Nga Albert Vataj
Betejat e një të tashmeje sfidash në ruajtjen e balancave dhe biodiversitetit, ka futur njeriun në një erë të re transformimesh të pakthyshme. Nevojat në rritje kanë përshpejtuar futjen e shumë produkteve të përfolura për rrezikshmërinë e tyre, të cilat po gjejnë gjithnjë e më shumë terren në përdorim. Një nga këta është vaji i palmës.
Vaji i palmës, krahas dobime të pamohueshme për shëndetin, është njëjtësisht i dëmshëm për organizmin e njeriut sikurse dhe një seri yndyrash të tjera të ngopura, ka hyrë në teknologjinë ushqimore si mundësi përfitimi, më shumë se sa një ingredient që garanton mbrojtjen e produkteve të përpunuara. Ndoshta situata nuk është dhe aq alarmante, por gjithsesi rreziku i ekspozimit ndaj këtij “vrasësi” gjakftohtë lips angazhim strukturave frenuese shtetërore, të cilat duhet të kërkojnë përdoruesve respektimin e standardeve, të jenë të kujdesshëm dhe transparent me konsumatorin. Së paku ata duhet ta përfshijnë në mënyrë detyruese tek përbërësit edhe këtë ingredient si një specifikim vëmendjeje, e jo ta fshehin, siç ndodh rëndom.
Pas sulmeve ndaj Nutelës nga ministri francez i Ekologjisë, Marie-Ségolène Royal dhe pas vendimit të Plasmonit për ta hequr nga biskotat e tij të famshme, nuk reshtet së diskutuari rreth vajit të palmës. E reja e fundit ka mbërritur nga ministria e Shëndetësisë italiane. “Vaji i palmës, është një përbërës i përfshirë në industrinë ushqimore dhe përfaqëson një burim të madh të yndyrave të ngopura”, thuhet në sitin e kësaj ministrie. Ky vaj përbëhet nga 50% yndyra “të këqija”.
Ky produkt po gjen gjithnjë e më shumë përdorim, pasi ai është me shumë leverdi sepse garanton qëndrueshmëri të produkteve në kushtet e temperaturës së ambientit. Edhe pse studiuesit rreken të mos e paraqesin situatën si shumë kritike, duke e justifikuar se sikundër dëmeve që na vijnë nga yndyrat e tjera, edhe konsumimi i produkteve ku asistohet me këtë përbërës, potencohet rreziku në rast abuzimi në konsumim.
Çfarë është vaji i palmës?
Vaji i palmës është një ushqim me bazë bimore, i cili nxirret nga shtrydhja e frutit të palmës vajore. Palma mbillet dhe rritet në rajone me lagështi të lartë të Rruzullit Tokësor, siç është Indonezia, Malajzia dhe Amerika Latine. Ky lloj vaji përdoret në shumë produkte ushqimore dhe në ato kozmetike.
Vaji, pasi shtrydhet, pastrohet me anë të rafinimit industrial, i cili ka për qëllim edhe të ulë përqindjen e aciditetit të tij. Në përpjekje për t’i larguar erërat, ngjyrat dhe, për ta bërë kimikisht neutral, gjithmonë në rrugë industriale, dashje-padashje, vajit i humbasin shumë nga vetitë e saja pozitive.
Ka dy lloje vajrash palme: njëri që nxirret nga fruti i palmës dhe një tjetër që del nga bërthama e frutit. Ky i fundit quhet vaj palmiste dhe ka veti dhe ngjyrë të ndryshme nga i pari. Vaji i palmës ka rreth 50% yndyra të ngopura të pa hidrogjenuara, gjë që, në temperaturën e mjedisit, i jep atij një gjendje fizike gjysmë të squllët.
Gjithsesi nuk duhet injoruar fakti se vaji i palmës është një burim i shkëlqyer i kompozimeve kimike natyrore të cilat janë një pjesë e rëndësishme e dietës dhe shëndetit të përgjithshëm të të gjithë organizmit. Ai është një burim i shkëlqyer i karotenoideve dhe vitaminës E si dhe acideve yndyrore.
Karotenoidet
Karotenoidet i japin vajit të palmës ngjyrë portokalli në të kuqe. Vaji i papërpunuar i palmës është burimi më i mirë i karotenoideve, në krahasim me vajrat e tjera bimore, por edhe ne krahasim me disa bimë. Vaji i papërpunuar i palmës përmban 15 herë më shumë karotenoide se karota dhe 30 herë më shumë se domatet.
