Nga Albert Vataj
Në historinë e pikturës Peter Paul Rubens do të mbamendet jo vetëm si një nga piktorët më të jashtëzakonshëm flamand të barokut, penelata flakatare e tablosë, por edhe mishërimi i idilit epik të mitologjisë. Nëse Homeri sendërtoi një monument të letërsisë klasike siç ishte “Iliada”, duke ngjizur me nervin, mishin dhe gjakun e së atëhershems, historikën heroike, eposin antik dhe perënditë që na magjepsin, Rubens i jetësoi ato në imazhe, i veshi ato me kurme të fuqishme duke i pavdekësuar këto trille në kujtesën e përgjithmonshme. Ai e shkroi si pakkush tjetër atë faqe të historisë së njerëzimit, me gjithë shkëlqimin dhe të perëndishmen që ngriti në kult mitin.
I fundit prej tre piktorëve Flamand dhe krijuesi i stilit barok në veri, Rubensi u shqua në botën e artit si galeria më e bollshme. Sasia e punëve dhe shpejtësia me të cilën ai i kryente pikturat do ta veçojnë atë prej të gjithëve. Plot 1403 tablo me tema të antikitetit, skena gjuetie, të zhanrit, peizazh, portret, vizatime të panumërta, grafika ilustruese, projekte arkitekturore dhe kompozime skulpturore, që ai i krijoi në më pak se katër dekada, vu në dukje zjarrin dhe entuziazmin e tij. Kësisoj ai do të cilësohej si zot i gjithëpushtetshëm. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, dilet në përfundimin se Rubensit nuk i duheshin më shumë se njëzetë ditë për të përfunduar një punë. Çdo krahasim me të mëhershmit apo të mëvonshmit e pikturës do të ishte i pagjasë.
Ezhen Delakrue, piktori francez që shpesh mori penën në vend të penelit, e quajti Rubensin, “Homeri i pikturës” , …perëndi e zjarrit dhe antuziazmit në pikturë, ku i eklipsio të gjithë, jo vetëm në saj të përsosmërisë, por edhe në forcën e fshehur dhe shpirtin njerëzor që ngjizte kudo, kumton Delakrue. Në qendër të këtij përkufizimi qëndron, jetësimi që piktori i bëri në imazh pothuaj të gjithë miteve të përfshira në vepren monumentale, “Iliada” të Homerit, dhe jo vetëm, krejt mrekullisë që dëshmonte njerëzimit kohardhjen.
Gjeneratat e trashëguan nëpërmjet zërit kungues të dëshmive biblike dhe letërsisë klasike, pasurinë e jashtëzakonshme shpirtërore, lindjen e hyjnive dhe mitet, Rubensi ishte ai që mishëroi gjithë këtë përfytyrim idilik. Gjithë kjo gamë e jashtëzakonshme personazhesh, tipash dhe karakteresh, supërheronjsh, do të ishte pjesa më vitale e pikturës së Rubensit. Ai nuk u pajtua ta linte këtë shkëlqim vetëm si pjellë e imagjinatës dhe forcës së fjalës. U dha me mish e me shpirtë për ti gjalluar këto shkrepëtima në pikturë, dhe ia arriti përmes ngjyrës, tonit, dritës dhe energjisë depërtuese që kjo forcë rigjen në penelin e këtij gjeniu. Me kolorin e tij të hareshëm ai e shkroi letërsinë klasike në pikturë. Pakkush, si dhe sa ai e ka njohur dhe e ka ushqyer penelatën me ushqimin historik, mitologjik, me densitetin dhe forcën depërtuese që ajo zanafillë rrëmen atëditë e përgjithmonë ëndjen dhe dëshirimin e gjeneratave.
Studjuesi ka vërejture mënyrën entuziaste të pikturimit të drejtpërdrejtë me ngjyrë, pa vizatim elementar dhe punë paraprake të Rubensit.
