A ju pëlqen t’i vëzhgoni kafshët nga afër, në shtëpinë e tyre në natyrë? Nëse po, do të kënaqeshit duke vizituar Afrikën, Amerikën e Jugut dhe të Veriut, Australinë, Azinë, Evropën, dhe të gjitha këto në të njëjtin vend. Por si është e mundur kjo? Duke bërë një vizitë në Rezervatin e Biosferës Askanija-Nova në Ukrainën Jugore. Këtu, tufat e kafshëve të egra nga këto gjashtë kontinente, enden nëpër rrafshinat dhe jetojnë në paqe e në harmoni.
Historia e krijimit të këtij rezervati e ka zanafillën në vitin 1883. Në këtë vit, një gjerman i quajtur Fridrih Pfalc-Pfajn, i cili u vendos me banim aty, zgjodhi një pjesë nga një stepë e virgjër, për ta bërë rezervat. Ai kishte tashmë një kopsht zoologjik të vetin atje, me më shumë se 50 lloje zogjsh dhe gjitarësh. Më vonë, në vitin 1887, u shtua edhe një kopsht botanik. Sot, Rezervati i Biosferës Askanija-Nova ka një kopsht botanik, një rezervat që përmban më shumë se 11.000 hektarë stepa të virgjëra dhe një kopsht zoologjik.
Ndërsa i afrohemi rezervatit, kopshti botanik është i pari që na zë syri. Me kalimin e viteve, shkencëtarët kanë sjellë këtu nga shumë vende të botës, një numër të larmishëm pemësh. Pemët u mbollën në një zonë prej 200 hektarësh. Por, duke qenë se rezervati gjendet në një rajon të thatë të vendit, janë hapur puse arteziane me kanale ujitëse për të vaditur pemët dhe shkurret. Panorama origjinale dhe sistemi ujitës fituan medaljen e artë në Panairin Botëror të Parisit, në vitin 1889.
Kafshë nga gjashtë kontinente
Nga parku plot hije, udhëtojmë për në stepën me diell, ku tufat me kafshë të egra, që mund të jenë nga 50 lloje të ndryshme, enden nëpër stepat e rrethuara me gardh, që zënë afërsisht një sipërfaqe prej 2.500 hektarësh. Le të vëzhgojmë në fillim disa kafshë të Afrikës.
Bualli afrikan është njëri prej përfaqësuesve më të famshëm dhe më të rrezikshëm të kafshëve të mëdha. Te kjo kafshë të lë mbresa jo vetëm madhësia e saj—rreth 1,7 metra deri te shpatullat—por edhe brirët gjigantë që arrijnë deri në një metër. Kujdes të mos u afroheni shumë, pasi meshkujt reagojnë në mënyrë të paparashikueshme dhe mund t’ju sulmojnë.
Një tjetër kafshë që na tërheq vëmendjen është elanda, një antilopë e Afrikës Juglindore. Duke qenë se në rezervat gjuetia është e ndaluar, elandat kanë jetuar në paqe këtu që kur u sollën për herë të parë, në vitin 1892. Edhe pse janë të rrethuara nga vizitorë që i shohin, ato kullotin pa pasur aspak frikë prej tyre. Disa prej elandave janë madje të buta dhe mund të milen ashtu siç milen zakonisht gjedhët e qumështit. Qumështi i tyre i ushqyeshëm, që përmban shumë yndyrë, përdoret për qëllime mjekësore, si për shembull për të kuruar ulcerat në stomak.
Emuja, një zog i madh që nuk fluturon, vjen nga Australia. Nga të gjithë zogjtë, ky është i dyti për nga madhësia; vetëm struci është më i madh. Disa emu arrijnë një gjatësi prej 1,8 metrash dhe peshojnë 59 kilogramë. Ndonëse një gardh prej rrjete i ndan këta zogj nga kafshët e tjera, zona e tyre është mjaft e madhe, me qëllim që të mund të vrapojnë lirshëm.
Një karakteristikë mahnitëse e emusë, është se të vegjëlit e saj ende pa çelur nga veza, reagojnë kur dëgjojnë zërin e mashkullit emu. Për shembull, u vu re se kur thirrja e regjistruar e një mashkulli emu u vu të dëgjohej pak përpara se të çelnin vezët, lëvizjet e zogjve brenda bënin që vezët të lëviznin sa para-mbrapa. Por, zogjtë nuk reaguan ndaj thirrjes së femrës. Po përse?
Edhe pse është femra ajo që i shtron vezët, është mashkulli emu që i ngroh. Ai kujdeset për afro 50 ditë derisa të çelin, dhe vazhdon të kujdeset për zogjtë edhe më pas. Ja përse të vegjëlit tashmë e dinë se kush po kujdeset për ta, edhe pse nuk kanë dalë akoma nga veza. Meqë ra fjala, këto nuk janë vezë si ato që na zë syri çdo ditë—ato janë të mëdha dhe me ngjyrë jeshile të errët, secila prej tyre peshon gati 700 gramë.
