Mirënjohja e shqiptarëve ndaj Papës Shën Gjon Pali II për dashurinë dhe ndihmën e tij të pakursyer. Papa Shën Gjon Pali II dhe disa nga ngjarjet më të rëndësishme të Kishës katolike tek shqiptarët gjatë papnisë së tij të gjatë. Edhe këto ngjarje të kohës së Karol Wojtilës, që propozojmë në mënyrë skematike më poshtë, pasqyrojnë e ripohojnë një lidhje të afërt bashkëkohore dhe në të njëjtën kohë historike, të pazgjidhshme, që tregon vëmendjen, respektimin dhe dashuri e Selisë Apostolike e të Papëve të Romës ndaj popullit shqiptar në shekuj e deri në ditët tona.
Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon Pali II, ashtu si paraardhësit e Tij, e ka rrethuar gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Gjon Pali II ka qenë përherë i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës.
Me rastin e 12-vjetorit të vdekjes së Papës Vojtila, duam të kujtojmë me nderim të veçantë disa nga fjalët më domethënëse të Papës Shën Gjon Pali II në ndihmë të Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë Karol Wojtila pat thënë në shumë raste e rrethana.
Së pari nga Otranto kur më 5 tetor 1980 Papa Shën Gjon Pali II dënoi persekutimin e besimtarëve dhe të qytetarëve të pafajshëm në Shqipërinë komuniste. Duke kujtuar persekutimin e egër që pësonte popullsis shqiptare nga komunizmi në Shqipëri, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë e Meshës Shenjte të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa Shën Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”. “Përveç tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”.
Pastaj gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri 25 prillit 1993. Me atë rast në Sheshin Skënderbe të Tiranës, Shën Gjon Pali II iu drejtuar me këto fjalë shqiptarëve që lanë pas diktaturën komuniste: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!
Gjithnjë gjatë vizitës së tij të 25 prill 1993, në Shkodër, Papa Gjon Pali II në mbarim të lutjes së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës i drejtoi një përshëndetje të Lumes Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë Wojtilla ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, të së Lumes Nënë Terezë. Ja fjalët e Papës: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza E Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut t uaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës së vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!
Në Tiranë, në përfundim të vizitës së tij të 25 prillit 1993, Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen mbarë kombit shqiptar “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pash guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”!
Shenjtëria e Tij Gjon Palit II e pat për zemrën edhe fatin e kosovarëve. Më 7 qershor 1998 Papa Wojtilla i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vinin lajme që tregonin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. Ja edhe fjalët e Papës Wojtila për paqen në Kosovë gjatë mesazhit Urbi et Orbi – drejtuar Romës e Botës të dielën e Pashkëve të 4 prillit 1999 nga Vatikani. Ishte koha kur në trojet kosovare zhvillohej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq shumë viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve. “Nga Zoti i Ngjallur kërkoi dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak përzihen në një skenë dramatike, plot urrejtje e dhunë. Mendoj për atë që u vra, për atë që mbetet pa strehë, për atë që e ndajnë nga familjarët, për atë që detyrohet të ikë larg. E uroj të mobilizohet solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin e të flasin vëllazërimi e paqja. E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit të dhimbshëm të burrave e të grave të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar ndihmë? Në këtë ditë shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje të ngushtme Autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar në kufirin e Kosovës. Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja e korridoreve të shpresës mbetet detyrë e përhershme”.
Skeda: Papa Shën Gjon Pali II dhe Shqipëria
Por, të ndjekim një kronikë të shkurtër, që flet vetë për këtë interesim:
– 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha e saj nisi me: "Udhën e Krygjës", për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për 26 vjet me radhë Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967.
– Më 5 tetor 1960, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
– Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan drejt Romës për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë i Karol Wojtylës me shqiptarët – shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës:
shtegtimi fillon më 5 maj, me arritjen e shtegtarëve të largët.
Më 6 maj – audienca në sallën Klementine në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë për popullin shqiptar;
– 1989: vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri;
-1990 kremtimi Meshëve të para të pas diktaturës:
-4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër;
-11 nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në kapelën e varrezave të Rrëmajit;
– 17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”.
