Nga Albert Vataj
Ai ishte dhe me gjas do të mbetet në historinë e krijimit, më i veçanti. Në përvojën e kapërcimit të caqeve të së mundshmes ku përpëlitej njohja në vitet e mesjetës, ishte një syçel dhe mendje novatore. Atje ku s’kishte depërtuar dritë ende dhe njeriu zvarrej si një hekakeq, ai mëkoi diej për ngjizjen e asaj realeje që sa më shumë zgjidhte sekretet aq më ethshëm mundonin njeriun dilemat. Një zot toksor i përulur e udhëqte atë gjithnjë atje ku kishte beteja.
Këtë karakteristikë dalluese e përcakton fakti se Leonardo da Vinçi ishte shumëdimensional dhe kontribues kudo ku mbërriti syri i tij vëzhgues dhe kureshtia, ngadhënjeu. Siç shkëlqe në pikturë, ai ishte befasues edhe në skulpturë. Siç shquhej për një vizion dhe kurajë në fushën e arkitekturës, aq ngulmëtar dhe kontributor i vyer mbeti edhe në atë të muzikë. Vëzhgimi i gjithçkasë dhe analizimi i detajuar i çdo gjëje, e çuan këtë emër të madh të shënjoj gjurmë të pashlyera si në inxhinieri, shpikje, anatomi, gjeologji, ashtu edhe në kartografi, botanik dhe krijimtari. Ai nuk ishte një identitet, ai ishte një fenomen. Bota nuk arriti të rrokte në vërshimin e stuhishëm të kohëve një të dytë si ai. Universi do ta “refuzonte” një shpërthim të përsëritur të këtij shkëlqimi dritues mijëvjeçarësh.
Gjenialiteti i Leonardo da Vinçi (15 Prill 1452 – 2 Maj 1519), ndoshta më shumë se e çdo figure tjetër, mishëroi idealin humanist të Rilindjes, aqsa përshkruhet si arketipi i Rilindësit. Konsiderohet si një nga njerëzit më të talentuar që kanë jetuar, dhe metodat e tij janë të pazakonshme për kohën kur jetoi. Për të tjerët mund të thuhet se janë të mëdhenj, të talentuar, shumë e shumë gjëra, kurse për Leonardo da Vinçi nuk ka nevojë të thuhet përveçse Mjeshtër, me të cilin çdo qenie e vërtetë njerëzore krenohet.
Leonardo da Vinci, shkencëtar
Ende më mbresëlënëse se punët e tij artistike qenë studimet e tij në fushën shkencore e inxhinierike, regjistruar në librin e tij të shënimeve që zënë pothuajse 8.000 faqe detajime dhe skica që ndërthurin artet dhe shkencën. Leonardo shkruante me dorën majtë, dhe shpesh e përdorte shkrimin pasqyrë, pra shkruante nga e djathta në të majtë, gjatë gjithë jetës së tij. Afria e tij me shkencat ishte e llojit vëzhgues: ai kërkonte të kuptonte dukuritë duke i përshkruar e rifiguruar gjer në hollësitë më të imta e nuk theksonte eksperimentet apo shtjellimet teorike. Sipas Leonardos, shkenca është bija e përvojës. Ai qe i pari që përdori atë që ne sot quajmë “metodë shkencore”, jo për më tepër mbi afrinë e tij praktike në kërkimin shkencor (eksperimentimi dhe analiza e dukurive natyrore) sepse edhe shumë dijetarë të tjerë para Leonardos (p.sh. Talesi nga Mileti, Aristoteli, Roger Bacon dhe Arkimedi tashmë vepronin në këtë mënyrë, por për afrinë e tij matematikore, të asaj që Leonardo e quante arsye të pafundme të natyrës që nuk qenë kurrë në përvojë . Për këtë Leonardos i njihet merita e jetësimit të metodës sshkencore. Gjatë jetës së tij, projektoi një enciklopedi të madhe, që bazohet mbi skicat e hollësishme të çdo gjëje. Megjithatë, pasi atij i mungonte një edukatë formale e latinishtes dhe matematikës, Leonardoja dijetar u injorua nga studiuesit bashkëkohanikë të tij.
