarët, zavateri, kap. 51), industrinë metalurgjike (hekurpunuesit, ferrari, kap. 52), çka na çon drejtpërsëdrejti në burimet minerare me të cilat qenë të lidhur, industrinë ushqimore (furrtarët, lopçarët, kasapët), veprimtaria ndërtimore parë nga këndvështrime të posaçme, bota e maestri marangoni, të transportuesve, të rojtarëve.
Të përpikta paraqiten dhe normat e ruajtjes së rrogëtarit i cili duhej marrë nën kujdes në rast sëmundjeje. Pijetoret qenë të ndaluara me rreptësi në gjithë qytetin, ndërsa përkujdes të veçantë kërkohej për mbjelljen e pemëve, të vreshtave, të ullishtave dhe veprimtarive fshatare.
“Prej gjithë kishave të asaj kohe që në Shkodër, ashtu si në gjithë Europën, ishin duke u lartuar – kambanat e të cilave thërrisnin në sheshet e afërme bashkësitë qytetare – s’ka mbetur gjurmë e as të ndonjë faqeje të tyre të jashtme, pa le pastaj e zbukurimeve të tyre të brendshme. Mbase arti i madh i rigjetur i një skulptori në dru me prejardhje nga një familje të shpërngulurish prej Shkodre në gjysmën e dytë të 1400-ës në Venedik, me emër Paolo Campsa, bir i përpunuesit të drurit, ose më saktë skulptorit në dru Alesandër, mund të na japë një grimë prej saj, me shijen e theksuar të vonë gotike që zotëron dhe shtresën e hollë të derdhur në ar”, ndalet ndër të tjera prof. Nadin.
***
Statutet e Shkodrës: një përmendore e kujtesës së Shqipërisë
nga Lucia Nadin
Epigraf
Leximi i Statuteve të Shkodrës është një rast që sa të josh aq dhe të mëson, duke të hapur para sysh dhe hedhur dritë mbi një qytetërim komunal, teksa lexuesit i mundësohet të depërtojë në brendësi të qytetit mesjetar, ku njihet me rregullat e tij urbanistike, strukturën artizanale bashkë me fjalorin e përdorur, ritmet e përditshmërisë së jetës politike dhe shoqërore, sistemin doganor që lidhet me shkëmbimet mes prapatokës dhe bregdetit. S’është fjala aspak për një lexim të mërzitshëm, përkundrazi, kemi të bëjmë me një minierë të vërtet informacioni që ngjall kureshtjen, sidomos atje ku jeta e kahershme i përngjan të sotmes, por po ashtu të ngjall dhe habi kur sheh se si disa mënyra sjelljeje aq themelore aso kohe në ditët e sotme janë anashkaluar, siç është fjala vjen, te respekti që tregohej aso kohe për hapësirën publike, për ta mbajtur atë pastër e për ta zbukuruar; gjen aty vlerësimin për njeriun, edhe kur bëhet fjalë për një grua (madje të duket gati e pabesueshme kur sheh sa shumë e mbrojtur, e respektuar dhe e nderuar është gruaja), qoftë kur bëhet fjalë për cilëndo jetë njerëzore: teksa çdo fyerje dhe ushtrim dhune merr ndëshkimin e duhur, siç ligji udhëzonte, por në çdo rast duke përjashtuar logjikën e hakmarrjes apo të gjakmarrjes. Statutet e Shkodrës, pra, përbëjnë një rast të jashtëzakonshëm për të njohur, por dhe një rast të veçantë për një dialog, dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për një dialog brenda rrethit të ngushtë të specialistëve të disiplinave të ndryshme, por, në mënyrë mjaft më konkrete, për atë dialog që mund të zërë fill mes tekstit dhe lexuesit.
