Ivan Ivanji, përkthyesi i gjermanishtes për Titon, gjithashtu shkrimtar dhe i mbijetuar i kampeve naziste të përqendrimit, tashmë 88 vjeç kujton çastet e dashurisë, humbjes dhe mbijetesës në jetën e tij të jashtëzakonshme dhe dramatike. Jeta dhe eksperienca e tij profesionale është aq e pasur saqë hedhja në librin e ri duket një mision i pamundur, edhe për një shkrimtar të arrirë si Ivan Ivanji. Shkrimtari serbo-hebre, i cili e përshkruan veten si një jugosllav, thotë se tani nuk e ka vendin askund – por ndihet si në shtëpi në Beograd. Ivanji ishte përkthyesi personal i presidentit jugosllav Josip Broz Tito për 20 vjet, përvjetori i vdekjes së të cilit 37 vite më parë përkujtohet çdo vit më 4 maj nga mijëra jugosllavë nostaligjikë.
Ivanji gjithashtu punoi si diplomat, si sekretar i përgjithshëm i Unionit të Shkrimtarëve Jugosllavë, si redaktor, si drejtor teatri dhe si mësues i një shkolle fillore. Ai ka shkruar dhjetëra novela, tregime dhe artikuj. Personalisht ka njohur shumicën e artistëve dhe shkrimtarëve më në zë të ish-Jugosllavisë, përfshirë shkrimtarin fitues të çmimit Nobel Ivo Andriç, shkrimtarin e famshëm kroat Miroslav Kërlezha dhe ishte gjithashtu mik me fituesin e çmimit Nobel, gjermanin Gunter Grass për shumë vite.
I pyetur për karrierën e tij 20-vjeçare si përkthyesi personal i Titos nga gjermanishtja, Ivanji thotë se nuk punonte për Titon gjatë gjithë kohës, por kujton konferencat e nivelit të lartë si stresuese dhe rraskapitëse. “Ndonjëherë isha krejtësisht i padobishëm si përkthyes. Tito fliste shumë mirë gjermanishten, madje mund të diskutonte me kancelarin Helmut Schmidt rreth August Bebelit – babai të Partisë së Social Demokratike të Punëtorëve, por ai kishte nevojë për një person që mund ta kuptonte gjuhën dhe të sigurohej që askush nuk po dëgjonte bisedat Po i shkëmbente ato me zyrtarët më të lartë dhe duhej të mbeteshin sekrete”, kujton Ivanji.
Sipas tij, një përkthyes ka një profesion shumë specifik, pasi mund ta shohë një klient “të zhveshur”. “Tito ishte një diplomat shumë i mirë, një ndërmjetësues shumë i shkathët dhe i hapur. “Mund të përmendësh si teatralë pionerët që ia bënin me dorë Titos në Ditën e Rinisë, por kur Tito vizitonte vende të tjera liderët botërorë tregonin shumë respekt për të dhe askush nuk mund ta mohonte,” përfundoi Ivanji. I pyetur nëse kishte pasur probleme me Titon, për shkak të gjuhës së tij të mprehtë dhe komenteve ironike, Ivanji thotë se nuk i ka ndodhur. Sidoqoftë, ai kujton se një herë kur i tha Titos se Beogradi duhet të kishte një ndërtesë të vërtetë opere, Tito qartazi nuk e aprovoi këtë ide, por ai nuk tha gjë dhe vetëm sa i ktheu kokën.
Përveç një karriere të lartë, jeta i ka sjellë edhe Ivanjit edhe shumë dhimbje. Ai humbi prindërit në vitin 1941, të dy të vrarë nga pushtuesit nazistë të Jugosllavisë. Ivanji u deportua në moshën 15-vjeçare në kampet e përqendrimit Buçenvald dhe Aushvic në vitin 1944 dhe qëndroi aty deri në vitin 1945, pasi arriti të mbijetonte. Ai regjistroi përvojat në të dyja kampet në romanin e tij “Jeta ime e bukur në ferr” dhe paraqiti karrierën e tij si përkthyes dhe sekretar i përgjithshëm i Unionit të Shkrimtarëve Jugosllavë në librin e tij të kujtimeve si përkthyes i Titos.