Ai ishte i magjepsur nga fluturimi. Bëri studime të hollësishme mbi fluturimin e zogjve dhe projektoi makina të ndryshme fluturuese, përfshirë edhe një helikopter që vihej në lëvizje nga katër njerëz (që nuk do të mund të kishte fluturuar sepse do të ishte rrotulluar rreth vetvetes) dhe një deltaplan por që ky do të kishte mundur të fluturonte.
Mori pjesë në shumë autopsi duke bërë një numër të skicimeve anatomike tejet të hollësishme, duke projektuar një studim të plotë të anatomisë njerëzore e krahasore.
Leonardo shfrytëzoi në veçanti këto dituri anatomike (mbase më të thellat e kohës së tij) qoftë në fushën artistike ashtu edhe në mekanikë: është i tiji projekti i parë i dokumentuar mbi një robot humanoid (si-njeri) rreth viteve 1495. Shënime të rizbuluara në vitet 1950 në kodikun atlantik dhe në libërtha shënimesh xhepi që datojnë rreth 1495 – 1497 tregojnë skicime të hollësishme mbi një kalorës mekanik, që ishte me sa duket në gjendje të ngrihej në këmbë, lëvizte krahët, kokën dhe nofullat, duke nxjerrë tinguj nga goja (falë një mekanizmi të përparuar goditës të vendosur në lartësinë e gjoksit). Kalorësi robot i Leonardos ishte parashikuar ndoshta për t´i dhënë shpirt një prej festave të Dukës së Milanos, sidoqoftë nuk dihet se është realizuar ndonjëherë.
Në vitin 1502 Leonardo da Vinçi bëri një skicim të një ure me një shtrirje prej 240 metrash, si pjesë e një projekti të inxhinierisë civile për Sulltanin osman Beyazid II.
Parashikohej që ura të vendosej në grykën e Bosforit e njohur si Briri i Artë por nuk u ndërtua kurrë. Vizioni i da Vinçit u ringjall në vitin 2001 kur një urë më e vogël, bazuar mbi skicimet e tij, u ndërtua në Norvegji. Por,midis projekteve të realizuara, është porti-kanal i Cesenatico (Çesenës),vendi i njohur turistik sot në krahinën e Forli-Cesena, rreth 35 km nga qendra e Forlit. Shënimet e tij përmbajnë një numër të madh shpikjesh në fushën ushtarake: mitraloz dhe “tanke” të lëvizura nga njerëz apo kuaj, bomba copëtuese, etj. Edhepse kishte bindjen se lufta është veprimtaria më e keqe njerëzore. Shpikje të tjera përfshijnë nëndetëset, parashutën, biçikletën, një aparat me rrota të dhëmbëzuara (njehsori i parë mekanik), një automobil (vetëlëvizës) shtyrë nga një mekanizëm me sustë dhe një tezgjah automatik i cili u ndërtua së fundi nga muzeu kombëtar i shkencës dhe i teknikës dhe prodhon 2 cm pëlhurë në minutë.
Rombikuboctedron nga Leonardo siç u shfaq në Divina Proporzione (Përpjesëtimi Hyjnor) të Luka Paçolit, 1509
Në vitet që pasuan ai demonstroi në Vatikan një përdorim industrial të energjisë diellore, nëpërmjet përdorimit pasqyrave konkave për ngrohjen e ujit. Leonardo besonte se dielli dhe hëna silleshin rreth tokës dhe se hëna pasqyronte dritën diellore sepse ishte e mbuluar me ujë.
Leonardo nuk botoi as i shpërndau përmbajtjet e shënimeve të tija. Ata mbetën të fshehura deri në shekullin XIX dhe nuk patën asnjë vlerë të drejtpërdrejtë për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë deri në kohët tona. Mbi këto baza shkrimtari L. Sprague de Camp, në librin e tij “Inxhinierët e lashtësisë”, e mendon Leonardon jo të parin e inxhinierëve modernë sesa “të fundit të atyre të lashtësisë”, duke saktësuar se pas kohës së Leonardos filloi praktika e përhapjes dhe botimit të zbulimeve shkencore.