Ky është një libër i cili duhet të zërë vend në çdo shtëpi, sepse, edhe pse bën fjalë për një Shqipëri mesjetare të besimit të krishterë, përtej dallimeve fetare, ai shërben për të ruajtur kujtesën e kohës dhe të vendit në periudha të ndryshme ndër shekuj, e ndaj mund të quhet pasuri e gjithë shqiptarëve, e cila duhet njohur, nderuar dhe ruajtur.
Një kujtesë e cila lypset t’i “jepet” dhe mysafirit të huaj që mëton të njohë rrënjët historike të Shqipërisë. Me “bukë e krypë” pritej mysafiri në krye të herës, duke përjetësuar kësodore një mikpritje zakonore me prejardhje homerike.
Konceptin “bukë e krypë” në tekstin e Statuteve të Shkodrës ka për ta gjetur metaforikisht kushdo që do të dijë më shumë rreth atij moti të lashtë të Shqipërisë, kur osmosa mes tokës dhe detit ishte pjesë përbërëse e qytetërimit europian.
Rigjetja e tekstit dhe rëndësia e tij
Njoftimi i parë zyrtar për rigjetjen e Statuteve të Shkodrës në dorëshkrim- kopje që i përket viteve më të para të shek. XVI, u kumtua gjatë një konference shkencore në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në vitin 1997. Ky tekst ishte gjetur vetëm pak kohë më parë në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, nën shënimin: “Manoscritto Correr 295”: bëhej fjalë për një përcjellje më se besnike, fjalë për fjalë sipas kopjuesit, të origjinalit që s’gjendet më.
Teksti do gjente dritën e botimit në vitin 2002, pas plot pesë vitesh analizimi e studimi, me ndihmesën e historianëve dhe gjuhëtarëve, si dhe përkthimin në gjuhën shqipe; përkrahja e marrë asokohe nga Presidenca e Republikës së Italisë si dhe nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, pati për qëllim të theksonte rëndësinë e jashtëzakonshme që ky tekst kishte për sa i përket historisë politike, shoqërore dhe kulturore të Adriatikut dhe të Mesdheut përgjatë Mesjetës.
Pyetjes se cilës periudhë i përket përmbledhja statutore nuk mund t’i përgjigjemi dot me saktësi; është e qartë që ajo e pararend kodin legjislativ të quajtur Zakonik, i cili qe hartuar me nismën e Stefan Dushanit vetëm tre vite pas marrjes së titullit perandorak në vitin 1346; në tekstin shkodran përmendet gjithmonë Misser lo re dhe jo perandori, që na le të kuptojmë se tërësia e kapitujve i paraprijnë asaj date, gjë që tregon përkatësinë e tij në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIV, me mundësinë madje që t’i shtyjmë edhe më pas përpilimet e para, deri në krye fare të shekullit.
Përsa i përket mbretit, në tekstin e Shkodrës vazhdimisht përmendet përkatësia e qytetit si pjesë e mbretërisë serbe, e cila e kishte zanafillën në fund të shekullit të XII, pasi edhe në brendësi të një administrimi autonom të drejtësisë, pranohet se për raste të veçanta gjykimi mbetej një e drejtë e kurorës: ato ishin rastet e tradhtisë, të vrasjeve, kur qe fjala për shërbyesit, kuajt.
E njëjta përmbledhje frymëzoi mandej Statutet e Budvës (pas vitit 1349), gjë që dëshmon se ajo luajti një rol të dorës së parë, duke përbërë një pikë referimi për komunat e tjera të Adriatikut, të cilat, duke qenë të lidhura me të njëjtin det, dhe pa mëdyshje ndanin gjithashtu parime juridike të ngjashme.
Nuk dihet nëse një përmbledhje e tillë statutore ka ekzistuar dhe në Durrës, pasi njohim veç pak kapituj: një arsye më shumë përse ky tekst i rigjetur përbën për studiuesit një mundësi të çmuar për të hetuar tërësinë e tipareve juridike të qyteteve bregdetare të Adriatikut verior (si për shembull Budva dhe Kotorri).
