Vizioni im për një edukim të drejtë është të mësosh njerëzit si të rritin egon e tyre dhe si të aftësohen ta flakin tutje atë; si të bëhen mendje të mëdha e njëkohësisht të jenë gati ta lënë mendjen mënjanë në çdo kohë. Duhet të jeni të aftë të ndizni e të shuani personalitetin tuaj, egon, mendjen, sepse këto janë gjërat më të mira, që mund t’i përdorni. Por duhet të njihni mekanizmin: si t’i zhvlerësoni. Tani dini vetëm t’i vini në punë.
Jepuni fëmijëve dashurinë tuaj, por jo ideologjitë, mos i bëni të krishterë, katolikë e komunistë, do t’i helmoni. Mos i bëni hindu, budistë, muslimanë e jainistë; do t’i shkatërroni. Jepuni dashuri, dashurinë tuaj ushqyese e fuqi të mjaftueshme të kërkojnë atë që janë, kush janë ata vetë e për çfarë bëhet fjalë. Jepuni ndimë për të jetuar në botë si shpirtra aventurierë. Kështu do t’i ndihmoni, kështu i edukoni vërtet. Zakonisht, gjithçka qëndron në emër të edukimit është në fakt keqedukim. Edukimi i vërtetë ndihmon njeriut të jetë vetvetja, por është i mundur vetëm nëse e doni njeriun për hir të tij, jo për arsye të tjera. Nëse ka një motiv, dashuria juaj është e përlyer, e ju nuk jeni baba apo nënë e vërtetë.
Edukim do të thotë artikulimi i qenies suaj të brendshme në shprehjen e të jetuarit, jetën e përditshme. Ndershmëria juaj, dashuria, dhembshuria, duhet të vijnë nga brenda jush, jo prej mësimeve e teksteve, rabinët e kardinalët, predikuesit e Ayatollah Khomeinit.
Një edukim i vërtetë nuk ju nxit të jeni të parët, por t’i gëzoheni gjithçkaje që bëni, jo për rezultate por vetëm për aktin. Porsi një piktor, kërcimtar, muzikant… Edukimi i vërtetë nuk ju mëson të garoni, por të bashkëpunoni, jo të luftoni për të dalë të parët, por të jeni krijues, i hareshëm, pa u bërë krahasues me tjetrin, nuk ju mëson se jeni të lumtur vetëm kur jeni të parët. Kjo është marrëzi absolute: nuk mund të jeni të jeni të lumtur sepse jeni të parët. Dhe duke u përpjekur të jeni të parët u hyni ca vuajtjeve, me të cilat rehatoheni sapo bëheni të parët.
Në të vërtetë, në çastin që fëmija përshtatet plotësisht me ty, je i lumtur; e quan “edukim fetar”. Je vërtet i lumtur që fëmija u rreshtua në fenë e prindërve. Ajo që ke bërë është se vetëm ke shkatërruar aftësinë e tij për të njohur vetveten, vërtetësinë e tij, vetë pafajësinë e tij.
Mbase çuditeni po t’ju them se edukimi juaj është kundër zgjuarsisë. Shoqërisë i duhen vetëm kopjacë, i duhen vetëm njerëz të aftë të mbajnë mend, jo të bëhen inteligjentë. Shoqëria ju do të bëheni makina të mira, jo njerëz të bukur; makina frytdhënëse, por makinat janë gjithmonë njësoj. Ju do të punoni mirë, por jo të jeni të vetëdijshëm, pasi do të filloni t’u thoshit “JO” shumë gjërave, nuk do të bindeshit kollaj.
Nëse do të vazhdojë të zgjatë kaq shumë – në shkollë fëmijët ulen 5-6 orë – do të trashen fare, zgjuarsia e tyre topitet. Të gjithë fëmijët lindin inteligjentë e, prapseprapë, 99% e njerëzve vdesin budallenj. Gjithë ky edukim e topit mendjen.