– 2 qershor 1991 – Në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri;
– Rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë;
– 22 prill 1993: Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias;
– 25 prill 1993 – Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.
– 26 nëntor 1994 – Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin.
– 27 maj 1995: – organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100 vjetorit te shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar.
– 17 nëntor 1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, ndërmjet të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me Papën Gjon Pali II në Vatikan: flitet për kontributin e posaçëm që duhet të japin katolikët përmes përvojës së faljes e të pajtimit.
– 7 dhjetor 1966 – Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare dhe Famullitar i Troshanit; ndërsa si administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani.
– Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan;
28 mars 1998 – Imzot Angelo Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit;
më 10 korrik 1998 Imzot Zef Gashi emërohet kryeipeshkëv i Tivarit; shugurohet më 19 shtator 1998, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan;
– Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar.
– Maj 1999: Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës së 1997-tës, për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon Pali II.
– 25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës.
– 2 deri më 4 shkurt 2001 – vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 – e ipeshkvijve të Kosovës në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II;
– 8-12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë; më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë;
– 23 prill 2003: i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që organizoi Kisha katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të Shenjtë. Këto kremtime shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë shqipfolës Vit Jubilar, me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton lidhjet shekullore të pakëputura të popullit shqiptar me papët e Romës;
– Romë, 19 tetor 2003 – Nënë Tereza shpallet e Lume.
– 14 nëntor 2004 – Papa Gjon Pali II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere.
– 11 janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin Ndërheparkial të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri, të Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u zhvillua Sinodi ndërherparkiak, i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas tre muajsh, më 14 janar 2005.
– 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon:
– ngre në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut;
– i bashkëngjit Dioqezën e Pultit, Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës.
– 18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore për kthimin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.
Papa Shën Gjon Pali dhe Kosova:
Të panumërta ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës e të shqiptarëve të krahinës, sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për vendin e popullsinë.
8 mars 1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpreh shqetësimin për situatën dramatike në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara.
7 qershor 1998: – Papa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vijojnë të vijnë lajme që flasin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opcionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”.
9 gusht 1998: – në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj posaçërisht për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen gjithnjë më dramatike”.
4 tetor 1998: – Gjatë lutjes të Engjëllit të Tënzot, Papa i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën e vet që vlerat si mirëkuptimi, respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin dhunës e shkatërrimit.
9 nëntor 1998: – Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj thellë për ndërhyrjen e mundshme të armatosur të Natos në Kosovë. Imzot Tauran, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, kujton fjalët e shqiptuara një të dielë më parë në Split nga Gjon Pali II, pikërisht për gjendjen në Kosovë: “Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës”.
25 dhjetor 1988: – Në natën e Krishtlindjes 1998 drama e Kosovës është sërisht në qëndër të vëmendjes së Papës.
***
3 janar 1999: – Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Gjon Pali II thekson dramën e Kosovës, duke pohuar: “Drama e Kosovës, ku natën e Krishtlindjes pati ndeshje të reja të armatosura, është përherë e pranishme në zemrën time”.
11 janar 1999: – Ati i Shenjtë ndalet te situata në Kosovë gjatë takimit me Trupin Diplomatik akredituar pranë Selsië së Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri, duke theksuar: “Duhet bërë ç’është e mundur për t’i ndihmuar kosovarët e serbët të ulen në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që t’i jepet sa më shpejt fund mosbesimit të armatosur, i cili paralizon e vret”.
15 janar 1999: – Duke pritur në audiencë kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon Pali II u ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë dhe tek gjendja e refugjatëve.
Detyra kryesore – u theksua – është të ndahen kundërshtarët e të çarmatoset agresori; e këtë duhet ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth bashkësia ndërkombëtare. Pastaj, me afate të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme të rivendoset “respektimi i marrëveshjeve” e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të pajtohen”.
20 janar 1999: – Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën thirrje për paqe në Kosovë.
21 janar 1999: – Ati I Shenjtë shtron për zgjidhje problemin e Kosovës në një telegram drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit të krizës – shkruan – e ndjej për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar, afërsinë time atërore, ndërsa u bëj thirrje sërisht udhëheqësve të jetës publike t’i japin fund spirales së dhunës e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme të çdo njeriu”.
