Gazetarja e Elsa Demo boton më 4 gusht të vitit 2007 një bashkëbim me martirin e kishës, At Zef Pllumi. Kjo është edhe intervista e fundit që ai ka dhënë në media, ngase pak kohë më pas ai u i'u nënshtruar një trajtimi spitalor në Itali, ku edhe ndërroi jetë. Gazetarja publikon në gazetën "Shekull" të dhjetë viteve më parë, veç bashkëbisedimit të saj me klerikun në Kuvendin Françeskan në Shkodër, edhe gjithë intenerarin e saj njohës me këtë shembull të gjallë të persekutimit, mizorisë që diktatura ka ushtruar ndaj njerëzve të fesë.
Në vjeshtë të vitit 2003, në një ditë dielli me dhëmbë, u takuam me At Zef Pllumin në Fshatin e Paqes në Shkodër. Zbriste një të tatëpjete dhe fundi i gjerë i zhgunit të murrmë i bënte erë. Ndali tek rrethi i njerëzve që kishin zënë rrezen e diellit, lidhi nga pas duart kryq dhe iu drejtua një gruaje në moshë, një francezeje që kish ardhur në atë takim të përkthyesve të huaj të shqipes: Mos ke ftohtë Odilë? Hidhe xhaketën në shpinë.
Ç’ishin aty, rendën të bënin nga një foto me At Zefin. Para tij kishe ndjesinë se po takoje historinë. Prandaj mora guximin t’i kërkoja një ide për të hapur në shtyp një cikël shkrimesh për klerikët e persekutuar të dijes. Kisha pasur në dorë deri atëherë vetëm vëllimin e parë të “Rrno vetëm për me tregue”, aty ku ai nis e tregon edhe për këto fakte. Dy të tjerët i gjeta më vonë tek një vitrinë bukinistësh në trotuar. Kur gruaja që i shiste i nxori nga bodrumi i pallatit buzë rruge, pyeti: A je nga ato anë ti që blen librat e padres? Je katolike? Jo, jam myslimane, nga Berati.
Librat e pater Zefit nuk kishin marrë këtë popullaritet që kanë 10 vjet pas botimit, madje atëherë qarkullonin fjalë se dikujt i interesonte që “Rrno për me tregue” të mos e gjendej nëpër librari.
Aty tek ajo rrezja e diellit në Fshatin e Paqes, biseda rrodhi dhe ati françeskan që siç do ta kishte zakon vitet e fundit në takimet e rralla me orë të gjata, duke e kaluar bisedën degë më degë ndërtonte një gjenealogji bashkëbisede dhe ti shihje se ai ishte kthyer prapë atje ku e kish nisur, tregoi për një antropolog amerikan që kish ardhur në veri të Shqipërisë aty nga vitet tridhjetë, dhe kish marrë për kampion matjesh kryet e magjypëve të kësaj ane, pikërisht aty ku po tregonte këtë histori. Ishte në natyrën e tij gjuha parabolike si në rastin e kësaj rrëfenje për keqkuptimin banal të racës shqiptare nga një amerikan, si kur e sillte biseda për lumturinë, gruan dhe burrin, komunizmin, besimin. Parabolat e tij kishin për çudi një nëntekst të hapur që dëgjuesi mund ta interpretonte mesazhin e fratit si të donte, por ama nga kumti që kishe marrë varej vazhdimësia ose e jo e takimeve me të.
Një mbrëmje të vitit 2005 kur një tufë njerëzish ishin mbledhur për librin e tij të ri “Frati françeskan i Bushatllinjve”, vajza e një përkthyesi të njohur u ngrit me qetësi dhe i tha se babai i saj, po, ishte komunist me bindje, por aspak ashtu, njeri materialist, siç e kish përshkruar frati tek kujtimet “Rrno vetëm për e tregue”. Nuk e kundërshtoi gruan. Të nesërmen u takuam në shtëpinë e nipërve të tij, pranë kishës françeskane në Tiranë, aty ku në ditët e para të demokracisë, pa shtëpi e katandi, ishte kthyer për të bërë pagëzimet e para. Unë do të diktoj një letër dhe t’i do ta shkruash, më tha, se nuk mundem nga sytë. Në tryezë kishte lupën e stërmadhe dhe një tufë letrash me shkrim dore. Më diktoi përgjatë një ore letrën ku i kthente përgjigje gruas që e kishte kundërshtuar hapur në sy të njerëzve. Pak a shumë thelbi i letrës ishte ky: pavarësisht kontributeve që i kanë dhënë këtij vendi të gjithë ata intelektualë që në vitet 30-40 u kthyen nga Evropa në atdhe me idetë komuniste, ata që nuk e ngritën zërin kundër deformimit që patën idetë e tyre menjëherë pas vendosjes së regjimit të Enver Hoxhës, mbajnë përgjegjësi për çfarë ndodhi pas vitit 1945.