Forma aktive dhe e rëndësishme e karotenoideve është karoteni (beta karoteni). Shumica e karotenoideve përmbajnë vitaminë A, e cila ka aktivitet antioksidativ dhe në këtë mënyrë forcon sistemin imunitar, ul rrezikun nga kanceri, sëmundjet e zemrës dhe katarakti. Mungesa e vitaminës A në trup mund të shkaktojë një shumëllojshmëri të sëmundjeve të rënda.
Vitamina E
Vaji i palmës është një burim i shkëlqyer i vitaminës E. Në fakt, asnjë vaj nuk përmban më shumë vitaminë E se sa vaji i palmës. Vitamina E është një antioksidant i fuqishëm i cili redukton nivelin e radikaleve të lira. Kjo mbron nga sëmundjet kronike dhe plakja.
Acidet e pangopura yndyrore
Vaji i palmës nuk e kalon procesin e hidrogjenizimit. Përmes hidrogjenizimit të vajit, krijohen acidet yndyrore të ngopura të cilat rrisin rrezikun nga kanceri i gjirit, kanceri i zorrës së trashë dhe sëmundjet e zemrës. Besohet gjithashtu se rrit rrezikun e diabetit të tipit 2 dhe ndikon negativisht në zhvillimin e trurit të foshnjave.
Vaji ushqyes
Një tjetër arsye që të filloni të përdorni vajin e palmës është se përmban vitaminat D, E dhe K, si dhe acidet e pangopura yndyrore dhe mikronutrientet si karotenoidet. Acidet yndyrore janë të rëndësishme për ndërtimin e membranave të çdo qelize në trupin tuaj, duke përfshirë qelizat e kockave, nervave dhe trurit. Mikronutrientët i mbajnë të shëndetshme qelizat e trupit dhe e përmirësojnë funksionimin e tyre. Nëse nga dieta i largoni plotësisht yndyrat, ju do të bëheni më të prirë ndaj infeksioneve. E njëjta gjë do të ndodhë në qoftë se do të ndaloni me konsumimin e karbohidrateve, proteinave, mineraleve dhe vitaminave.
Kaloritë
Vaji i palmës është i pasur me kalori. Një gram i vajit të palmës përmban rreth 9 kalori, që është dy herë më shumë se një gram i proteinave (4 kalori) ose karbohidrateve (4 kalori). Energjia duhet të vijë nga të gjitha grupet e ushqimit, duke përfshirë edhe yndyrat dhe vajrat. Ekspertët theksojnë se për shumicën e njerëzve rekomandohet konsumi ditor prej 1800-2000 kalorive, nga të cilat 30% duhet të vijnë nga yndyrat dhe vajrat.
Yndyrat e ngopura
Vaji i palmës hyn tek vajrat e ngopura yndyror. Yndyrat e ngopura që gjenden në bulmetra, në ushqimet me prejardhje nga bulmeti dhe në mishin e kuq, janë të dëmshme për organizmin, prandaj edhe duhet të përdoren me masë, pasi ndikojnë shumë në rritjen e sasisë së kolesterolit dhe në shkakun e sëmundjeve të zemrës. Kurse yndyrat e pangopura janë të shëndetshme për organizmin, pasi ndihmojnë në pakësimin e kolesterolit. Gjenden në ushqimet bimore, në yndyrën e peshkut, në arrat, bajamet dhe lajthitë.
Konsumimi i ushqimeve që përmbajnë vaj palme çon në pasoja të mëdha për shëndetin. Konfirmimi i fundit vjen nga një studim italian. Sipas Universitetit të Barit, Padovës dhe të Pisës, në bashkëpunim me Shoqërinë Italiane të Diabetit, vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit të cilat prodhojnë insulinë. Ai shkakton dëme të pariparueshme në trup. Në fakt, vaji i palmës gjendet në shumë produkte që konsumohen kryesisht në mëngjes, sidomos në biskota dhe drithëra të përziera me ëmbëltues. Në studimin e sjellë nga Francesco Giorgino, profesor i Universitetit të Barit, del në pah se vaji i palmës vepron drejtpërdrejt te qelizat beta, duke i shkatërruar ato. Për pasojë insulina nuk prodhohet në sasi të mjaftueshme. Në kuadrin e sensibilitetit nënvizojmë apelin e WWF – World Wildlife Fund). Ky institucion u ka kërkuar konsumatorëve që t’i kushtojnë më shumë vëmendje produkteve që çojnë në shtëpi. Sipas ministrisë së shëndetësisë italiane: “Të dhënat shkencore nuk raportojnë për përbërës specifik të vajit të palmës, të aftë për të ndikuar negativisht në shëndet, përveçse përmban në sasi të lartë yndyrna të ngopura, në krahasim me yndyrnat e tjerë ushqimorë”. Pra sipas tij ky lloj vaji nuk përmban lëndë helmuese, është thjesht e pasur me yndyna të ngopura.