Në gjysmën e dytë të shek. XIV, fati vendosi që tokat shqiptare të merrnin një rëndësi strategjike përballë mësymjes osmane dhe Shkodra, siç dihet, u bë “venedikase” në vitin 1396, në përfundim të një marrëveshjeje me Gjergjin II Balsha, pak vite pasi një marrëveshje e ngjashme qe lidhur me Karl Topinë dhe për Durrësin.
Duke marrë përsipër mbrojtjen e tyre, Venediku, zotohej të respektonte zakonet e bashkësisë dhe të ruante statutet ekzistuese atje ku ato qenë në fuqi dhe një parim i tillë udhëhiqte veprimtarinë e çdo comes et capitaneus, pra Konti dhe kapedani, që ajo dërgonte për ta përfaqësuar: këta, do mund të ushtronin autoritet ligjvënës veç në rastet mungonin norma të posaçme, pra në përmbushje të boshllëqeve që mund të haseshin, në bazë të deontologjisë përkatëse. Statutet ishin me një fjalë emblema e autonomisë qytetare që duhej respektuar, statutet ishin instrumenti mbrojtës përkundrejt mundësisë së pashmangshme që autoritetet venedikase të tejkalonin kompetencat e tyre administrative.
Protektorati venedikas mbi Durrësin dhe Shkodrën zgjati përreth një shekull (ndërsa në jug të Shqipërisë, në Butrint, ai do të vazhdonte dhe në shekujt e mëpasëm); për shkak të luftërave ekonomikisht rraskapitëse, në përfundim të rrethimit të dytë të saj, Venediku ia dorëzoi Shkodrën turqve (1479), me premtimin që kushdo prej banorëve të saj që dëshironte do mund të linte dheun e prejardhjes dhe të shpërngulej në tokat venedikase, që shndërroheshin kësisoj në një atdhe birësues. Qe një eksod masiv, sipas dëshmive të kohës nga ana e Marin Beçikemit (Marin Becich) më së pari, i cili kohë më vonë do të bëhej docent në universitetin e Padovës, sidomos nga Shqipëria e epërme katolike, duke vazhduar më pas dhe nga viset e Shqipërisë së mesme, kur Durrësi ra në dorë të turqve, më 1501.
Ky eksod do të shënonte një seri mërgimesh në trevat e Serenissima-s[4] që ndryshonin krejt nga ajo që ndodhi në jug të Italisë, ku morën trajtë enklava shqiptare të cilat do të mbijetonin si të tilla për shekuj me radhë, e që sot janë pikërisht ato bashkësi arbëreshe që ende mbeten burim studimesh dhe dëshmish kulturore.
Krejt ndryshe, e nënvizojmë, ngjau me mërgatën shqiptare në Italinë e veriut dhe në trevat e Republikës së Venedikut, pasi në realitetin shoqëror, ekonomik dhe tregtar të metropolit venedikas, mërgimi u pasua nga një proces i shpejtë integrimi, një osmozë e përshpejtuar mes të ardhurve dhe vendasve, nën drejtimin e një politike që kishte për qëllim përshtatjen edhe të popullatës shqiptare me realitetin kozmopolit të Mbretëreshës së Adriatikut[5]; popullatë kjo e cila, një e dhënë kjo që për më tepër lypset të mos anashkalohet për vetë veçantinë që mbart, kishte qenë e pranishme në jetën venedikase përgjatë gjithë shek. XV, ndaj dhe s’është e rastit që në mesin e gjithë bashkësive kombëtare të huaja që vepronin në qytet (dalmatët, grekët etj.), shqiptarët katolikë qenë të parët që mundën të përftojnë një leje për të hapur një “Shkollë” të tyre, ose përndryshe një Shoqatë-Vëllazëri (e cila u hap zyrtarisht në 1448-n, por që de facto ekzistonte qysh në fillim të viteve ’40,) ku ata të mund të mblidheshin e të gjenin mbështetje dhe mbrojtje të ndërsjellët, duke arritur të mbanin gjallë identitetin e tyre, e ku qenë të pranishme edhe gratë (që nuk duhet harruar se në shoqërinë e Mesjetës së vonë vazhdonin më së shumti të mbeteshin të përjashtuara nga shumë fusha të jetës publike), duke shërbyer kësisoj dhe si një mundësi shoqërizimi; me pak fjalë, ishte kjo “shkollë” që i përfshiu shqiptarët në jetën shoqërore, fetare e mirëbërëse të qytetit.