Peter Paul Ruben lindi në qytetin e vogël gjerman Zigel, ku i ati, avokat i njohur, kishte qenë i detyruar të emigronte për arsye politike. Pas vdekjes së të atit familja u kthye në Flander, dhe e ëma u kujdes që herët me edukimin e Rubensit.
Djaloshi 11-vjeçar ndoqi studimet në shkollat latine. Në vitet e fundit të dijenxënies pati mundësinë të lexonte në origjinal autorët antikë. Pasioni për ta do ta rrëmbente duke e kthyer në një dishepull të këtij mëtimi artthënës. Ai ngeli deri në fund një zelltar i temave historike, antike dhe biblike. E thënë me fjalë të tjera, dielli i këtyre ndërkohjeve do të ngjynte pareshtur penelin dhe shpirtin dhe të sillte në jetë tablo monumentale që na mahnisin edhe sot.
Pas mbarimit të shkollës latine ai studioi për pikturë, në fillim pranë peizazhistit, Tobias Verhat, më pas në atelienë e Adam van Norti dhe në të mbramë, për katër vite radhazi, në studion e Oto Verniusit. Kështu ai, i formuar sa duhej në traditën flamande, në vigjilje të shekullit XVII-të Rubensi e lëshoi veten në pelegrinazhin tradicional të artistëve veriorë, për në Itali. Vizitoi Romën, Firencën, Mandovën. Studioi me interes të veçantë monumentet antike dhe kryeveprat e Mikelanxhelos, Da Vinçit, Rafaelit, Xhorxhones, Korrexhos, Karavazhos e Ticianit, të cilin pati rastin ti njihte dhe një herë në koleksionin e veprave që gjendeshin në Madrid, gjatë udhëtimit që pati atje midis vjeshtës së vitit 1603- 1604. Tetë vjet që kaloi në atdheun e artit antik e rilindas, përcaktuan piketat e kumteve të tij artistike. Pa pikturën dhe artin italian, vështirë që Rubensi të ishte ngjitur aty ku e shohim ne sot.
Sëmundja e së ëmës e detyroi atë të linte Italinë, ndonëse dëshironte të qëndronte më gjatë aty. Një vit pasi i vdiq e ëma, Peter Paul Rubens u martua me Izabel Brandin, vajzën e një avokati dhe humanisti të njohur, Jan Brandit.
I shumënjohur në rreth artistike dhe zyrtare flamande, me nxënës të shumtë pranë, e me porosi të panumërta, ai filloi të realizonte atë që kishte bërë Dyreri në epikën e Rilindjes, të krijonte stilit barok flamand, në të cilin tradita e artit vendas, shkrihej natyrshëm me artin antik, rilindas dhe barokun italian. Ne tablotë e mëdha fetare dhe mitilogjike të këtyre viteve, figurat e mëdha muskuloze e që çuan përnga përthithja e rrumbullaksisë së skulpturave, shprehin një forcë të madhe fizike dhe hyjnizojnë bukurinë e trupit të njeriut, njëlloj si në veprat e Milelanxhelos në Kapelën Sistina. Kompozimet në formë trekëndore, gjestet dhe fytyrat e personazheve që pasqyrojnë dramën e tyre të brendshme, gjithashtu vijnë nga Buonarroti. Femrat e kolme, shpesh me një ngarkesë të tepruar shëndeti, janë një kumtin që Rubens bën për të mbajtur gruan sa sensuale aq dhe të fuqishme, sa amësore aq dhe natyrale, një grua të gatshme për tu ndeshur si me tërbimin e jetës aq dhe me përkushtimin e nënës. Ai lëvroi dhe mbarështoi traditat dhe kulturat, përvojat dhe tematikat, stilet dhe sharmin për të ardhur deri sot jo si një rastësi, por si një dëshmi dhe tharm që ngjizi pikturën, këto mjete shprehëse komunikimi dhe kumtimi estetik.