88-vjeçari mbetet i pamundur nga përvojat e tmerrshme të jetës së tij. Kur takohemi, ai nuk flet për humbjen e prindërve të tij apo për Aushvicin ose Buçenvaldin. Ai thotë se nuk kishte përvojë më të hidhur në jetën e tij sesa vdekja e gruas së dashur, Dragana, e cila u nda nga jeta dy vjet më parë. “Ngjarja më dramatike në jetën time ndodhi kur më vdiq gruaja. Kuptova se ajo nuk është më këtu, por unë jam ende gjallë,” thotë ai. Ivanji u njoh me gruan e tij të tretë në teatër. Ajo ishte balerinë dhe ai një drejtor në kërkim të balerinëve për një nga shfaqjet e tij. “Kërkesa ishte që ato duhet të dukeshin si prostituta dhe më duheshin gjashtë të tilla. Dragana ishte një nga ato. Ajo u zemërua kur dëgjoi kërkesat. Më kujtohet kur tha me zemërim: “Nuk jemi prostituta, jemi balerina të arsimuara’,” kujton Ivanji.
“Askush në teatër nuk e dinte se kishte diçka mes nesh. Pas dy muajsh, në vitin 1964, u martuam. Jam martuar tri herë, i ndarë dy herë, gjithçka në kohën e duhur”, thotë Ivanji. Si figurë e shquar në jetën kulturore të Beogradit, ai u takua me shkrimtarin e famshëm, fituesin e vetëm të çmimit Nobel të Jugosllavisë për letërsinë, Ivo Andriç.
“Andriç ishte shumë i shquar, por gjithashtu kishte çaste humori të zi,” kujton ai.
Ivanji kujton pjesëmarrjen në një takim gjatë së cilit Andriç u tha delegatëve të Bashkimit të Shkrimtarëve se do t’i hante të gjitha librat me poezi patriotike që ata vendosnin të botonin!
Ai gjithashtu tregon historinë e një shkrimtari kroat, Krleza dhe vizitës së tij në resortin bregdetar kroat të Opatijas. Krleza deklaroi se nuk do të notonte në det, pasi uji ishte i ndotur. Ivanji e pyeti gruan e Krlzas nëse uji ishte vërtet aq keq. Ajo rrëfeu se Krlza kishte shtuar në peshë dhe kishte turp të hiqte rrobat para të tjerëve. “Kam qenë me fat që njoha aq shumë njerëz të famshëm dhe i njoha vërtet [si qenie njerëzore],” pranon Ivanji. Pavarësisht se ngeli jetim në një moshë të re dhe dëshmoi tmerret e Aushvicit dhe Buçenvaldit, ai refuzon ta shohë botën si të keqe dhe distancohet nga çdo gjë që ai ka përjetuar.
“Ishte 13 prilli i vitit 1945 kur u largova nga kampi, ndihesha më i rritur se kurrë,” thotë ai për çastin e çlirimit të tij. “Unë nuk ‘mbijetova’ – dikush më shpëtoi. Sipas dokumenteve, duhet të dërgohesha në Aushvic në dhomën e gazit, por dikush tjetër u dërgua atje,” thotë Ivanji. “Nuk e di se çfarë do të bëja nëse do të isha në lëkurën e dikujt që kishte mundësinë të vriste”, thotë Ivanji për vitet e luftës.
Ai kujton shijimin e fitores shumë vite më pas. “Gjatë një prej përvjetorëve në Buçenvald u akomodova në një dhomë hoteli vendas, ku kishte qëndruar Hitleri dhe ndjenja ishte fantastike. Ai ka vdekur dhe unë jam ende gjallë”, thotë Ivanji, duke qeshur. I pyetur për gjendjen e tanishme në Ballkan, ai thotë se është i shqetësuar, por nuk pranon t’i krahasojë ngjarjet aktuale me vitet 1930. “Bosnja dhe Maqedonia nuk duken mirë dhe kam frikë se çfarë mund të ndodhë atje, por nuk mendoj se mund të themi se ajo që shohim tani mund të krahasohet me kaosin para Luftës së Dytë Botërore”, tha ai. Ivanji kaloi pothuajse 20 vjet në Vjenë, por pas vdekjes së gruas së tij Dragana, vendosi të kthehej në Beograd.
“Asgjë nuk është siç duhej të ishte [në Serbi], por unë u ktheva,” thotë ai. Ai mbetet shumë aktiv dhe aktualisht po planifikon një udhëtim në Gjermani. Megjithatë, ai pranon se e mendon vdekjen më shpesh. “Nuk kam frikë nga vdekja, kam frikë nga procesi i vdekjes, mund të jetë shumë i pakëndshëm,” përfundon ai me një buzëqeshje./Reporter.al