S’mund të quhen të huaj shqiptarët në Venedik përgjatë shekullit të XV, por të huaj mysafirë, ose akoma më mirë kushërinj Adriatiku dhe aleatë besnikë. Tejet besnikë qenë dhe ata katolikë të shumtë që zunë vend në klerin venedikas.
Me vdekjen e Skënderbeut, pasi Shkodra dhe Durrësi ranë në duart e turqve, paqja e firmosur në vitin 1503 mes Venedikut dhe turqve, i hapi rrugën një periudhe të gjatë marrëdhëniesh të shtendosura në mes të dy brigjeve të Adriatikut. Megjithatë, hedhja një hap drejt bashkëjetesës me armikun e dikurshëm nuk qe një gjë aspak e lehtë për të gjithë ata shqiptarë që kishin qenë të detyruar të merrnin arratinë nga dheu i tyre.
Pikërisht me nxitjen e bashkësisë shqiptare të strehuar në Venedik, u ndërmor nisma për të kujtuar mëmëdheun e braktisur, pikësëpari duke përgatitur një ekzemplar të bukur në dorëshkrim, për t’u përcjellë breznive të ardhshme gjithë normat statutore që kishin rregulluar jetën qytetare në Komunën e Shkodrës gati dy shekuj përpara.
Ishte guri i parë në shërbim të ngritjes së një përmendoreje kushtuar së shkuarës së një vendi që, sipas fjalëve të Marin Barletit, kish pasur një histori përherë aq të trazuar e të pamëshirshme.
Këto janë pra arsyet e ardhjes në jetë, në vitet e para të shek. XVI, të atij dorëshkrimi të çmuar me titull Correr 295, i cili vazhdon të ruhet ende në Venecia e që këtu na shfaqet në trajtat e veta origjinale; aq i çmuar sepse na ndihmon për të kuptuar historinë mesjetare të Shqipërisë, por jo vetëm. Pasi Statutet e Shkodrës – e theksojmë përsëri – janë ndër të paktët tekste juridike që i kanë mbijetuar kohës, të realitetit të jetës qytetare përgjatë brigjeve të Adriatikut të epërm në periudhën mesjetare, çka dëshmon vlerën e pamat që kanë.
Të nxjerra në dritë pas rreth shtatë shekujsh që nga koha kur qenë hartuar, ato na sjellin njohuri të panjohura më parë për një segment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, duke na shfaqur fytyrën e një vendi me qasje kah detit dhe pjesë e një qarku mesdhetar, që përbënte vetë qendrën e botës së njohur të asaj kohe, i cili mbijetoi deri në zbulimin e tokave të reja,
Koha dhe skenarët e transkriptimit të Statuteve
Për t’i kuptuar më mirë arsyet që çuan në transkriptimin e tekstit të Statuteve të Shkodrës (i cili i përkiste shekullit të XIV) në një dorëshkrim-kopje luksoz, është e nevojshme të thellohemi edhe më tej në atë ç’po thoshim rreth pranisë së një bashkësie shqiptare në Venedik, në arkivat e të cilit ruhej teksti origjinal dhe ku më pas u përgatit ajo kopje.
