Dita Botërore e Librit festohet çdo vit më 23 prill. Lidhja midis 23 prillit dhe librave u bë për herë të parë në vitin 1923 prej botuesve spanjollë të librave, si një mënyrë për të nderuar shkrimtarin e madh Migel de Servantes.
Në vitin 1995, UNESCO vendosi që këtë ditë ta shpallë “Ditën Botërore të Librit dhe të së drejtës së autorit”, në mënyrë që të promovonte leximin, botimin dhe të drejtat e autorit.
Vende të ndryshme të botës e festojnë në mënyra nga më të veçantat Ditën Botërore të Librit. Për shembull, në Britaninë e Madhe fëmijët e festojnë 23 prillin duke u veshur si personazhet e tyre të preferuar të librave.
Në SHBA shumë nxënës dhe lexues nga të gjitha shtetet e festojnë këtë ditë duke gjetur dhe treguar histori të ndryshme librash. Të gjithë vihen në kërkim të historisë më të bukur ose e krijojnë atë nga mjedisi ku jetojnë, ka edhe nga ata që i marrin të gatshme nga interneti. E rëndësishme është që në fund të ditës të gjithë të kenë nga një histori për të treguar dhe t’u dhurojnë sa më shumë libra personave të tyre më të dashur.
Veprimtaritë që kryhen kanë si qëllim të festojnë për autorët, që kanë ngritur letërsinë në majat e saj, por edhe të edukojnë e mbrojnë të drejtat e autorit, të cilat dhunohen çdo ditë më së shumti në internet.
10 librat më të mirë të të gjitha kohërave, sipas një sondazhi të disa kohëve më parë të revistës “Time”, janë:
1. “Ana Karenina”, e shkruar gjatë viteve 1873-1877 prej shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi. Vepra hapet me një citat madhështor: “Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe, janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat.” Kjo novelë është një kryevepër e dashurisë tragjike të Ana Kareninës me kontin Vronski, të dy këta pre e një dashurie, që nuk do të marrë kurrë miratimin nga shoqëria ruse e kohës. Kurorëshkelësja Ana Karenina ndjek një rrugë të pashmangshme të shkatërrimit shoqëror dhe shpirtëror. Ajo që e bën librin kaq të pëlqyeshëm për publikun, është aftësia e Tolstoit për të balancuar historinë pasionante të Ana Kareninës dhe jetës familjare të Levinit, personazhit që kryen një martesë të thjeshtë, që është besnik ndaj Zotit dhe që i pëlqen të merret me bujqësi. Fillimisht autori u ofron lexuesve mëkatin e ëmbël të Anës dhe më pas i edukon ata me virtytet e Levinit.
2. “Zonja Bovari”, është novela e parë e Gustav Floberit, të cilën ai e botoi në vitin 1857 dhe që konsiderohet prej shumë kritikëve si kryevepra e tij. Prej shumë novelave të shekullit të 19, që flasin për shkeljen e kurorës, vetëm zonja Bovari është një personazh shumë i urryer prej vetë autorit të saj. Floberit iu deshën 5 vjet për të plotësuar portretin jashtëmartesor të personazheve të vendosur në provincat e Francës. Në letrat që shkruante për të dashurën e tij, ai ankohej pafund për lodhjen që po i shkaktonin personazhet e novelës dhe se nuk arrinte të gjente paqen e duhur me atë që shkruante. Kur e përfundoi novelën, njihet shprehja e famshme e tij: “Zonja Bovari është e imja.” Shkruar me një stil të mrekullueshëm dhe me personazhe thellësisht të prekshëm, kjo novelë e Floberit dëshmon sesi dëshira për t’u ngjitur sa më lart mund të na nderojë ose shkatërrojë.
3. “Lufta dhe Paqja”, është një roman me katër vëllime, i botuar në vitin 1869 prej Leon Tolstoit. Ai është libri i tretë më i famshëm dhe i lexuar, sipas klasifikimit të revistës prestigjioze “Time”. Mark Tuein është shprehur për këtë libër: “Tolstoi ka harruar të përfshijë vetëm një garë me varka, sepse çdo gjë tjetër që ka lidhje me pushtimin e Rusisë nga Napoleoni në vitin 1812 është këtu.” Tolstoi është ekspert në vizatimin e duhur të skenave të betejave, pasi ai përshkruan ndjenjat personale të qindra karaktereve nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Ajo që e bën librin kaq të dashur, është se mes morisë së madhe të personazheve janë edhe tri përshkrime fantastike të princit Andrei, Natashës dhe Pierit, të cilët luftojnë me dashuri dhe përpiqen të gjejnë një mënyrë të duhur për të jetuar.