11 shkurt 1999: – Në emër të Papës, kardinali Angelo Sodano, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, bisedon me kryeministrin italian, Massimo d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të lirisë fetare e të paqes në vend.
22 shkurt 1999: – publikohet një Komunikatë e sallës së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë së Shenjtë, përmes së cilës, pasi vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë Apostolike dhe personalisht të Papës Gjon Pali II, urohet të gjindet akoma një rrugëzgjidhje paqësore e afatgjatë që t’i japë fund konflktit.
21 mars 1999: – Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Shenjtëria e Tij flet për situatën e tensionuar në Kosovë dhe i fton besimtarët të luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar një udhë të vërtetë kryqi e prandaj ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë historinë dhe të drejtën e saj.
24 mars 1999: – Në audiencën e përgjithshme Papa dënon sulmin ajror mbi Kosovë dhe i lutet Zotit për dhuratën e paqes në Krahinë e në mbarë Evropën;
26 mars 1999: Në kapelën e Tij Private, Gjon Pali II Lutet për paqen në Ballkan;
28 mars 1999: gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit, Ati I Shenjtë ngre zërin duke theksuar se është me popullin që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve: Eshtë ora e paqes! Mbi forcat e urrejtjes, duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi. Qofshin këto gema ulliri simbol i paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës ballkanike – uron Papa.
Fillon ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë.
Më 31 mars 1999: – Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson: Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e tepër lot ka parë të rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX.
Ndërsa më 1 prill 1999 dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhniet me shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.
2 prill 1999: – Në përfundim të Udhës së Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali II pohon: “I përbuzur e i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudoqë ngadhënjen kultura e vdekjes”.
4 prill 1999: – Në Mesazhin e Pashkëve, Papa kujton situatën në Kosovë, falënderon dhe uron të gjithë ata që u qëndrojë pranë refugjatëve, duke i mirëpritur e duke i ndihmuar.
5 prill 1999: – Në të Hënën e Engjëllit, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare në Kosovë, ku – siç shprehet – këmbanat nuk kanë rënë për festë e ku vijon shkatërrimi, shpërngulja e vdekja.
9 prill 1999: – Ati i Shenjtë u bën thirrje autoritetve të Republikës Federale të Jugosllavisë të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësitë të arrijnë ndihmat në kufirin e Kosovës, ku qenë grumbullar masa të mëdha kosovarësh. Për solidaritetin nuk ka kufij – thekson Papa – por duhet të ketë gjithnjë koridore shprese.
11 prill 1999: – Duke uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve, Shenjtëria e Tij kujton se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin plot me vdekje, prandaj bën thirrje që të heshtin armët e të rifillojë dialogu.
18 prill 1999 – Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa përsërit thirrjen për paqe në Kosovë e në Jugosllavi.
22 prill 1999: – Duke pritur në audiencë Fondacionin Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton nevojën për ndërhyrje në favor të paqes në Kosovë, sepse situata e luftës rrezikon të destabilizojë gjithë Ballkanin.
27 prill 1999: – Në një letër personale drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Papa shkruan: “Selia e Shenjtë e vlerëson shumë faktin që Organizata të luajë rolin kryesor në zgjidhjen e një krize në të cilën është përfshirë mbarë bashkësia ndërkombëtare. Eshtë urgjente që zëri i ligjit dhe i institucioneve të mos shuhet nga zëri i armëve.
2 maj 1999: gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për stabilizimin e situatës në Ballkan.
10 qershor 1999: – Publikohet një Deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit mbi tërheqjen e serbëve nga Kosova, nënshkruar në Kumanovë nga gjeneralët e Natos e të Beogradit. Kjo Deklaratë shënon edhe përfundimin e konfliktit.
4 tetor 1999: Gjatë vizitës në Kroaci, Papa i përshëndetë në gjuhën shqipe shqiptarët që jetojnë në vendin ballkanik.
6 tetor 1999: – Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës në Vatikan, Gjon Pali II falënderon shtegtarët e gjuhës italiane për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me nevojat e popullsive të Kosovës, të sprovuara rëndë nga konflikti.