Siç u përmend, bashkësia shqiptare në Venedik, që nga vitet 1440, kishte arritur të përftonte një leje për hapjen e një “shkolle” të vet, pra të një Shoqate kombëtare, e nëpërmjet së cilës, në sajë dhe si rrjedhojë e përkatësisë katolike, kishte pasur mundësinë të përfshihej shumë shpejt në sistemin shoqëror dhe në jetën fetare të Serenissima-s. Kujtojmë se fillesat e protektoratit venedikas mbi Shkodrën katolike i përkasin një pesëdhjetëvjeçari përpara (1396).
Rregullat që udhëhiqnin jetën e “shkollës” ruhen ende sot në Venezia, në librin me titull Matricola (Amzë), i cili përmban statutet, rregullat praktike, vendimet, listat e shqiptarëve të anëtarësuar; Matricola është kësisoj një dëshmi e jetës së shqiptarëve në Venedik, e përkatësisë së tyre shoqërore, si dhe e veprimtarisë së tyre mes shekujve XV dhe XVIII (“shkolla” u mbyll në vitin 1780).
Në vitin 1503, pas dekada luftimesh dhe pas rënies së protektoratit venedikas mbi Shkodrën e Durrësin, firmoset paqja mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane, ngjarje e cila u shoqërua me kremtime të mëdha me nismën e dogjit Leonardo Loredan. Emri i familjes së patricëve Loredan, duhet shënuar, lidhej me rrethimin e parë të Shkodrës (1474), kur kishte qenë pikërisht një Loredan, me emrin Antonio, ai që kishte udhëhequr qëndresën heroike shkodrane, fati i së cilës do të shkruhej në faqet e lavdishme të historisë së gjithë kohërave. Rasti donte që në përfundim të asaj qëndrese heroike, në Venedik kishte zënë fill një letërsi e përhapur ‘popullore’ e cila lartësonte luftëtarët, duke ua krahasuar heroizmat me ato të paladinëve të Karlit të Madh, duke arritur deri në përshkrimin si dhe mishërimin letrar të të rrethuarve: Ciascun pareva un paladino/tuti coperti di fine armatura![6]; fusha nën kështjellën e Shkodrës i mbivendosej asaj të Ronsevosë (Roncevaux)[7], duke i ndërfutur ndodhitë shqiptare në shtratin e moçëm të epikes mesjetare të krishterë.
Lufta e popullit shqiptar kundër turqve, e cila i shërbente interesave ekonomike dhe politike të Venedikut dhe të Europës, ashtu si dhe vetë projekteve për rimëkëmbjen e krishterimit që ushqente Papati, u bë pjesë kësodore, qysh herët, në antologjinë e faqeve madhështore të historisë së Europës.
Edhe “Shkolla e shqiptarëve”, tashmë e zhvendosur prej rrethinës së San Severo-s dhe nga Oratori i San Gallo-s në atë të San Maurizio-s[8], merrte pjesë në ato kremtime paqeje, me punët që vazhdonin në brendësi të godinës në të cilën kishte selinë dhe në veçanti me stolisjen e dhomës në katin e parë të ndërtesës, atje ku piqeshin për mbledhje bashkëvëllezërit dhe simotrat; nisur nga ky qëllim, punishtes së Vittore Carpaccio-s iu besua paraqitja e jetës së Virgjëreshës Mari në një varg pikturash (kulti i Marisë qe përhapur në trevat e Shqipërisë së epërme, siç dëshmon dhe Zoja e Këshillit të Mirë).
E para pikturë në pëlhurë e Carpaccio-s mban datën 1504 dhe firmën e gastaldo-s (rojtarit ose shoqëruesit) të “shkollës së shqiptarëve” gjatë asaj periudhe, njëfarë Nicolò Cimador (zanati i qethësit, në italisht “cimatore”, ishte shumë i lidhur me sektorin e tekstileve, ku shqiptarët kishin prani të madhe).
Le të mos e heqim vëmendjen nga datat.