Në vitin 1994, një prej librave të shënimeve të Leonardos, i ashtuquajturi “Codice Hammer” (ex Leicester), u ble nga industrialisti amerikan Bill Gates për 25 milionë dollarë. Por shumë nga skicimet e da Vincit janë sot pronë e familjes mbretërore britanike.
Leonardo ka lënë një sasi të mirë studimesh arkitektonike, skica ndërtesash dhe projekte urash. Përsosi projekte inxhinierie bashkëkohore, si ato të Francesco di Giorgio (Françesko di Gjorgjo) ose të Filippo Brunelleschi (Filipo Brunesleski), i fortë nga ndihma e matematikanit Luka Paçoli dhe nga dituria e teksteve klasike e bashkëkohore, që mund të ketë ndodhur gjatë ndenjës në Milano, ku pat mundësinë të kryente kërkime e studime mbi problemet e arkitekturës, inxhinierisë ushtarake e qytetare, mekanikës së lëngjeve, akustikës, balistikës, optikës dhe statikës. Si arkitekt ushtarak Leonardo është vënë në rendin e ditës nga propozimet e ekspertëve më të mëdhenj të kohës së tij. Pas vitit 1500 do t´i përkushtoje vëmendje studimit të ujërave, duke lënë pas dore prodhimin e modeleve mekanike.
Nuk dihet nëse Leonardo të ketë ndërhyrë fuqimisht në projektimin e shumë godinave, por ka dëshmi dhe skica që tregojnë se ai i´u përkushtua projekteve – si bashkëkohës të tjerë – në konceptimin (krijimin) e një qyteti ideal, të strukturuar mbi më shumë nivele rrugore: në nivel më të ulët karrot, në atë më të lartin këmbësorët. Nuk bëhej fjalë për një ide të parealizueshme të një artisti largpamës, por për një projekt konkret, të studiuar në këndvështrimin e një realizimi të mundshëm përkujtimor, për të cilin megjithëkëtë në atë kohë mungonte organizimi i duhur ekonomik e politik.
Spikatës është realizimi i portit-kanal Çesantik, vendi i njohur turistik sot në krahinën e Forli – Çesena, rreth 35 km nga qendra e Forlit.
Gjate rilindjes u zhvilluan forma te reja hulumtimesh, p.sh. teknika që zëvendësoi magjinë dhe përkufizoi përbërjen e veprave zejtare. Artistë dhe inxhinierë merreshin me projektimin e makinerive luftarake (në vend që të përhapnin njohuritë e tyre) për zotërinjtë e kohës, shpesh në luftë mes tyre. Në këto rrethana mori rendësi të madhe qarkullimi i njohurive e u bë gjithnjë e më e fortë dëshira e njeriut për te mbizotëruar dhe shfrytëzuar natyrën për qëllime kënaqësie dhe nevoja vetjake.
