“Unë mendoj, pra unë jam” – pak përfundime filozofike janë bërë më të famshme se ky i francezit Rëne Dekart, i shprehur më 1644 në Principia Philosophiæ (Parime të ftlozofisë). Saktësisht ky postulat e gjithëshfaq mendimin e tij filozofik dhe e bashkëngjit me idenë e tij themelore.
Filozofi rimerr këtu arsyetimin e traditës skeptike duke konkluduar se asnjë përceptim i shqisave nuk është i sigurt. Madje unë, shprehet ai, nuk di nëse një “gjeni i lig nuk është duke më gënjyer me një botë të rreme. E si ta di me siguri të plotë që thjesht nuk e ëndërroj atë që perceptoj? E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt është ajo që mendoj, që kryej në vetvete, me vetëdije dhe lirisht, veprimet shpirtërore ekzistenca e të cilave është për mua më e sigurt se ajo e botës materiale, duke përfshirë këtu edhe vetë trupin tim. Edhe sikur vetëm të ëndërroj, mendimi im tek ëndrra do të jetë diçka. Nga e gjithë siguria e parë – “unë mendoj” – rrjedh detyrimisht siguria e dytë – “unë jam”; kështu, ka diçka që ekziston, një të Qenë, që është vetja ime, përkufizon, Rëne Dekart.
Rëne Dekarti (René Descartes – Cartesius Renatus), u lind më 31 mars 1596 në La Hajë pranë Turit. Ai ishte fëmija i tretë i juristit Joakim Dekart dhe e gruas së tij, e cila vdiq një vit më vonë. Rreth moshës 10-vjeçare, djali i ri u çua në kolegjin e jezuitëve të La Fleshës, në Anzhu, ku mësoi mes të tjerash fizikën, matematikën dhe filozofinë. Pas tetë vitesh studimi, mësoi për drejtësi në Puatie, ku u formua si jurist. Atëherë Dekarti ndërmori udhëtime të gjata përmes Evropës. Gjatë një qëndrimi në Vendet e Ulëta, u fut në ushtrinë e princit Moris dë Naso, ndërsa pas një viti kaloi në atë të Maksimilianit të Bavarisë. Takimi me mjekun dhe natyralistin Isak Bekman e nxiti të interesohej për çështje shkencore.
Gjatë një nate dimri të vitit 1619, kur ndodhej në garnizon në rrethinat e Ulmit, Dekarti pa tri ëndrra, që duhet të kenë ndikuar thellë në rrjedhën e jetës së tij, siç e ka treguar vetë, sepse i zbuluan prirjen e tij shkencore. Ai braktisi jetën prej ushtari mercenar dhe rifilloi udhëtimet përmes Gjermanisë, pastaj në Vendet e Ulëta dhe në Itali. Nga 1625 deri më 1628 jetoi në Paris, ku pati takime me matematikanin Marën Mersenën dhe rrethin e tij shkencor. Atëherë iu përkushtua në mënyrë të veçantë çështjeve të optikës, algjebrës dhe teorisë së ndijimit. Në fund të vitit 1628, për t’u shpëtuar telasheve dhe rëndesës së censurës fetare dhe politike, Dekarti emigroi në Holandë, ku do të qëndronte njëzet vjet, në vende të ndryshme, më së shpeshti në fshatra të veçuara, për të punuar mbi kërkimet dhe shkrimet që kishin të bënin me matematikën, fizikën, mjekësinë (kryesisht anatominë) dhe filozofinë.
Dekarti, «babai i filozofisë së kohës së re», është një nga mendimtarët më të mëdhenj racionalistë të të gjitha kohëve. Pas disa kapitujve kryesisht biografike të cilat në realitet janë teza hyrëse – në pjesën e katërt të Trajtesës mbi metodën të njohur të tij – libër i cili u botua në frëngjishte, dhe jo në gjuhën tradicionale latinishte, arrin te qëndrimi fundamental i tij, problematika dhe zgjidhja e të cilit paraqesin skeletin e tërë filozofisë së tij, kurse më vonë edhe të racionalizmit të kohës së re.
