Nga Albert Vataj
Bota e mendimit me Makiavelin hyn në një fazë të re. Shkëputja nga tradita e deriatëhershme dhe detyruese për shkak të rrethanave sociale dhe politike, por dhe vizionit mëtojnë prej tij ngulmin fillues të mendimit racional, ndarjen e politikës nga etika. Nikola Makiaveli në gjithëkohje do të ndërmendet si mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik. Krijimi i pavarësisë nga vullneti hyjnor, frymëzimi platonik i shpirtit në unitet me Zotin dhe nderin, ose energjia vepruese dhe e dobishme aristoteliane, kërkimi i formave të zhvillimit superior, si për gjërat, ashtu edhe për qeniet e gjalla. Kjo mund të ishte një barrë e rëndë për këdo, por do të ishte Makival ai që do t’i vinte supe për ta sjellë si pllakën e urdhëresave të pushtetit të zhveshur nga çdo pengim, barrë dhe etikë. Atëherë kur mendimi mesjetar i linte pak vend lirisë së vendimit të individit, që madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë, si individ, për atë që është e mirë dhe e drejtë për të.
Më 3 maj 1469 lindi në Firence, Nikola Makiaveli, politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet. Së bashku me Leonardo da Vinçin mendohet si një arketip i njeriut të rilindjes. Ky përcaktim veçon në mënyrë më të plotë qoftë njeriun ashtu edhe letrarin dhe jo emërtimin “makiavelizëm”, që ka hyrë për tjetër gjë në gjuhën e tanishme, për të treguar një mençuri dhe një mprehtësi të mendimit kurdoherë të hollë e kulmor. Ai vdiq në moshën 58-vjeçare më 21 qershor të vitit 1527.
Pas një kohe studimesh të tendosura, në vitin 1498 ai e gjen veten në jetën politike si sekretar i republikës. Është autori i veprës së famshme “Princi”. Gjatë viteve të jetës së tij politike (1498 – 1512) pati mundësi të njihte ambasadorë, politikanë, princa dhe të studiojë me themel zhvillimin e ngjarjeve. Kjo ndoshta e pasuroi “Princin” e tij dhe e katapultoi nëpër kohë si një zbulesë së skizmës së moralit nga politika.
“Makiavelizmi” është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.
Nuk është rangu që zë në zinxhirin e Qenies ai që përcakton veprimin e njeriut, por janë veprimet dhe realizimet ato që e bëjnë atë të jetë ai që është. Sipas Makiavelit, shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë. “Konsideroj se është i lumtur ai që në veprimet e tij udhëhiqet nga fryma e kohës, pra, së këtejmi i palumtur është ai veprimet e të cilit nuk përputhen me kohën”.
Duke i vështruar realisht ngjarjet politike të kohës së tij, Makiaveli u nis nga premisa se nuk ka dobi nga përshkrimi i ndonjë tipi ideal të sundimtarit, për të cilin rrëfejnë religjionet, flasin filozofët utopistë dhe reformatorët shoqërorë. Duhej me domozdo një refuzim i këtij personazhi sajesash dhe përfytyrimesh idilike. Tiparin e vet ai përpiqet ta karakterizojë në mënyrë që të mund të qëndrojë në periudhën kur fjala e nderit e një diplomati dhe e një politikani nuk vlen asgjë, kur marrëveshjet shkelen në mënyrë të paskrupullt dhe vetëm njerëzit dorëfortë dhe dinakë ngelin në këtë lojë mashtrimesh dhe vrasjesh. Prandaj, “Princi” i tij është vetëm një apoteozë iluzore e tiranit të vrazhdë dhe kodeks i rregullave për krime.
Nikolla Makiaveli mbetet te përcaktimi se tiranitë i krijon ose populli ose aristokrati, varësisht nga rasti që paraqitet. Megjithatë ka ndryshim thelbësore ndërmjet synimeve të popullit dhe aristokratëve: “Synimet e popullit janë shumë më të ndershme se synimet e aristokratëve, sepse këta duan të shtypin, popullin që të gëzojë të drejtat”. Në këtë mënyrë, duke hequr maskën e gënjeshtarit të moralit dhe të fariseit, themeloi teorinë e parë civile të bazuar gjerësisht të shtetit dhe, në të vërtetë, ndau etikën nga politika. Dhe kemi atëditë e sot përligjjen e amorales në politikë. Ai e gjen të justifikuar çdo mjet, për të arritur qëllimin.
Makiaveli ishte shumë i ndërgjegjshëm për njohjen e gjendjes shpirtërore të njerëzve. Ai shkon aq larg sa që nuk ngurron që njerëzit ti quaj: mosmirënjohës, të paqëndrueshëm, falls, frikacak, të pangopur dhe për aq kohë sa ju jeni i famshëm, ata janë plotësisht me ju. Dhe kur sundimtari ka nevojë për ndihmë ata të kthejnë krahët. Për këtë ai vlerson më shumë dinakërinë sesa moralin. Qëllimi kryesor i sundimtarëve është të mbajnë qeverisjen dhe të fitojnë lavdi, nder dhe pasuri për sunduesit dhe njerëzit e tyre. Makiaveli argumenton se princat duhet të jenë të gatshëm të bëjnë gjithçka që të jetë e domosdoshme për ta ruajtur lirinë dhe për të fituar lavdi në emër të shtetit. Sidoqoftë, një princ duhet të nxjerr ligje të mira për të siguruar pozitën e vet dhe këto duhet të mbështeten me një ushtri të fortë. Makiaveli këmbëngulte që princi duhej të krijonte ushtrinë e vet dhe jo të përdorë mercenarë me rrogë, siç ishte zakon në atë kohë. Këshillat e tij mund të përmblidhen kështu: mos vepro sipas diktatit të moralit, po sipas diktatit të domosdoshmërisë.