Rezervati përmban tufa me kuaj të racës «Przhevalski». Në vitin 1899 ata u sollën këtu nga stepat mongoliane. Mendohet se si pasojë e gjuetisë dhe humbjes së kullotave, këta kuaj u zhdukën në natyrë në vitet 60 të shekullit të 20-të.
Sot, përafërsisht 1.100 kuaj «Przhevalski» jetojnë në robëri në shumë kopshte zoologjike dhe parqe, duke përfshirë këtu edhe gati njëqind prej tyre që jetojnë në rezervatin Askanija-Nova. Shkencëtarët po përpiqen që t’i lëshojnë përsëri këto kafshë të jetojnë të lira në natyrë. Kështu, në vitet 1992-1993, 21 kuaj të tillë i kthyen prapë në Mongoli.
Nga llojet e kafshëve që jetojnë në rezervat, lloji që është më me shumicë është ai i drerit me pulla që ka ardhur nga Kina dhe Japonia. Ngaqë e ka kurrizin me pulla, kjo krijesë e hijshme quhet ndryshe edhe dreri lule. Është një kafshë e bukur, me trup të hollë dhe brirë madhështorë, të cilët shpalosen tërë krenari në kokën e tij të vogël.
Mund të shihni këtu edhe një lloj kau indian gjigant gjysmë të butë (Bos frontalis), që kullot qetë-qetë nëpër stepë. Në Indi, këto kafshë enden për hesap të tyre gjatë gjithë ditës nëpër pyll, dhe kthehen në fshat vetëm kur erret. Por, edhe pse në Askanija-Nova nuk ka as pyll dhe as fshat, përsëri qétë ndihen rehat këtu bashkë me tufat e kafshëve të tjera.
Bizoni ose bualli amerikan, të bën përshtypje për fuqinë dhe madhësinë që ka. Gati 150 vjet më parë, miliona nga këta gjigantë endeshin nëpër stepat e Amerikës së Veriut, por si pasojë e gjuetisë së shumtë, arritën deri afër zhdukjes. Kjo tufë bizonësh amerikanë, është e vetmja në llojin e saj në të gjithë Evropën. Ata ndihen si në shtëpinë e tyre në kullotat e stepave, qoftë në verë, qoftë në dimër.
Rea (ose nandu), një zog i madh që nuk fluturon, është përfaqësuesi i Amerikës së Jugut. Është i ngjashëm me emunë australian, dhe arrin një gjatësi prej 1,5 metrash dhe peshon 50 kilogramë. Ashtu si edhe emuja, vezët i ngroh mashkulli. Një karakteristikë që i dallon është se, emutë janë monogamë, kurse reat janë poligamë. Kështu, tre ose pesë rea femra mund t’i shtrojnë vezët në një fole të vetme.
Dreri i kuq dhe kaprolli vijnë nga Evropa. Këto janë krijesa të forta që ushqehen me barin e stepës dhe që mund t’i rezistojnë pa problem si të ftohtit, ashtu edhe të nxehtit. Këta drerë përdoren për të shtuar numrin e këtyre kafshëve në vende të ndryshme të Evropës, si edhe në zonat ku lejohet gjuetia. Kuajt e vegjël poni të racës «Shetland», u sollën këtu në rezervatin Askanija-Nova nga Evropa Veriore në vitin 1960. Qysh atëherë, numri i tyre është shtuar goxha.
Rezervati është gjithashtu habitati i tufave të zebrave, antilopave blu (një antilopë e madhe afrikane), gomarëve të egër aziatikë dhe antilopave të llojit Saiga tatarica (antilopa euro-aziatike), si edhe shtëpia e një larmie të jashtëzakonshme zogjsh. Disa kafshë rrinë jashtë në stepë gjatë gjithë vitit, ndërsa të tjerat çohen nëpër ferma, ku strehohen gjatë dimrit.
Mbrojta e rezervatit natyror
Sot, Askanija-Nova është një qendër studimore për institutin e kërkimeve shkencore të Ukrainës. Stafi i këtij instituti bën një punë të jashtëzakonshme për të ruajtur stepën në gjendjen e saj natyrale dhe për t’i ndihmuar kafshët që të përshtaten më së miri me ambientin e tyre të ri. Gjithashtu, shkencëtarët po punojnë që grupet ekzistuese të kafshëve dhe të bimëve të rralla nga vendet e tjera, të jenë gjithnjë e më të shëndetshme.
Rezervate natyrore mund të gjenden në vende të ndryshme të tokës. Mund t’i gjeni në lëndinat dhe livadhet e Amerikës së Jugut dhe të Veriut, në savanat afrikane, në kullotat australiane dhe në stepat aziatike dhe evropiane. Secila prej tyre ka karakteristikat e veta dalluese dhe larminë e bimëve dhe të kafshëve. Aspekti ndërkombëtar i rezervatit Askanija-Nova, tregon se si kafshët nga skaje të ndryshme të tokës, mund të përshtaten me mjedisin ku janë dhe të bashkekzistojnë në paqe.