Gama e pasur ngjyrore i përket artit venecian, në veçanti Ticianit, ndërsa loja e dritës së fortë, me ngarkesë dramatike, ngjan e huajtur nga Karavaxho. Ndërkohë paraqitja e hollësishme e gjërave, e një luleje apo e një veshje të një ushtari flet qartë për ndikimin që pati tek ai tradita flamande, vizatimi i zhdërvjellët, lëvizjes e vrullshme të personazheve dhe format dramatike dhe dinamike njiheresh, që rrezatojnë tablotë, pasqyrojnë trajtat më origjinale të Rubensit.
Të shkrira nga dora e artistit të madh, këto burime krijuan stilin që në pikturë njihet me emrin rubensian. Fryma dramatike dhe ndjenja e gjallërisë së jashtëzakonshme, janë cilësitë më dalluese të tij, të cilat piktori i zhvilloi me përkushtim përgjatë rrugëtimit artistik. Tabloja, “Rëmbimi i vajzave të Levkipit” që Rubensi e realizoi në vitin 1617, flet nëpërmjet ngarkesës emocionale dhe mjeteve shprehëse të kësaj natyre. Figura plastike si skulptura të rrumbullakta që jetësohen nëpërmjet koloritit flakatar, gjithë patos, shprehin energjinë, kurajon, forcën dhe bukurinë e njeriut. Linja e horizontit e mbajtur ulët, qielli fort i ndriçuar dhe ndërthurja e guximshme skulpturore, shtojnë formën monumentale dhe dramatike të tablosë, ndërkohë që lëvizjet e fuqishme të katër figurave dhe të kuajve të hazdisur, së bashku me kompozimin tipik barok, i japin veprës një gjallëri të jashtëzakonshme. Veprimi dhe tendosja sjellin me një aftësi depërtuese dramën, tempin e ngjarjes. Në çdo kohë shikuesi pjesëmerr emocionalisht në tragjizmin që përcjell penelata e Rubensit.
Në mesin e viteve ’20, me serinë prej 23 tabloshë që u vendosën në Pallatin e Luksemburgut në Paris, “Jeta e Maria Mediçit”, Rubensi hyn në moshën e pjekurisë dhe shkëlqimit të plotë artistik. Shtëpia në Antverpen me atelietë e mëdha, me kopshtet e zbukuruara plot me skulptura dekorative, prej kohësh mbahej si qendra artistike e vendit. Misioni i piktorit që kishte marrë udhë një dekadë e gjysëm më parë ishte realizuar me sukses, dhe barokut, nën petkun e stilit rubensian, lulëzuan në Flandër. Nxënës të shumtë, me të cilëve dhe figura shumë të njohura si Van Djuk dhe Snejdersi, punonin në veprat e panumërta që i porositeshin mjeshtrit dhe vetë atë e quanin “piktor të mbretërve dhe mbret i pikturës”. Vlerësimi i parë rrjedhon për aktivitetin e piktorit në lëmin e diplomacisë. Rubensi bën pjesë ndër artistët e rrallë që iu përkushtua kësaj kahje dhe shpesh në cilësinë e ambasadorit shëtitës, përfaqësoi dhe mbrojti interesat e Flandrës pranë mbretit të Spanjës dhe ndërmjetësoi për të qetësuar marrëdhëniet e acaruara të kësaj të fundit me Anglinë.
Pas vdekjes së Izabel Brandit më 1626 në moshën 53-vjeçare, Rubensi u martua me Elenë Furmenin, me të cilën pati pesë fëmijë dhe një jetë plot mirëkuptim. Ky hop i ri ndjesor do të zgjonte tek gjenialiteti i piktorit një tjetër aftësi, atë të portretit intim. Megjithëse deri atëherë ishte marrë jo pak me këtë nëngjini, por gjithnjë i shtërnguar të respektonte pozitën shoqërore të modelit e të pasqyronte me doemos atë. Ne galerinë e portreteve të Rubensit gjendeshin ato të karakterit zyrtar, si ai i Henrikut të IV të Spanjës, dekorativ, si ai i Isabel Brandit, ai i Maria Mediçit, etj. por ishin të rrallë ato intime. Megjithatë vjen një nxitës në jetën e shpirtërore që të zgjohet jo dhe aq një ndryshesë se sa një pasurim i galerisë. “Gëzoftarja”, portreti që paraqet Elenën në një qëndrim krejt intim, mbahet si një nga veprat më të mira të Rubensit në këtë nëngjini. Si askund tjetër, prej tij shpërthen dashuria e piktorit për të afërmit, për bukurinë fizike dhe shpirtërore të njeriut, lëndë e cila kishte ngjyer jo pak herë penelin e tij prej zjarri. Rumensi ecën kështu në gjurmët e portretistëve të mëdhënj, Holbainit, Dyrerit, Rembrandit, që i nxorën kryeveprat pikërisht duke patur si model njerëzit më të afërt shpirtërisht.