Tërhoqa një nga letrat mbi tryezë. Nga Amerika Petro Zheji i shkruante që kishte vënë në rrugë të mbarë përkthimin e tre vëllimeve “Rrno vetëm për me tregue”, porse ishte shumë e vështirë të gjendej në atë vend të madh një botues për këtë libër që do mund t’i tregonte botës ferrin e “Shqipërisë sonë të dashur”.
U takuam për herë të fundit më 1 gusht në kthinën e tij të ngushtë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Prapë tha se ndihej si plak. E kishte gjetur këtë gjoja batutën për të hequr qafe pyetjet e kota si je me shëndet, si e ke zemrën e trupin e të tjera si këto. Më tha se njeriu nuk duhet ta tronditë jetën e vetë nga fatkeqësitë e njerëzve të dashur, se çdo njeri ka fatin e tij, dhe kërkoi t’i mbushë me verë gotën e vogël të ujit. Nuk kam pirë kurrë më përpara në jetën time. Kur dola prej burgut një njeri më tha t’i qetoj therjet në zemër me një gotë raki.
Kur sa isha penduar për fjalinë “Kam frikë se s’do takohemi më”, ai shtoi një “Po” qetësisht pranuese, të përgatitur, që mezi priste ta nxirte jashtë fytit. Po kam frikë se s’do mundem dot ta mbaroj “Sagën e fëminisë”. A do të ketë njeri që do ta botojë? Pyeti me dyshim sikur të ishte një fillestar në kësi punësh dhe sikur të mos i kish takuar atij dhe të mos e kish merituar gjithë jehonë që pati ribotimi i kujtimeve një vit para.
Tregoi aty se Saga niste me lindjen e tij në pyll. Kaq. Disa javë më vonë u shtrua në spitalin “Gemelli” në Romë ku mbylli sytë më 25 shtator 2007. Dorëshkrimi duhet të jetë akoma në tavolinën e vogël, në qoshe të kthinës, nën dritaren e drurit që rrinte e mbyllur ato ditë të nxehta ngushti, ngaqë ai kishte ftohtë. Këtu Pater Zef Pllumi dha intervistën e fundit që mbyllet me fjalët për Sagën e fëminisë. Ky njeri ishte shkëputur nga trupi i nënës me një të rënë të sëpatës mbi kordonin e kërthizës. Dhe pastaj të dy dilnin përmes pyllit.
Me At Zef Pllumin në kuvendin françeskan ku prej më shumë se një muaji ndihet i sëmurë. Një bisedë për ndjesën, besimin, fatin, guximin, politikën dhe femrën.
Kurrgjë më shumë se liria
At Zef Pllumi Në kuvendin françeskan të Gjuhadolit në Shkodër. Verandën e ndërtesës njëkatëshe ku ndodhet administrata, biblioteka dhe kthinat e fretërve françeskanë, megjithë pemët në oborr, e rreh dielli fund e krye. Pater Zef Pllumi ndodhet në kthinën në fund të korridorit. U bë kohë i sëmurë. E kanë lënë këmbët që një kohe bridhnin kryq e tërthor Dukagjinin. I mban mbështetur në tokë me gjithë bastun që e ngre herë pas herë dhe shtyn derën gjysmë hapi larg poltronit. Njerëzit që e vizitojnë e lënë dhe hapur.
Si je me shëndet pater Zef?
Dje mbret, sot ruajna Zot.
Tre fëmijë i kthejnë faqen. Përshëndetja e ditës. Vijnë prapë nesër.
Kthina ka pak gjurmë françeskani. Shtrati i ngushtë nuk ka gjurmë gjumi. Pas dere xhaketa e zezë e rëndë. Në jakë duket kryqi gri. Duket që ka kohë që s’e ka veshur. Nga tavolina e punës kërcet diçka sa herë ikin dhe vijnë dritat. Është kompjuteri. Te kryet, pranë poltronit, ngjitur në mur, kalendari françeskan. Nesër është 2 gusht, është Ndjesa e Shën Françeskut.
Ndjesë për çfarë pater?
Ai është paraardhësi ynë. Si ai, ne besojmë që edhe mbas vdekjes kemi jetë. Kështu besojmë ne. Kështu kanë besuar dhe ata që kanë bërë piramidat. Po ne besojmë që pjesa më e madhe e mëkateve që bëhen në këtë tokë mund të shlyhen në jetën tjetër.
I pari ynë, Shën Fraçesku, ishte duke u lutur në atë kishën e vogël që kish ndërtuar vetë kur iu duk Shën Mëria, ishte me Krishtin. E pyeti çfarë kërkon. Ai i tha që unë kërkoj ata që sillen rrotull kësaj kishe t’u shlyhen mëkatet në atë botë.