Asgjë nuk krahasohet me edukimin: i gjithi ju bën thjesht të aftë të merakoseni për situatat në për gjithë botën, për gjithë të tjerët e hallet e botës, përveç jush. Ato gjëra atje kanë qenë e atje do të ngelen, dhe jo për fajin tuaj. Edhe kur nuk ishit fare në këtë botë ato atje ishin, veçse me ngjyrime të tjera. Plani i vërtetë i universit duket se përmes gjithë kësaj turbullire e mjerimi dicka PO rritet. Duket si hap, shkollim i domosdoshëm, disiplinë.
Edukimi që ekziston në botë nuk është i vërtetë, pasi nuk është ndihmë për ndriçimin, nuk ju bën meditues, të heshtur, vigjilentë, brendavështrues. Ju bën ambiciozë, egoistë, sipërfaqësorë, ju jep vlerat e gabuara. Është një farë helmimi, nuk ju ndihmon të jeni vetvetja. Është shkatërrimtar, e ju ndihmon vetëm të bëheni dikush tjetër. Helm kaq i ngadaltë sa nuk e vini re kurrë. Nis ditën që lindni e dalëngadalë ju shkatërron, ju largon nga natyra.
Në shekullin e ardhshëm gjithë edukimi do të ndryshojë rrënjësisht për shkak të kompjuterit: do të jetë budallallëk t’u mësosh fëmijëve histori, gjeografi – nuk ka nevojë, sepse gjithçka mund të bëhet nëpërmjet kompjuterit, të cilin mund ta mbajë me vete. Dhe përfundimi im është: sa më pak varesh prej kujtesës, aq më inteligjent bëhesh. Prandaj nëpër universitete nuk gjen njerëz të zgjuar. Profesorët, kancelarët, zëvendëskancelarët – kam parë shumë e vështirë të gjesh ndonjë të saktë. Gjen më shumë njerëz inteligjentë nëpër ferma, lulishte e fshat. Arsyeja është e thjeshtë: nuk janë shumë të lexuar e nuk varen nga kujtesa. U duhet të përballen me realitetin, sfidave të përditshme dhe vetëdija e tyre qëndron më e mprehur. Një fshatar është shumë më i zgjuar se një profesor universiteti, pasi ky i dyti varet nga kujtesa e vet.
Shoqëria ka frikë nga realiteti yt, kisha, shteti ka frikë, të gjithë kanë frikë nga thelbi yt vetjak, qenia jote, sepse qenia është rebel, gjeni. Nuk mund të shndërrohet lehtësisht në skllav. Prandaj gjithë shoqëria provon të gjitha rrugët për të të shkëputur nga vetja jote e vërtetë dhe krijon një personalitet plastik, të rremë rreth teje, duke të detyruar të identifikohesh me të. Ky quhet edukim nga këta, por nuk është i tillë, është keqedukim, shkatërrues, i dhunshëm. Shoqëria të mëson “Bëhu kështu, bëhu i tillë”, të mëson sesi të bëhesh. Ajo që ju them unë është e kundërta. Ju them të QENËT, jo për të bërët. Të bëhesh është shpikje politikanësh e priftërinjsh dinakë – këta kanë helmuar gjithë njerëzinë. Ju japin qëllime. Nëse lodheni nga gjërat tokësore – pasuri, fuqi, prestigj – ata janë aty duke ju folur për parajsën, Zotin, të vërtetën, e gjithçka rifillon.
Fjala edukim është e bukur, do të thotë “të nxjerrësh diçka në dritë”, të shfaqësh atë që ke përbrenda. Në fakt, nuk duhet përdorur për edukimin normal, është mëkat të përdorësh këtë fjalë të bukur për këtë sistem të kalbur shkollash, kolegjesh e universitetesh. Nuk është edukim as në kuptimin literal të fjalës, sepse nuk nxjerr diçka prej njeriut, por e mbush forcërisht me dokrra nga jashtë. Edukimi i vërtetë është si nxjerrja e ujit nga pusi, jo hedhja në pus e gjërave, është vizatimi i qenies suaj, që ndriçimi yt i brendshëm të filtrohet nëpërmjet trupit e sjelljes.