4. “I madhi Getsbi”, është romani stoli i epokës së xhazit, që pikturon një portret të paharrueshëm të ditëve të kaluara mes muzikës xhaz, xhinit, pakujdesisë dhe pasurisë së vënë lehtë. Ky roman është ndoshta legjenda më e madhe e kërkimit të “ëndrrës amerikane”, e shkruar ndonjëherë. Xhej Getsbi është një milioner i vendosur të fitojë përsëri zemrën e vajzës, të cilën ai e dashuronte dhe e humbi. Në këtë mënyrë ai kthehet në ikonë të mallit e romantizmit, teksa narratori Nick Carroway, në mënyrë brilante, ndriçon periudhën e fundit të Luftës së Parë Botërore dhe mbarimin e pafajësisë amerikane.
5. “Lolita”, një roman nga Vladimir Nabokov. “Lolita, drita e jetës sime, zjarri i trupit tim, mëkati dhe shpirti im”, kështu fillon kjo kryevepër e shquar ruse. Në të flitet për Humbert Humbert, një burrë i moshës së mesme, i cili bie çmendurisht në dashuri me një vajzë vetëm 12-vjeçare, Dolores Haze. Burri martohet me të ëmën e vajzës dhe kur ajo vdes, ai bëhet babai i Lolitës. Ndërsa Humbert tregon për udhëtimin e tyre me makinë, Nabokov përshkruan dashurinë, fuqinë dhe obsesionin në gjuhë tallëse, guximtare dhe shokuese. Personazhi i Lolitës është kthyer që prej publikimit të romanit, në simbolin e vajzave të vogla, që bien në dashuri me burra të moshës së mesme.
6. “Middlemarch”, nga Xhorxh Eliot. Dorothea Brooke është një vajzë e re idealiste, të cilën dëshira për të përmirësuar botën e çon drejt një martese me pedantin e inatosur Kasaubon. Ky gabim e udhëheq atë drejt rrethanave të dhimbshme në kërkim të lumturisë. Novela tregon për kufizimet që shoqëria u bën grave dhe për jetën e mjerueshme të fshatit. Rrëfimi vjen si një kronikë e qytezës së Middlemarch në Angli dhe portretit të një gruaje. Eliot shquhet për analizimin e momenteve të krizës dhe bën që lexuesit të ndiejnë thellë gjendjen e ankthit dhe ndjesinë e zgjidhjes së problemit të personazhit. Simpatia e Dorothea Brooks për personat e papëlqyeshëm e drejton moralin e saj më shumë nga bamirësia sesa nga përbuzja dhe armiqësia.
7. “Aventurat e Hakëlberri Fin”, i shkruar nga Mark Tuein, është romani i një fëmijërie të lumtur për të gjithë ata që e kanë lexuar në vegjëli. Heminguej shprehet: “Çdo roman modern amerikan vjen prej Hakëlberri Fin”. Për disa ky është romani i aventurave të dy çapkënëve, njëri i abuzuar nga prindërit dhe tjetri një skllav i arratisur, të cilët përpiqen t’u shpëtojnë ligjeve të shoqërisë duke udhëtuar drejt Misisipit. Për të tjerë ky është romani i ashpër satirik, të cilin Tuein e ka shkruar për të treguar ligësinë e diskriminimit racial, fanatizmin fetar, hipokrizinë, lakminë dhe shpërfilljen e shoqërisë ndaj nevojave kolektive. Thjeshtësia e personazheve bën kontrast me jetën e kollarisur dhe kapitaliste, që shoqëria e kohës përpiqej të bënte.
8. “Hamleti”, është drama më e famshme e kohërave e shkruar prej dramaturgut të papërsëritshëm Uilliam Shekspir. Hamleti tregon historinë e një princi të ngarkuar me peshën e rëndë të hakmarrjes për vrasjen e të atit nga duart e xhaxhait të tij, i cili më pas u martua me të ëmën e Hamletit dhe u bë mbret i Danimarkës, duke rrëmbyer kështu fronin e personazhit kryesor. I detyruar nga rrethanat e vrasjes dhe i shtyrë prej fantazmës së të atit, Hamletin e shohim të përfshirë në probleme të rënda të ekzistencës, të cilat Shekspiri i ka pasqyruar aq bukur në shprehjen e famshme: “Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja!”.