Në një material të publikuar në “Dita” nga Guri Shyti, kimist teknolog mësojmë gjithashtu se vaji i palmës, kohët e fundit ka filluar të zëvendësojë vajrat bimore pjesërisht të hidrogjenizuara, siç është margarina, që janë të dëmshme për shëndetin, prandaj edhe janë rritur shumë kërkesat për të. Por ka edhe shkaqe të tjera që e bëjnë këtë vaj më të kërkuar, siç është qëndrueshmëria ndaj ndikimit të kushteve të mjedisit mbi gjendjen fizike dhe kimike të tij, kostoja e ulët, fakti që ka aftësi më të larta ruajtëse të produkteve ushqimore, merr shije të hidhur më me vështirësi dhe në temperatura më të larta nga yndyrat e tjera, është një produkt më i butë dhe që ruan freskinë, sidomos kur mbushet me kremëra të ndryshme, që e bën më të lehtë për t’u paketuar, nuk lejon krijimin e mykut, për shkak të gjendjes fizike gjysmë të ngurtë mund të zëvendësojë gjalpin dhe margarinën, pasi duke qenë bimor ka më pak acide të ngopura. Vaji i palmës nuk ka asnjë shije, prandaj edhe nuk e ndryshon shijen e vetë ushqimit ku merr pjesë. Për ta kuptuar këtë mjafton të përmendim se vaji i ullirit u jep ushqimeve aromën dhe shijen e vet. Këta faktorë e kanë bërë që, pas hyrjes në fuqi të normave të reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, industria ushqimore të përdorë më shumë yndyra bimore alternative, sidomos në industrinë ushqimore dhe në kozmetikë. Por është i ndaluar të përdoret në fushën e karburanteve.
Nga studime të shumta, sqaron Shyti, ka dalë se, duke pasur përqendrim të lartë të yndyrave të ngopura, siç e përmendëm më sipër, përdorimi i tepruar i vajit të palmës mund të rrisë sasinë e kolesterolit, të triglicerideve dhe të lëndëve pezmatuese në gjak, të cilat çojnë në sëmundje mahisëse kronike si sëmundjet kardiovaskulare, arterioskleroza, diabeti dhe disa forma të tumoreve.
A është kancerogjen vaji i palmës?
Në maj të viitt 2016 është botuar një studim ku vërtetohet rreziku i mundshëm mbi shëndetin i disa lëndëve potencialisht kancerogjene, që krijohen gjatë rafinimit në temperatura të larta (mbi 200 gradë) të vajrave bimore, ndër të cilët edhe vaji i palmës. Veç duhet theksuar se kjo ndodh me të gjitha vajrat bimore. Ky rrezik është i lartë kur këto vajra përdoren për skuqje të ushqimeve të ndryshme, por është pothuajse i pashmangshëm kur i njëjti vaj shfrytëzohet për skuqje disa herë. Një praktikë e tillë, e cila haset shpesh në njësitë që tregtojnë ushqime, duhet të përjashtohet, ose të ndëshkohet nga organet tona të kontrollit të ushqimit. Prandaj duhet të hidhet vaji me të cilin është skuqur një ushqim, një herë. Po kështu paraqet rrezikshmëri përdorimi i përditshëm i prodhimeve që vijnë nga skuqja e ushqimeve. Ndër to duhet të theksojmë “patatinat”, aq të dëshiruara nga fëmijët, të cilat paraqesin rrezik potencial. Ky rrezik është më i madh tek ushqimet që skuqen me vaj palme, sepse, siç e përmendëm, ka më shumë yndyra të ngopura.
Po t’u përmbahemi këtyre rregullave, vaji i palmës nuk ka asnjë rrezik tjetër, të ndryshëm nga vajrat e tjera bimore. Të paktën deri sot, në shtypin botëror, nuk ka asnjë të dhënë shkencore që ta verë në dyshim këtë përfundim.
Si përfundim, nëse vaji i palmë është normalitet apo rrezik, këtë më mirë se ju që përcillni këtë informacion nuk mund ta di unë. Shkenca dhe eskpertët në shumë gjëra ndahen dhe në shumë prej tyre bashkohen për pëfitimin shëndetësor dhe për rrezikun që kanos përdorimi i këtij produkti. E gjithpranuar është kujdesi që duhet treguar në masën e përdorur dhe respektimin e standardeve.