Në të njëjtin vit, pra në atë 1504, botohej De Obsidione Scodrensi i Marin Barletit, qëllimi i të cilit ishte përjetësimi i betejës së Shkodrës kundër rrethimit osman; botues i veprës (si dhe i veprës tjetër të Barletit Vita e Skënderbeut[9], më 1510), ishte Bernardino Vitali, botues i rëndësishëm në Venedikun e asaj kohe, kryeqytet europian i shtypshkrimit: venedikas patjetër, por me prejardhje familjare nga Shqipëria, siç e dëshmojnë të dhënat e autores së këtyre radhëve.
Pikërisht në po të njëjtin vit – në tekst nuk ka nënshkrim, por mbështetemi në një datë të tillë për vetë rrethanat kremtuese të paqes (përveç shqyrtimit të kaligrafisë) – hidheshin në kopje të pastër prej origjinalit të arkivuar që sot ka humbur, Statutet e Shkodrës, pikërisht në kujtim të së shkuarës së lavdishme të qytetit të Shkodrës dhe të aleancës së saj me Venedikun: një emblemë në akuarel mu në ballë të Statuteve rrekej, nëpërmjet ngjyrave të ndezura, të shpallte historinë madhështore më të moçme, e po ashtu atë shkatërrimtare më afër në kohë.
Një emblemë aleance, thamë: një mburojë e këputur shfaq në njërin krah një shqiponjë dykrenore me kurorë të artë në sfondin bojë qielli, ndërsa në tjetrin tre trëndafila bojë qielli me nga pesë petale në sfond të artë; shqiponja dykrenore me kurorë të artë mëton të sjellë ndër mend nga ana shkodrane, thuhet, emblemën perandorake të Bizantit, ndërsa tre trëndafilat risjellin derën e patricëve Loredan, së cilës i përkiste dogji i Venedikut asokohe. Një imazh i pasur me domethënie ndjellëse – ruajtur tërë kujdes në një mjedis të spikatur kulture, mbase në atë të universitetit të Padovës, fanar njohjeje dhe përçues i dijeve.
E qartë pra që në kohën e kremtimeve venedikase në nder të paqes së arritur me turqit, bashkësia shqiptare e shpërngulur në Venedik rrekej me këmbëngulje të mbante gjallë kujtimin e rolit që kishte luajtur vendi i saj në ngjarjet dramatike të shekullit të mëparshëm; në veçanti kërkohej të ngulitej madhështia e së shkuarës së Shkodrës dhe heroizmi me të cilin ajo kishte mbrojtur vetveten bashkë me interesat e Venedikut dhe të Krishterimit. Marin Barleti e thekson këtë qartë, teksa rrëfen qëndresën heroike të qytetit, kur thotë se dëshiron të ngrejë një “përmendore” mbi kujtesën, për të mbajtur gjallë, nëpërmjet shkrimeve të tij ndër shekuj kujtimin e qytetërimit të madh tashmë të perënduar.
Dhe hedhja e teksteve të Statuteve të Shkodrës në kopje të pastër, do duhej të shërbente si një Përmendore e kujtesës, ngase një përmendore (një godinë, një shtatore, një galeri, një vepër e shkruar) mëton të nderojë kujtimin e njerëzve të mëdhenj apo të faqeve të ndritura të historisë; vepra e Barletit, siç dhe transkriptimi i Statuteve të Shkodrës, siç dhe piktura e Carpaccio-s në kujtim të Krishterimit shqiptar, do duhej të qenë përmendorja që bashkësia e qytetarisë shkodrane e shpërngulur në Venedik po ngrinte për të mbajtur gjallë historinë e Mëmëdheut që u ishte dashur të braktisnin.
Nga ana etimologjike, fjala përmendore (monumento) rrjedh nga folja latine monere që do të thotë të kujtosh, por dhe të bindësh, të nxisësh, të shtysh; me transkriptimin e Statuteve të Shkodrës përmbushej qëllimi për të ruajtur dhe nderuar të shkuarën, dhe njëkohësisht, të përçohej paralajmërimi për të mos e harruar atë.