9. “Novelat e Çehovit”, u shkruan përgjatë viteve 1860-1904. Djali i një robi rus të liruar, Anton Çehov, u bë një doktor, i cili shpesh i kuronte pacientët pa pagesë dhe që më pas do të njihej si shpikësi i novelës ruse. Deri më tani letërsia ruse ishte njohur me mënyra të ndryshme të shkrimit, përgjithësisht të zbukuruara dhe të tepruara. Çehov, nëpërmjet novelave të tij, reflektoi ndodhitë dhe krizat e jetës së rëndomtë. E gjitha kjo nëpërmjet stilit të tij origjinal, imagjinatës së përzier me mëshirën dhe nëpërmjet përshkrimit të paarritshëm. Ai mbetet një mësues i madh dhe një njeri i mençur, vëren Alan Gurganus për “Novelat e Çehovit”, të cilat akoma dhe sot frymëzojnë dhe turbullojnë mendjet njerëzore.
10. “Në kërkim të kohës së humbur”, është një roman me shtatë vëllime i Marsel Prustit. Është puna e tij më e shquar e njohur si për gjatësinë e saj, ashtu edhe për kujtesën e pavullnetshme. Fitoi famë kur në vitin 1992 u përkthye nga frëngjishtja në anglisht prej D.J. Enright nën titullin “In Search of Lost Time”. Prust, me stilin e tij të jashtëzakonshëm, hipnotik dhe të paimitueshëm, arrin të përshkruajë në mënyrë unike ndodhitë e romanit të tij më të njohur.
Në një kategorizim të autorëve më të shquar të të gjitha kohërave, të hartuar prej 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur të kohëve të sotme, të cilët vlerësuan me një sistem pikësh secilin shkrimtar, del kjo renditje e autorëve më të famshëm të të gjitha kohërave:
1. Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i madh botëror me 327 pikë. Ndonëse në kohët e sotme është kaq shumë i çmuar, jeta e tij në periudhën kur jetoi, pati shumë dhembje dhe moskuptim. Ai ishte i pambështetur prej familjes dhe miqve prej pikëpamjeve të tij të ndryshme mbi jetën, fenë, dashurinë dhe mënyrën e ndërtimit të shoqërisë. Në vitin 1910, në moshën 81-vjeçare, si shenjë e revoltës së tij dhe për të mbrojtur më së miri ideologjinë që predikonte, Tolstoi u largua nga shtëpia dhe vdiq në ndërtesën e stacionit të trenit të Astapovos prej sëmundjes dhe pleqërisë.
2. Uilliam Shekspir, dramaturgu, poeti dhe shkrimtari më i njohur anglez, me shumë mister që e rrethon, është vlerësuar prej kritikëve me 293 pikë. Ai e bëri botën të qajë e të qesh me dramat dhe komeditë e tij të papërsëritshme. Është shkrimtari më i lexuar në botë, me 4 miliardë libra të shitur. Talenti i tij në depërtimin e botës së çdo personazhi dhe mjeshtëria e gjuhës, e bëjnë Shekspirin “Lordin e shkrimit anglez”. Shekspiri realizoi gjithsej 37 vepra: 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Tragjeditë e tij më të famshme janë “Hamleti”, “Henri IV”, “Makbeth” dhe “Romeo e Xhulieta”. Te komeditë përmendim “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Nata e dymbëdhjetë”.
3. Xhejms Xhojs, është i akuzuar prej shumë kritikëve si shkrimtari irlandez me stil të pakuptueshëm, të vështirë dhe monoton. Në listën e shkrimtarëve më të mirë botëror, renditet i treti me 194 pikë. Xhejms Xhojs konsiderohet si një nga autorët më me ndikim të shekullit XX. Ai është i njohur për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë të diskutuar “Zgjimi i Fineganëve” (1939), për përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe për romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit djaloshar” (1916).
4. Vladimir Nabokov, shkrimtari rus i famshëm për romanin e tij tërësisht tronditës për shoqëritë e të gjitha kohërave, “Lolita”, është vlerësuar me 190 pikë prej kritikëve. Karriera e tij filloi pas përkthimit të veprave në anglisht, ku u bë shumë i njohur sidomos me romanin “Lolita”, i cili është realizuar shumë herë në filma, ku përmendet filmi i vitit 1997 aktruar nga i madhi Xheremi Ajrons dhe Melani Grifit.
5. Fjodor Dostojevski, shkrimtari, filozofi dhe eseisti rus, është i njohur për veprat e tij madhështore. Në këtë klasifikim është vlerësuar me 177 pikë. Veprat e tij hulumtojnë thellë në psikologjinë njerëzore nga pikëpamjet politike, shoqërore dhe shpirtërore të Rusisë së kohës. Ai është themeluesi i ekzistencializmit të shekullit të 20 në Rusi. Për Dostojevskin thuhet se është ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me influencë të të gjitha kohërave.
