Në fund të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, territoret bregdetare dhe perëndimore ballkanike, kaluan përmes një procesi të dyanshëm zhvillues, që ishte sa përfshirës po aq dhe i veçantë, në krahasim me krahinat e tjera të Perandorisë Otomane. Rritja cilësore e pranisë perëndimore në kuadrin e tri Perandorive, asaj franceze, britanike dhe ruse, solli si impakt idenë se sovraniteti shumëshekullor osman, mund të ishte i lëvizshëm. Jehona e betejave dhe fitoreve të largëta, të Otomanëve të shekullit XVI dhe XVII, dalëngadalë filluan të zhbëhen dhe realitetet e fitoreve Napoloniane, filluan të ndikojnë në mendimin politik të kohës dhe të zërë vend shqetësimi diplomatik, se çdo të bëhej me këto territore në rastin e një tërheqje të mundshme të Otomanëve.
th="210"]
Ky është momenti historik, kur Ali Pasha Tepelena fillon bisedimet diplomatike me rusët, francezët dhe anglezët dhe hyn përfundimisht në spiralet e një loje politike rajonale, që shpesh herë ia kaloi për nga përmasat dhe caqet e kësaj loje. Në varësi të evoluimit, të këtyre bisedimeve dhe ideve, Ali Pasha Tepelena, adoptoi një qëndrim moderues, duke kapërcyer shpesh herë dhe vetveten nga një Pasha me botëkuptim otoman, në një princ me prirje europiane. Në këtë kuadër shpjegohet interesi i dëshmuar i tij për eksperimentet dhe shkencat ekzakte, lejimi i pikturimit të tij dhe të sarajeve, informimi i vazhdueshëm me anë të shtypit europian, si dhe interesit për simbole të veçanta, që ishin karakteristikë për monarkët europianë.
Në radhën e simboleve evropiane që Ali Pashë Tepelena kishte adoptuar në sjelljen e tij, ishte dhe mace/maussel- topuzi në formën e skeptrit që mbante gjatë ceremonive zyrtare dhe audiencat kur priste diplomat dhe udhëtarë të huaj. Këtë topuz-skeptër ceremonial e shikojmë në portretin e realizuar nga piktori britanik Joseph Cartwright (1789-1829), të titulluar “Portreti i Ali Pashës”(1819).
Ky portret konsiderohet si një nga portretet më autentikë të Luanit të Janinës dhe Cartwright e realizoi gjatë qendrimit të tij në Ishujt Jonianë si piktor i marinës britanike gjatë viteve 1815-1821. Portreti i Ali pashë Tepelenës u publikua për herë të parë në vitin 1821 në Londër në albumin “Views from Ioanian Islands”. Portreti tregon një Ali Pashë me kokën e kthyer për të pozuar, sytë blu, taçin bektashian me dymbëdhjetë ndarje që nënkuptonte 12 imamët dhe topuzin në formën e skeptrit. Topuzi në formën e skeptrit ishte një simbol që mbahej nga monarkët e shteteve të pavarura evropiane dhe simbolizonte forcën dhe zotërimin e një pushteti absolut. Nuk dihet saktësisht se kur e bëri për vete këtë simbol Ali Pashë Tepelena por ka të ngjarë që ta ketë përftuar së bashku me heraldikën e tij alla perëndimore. Viti 1819 është një vit ku Ali Pashë Tepelena ishte në apogjeun e fuqisë së vet dhe sapo kishte marrë nën zotërimin e vet pas negociatave të gjata me britanikët, qytetin e Pargës. Objektet personale të shpëtuara nga Ali Pashë Tepelena janë të radha dhe gjenden kryesisht jashtë Shqipërisë. Kjo gjë ka ndodhur për shkak se shqiptarët e krijuan vonë shtetin kombëtar dhe se një pjesë e madhe e sendeve të tij personale, duke qenë se ngjallnin një kërshëri romantike u shpërndanë muzeumeve të Evropës.
Sot për fatin e mirë ky mace/mousse-topuz skeptër që ai përdorte në ceremonitë zyrtare mendohet se ruhet në muzeun dhe institutin e Volterit në Gjenevë, së bashku me disa objekte të tjera që nuk i përkasin iluministit të madh francez por që janë karekteristikë për historinë dy shekullore të Evropës, shekulli i XVII-XIX. Duke i vëzhguar me kujdes mace/mouse-topuzin skeptër që ai mban në portretin e pikturuar nga Cartwright dhe objektit që ndodhet në Muzeumin dhe Institutin e Volterit në Gjenevë duket se ata janë të njëjtët. Gjithësesi një hulumtim më i thellë duke kërkuar nëpër skedat e objektit të ekspozuar në Gjenevë do të hidhte më shumë dritë në këtë aspekt.Prania e këtij objekti në këtë muze të rëndësishëm të Evropës do të thotë se figura e Ali Pashë Tepelenës ndjell ende kërshëri në publikun evropian.
Dorian Koçi