Tipare të tekstit dhe të gjuhës së përdorur
Teksti i Statuteve të Shkodrës është përcjellë prej një ekzemplari të vetëm, një kod në letër i viteve të para të shekullit XVI, i përbërë nga vetëm 40 fletë; ato fletë janë sa të pakta po aq dhe të vyera nga pikëpamja e hulumtimit historik.
Transkriptimi u krye fill nga origjinali, i cili, asokohe, gjendej në arkivin e magjistraturës venedikase të quajtur “Këshilli i të Dhjetëve”, arkiv i cili mandej humbi, mbase për shkak të një zjarri të madh që shpërtheu andej nga mesi i shekullit XVI, në Palazzo Ducale[10].
Autori i transkriptimit, rreth të cilit s’kemi të dhëna biografike, nënshkruan me emrin Marino Dulcichio dhe pohon se e ka përcjellë fjalë për fjalë krejt tekstin e përmbajtur në origjinal.
Gjithë titullimet, kryegërmat, si dhe të tjerë elementë janë me bojë të kuqe, për të rënë në sy krahasuar me pjesën tjetër të tekstit të shkruar me të zezë.
Lidhja e dorëshkrimit është bërë në pergamenë, shumë kohë pas vetëtranskriptimit, sepse i takon mesit të shek XIX dhe përmban një sërë vendesh të brejtura nga mola, mbase për shkak të llojit të ngjitësit natyral të përdorur, mjaft i lakmuar prej insekteve.
Tekstin e Statuta Scodrae e paraprin një Privilegium Alexandri Magni Macedonis, ku shkruhet se Aleksandri i Madh u pati lënë popujve ilirë, si trashëgimi të pazgjidhshme, zotërimin e trojeve në të cilat do të rronin; në gjirin e këtyre popujve bënin pjesë dhe ai maqedonas/epiriot/shqiptar. Privilegium-i është një tekst apokrif, i rremë pra, por që na shtjellon bindshëm fatin e madh që pati miti i Aleksandrit të Maqedonisë edhe në hapësirën sllave. Nëna e Aleksandrit, Olimbia, ishte me prejardhje nga Epiri, që pjesërisht shtrihet në Shqipërinë e sotme, duke hedhur kështu fijet lidhëse mes Aleksandrit dhe Shqipërisë, një lidhje kjo që sillej në vëmendje gjithë sa herë mëtohej kremtimi i ngjarjeve të moçme të Maqedonisë. Kështu, për shembull, shprehej humanisti Giorgio Merula teksa rrëfente mbi rrethimin e parë të Shkodrës në vitin 1474: “është pushtuar Maqedonia të cilën në kohë më të vona e kanë quajtur Arbëri”.
Kështu, tjetër shembull, Marin Sanudo, autor venedikas i mirënjohur për ditarët e tij, bën të ditur në vitin 1532 teksa një tjetër luftë kundër turqve kishte përfshirë Morenë, se Castriotto Scanderbech Alfonso, markez i Tripaldas, ishte i gatshëm të luftonte me qëllim që “gjithë Arbëria të përqafonte sërish emrin që kish patur në motin e Aleksandrit” Për çdo etapë lufte që bëhej kundër turqve pra, shkohej pas deri në shkuarën e lavdishme të Arbërisë, në vendndodhjen e saj gjeografike përbrenda kufijve të lashtë të perandorisë së Aleksandrit të Madh.
Privilegium-i, me të cilin hapen Statutet, shërbente për të theksuar edhe prejardhjen fisnike të Scodras dhe të Maqedoni-Epirit: një detaj ky që nuk ishte me pak rëndësi në Përmendoren e kujtesës që shkodranët e shpërngulur në Venedik donin të ngrinin për dheun e tyre në vitet e para të 1500-ës.