Në mendimin politik, idetë e Makiavelit çuan në përcaktimin nga francezi Zhan Bodën (1530-1596), të nocionit të sovranit si mishërim i vullnetit të shtetit, përherë në bazë të teorisë moderne dhe në konceptin e “arsyes së shtetit”, që daton nga Shekulli i Dritave. Makiaveli, mendimtari i parë i Kohëve Moderne, në historinë e filozofisë zgjeroi një fushë të shkencave praktike, politikën, duke e shkëputur nga lidhjet e saj me teologjinë dhe metafizikën.
Vetëdija e re e njeriut të Rilindjes nuk kishte një themel botërisht të shëndoshë; sidomos në shtresat e thjeshta të popullsisë, një numër individësh kishin një ndjenjë të thellë se ishin vetëm, të brishtë dhe blasfemues. Një murg dominikan që shihte vegime, Xhirolamo Savonarola, arriti të përfitonte nga gjendja kritike në të cilën ndodhej Firenca – e kërcënuar nga jashtë nga spanjollët dhe e privuar nga Mediçët, që ishin dëbuar nga francezët – për të vendosur përkohësisht një Republikë të krishterë fondamentaliste, një shtet të vërtetë teokratik e të ashpër. Në këtë kohë janë karakteristike trazirat shpirtërore dhe Sandro Botiçeli, që i kishte marrë nga mitologjia pagane subjektet e tablove të tij të frymëzuara nga Akademia fiorentinase, i dogji vetë veprat që zotëronte ende, në “turrën e famshme të kotësive”, të organizuar nga Savonaroia. Më 1498 ai vendosi rregull në sjelljet e papëlqyeshme të këtij fanatiku duke e arrestuar, gjykuar dhe ekzekutuar; kolektivizmi i tij përfshirës kërcënonte individualizmin e kulturës që po rilindte, po aq sa sundimi i princave!
Ndërsa mendimi i ri e vetvetes, karakteristikë e njeriut të Rilindjes, po shtrihej deri në kozmologji dhe rreziku i rënies në rrëmujat socialpolitike dhe në përmbysjen e gjendjes ishte i pranishëm, burri i shtetit, Makiaveli, që ishte dëbuar nga Mediçët, përfitoi nga kjo gjendje. Të gjithë këta faktorë përcaktuan planin e dytë të filozofisë politike të autorit të veprës Princi, vepër çuditërisht “moderne”, shkruar më 1513. Modeli i princit ishte Cezar Borxhia, djali jo i ligjshëm i papa Aleksandrit VI; forca e tij e veprimit (pasojë e virtu-s së tij), aftësia për të përfituar nga rastet e përshtatshme (pasojë e fortuna-s së tij) dhe shmangia e zgjuar e të pashmangshmes, i kishin dhënë mundësinë të fitonte sovranitetin mbi provincën italiane të Romanjës dhe të mbahej aty fuqishëm.
Makiavelit nuk i interesonte aspak që një sundimtar absolut si Borxhia kishte qenë një uzurpator; përligjja e një drejtuesi përmes nderit të Zotit nuk i interesonte shumë, sepse nuk njihte asnjë lidhje midis teologjisë dhe politikës. Makiaveli, sekretar i Senjorisë republikane, do të kishte parapëlqyer drejtimin e zgjuar të një administratori të mirë të Republikës sesa sundimin arrogant të një princi të vetëshpallur, por kjo nuk përbënte për të ndonjë ndryshim në ushtrimin e pushtetit. Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë. Dhe ky qëllim është i natyrshëm, sepse njerëzit janë të këqij nga natyra, duke dashur secili më shumë sesa ajo që merr. Pra, nuk duhen lejuar të gjithë individët, të aftë për të vendosur lirisht, të ndjekin qëllimet e tyre egoiste njëri kundër tjetrit. T’i pengosh për këtë nëpërmjet përforcimit të shtrëngesës shtetërore, ky është një qëllim që përligj edhe dhunën, gënjeshtrën dhe tradhtinë. Politika nuk ka të bëjë fare me moralin. Liria e sapofituar nga njerëzit e Rilindjes u përvetësua vetëm në dobi të atij që mori pushtetin. Megjithatë kjo liri është e kuptueshme: virtytet themelore të trashëguara nga Platoni dhe të lidhura nga Ciceroni tek etika stoike – zgjuarsi, guxim dhe përmbajtje – u zhveshën nga Makiaveli prej çdo përmbajtjeje metafizike apo etike. Ato janë tani vetëm mjete për të fituar pushtetin dhe për ta mbajtur atë. Makiavel erdhi dhe mbeti si një vullnesë ndryshimi, si një drejtë e utilitares në politikë.