Edukimi i vërtetë nuk është i vlefshëm, bazohet vetëm në dashuri e jo në dije, nuk vlen për tregun. Jo se nuk ju jep dije: fillimisht pregatit zemrën tuaj, dashurinë e çdo lloj dijeje që kalon përmes kësaj është dytësore, nuk do të jetë kurrë më e vlerë se dashuria. Dhe kur të ketë konflikt mes dashurisë e dijes, edukimi i vërtetë do t’ju ndihmojë të lini mënjanë dijen e të jeni me dashuri, do t’ju japë kurajo, aventurën, hapësirën për të jetuar, pranimin e çdo rreziku e pasigurie, gati për vetësakrificë nëse e kërkon dashuria. Do ta çojë dashurinë jo vetëm përtej dijes, por edhe përtej jetës, pasi jeta nuk ka kuptim pa dashuri. Dashuria pa jetën ka ende kuptim. Edhe kur trupi juaj vdes nuk rëndësi për forcën e dashurisë suaj: është e përjetshme, përtej kohës. Që të keni zemër të dashur ju duhet kokë më pak llogaritëse. Që të jeni të aftë për të dashur duhet të keni aftësinë e të mrekulluarit. Prandaj them se çudia dhe pafajësia fëmijënore lidhen thellë me energjinë e quajtur dashuri. Në fakt janë emra të ndryshëm për të njëjtën gjë.
Një e treta e edukimit duhet të merret me jetesën, një e treta me mirëqenien (trupin, shëndetin, si të jetohet gjatë). Dhe një e treta, ajo më e rëndësishmja, duhet të merret me dashurinë, vdekjen dhe sekretet e jetës. Vetëm atëherë mund të kemi edukim të plotë, mes të cilit të mund të krijojmë një njeri e shoqëri të shëndetshme, rinore, të dashur, shpirtërore, të gatshme për të ndarë çdo gjë, pasi askush nuk është më i huaj në tokë, e gjitha është një familje.
Gjithë edukimi mbetet pjesë e mendjes; nuk të bën më të ndërgjegjshëm, vigjilent, thjesht të mbush me informacion, të trajton si kompjuter. Gjithë interesi i shoqërisë është si të të përdorë në rrugë sa më të efektshme, të të skllavërojë, si një makinë. Të edukon për gjithë këto sekrete e qëllime të fshehta, duke të ndaluar të dish diçka për meditimin.
Edukimi ju mëson të imitoni, feja juaj ju mëson të imitoni. Nuk ju thotë kush: “Jini vetvetja – aty shtrihet parajsa jote!”. Ju thonë gjithë kohën: “Ndiqni këtë, imitoni atë!”. Ju japin ideale: “Bëhu si Buddha, apo Jezusi! Por kurrë, “gabimisht”, nuk ju thonë: “Thjesht ji vetvetja, qetësohu e gëzoju qenies tënde, shpalos potencialin deri në kulm!”
Dishepulli duhet të jetë njëherësh: paqja, heshtja, drita, cilësia e qenies së brendshme dhe rebel kundër gjithë padrejtësive e çnjerëzores. Por, për një qëllim krijues, për të realizuar ëndrrën e njeriut autentik, shoqëria duhet tu japë mundësi të barabarta të gjithëve, liri të gjithëve, edukim paqësor, jo vetëm informative por edhe transformuese, edukim që ju bën më shumë individ e nxjerr më të mirën prej jush.
Unë vë meditimin para edukimit. Ju mblidhni grada e përbrenda ngeleni bosh. Gradat mund të mashtrojnë të tjerët, mbase edhe ju vetë, por nuk e keni harmoninë, qetësinë, dhembshurinë e një Bude. Dhe nëse edukimi juaj nuk ka dy krahë nuk mund të fluturoni. Deri tani keni njërin krah, tjetri ju mungon. Pse? Sepse klerikët nuk duan që ju të meditoni.
Bamirësi do të thotë edukimi i së brendshmes, dhe së dyti edukim për të tjera gjëra. “Njih veten” duhet të jetë edukimi më i lartë, pastaj mund të njihni gjithçka. Njeriu që njeh vetveten nuk do të keqpërdorë kurrë edukimin për të tjerët. Përndryshe, kur nuk njihni veten, do të përdorni edukimin për të shfrytëzuar të tjerët, të krijoni varfëri.