Përzierja gjuhësore është tejet karakteristike; këmbehen mes tyre trajta italishteje, venedikaseje, dalmateje, trajta të prejardhura nga sllavishtja, trajta me tipare latinizuese, si dhe latinizma të mirëfillta. Ekspertët linguistë e kanë përcaktuar gjuhën e përdorur si një, gjuhë veneto-veneciane e epokës mesjetare, me një fond origjinal që mund të ishte ai i dalmatishtes jugore, ose e thënë ndryshe, labeatase. Ky term i fundit rridhte nga popullatat labeate që banonin në afërsi të liqenit të Shkodrës, i cili, sipas formës humaniste, quhej Lacus Labeaticus.
Kemi bindjen se, që nga labeatasja e origjinalit gjuha mund të ketë pësuar më pas një ndikim venedikas, duke përfshirë kësisoj edhe deformime të mundshme prej transkriptimit.
Kapitujt e tekstit janë 268, secili i paraprirë nga numërues romakë.
Si shtojcë, gjenden disa pak kapituj të shtuar në fund të shekullit XIV, si dhe të tjerë të periudhës së administrimit venedikas; këta të fundit përcjellin emra të ndonjë shtëpie patricësh që patën në mesin e tyre kontë dhe kapedanë në Shkodër –si për shembull Soranzo-t, Boldù-t, Tron-ët, apo Barbo-t.
S’duhet harruar se në Shkodër, siç rrëfen kapitulli i katërt, ka gjasa të ruheshin dy kopje të Statutit, de una continenza, pra krejt të njëllojtë në përmbajtje, një da salvar nel thesauro, pra për t’u mbajtur nën mbikëqyrje, ndërsa tjetri për t’u mbajtur apresso de la corte per zudegar, pra në dispozicion për t’u përdorur në çfarëdolloj aktiviteti gjyqësor.
Me një fjalë, duket se kopje duhet të ketë pasur më shumë, përfshirë atë të sjellë në Venedik që në fillim të protektoratit, pra aty nga fundi i 1300-ës.
Kodi që ruhet në bibliotekën e Muzeut Correr të Venezias është sot për sot e vetmja kopje ekzistuese, arsye për të cilën, e përsërisim, mbart një vlerë të padiskutueshme.
SHENIME
[1] Mbi lirinë e të huajve për të ardhur e për t`u vendosur në qytetin tonë.
[2] Lypset të zgjidhen ata që janë të mjaftueshëm dhe të duhur/përulur për qytetin tonë. Dhe të mos jenë të anshëm duke i mbyllur derën njerëzve të mirë për shkaqe armiqësie personale.
[3] Shtytur pra përdhosur pra vjedhur.
[4] Mënyrë e shkurtuar e emërtimit të Republikës së Venedikut (Serenissima Repubblica di Venezia), që do të përkthehej në shqip si “Republika e fortlumtur e Venedikut”.
[5] Tjetër emërtesë për Venedikun.
[6] “Secili dukej si paladin/ mbështjellë gjithkush nga armor i hajthëm!
[7] Betejë mesjetare, sipas traditës zhvilluar ditën e 15 gushtit të vitit 778, e cila i dha shkas shumë miteve të mëvonshëm përreth Karlit të Madh dhe përplasjes historike mes entiteteve mesjetare europiane dhe Kalifatit arab.
[8] San Severo, San Gallo dhe San Maurizio janë godina kishtare në qytetin e Venezias.
[9] Nga titulli i origjinalit në latinisht: “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis”.
[10] Pallati Dukal, godina simbolike e historisë perandorake të Venedikut, seli e Dogjit dhe e magjistraturës vendase.
[11] Mjeshtër marangozë.
[12] Hekurpunues.
[13] Besnikërisht, pa mashtrime.
[14] Dëbuar përgjithmonë.