Kujtim Laro u lind në maj të vitit 1947 në qytetin e Vlorës. Studimet e larta i përfundoi në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970, më vonë shumë vite shërbeu në Akademinë e Arteve si pedagog dhe drejtor artistik i Ansamblit të Ushtrisë. Kujtimi ka lënë rreth 35 kolona zanore filmash shqiptarë, dhjetëra këngë festivalesh, etj. Në kujtesën e shqiptarëve nuk do të harrohet më së tepërmi si kompozitor i kinematografisë. Firmën e tij mbajnë kolonat zanore të filmave të njohur, si “I teti në bronz”, “Në fillim të verës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Militanti”, “Vendimi”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja e shtetrrethimi”, “Partizani i vogël Velo”, “Fletë të bardha”, etj. Krijimi më i fundit ka qenë muzika e filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”. Për këto vlera kaq të mëdha Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, organizuan “Ekspozitë me krijimtarinë muzikore të Kujtim Laros, “Artist i Popullit”, më 27 maj 2013. Qëllimi i aktiviteti ishte përkujtimi i kësaj figure qendrore të muzikës shqiptare të shekullit XX, një nga krijuesit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, ish-pjesëtar i radhëve të krijuesve brenda Forcave të Armatosura, me pjesë nga arkivi i Orkestrës Frymore Kombëtare të Forcave të Armatosura.
Si një mik i fëmijërisë më kanë mbetur në memorie prindërit e jashtëzakonshëm të Kujtimit, Nesheti, shofer i “Berletit” që kishte ngelur pas luftës nga ushtria gjermane dhe Nuria, shpërndarësja e biletave të agjencisë së udhëtarëve, të cilët edhe pse të pashkolluar nxitën dhe mbështetën djemtë e talentuar, për t’u shkolluar. Më i madhi ishte Flamuri, që u bë nga mësuesit shembullor në njërën nga shkollat e fshatrave të periferisë së qytetit, por dhe libretistët e humorit për trupën profesioniste të Estradës së Vlorës. I mesmi ishte Gëzimi, instrumentisti i violonçelit në trupën e Teatrit të Operës e Baletit, pedagogu i Akademisë së Arteve, ndërsa Kujtimi ynë, që pas mësimeve të para në Liceun Artistik përfundoi me shumë sukses Akademinë e Arteve për kompozim, ku pedagogët panë dhe vlerësuan talentin e jashtëzakonshëm të tij. Jubileun e 70 të lindjes së kompozitorit të madh Kujtim Laro, mendova ta lidh me përjetësimin e emrit të tij, të cilin ka marrë një nga rrugët e njësisë administrative Nr. 3 ku jetoi dhe krijoi në vitet e fundit të jetës. Me organizimin dhe funksionimin e ri të pushtetit vendor nisa të mendoj, me të vërtetë njësitë administrative të kryeqytetit do përmirësojnë shumë gjëra, për çështje në interes të komunitetit. Dikur kryetari i minibashkisë, dhe pse në shkelje të detyrave që ligji i ngarkonte, bëhej shumë i pushtetshëm, falë paaftësisë e interesave midis tij dhe anëtarëve të këshillit. Shumë shpërdorime ndodhnin me zaptimin e hapësirave publike, si ai i tregut të madh buzë rrugës “Kujtim Laro” në ish – Varrezat e Bamit, ku lakmohej të ngrihej edhe një qendër tregtare, gjoja se kishte “dal pronari”, por fatmirësisht kryetari i ri i bashkisë e ktheu në lulishte. Kjo tregoi se paraardhësi synonte të zaptonte.
Nisur nga këto konstatime të para mendova dhe vendosa jo vetëm si banor, por edhe veprimtar i shoqërisë civile, të takoja administratoren e re dhe të kërkoja prej saj, çfarë mundej dhe duhej të bënte më mirë për banorët që ajo kishte marrë përsipër t’u shërbente. Biseda kaloi nëpërmjet debatit të një këmbëngulësi dhe nëpunësit të zakonshëm të administratës së ditëve tona, ndaj të cilëve “pakënaqësitë” janë të mëdha, për indiferencën dhe prirjet e interesave vetjake, pak të përkushtuar për komunitetin. Midis problemeve ngrita edhe atë të rrugës “Kujtim Laro”, e njohur ndryshe si e “Fushës së Begasve”, që lidh dy arterie kryesore të njësisë tonë administrative, me emrin e ri “Xhenfize Keko” ose të porcelanit dhe “Kongresi i Manastirit” ose të spitalit të fëmijëve, një rrugë pak e ngushtë, por e drejtë e lënë tërësisht pas dore pa trotuare, ndriçim e gjelbërim.
Nuk mund ta fshehja në bisedë jo vetëm dëshirën për përmirësimin total të rrugës në interes së komunitetit, por dhe respektin ndaj Kujtim Laros, kompozitorit të madh të gjinive të ndryshme të muzikës shqiptare në veçanti të muzikës së filmit shqiptar, nostalgjinë e kujtimeve të së kaluarës për Kujtimin tonë të paharruar. Ndryshe nga të gjithë, unë me shokët e mi të vegjëlisë, që tashmë janë të pakët, sepse ashtu si Kujtimi nuk jetojnë më, e kemi ndjerë më shumë largimin e tij, duke qenë i pashtershëm në krijimtarinë muzikore të mbështetur sidomos në atë burimore të këngës shqiptare të jugut të Shqipërisë. Vetëm një mur na i ndante oborret e shtëpive, timin me të Kujtimit që ndodheshin në të njëjtën rrugicë, mbrapa njërit prej hoteleve të pakët në qendër të qytetit të Vlorës, “Sazani”, pranë “Sheshit të Flamurit” të viteve ’40-’60.
Publiku i moshuar dhe i ri e ndjekë Kujtimin thuajse çdo ditë, në filmat shqiptarë që tashmë jepen nga televizionet Report TV e Planet, ndërsa mua meraku që kisha, të cilin ia shpreha në takim administratores së njësisë, mu realizua. Tashmë jo vetëm rruga por edhe sheshi në fillimin e saj me emrin “Kujtim Laro”, do të mbeten nga më të bukurit e njësisë tonë administrative ku ai jetoi dhe krijoi muzikën shqiptare. Falënderim administratores së njësisë dhe kryetarit të bashkisë, kur dëgjohet dhe duhet ta dëgjojnë zërin e qytetarit për interesa të komunitetit. Kanë kaluar disa muaj dhe nuk po ndodhen tabelat me emrin “Kujtim Laro”, në të cilat për 70- vjetori e lindjes, më 8 maj 2017, të afërmit e miqtë do të vendosnin buqeta me lule, me dëshirën e madhe që në jubile të ardhshëm t’i vendosin në bustin e tij.
Nga Miltiadh M. Muçi