Tash kanë filluar njerëzit t’i harrojnë punët e fesë.
Bota është më plakë, a mundet lutja të shlyejë detin e mëkateve të njerëzimit?
Sigurisht që do të jetë më e vështirë, por tash për tash na duhet me mendu me mendimin e kohës. Çdo kohë ka etapën e vet, besimin dhe filozofinë e vet. Ne s’mundemi me i fajësu njerëzit. Është gabim me i fajësu njerëzit. Ne fajësojmë politikanët, po jo njerëzit. Njerëzit do të bëjnë gabime se s’bën.
Po ku është feja në hapin dhe filozofinë e kohës? Ju thatë se nuk është më si dikur kjo punë.
Nuk mendoj që feja ka nevojë të reformohet, ka nevojë të kultivohet.
Ju keni investuar në njerëzit tuaj për këto ditë.
Kam njerëz tek të cilët kam investuar, por u mungon fati dhe guximi. Dy sende u dashkan në jetë: fat dhe guxim.
Ju na keni folur qartë për guximin pater, guximin jo si rrahjegjoksi. Ky besoni quhet dhe fat i juaj?
Të them të drejtën guximin e kam pasur dhe në burg. Nuk më kanë dënuar për së dyti.
Dhe ky është fati?
Fati pater? Mos mendo se ai libër s’është shkruar kot (Rrno vetëm për me tregue). Më kanë lidhur, më kanë rrahur, më kanë izoluar, dhe unë prapë mundja të flas me oficerët e Sigurimit. Operativi ishte shumë i keq, shumë i vështirë, sidomos në Ballsh. Edhe kur më kanë lidhur, kur më kanë rrahur, kur më kanë izoluar, ata kishin respekt për mua.
Një vizitor hyn në derë.
At Zef Pllumi na kujtoi kampin e Ballshit, fort i vështirë. Ja një skenë mes operativash që rrëfen tek vëllimi i tretë “Rrno vetëm për me tregue”:
Atëhere ai mori prangat të cilat i kishte lanë mbi tavolinë, m’i suell duert mbrapa shpine, m’i shtini hekurat në kyçe dhe shtërngoi vidën me sa fuqi kishte. – Ja, – tha, – le të vijë Zoti e Krishti e të shpëtojnë nga duart tona. A beson gjithnjë?
– Po.
– Nuk di ta bësh mirë atë punë, – ndërhyni prapë Jorgoja, – ma ler mua ta përfundoj. – Dhe ndërkaq mori një palë pinca elektricisi për të vazhdue shtërngimin e vidës me atë fuqi që kishte ai trupmadh.
Me hekura ndër duer kishem jetue që në rininë 20 vjeçare, por kurrë nuk kisha provue dhimbje si kjo.
– Beson tani? – më pyeti operativi.
– Po, besoj.
– Le të shohim në se vjen ai Zoti e Krishti yt të të shpëtojë. A vazhdon të besosh përsëri?
– Po, besoj, – thashë me nji za gjithnji e ma të ligshtë.
Dhimbjet ishin aq të forta, sa gjaku më hypi në krye. As kambët, pothuej, nuk më mbajshin ma. Megjithate, ma fort për inad të tyne, nuk lshova asnji britmë, asnji oh!, asnji eh! Mendjem e kishem te Zoti dhe thojshem me vedi: “O Zot, ndër duer tua shpirti em”.
At Zefi kthehet në bisedë.
Atë fazë e kam kaluar, thotë. Qëndron pak dhe duke qeshur shton:
Tash të vetmin fat që s’kam pasur ka qenë me femra. S’kam dashur.
Nëse do të na tregosh njëherë, na trego dhe për këtë.
Karshi Muzeut kishim postën. (Vitet ‘40. Pater Zefi ishte 20-vjeçar.)
Aty ishte një vajzë çalamane. Një miku im piktor më nxiste t’i shihja ndryshe punët me femra. Njiherë, vajza çalamane vjen e më thotë se gjashtë vajza duan të bëjnë një vizitë në muze. U afruan dhe çalamania më prezantoi një vajzë: Kjo është myslimania më e bukur që ka Shkodra, tha.
Ishte e bukur. Jo e bukur, po kishte nji palë sy që i lëshonin xixa. Ashi sysh s’kam parë më në jetë. Ndoshta për hir të atyre syve edhe mund të kisha folur me të, por… megjithatë vetëm i përshëndeta me dorë.
Unë kam dashur lirinë më tepër se kurrgja. Kur femra apo mashkulli lidhen, e kanë dorëzuar lirinë. Po duhet ta dorëzosh lirinë se kjo është jeta, pater. Megjithëkëtë kam frikë me e humbë lirinë.
Ç’thotë Shën Françesku i Asizit për këtë?