Leonardoja e përkufizonte vetveten “omo senza lettere” (njeri pa letra, arsim) për shkak të formimit “mekanik” që mori në shitoren e Verrokios në Firence, ku zhvilloi përveç veprimtarisë së tij si piktor, (gjë që e bëri të famshëm) edhe skulpturën (gdhendjen), arkitekturën, rrobaqepjen, argjendarinë etj. Leonardo theksonte me forcë vëzhgimin e kujdesshëm të natyrës, duke shënuar me saktësi gjithçka që vëzhgonte dhe duke lënë kështu një sasi të pabesueshme shënimesh, por edhe duhet të saktësohet që ai nuk mund të ushqente një dituri të sigurt e te saktë, nëse nuk do të kishte kaluar më parë nëpërmes dëshmive matematikore. Ai besonte në të vërtetë se dukuritë e natyrës do të mund te kuptoheshin vetëm nëse do të zbuloheshin arsyet, nuk mjaftonte të vëzhgoheshin, për t´a thëne me fjalët e tija: “asnjë hulumtim njerëzor nuk mund të quhet shkencë e vërtete, nëse ajo nuk kalon nëpërmes dëshmive matematikore”. Për ketë arsye Leonardoja vazhdoi në matematikëzimin e natyrës, apo në shoqërimin e dukurive natyrore me ligjet fizike, matematike dhe kimike. Ai i besonte diturisë matematikore pasi që ajo ishte diçka e sakte, e sigurtë, dhe dallohej përkundrazi nga ata që kufizoheshin për të risjellë diturinë dhe trashëgiminë e të lashtëve, ose nga magjistarët dhe alkimistët që orvateshin të shpjegonin gjërat me arsye shpirtërore pa treguar saktësinë e pohimeve të tyre.
Hulumtimi i Leonardos luhatej gjithmonë me eksperimentit dhe shënimit, paraqitet pra në një varg shënimesh të shpërndara që ai i shkroi vetëm për vete, në të vërtete Leonardo nuk e konceptonte shkencën si një kërkim botëror dhe bashkësor. Për ketë arsye qe bashkërenditja mes shkencëtareve të kohës moderne do të ishte i pavend, edhe pse disa e mendojnë një frymëzues i Galileo Galileit. Leonardoja nuk mund të vlerësohet si një shkencëtar i mirëfillte, pasi që gjithçka që na ka mbërritur prej tij janë vetëm shënime jo të rregullta, dhe nuk bashkëlidhen nga një mënyre e vërtete dhe e saktë shkencore, pra Leonardoja nuk shpreh shkoqur (shpjegueshëm) cila është sipas tij mënyra për të përdorur në kërkimin shkencor. Megjithëkëtë duhet të pranohet që disa tipare të shkencës moderne janë te dalluara qartë me Leonardon, si p.sh. nocioni i përvojës ose shoqërimi teori-praktike.
Da Vinci ishte krejtësisht i bindur që dituria nuk duhej të mbetej thjeshtë teorike, por të zbatohej, apo të kthehej në teknologji. Njohuria lind nga përvoja dhe duhet të rikthehet tek ajo, teknika është përdorimi i njohurisë, e vërtetuar nga teoritë e saja. Bindje tjetër e Leonardos ishte që arti ec me hapa të njëjta me shkencën, pasi që arti është shprehje e njohurisë. Ai në fakt gjithçka që vëzhgonte dhe e kthente në shënime, pastaj e përkthente në rifigurime artistike. Piktura për të ishte njohuri, ishte shprehje cilësore e asaj që shkencëtari shpreh me emërtime sasiore. Piktura për te ishte shkencë, madje ishte shkenca më e rëndësishme! Kjo për arsye se piktorit, për t´ia arritur te futej në natyre dhe t´a riparaqiste, iu desh të njihte shkenca të ndryshme si anatominë, gjeometrinë etj. Leonardo studioi edhe mekanikë, gjë që i lejoi të kuptonte parimin e inercisë (plogështia, amullia), të përbërjes së forcave dhe rrafshit të lakuar (pikërisht me ketë ai u përpoq të shpjegonte fluturimin e zogjve), ai kishte njohuri edhe rreth hidraulikës se zbatuar dhe enëve komunikuese. Por risia e vërtete e Leonardos ishte që ai nuk pushoi së studiuari këto gjëra, por kaloi në projektimin teknik; projektet e tij ishin kthyer mbi të gjitha te hidraulika, përmirësimin e fortifikimeve dhe armëve, industri tekstile dhe arte tipografike. Ai fitoi po ashtu rezultate të shumta në gjeologji, anatomi dhe fiziologji. Projektimi ishte pikërisht rikthimi te përvoja për të cilën fliste Leonardoja, garancia që teoritë e tij ishin të sakta dhe çasti themelor në të cilin shkenca, teknika dhe arti bashkoheshin.