Edukimi sigurisht që duhet, por para tij duhet të meditohet. Kushdo që diplomohet, inxhinier, doktor, profesor, më parë duhet të provohet si njeri, të meditojë. Shkollat duhet të kenë klasa meditimi për nxënësit e të tjerët, të cilët nuk kanë patur mundësinë më parë.
Duhen krijuar njerëz me edukimin e duhur, të plotësuar nga brenda e jashtë, të cilët të ndryshojnë këtë strukturë shfrytëzuese me anë të dashurisë e dhembshurisë në rrugë demokratike, pa dhunë. Të varfërve u duhet thënë se duhet të zgjohen: çdo gjë të përket ty.
Duhet të krijojmë edukim njerëzor në botë, ky i tanishmi është çnjerëzor. Duhet gjetur mënyra sesi fëmijët të luajnë në diell e të mësojnë matematikë njëherësh, kur të kemi vendosur se aritmetika nuk është më e rëndësishme se të luash në diell. Nuk do të bëhen të gjithë Einstein, por edhe një i tillë nuk mërzitet duke luajtur në diell, aritmetika është poezia e dielli i tyre. Pastaj çdo gjë do të jetë ndryshe.
Gjithë edukimi bazohet në dhënies e përgjigjeve të gatshme, por me to nuk zhvillohet inteligjenca. Ju pyesni e kompjuteri ju përgjigjet.
Edukimi është urë mes potencialit e aktualitetit që ju ndihmon të bëheni ajo që jeni në farë. Këtë po bëj këtu: ky është një vend edukimi. Ajo që ndodh nëpër shkolla sot nuk është edukim, vetëm pregatitje për të gjetur një punë e rrogë. Nuk ju jep jetën. Standartet më të mira të jetesës nuk janë njësoj me standartin e jetës, nuk janë sinonime.
Edukimi i sotëm ju pregatit për të fituar bukën. Jezusi thotë “Njeriu nuk jeton vetëm me bukë!”. Shkollat e sotme ju pregatitin për të fituar bukë e gjalpë. Rrugë shumë primitive edukimi, që nuk ju përgatit për jetën.
Vizioni im për edukimin është se jeta nuk duhet kuptuar si luftë për mbijetesë, por si kremtim. Nuk duhet të jetë vetëm konkurrencë, por edhe hare. Kërcimi, kënga, poezia, piktura, muzika e gjithçka në botë – edukimi duhet t’ju përgatitë të akordoheni me to – me pemët, zogjtë, qiellin, diellin e hënën. Edukimi duhet t’ju pregatitë për të qenë vetvetja, kurse tani ju bën gati të jeni imitues, të bëheni si të tjerët. Nuk ka të dytë si ty, nuk ka pasur e nuk do të ketë, kjo është lavdia jote, je unik. Mos imito, mos u bëj kopje karboni, mos kopjo. Edukimi i tanishëm këtë bën: ju shndërron në kopje, ju shkatërron fytyrën tuaj të vërtetë. Edukimi i vërtetë zbulon thesaret e Zotit të fshehura ndër ju. Këtij i them edukim unë: rebelim, nxjerrja në dritë, të bësh njerëzit më inteligjentë. Nëse ky zjarr përhapet kjo shoqëri e kalbur nuk mund të mbijetojë. Varet në të pandërgjegjshmen tuaj, pavetëdijen. Gjithë sistemi edukativ është çmenduri: ju përgatit për një botë që nuk ekziston më e jo për një botë të re që po lind, ngrihet e po vjen, që ju të ngeleni të papërshtatshëm. Nuk do të dini të jetoni siç duhet me këtë edukim, do të ndiheni jashtë shinave në këtë botë të re. Do të jeni pothuajse të paedukuar, e kjo lëndon egon. Ta dini: gjithë edukimi juaj ju përgatit për luftë, konflikt, armiqësi; jo për miqësi e dashuri.