Me besëtytni tregohen, me një ndjenje zakonisht përçmuese, besimet e një natyre te paarsyeshme dhe që mund të ndikojnë në veprimtarinë dhe sjelljen e përvetësuar të personave besëtytë në jetën e tyre. Besëtytnia është një besueshmëri e paarsyeshme që, ngjarjet e se ardhmes ndikohen nga sjellje të veçanta, pa pasur një lidhje shkakësore.
E dimë se nuk janë të vërteta, por megjithatë ua kemi frikën, besojmë se sjellin ters. Raste të shumta rreken të ravijëzojnë një realitet frike që struket pas këtyre paralajmëruesve fatkëqij. Plot njerëz dëshmojnë përvojat e tyre personale që lidhen direkt me rastet e besëtytnive. Edhe pse ato nuk shndërrohen në realitete si rezultat i një projektimi logjik dhe shkencor, sërish na paralajmërojnë, sërish na bëjnë me dije se duhet patur kujdes, sërish ata orvaten të na prishin momentet e qetësisë dhe gëzimit.
Të vërteta apo të gënjeshtërta, reale apo trillime, parathënie apo thjeshtë rastësi? Këto janë dilemat e mëdha që rëndojnë si mbi kulturën tonë, ashtu edhe mbi vetëdijen, e cila duket se e ka të pamundur t’i shmanget asaj që ka konturuar zëfilljen tonë. Besëtytnitë kanë ardhur deri në ditët tona, për të kërkuar dhe për të zënë një vend të konsiderueshëm në sjelljen dhe kulturën tonë, doket dhe zakonet tona. Ata na kanë bashkëshoqëruar, duke na ngacmuar vijimisht me panik dhe ankth. Janë trille të mendjeve të errëta, apo paralajmërues të fatit të keq, këtë askush nuk mund të na e thotë.
Origjina e disa besëtytnive
E premte, datë 13
Konotacionet negative, të cilat i lidhim me numrin 13 kanë shpjegim nga disa teori. Njëra ndër to i ka rrënjët te tradita e krishterë. Apostulli Juda, i cili e tradhtoi Krishtin, ishte i trembëdhjeti në Darkën e fundit. Frika nga numri 13 lidhet edhe me një mit norvegjez. Në fakt, në vendin Valhala 12 perëndi ishin mbledhur për t’u argëtuar, ku u paraqit mysafiri i 13- të, i paftuar, Loki shpirtkeq, i cili shkaktoi kaos në mesin e perëndive. Për këto dhe shkaqe të tjera, numri 13 shkakton njëfarë frike në tërë botën. Disa shkencëtarë thonë sesi 80% e rrokaqiejve në botë nuk e kanë katin e 13-të, hotelet dhe spitalet nuk e kanë dhomën nr 13, shumica e aeroporteve nuk ka dalje 13 në pistë, etj.
Derdhja e kripës
Sipas një besëtytnie të lashtë, derdhja e kripës është shenjë e keqe. Edhe kjo i ka rrënjët në Bibël. Në fakt, tradita e krishterë thotë se Juda gjatë darkës së fundit ka derdhur kripë edhe atë pak para se ta tradhtonte Krishtin. Në të kaluarën kripa ka qenë tepër e shtrenjtë, kështu që derdhja e saj me të vërtetë ishte fat i keq.
Pasqyra e thyer
Ekziston një besim i përhapur sesi pasqyra e thyer sjell shtatë vjet të fatit të keq. Ka disa shpjegime për këtë, ku njëri ndër ta thotë se pjesëzat e pasqyrës së thyer mund ta robërojnë shpirtin. Mendohet se, me thyerjen e pasqyrës, thyhet edhe shpirti. Në disa kultura, kur të vdesë dikush, mbulohen të gjitha pasqyrat në shtëpi, në mënyrë që shpirti i të vdekurit të mund të largohet pa probleme.
Macja e zezë që na e prenë udhën
Në kulturat e Perëndimit macja e zezë ka kohë që konsiderohet ters. Ato lidhen me shtrigat, e mendohet se, nëse na e prenë udhën, do të na ndodhin gjëra të këqija. Macja e zezë e cila ta pret udhën, sipas besimit të krishterë, në fakt është dreq, i cili kështu na pengon që të hyjmë në parajsë.
Kryqëzimi i gishtave
Shenja e gishtave të kryqëzuar është edhe një formë e mbrojtjes nga shpirtrat e këqij. Rrënjët e kësaj besëtytnie nuk dihen edhe pse duket se ky besim më shumë mbretëron në vendet e krishtera. Në fakt, nëse me anë të gishtave e bëjmë shenjën e kryqit të krishterë, atëherë i pengojmë shpirtrat e këqij që të na bëjnë keq. Gishtat kryqëzohen edhe kur rrejmë, meqë mendohet se një gjë e tillë na mbron nga pasojat e rrenës.
Kruarja e shuplakës së majtë sjell para
Besimi se do të marrim para nëse na kruhet shuplaka e majtë, si dhe bindja se do të japim para nëse na kruhet dora e djathtë, janë besëtytni mjaft të shprehura. Nuk është gjetur asnjë shpjegim i kësaj besë- tytnie, por thuhet se kur të na kruhet dora, atë duhet ta kruajmë për ndonjë objekti të drunjtë, meqë një gjë e tillë, paramendoni, po na sjellka fat.