Ata janë e shkuara, e cila nuk na lejon as të ndjehemi në faj, por as të krenohemi. Një e shkuar që gulçon në ato pak mbetje që kanë mbijetuar stuhisë së skrapit. Ata ishin një miti i mbrojtjes nga një rrezik imagjinar dhe janë sot një kujtesë e makthshme, e gjithë atyre që me shumë mundë arritën të bëjnë realitet një perde të hekurt, që diktatura komuniste përqarkonte vijat imagjinare të mbrojtjes. Një pasuri e paçmim u derdh për të bërë reale atë kala të pakalueshme. Nuk u kursye asgjë, para, hekur, çimento, mund dhe sakrifica. "Parajsa" duhej mbrohej me çdo çmim, edhe nëse këmbehej me ferrin e vetmohimit të atyre që do ta bënin realitet këtë ëndërr të diktatorit.
Dikur, qendra zjarri kundër një armiku imagjinar dhe strehimore për topat e rëndë, sinonimi i fobisë së rrethimit nga armiqtë “që na kishin në grykën e pushkës, dhe ne i kishim në grykën e topit”. Në ato ngrehina prej hekuri dhe betoni, kanë derdhur djersë dhe gjak breza ushtarësh, ku ndër më “të devotshmit” ishin ata të xhenjos, kontigjent i cili përbëhej nga rekrutë të familjeve “të prekura” dhe atyre më “biografi të mirë”. Në këto kërpurdha kanë “strukur” kokën artileria e rëndë, dhe ëndrra e Shqipërisë vigjilente që i druhej një rreziku, i cili më shumë se real ishte një propogandë betoni dhe hekuri. Në këto qendra strehimi, sa e sa manovra lufte imagjinare janë bërë, sa e sa “vullnete lirie” ushtarësh kanë mprehur syrin në shënjestër. Erdhën dhe ikën, gjithë ato breza ushtarësh dhe rezervistësh me ëndrrën e vrarë për tu bërë heronj të Shqipërisë komuniste, kësaj “Parajse socialiste” që ngrihej “si shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”. Sa e sa prej këtyre bunkerëve “etër” e “bijve” të tyre anë e kanë Shqipërisë, përfunduan viktima të batërdisë së hekurit për skrap, u bënë pre e epikës së çbunkerizimit. Kishte nga ato syresh që mbajnë në gjoksin e kujtesës së tyre të akullt, hekuri dhe betoni, zjarre historish dashurie.
Në fillim të vitit 1971 u zhvillua në Tiranë Plenumi i 12 i Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili shqyrtoi tezat e Artit Ushtarak dhe projektet për Fortifikimin e vijave të mbrojtjes. Arti Ushtarak Popullor parashikonte që e gjithë Shqipëria të stërvitej dhe armatosej për t’i bërë ballë armikut. Ideja e fortifikimit të vendit mbështetej fortë nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili u vendos vetë në vijën e parë së bashku me një grup specialistësh të talentuar siç ishin Mero Backa, Alfred Moisiu (ish-Presidenti), Josiv Zegali etj.
Modeli shqiptar i bunkerëve u realizua pasi u konsultuan të gjitha sistemet e mëparshme që nga vija Marzhino deri tek lufta në Vietnam. Sipas literaturës së kohës, bunkerët shqiptarë ishin të aftë të përballonin të gjitha armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton. Prodhimi i bunkerëve nisi menjëherë dhe prova e parë e tyre u krye në vitin 1995 në Grykën e Këlcyrës. Prova e dytë u krye në Peldhja të Sarandës në vitin 1976.
Brenda bunkerëve u vendosën kafshë të gjalla dhe më pas nisi bombardimi i zonës me armët më të rënda që kishte ushtria shqiptare. Në Sarandë u hodhën mbi 1000 predha artilerie dhe më pas aviacioni hodhi mbi 100 bomba 50kg, 250kg deri në 500kg. Bunkerët i rezistuan bombardimeve dhe kafshët brenda mbijetuan. Përpara se çështja të dërgohej për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, u bënë edhe eksperimente të tjera dhe të gjitha dolën me sukses. Më pas Byroja Politike vendosi atë që njihet si bunkerizimi i Shqipërisë.
Fortifikimi masiv që nisi në vitin 1975 vazhdoi deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha. Dhjetëra specialistë xhenierë shqiptarë u nisën në Europë, kryesisht në Suedi, Francë dhe Itali, ku arritën të lidhin kontrata për blerjen e makinerive të prodhimit të çelikut dhe të betonit special. Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore u krijua edhe posti i zv.ministrit për fortifikimet. Sistemi i bunkerëve është bërë në mënyrë rrethore në mënyrë që të mbrohen nga njëri-tjetri përmes dy vijave mbrojtjeje.
I bindur se sulmi do të vinte nga Lindja, por edhe Perëndimi, ai derdhi miliona dollarë në ndërtimin e rreth 750 mijë bunkerëve prej betoni dhe hekuri.
Kur u projektuan për herë të parë këto struktura në formë kërpudhash, inxhinieri i tha Hoxhës se është shumë i bindur se ato i rezistojnë një sulmi me tank. Siç thotë historia, presidenti i tha inxhinierit të futej në bunker, ndërsa ai qëllohej me tank. Ai doli i paprekur prej aty dhe 20 vitet në vazhdim, deri në vdekjen e diktatorit në vitin 1985, bunkerët ishin ndërtuar virtualisht kudo. Sot ka pak a shumë një bunker për çdo katër shqiptarë. Shumë mendojnë se sasisa e madhe e parave të përdorura për ndërtimin e këtyre strukturave mund të kishte shkuar për të zgjidhur problemin e strehimit në vend. Qindra njerëz vdiqën duke ndërtuar këto struktura. Pavarësisht jetëgjatësisë së tyre, pak bunkerë janë hequr. Ndërsa shumë prej tyre janë ndryshkur apo dëmtuar, shumë janë në përdorim si depo apo si strehë për të pastrehët.