(Qesh) As ai s’ka pasë.
A është trupi burgu i shpirtit?
Janë të dy bashkë në zhvillim e sipër. Nuk mund të zhvillohet shpirti pa trupin, as trupi pa shpirtin. Kur bashkëpunojnë të dy bashkë mund të japin vepra të mëdha. Sot, s’mund t’i kuptojmë veprat e mëdha tek njerëzit pa bashkëpunimin ndërmjet dashurisë. Ajo i ka tërhequr në këtë jetë dhe ka menduar dhe për pavdekësinë.
Është kjo parajsa shpirtërore?
Besoj se po.
Atëherë, pse janë njerëzit të palumtur?
Janë larguar prej natyrës. Për shembull homoseksualiteti është kundër natyrës njerëzore.
A s’është kjo gjë dhe në Bibël pater, para shkatërrimit të Sodomës e Gomorrës?
Po, është. Homoseksualiteti ishte një sëmundje e përhapur. Njerëzimi ka qenë gjithmonë njerëzim, ka pasur të mirë e ka pasur të keqe.
Bota është kthyer aty ku ka qenë, prapë në fillesën e rënies?
Bota sugjeron tolerancë për këtë punë. Por njeriu është i lirë të bëjë ç’të dojë dhe le të bëjë ç’të dojë me veten, por jo me u shtu në shoqëri. E keqja është që tani i mbron ligji. Kjo është një nga sëmundjet e mëdha të shekullit. Sëmundja e dytë është terrorizmi.
Terrorizmi si sëmundje?
Terrorizmi si filozofi që të mbysësh njerëzit në emër të fesë dhe kjo është krejt e kundërta e fesë. Ky është një lloj terrorizmi sepse ka edhe të tjerë të lidhur me islamizmin. Nuk e di pse vazhdon islamizmi me këtë teori.
A nuk ishte enverizmi një lloj terrorizmi?
Ishte një terrorizëm i madh. Enverizmi më tepër se sa komunizëm ishte një fondamendalizëm islamik i veshur me maskën e komunizmit. Po të ishte komunizëm, s’do të qe prishur as me Kinën e as me Rusinë komuniste.
Pater, këto fjalë po i thotë një njeri që është i veshur me petka të fesë tjetër, katolike.
Unë s’mundem të flasë keq për myslimanizmin, sepse shokët më të ngushtë që kam pasur në jetë ishin myslimanë. Unë fola kundër fondamentalizmit islamik. Prej nga vjen ky? Vjen nga njerëz të politikës që venë mantelin fetar. Po ata s’janë as fetar, as njerëz të politikës.
Bashkë me këtë bisedë do të botojmë dhe shkrimin tuaj të fundit në “Hyllin e dritës”. Ç’ju shtyu të shkruani për tranzicionin tani?
Sepse ka filluar tash e njëqind vjet. Po unë kam frikë se s’do mundem të mbyll librin e fundit.
Cilin libër?
Saga e fëminisë.
Ka treguar gati gjithçka për pjesën e dytë dhe të tretë të jetës në një Shqipëri të frikshme, tani Pater Zefi i është kthyer fëminisë. Ky është një libër që nis nga dita e lindjes së fratit. Nëna e lindi në pyll. Ishte duke prerë dru, e kapën dhimbjet, vetëm, merr sëpatën dhe pret kërthizën e foshnjës. E ngarkoi bashkë me drutë në kurriz dhe u kthye në shtëpi. At Zef Pllumit i gjallërohen sytë. Janë sy që kanë parë drejt dhe kanë vështruar gjithnjë përtej.
Ka shkruar pjesën më të madhe të Sagës dhe tani nuk e ndan dot po qesh apo po qan frati.
Dalim në oborrin e kishës. Pasditeve të nxehta fryn pak ajër i freskët. Burri që i shërben paradites, që e mban fort në njërin krah thotë se Pater Zefi ka dy javë që s’ka dalë në oborr. Më 28 gusht është përvjetori i 83 i lindjes. Në fakt datë zyrtare i ka mbetur 7 prilli i vitit 1924. Kur u shpall armik i popullit, i vunë datë lindjeje 7 prillin, meqë armiku, Italia fashiste në këtë datë kishte pushtuar atdheun.
Kjo foto mund të jetë për librin e fëminisë.
Vë buzën në gaz dhe e vazhdon mendimin, tani me zë:
– Ata fëmijë që pe sot rrotull më kanë zgjatur jetën. Fëminia zgjat më shumë nga ç’mendon ti.
Është lëngu i jetës pater…
… Zgjat aq sa njeriu të jetë zot i vetes, vetëm që vdekja të mos vijë para kohe.
Elsa Demo
1 gusht 2007, Botuar në “Shekulli” më 4 gusht 2007