Martesa e dytë gjithashtu i zgjoi një interes për tablonë e zhanrit të peisazhit. I larguar nga qyteti dhe i vendosur në Stin që më 1635 Rubensi njohu nga afër jetën e fshatit dhe bukurinë mahnitëse të natyrës. Jeta fshatare që më parë nuk e kishte tërhequr dhe aq, tani e ka fare pranë, dhe fshatarët që vallëzojnë, ngasin karroca apo gjuajnë, vijnë e mbushin gjithnjë e më shumë tablonë e tij, duke e bërë gjithnjë e më larushitëse mozaikun e punëve.
Veç nxënësve të shumë e me kombësi të ndryshme që nxori nga duart, ai ndikoi mjaft piktorë të stilit rokoko, romantik dhe paraimpresionist. Megjithëse kritika e sotme i gjykon figurat tepër të shëndosha, disa herë ceremoniale dhe të pakujdesshme ndaj ligjeve të gravitetit në tablotë e Peter Paul Rubens, ai zë një vend të nderuar në pikturën evropiane dhe së bashku me Van Ejukun dhe Bryegelin, numërohet ndër piktorët që i dhanë Belgjikës emrin e madh që mban në botën e artit.
Me vdekjen e Peter Paul Rubens, më 30 maj 1640, pothuajse pas tre shekuj lulëzim, emri i Flandës e humbi shkëlqimin për tu ringritur edhe një herë më lart me piktorët realist belg të periudhave të mëvonshme. Gjithqysh Peter Paul Ruben, ishte dhe mbeti Homeri që shkroi Iliadën me penelata zjarri. Ai ndezi çdo tablo për të mbetur një diell që ngroh ende shpirtrat dhe shpuzit ende ëndjet për artin klasik, historinë, mitet dhe heroiken.
Ezhen Delakrue, piktori francez që shpesh mori penën në vend të penelit, e quajti Rubensin, “Homeri i pikturës” , …perëndi e zjarrit dhe antuziazmit në pikturë, ku i eklipsio të gjithë, jo vetëm në saj të përsosmërisë, por edhe në forcën e fshehur dhe shpirtin njerëzor që ngjizte kudo, kumton Delakrue
Tabloja, “Rëmbimi i vajzave të Levkipit” që Rubensi e realizoi në vitin 1617, flet nëpërmjet ngarkesës emocionale dhe mjeteve shprehëse të kësaj natyre. Figura plastike si skulptura të rrumbullakta që jetësohen nëpërmjet koloritit flakatar, gjithë patos, shprehin energjinë, kurajon, forcën dhe bukurinë e njeriut. Linja e horizontit e mbajtur ulët, qielli fort i ndriçuar dhe ndërthurja e guximshme skulpturore, shtojnë formën monumentale dhe dramatike të tablosë, ndërkohë që lëvizjet e fuqishme të katër figurave dhe të kuajve të hazdisur, së bashku me kompozimin tipik barok, i japin veprës një gjallëri të jashtëzakonshme. Veprimi dhe tendosja sjellin me një aftësi depërtuese dramën, tempin e ngjarjes. Në çdo kohë shikuesi pjesëmerr emocionalisht në tragjizmin që përcjell penelata e Rubensit.