6. Uilliam Folkner, shkrimtari i rëndësishëm që prej natyrës së tij të tërhequr ishte gati-gati i panjohur për lexuesit, derisa në vitin 1949 mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ai është vlerësuar në këtë listë si shkrimtari i gjashtë më i shquar me 173 pikë. Vepra e tij, që korri më shumë sukses dhe që i dha emër, është “Një trëndafil për Emilinë”. Në fjalën e tij, gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai tha: “Është veç një fjalë goje të thuash se njeriu është i pavdekshëm, vetëm sepse ai do të mbijetojë, kur të ketë kumbuar tiktaku i mbramë i fundit të botës, pasi të jetë shuar me shkëmbimin e sprasëm e krejt të pavlerë të përshkëndritjes së mbrëmjes së fundit, edhe atëherë do të ketë mbetur kumbi i një zëri: kumbi i mezindier, i pashtershëm i njeriut që ligjëron ende.”
7. Çarls Dikens, shkrimtari i madh anglez vjen në këtë listë i vlerësuar me 168 pikë. Ai mendohet se është ndër të parët shkrimtarë anglezë, të cilët lëvruan romanin shoqëror. Si veçori e këtij autori është se veprat e tij përbëhen nga personazhe kryesisht fëmijërorë, nga ku vijnë dhe titujt e librave. Mendohet se shkak i kësaj është fëmijëria e tij e mjerueshme. I varfër dhe pa asnjë mjet jetese, ai i nënshtrohet punës në moshë shumë të re. Ndoshta ky është edhe çelësi i suksesit të tij, nëpërmjet personazheve që krijoi, ai pasqyroi dhe rishkroi fëmijërinë e tij për t’i dhënë një fund të lumtur. Veprat e tij më të njohura janë: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell” dhe “Nikolla Nikëllbi”.
8. Anton Çehov, konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar jo vetëm rus, por mbarëbotëror. Ai vlerësohet me 165 pikë nga kritikët e sotëm. Çehov u diplomua në Mjekësi, por me shaka shprehej: “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”. Përmbledhja e novelave të tij është një nga librat më të shitur dhe më të vlerësuar të të gjitha kohërave, thellësia që pasqyron Çehov në novelat e tij, të magjeps dhe njëkohësisht të fut në kolapsin e shoqërisë ruse të shekullit të 19.
9. Gustav Flober, është një nga novelistët më të njohur francezë të shekullit të 19, kohë kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit dhe miqve të tij. Ndjenjat që ushqente ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit europian. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Zonja Bovari”, “Tundimet e Shën Andonit”, “Salambo” dhe “Një zemër e thjeshtë”.
10. Xhejn Ostin është shkrimtarja e vetme që arrin të përfshihet në listën e shkrimtarëve më të mirë botërorë, pavarësisht se shumë femra të tjera kanë dhënë kontributin e tyre në letërsi. Që më 1787-n, Xhejn filloi të shkruante poema, histori dhe drama për zbavitjen e vetes dhe familjes së saj. Xhejn më vonë përpiloi kopje të 29 prej këtyre punimeve të hershme në tri blloqe, tashmë të quajtura “Juvenilia”, që përmbanin pjesë të shkruara mes 1787-s dhe 1793-shit. Veprat e saj të mëpasshme janë frymëzim i shumë filmave hollivudianë, tepër të ndjekur dhe të lexuar. Ajo është një autore që nuk do të harrohet për veprën e saj “Krenari dhe paragjykim”.
“Kur blini një libër nuk keni blerë thjesht disa fletë dhe bojë, por një jetë tërësisht të re” – Christopher Morley
“Nëse lexoni vetëm librat që i lexojnë të gjithë, atëherë do të mendoni vetëm atë që mendojnë të gjithë” – Haruki Murakami
“E kupton që ke lexuar një libër të mirë, kur kthen faqen e fundit dhe ndihesh sikur ke humbur një mik të shtrenjtë” – Paul Sweeney
“Pavarësisht sesa i zënë je, gjej kohën për të lexuar ose rri në injorancën që vetë e zgjodhe” – Confucius
10 librat më të mirë të të gjitha kohërave:
“Ana Karenina” nga Leon Tolstoi
“Zonja Bovari” nga Gustav Flober
“Lufta dhe Paqja” nga Leo Tolstoi
“I madhi Getsbi” nga F. Skot Fitsxherald
“Lolita” nga Vladimir Nabokov
“Middlemarch” nga Xhorxh Eliot
“Aventurat e Hakërrbei Finit” nga Mark Tuein
“Hamleti” nga Uilliam Shekspir
“Novelat e Çehov” nga Anton Çehov
“Në kërkim të kohës së humbur” nga Marsel Prust