Pakënaqësia ndaj gjithë gjendjes së deri atëhershme të shkencave shndërrohet në dyshim që përfshin tërë përmbajtjen e vetëdijes. Të gjitha gjërat që kanë hyrë në vetëdijen time si përmbajtje e saj, mund të jenë gjithashtu rezultat i fantazimit dhe i gënjimit të shtrembëruar, sikur është për shembull gënjimi që e përjetojmë në gjumë. Mund të supozoj dhe të përfytyroj se nuk kam trup, se nuk ekziston as bota, as vendi mbi të cilin qëndroj. Për më tepër, mund të dyshojmë edhe në perëndinë dhe të supozojmë se jemi krijuar në një mënyrë e cila do të na gënjente gjithmonë.
Gjithçka, çdo përmbajtje mund ta përfytyrojmë: se nuk ka as tokë, as qiell, se jemi pa duar, pa këmbë, pa trup. Mirëpo në të njëjtën kohë kur kështu mendojmë, derisa kështu dyshojmë, e vetmja gjë për të cilën nuk mund të dyshohet është vetë ky dyshim, domethënë mendimi, sepse edhe derisa mendohet se gjithçka është e shtrembër, medoemos ai që mendon është, ekziston: Cogito, ergo sum. Këtu, pra, është zbuluar për të parën herë baza e sigurt, e kjo është ai «fillimi i kulluar» (Hegeli), mbi të cilin më vonë u ndërtua tërë sistemi, këtu është thënë se fryma nuk njeh asgjë, as përpara as më mirë as më qartë nga vetvetja.
Rezultati, pra, i skepsës metodike të Dekartit nuk është i njëjtë si te skeptikët, dyshimi, por vërtetësia. Mendimi është pikënisje e botës, esenca e tij dhe mundësia e vetë sigurisë së njohjes. Kjo është ajo formë e çlirimit të njeriut, e cila karakterizohet me pavarësimin mijëvjeçar nga stagnimi spekulativ i filozofisë kishtare dhe e cila në këtë mendim të ri dhe të çliruar, vetvetes i shtron ligjësi që në to për vete të çlirohet vetë.
Përveç zbulimeve gjeniale matematike të veta dhe të njohjes në fushën e fizikës, Dekarti ndikoi dukshëm edhe në zhvillimin e psikologjisë. Psikologjia e tij e pasioneve është përpjekje e parë e një teorie të ndjejshmërisë, të bazuar në pikëpamjen e tij mbi fiziologjinë dhe teorinë e shpirtrave animale.
Me gjithë kufizimet e tërësishme të kushtëzuara nga gjendja e atëhershme e shkencës, si dhe në përgjithësi nga rrethanat dhe tendencat shpirtërore të kohës në të cilën jetoi, me gjithë tezat e tij vulgaro-mekanike dhe njëan-shmërisht racionaliste, filozofia e Dekartit paraqiste një epokë të re në zhvillimin e të menduarit njerëzor. Thelbi i revolucionit filozofik të Dekartit qëndron në pohimin se kurrgjë s’ka të drejtë të ketë një autenticitet të tillë sikurse që kanë njohjet njerëzore të qarta dhe të kuptueshme. Të gjitha pohimet e tjera duhen reduktuar në këto njohje dhe të vërteta njerëzore, për t’u bërë edhe vetë të vërteta. Duke provuar guximshëm këto njohje si njohje të vetme autentike, Dekarti në studimet e tij njëkohësisht hodhi poshtë paragjykimet mijëvjeçare, besimin në autoritete, në mistikë dhe në gënjeshtra duke ndërtuar mbi themelet e skolastikës së rrënuar, në mënyrën e vet edhe sot të freskët, interesante dhe të gjallë të të menduarit, një filozofi të besimit racional në mundësitë njohëse të njeriut, një filozofi optimiste të arsyes njerëzore.
EPISODE NGA JETA
Dekarti ishte njeri me ndjenja shumë bujare. Një herë e pyetën se pse nuk ishte hakmarrë me një person që e kishte fyer.
– Kur dikush më fyen – u përgjigj filozofi, – unë ngrihem me shpirtin tim aq lart, sa që fyerja nuk më arrin dot.
***
Duka Duras e ngacmonte Dekartin, të cilit i pëlqenin shumë drekat dhe darkat e mira.
– Ju besoni se natyra i ka bërë gjërat e mira vetëm për të paditurit ?
***
Dekartin e pyetën njëherë për gjërat më të rralla dhe më të çmuara: – Tri janë, – u përgjigj filozofi i madh, – një orator i përsosur, një libër i mirë dhe një grua pa të meta.
***
Dekarti ishte pak i dobët nga shëndeti. Megjithatë ai i bënte të gjitha detyrat dhe ishte gati për çdo sakrificë për t’i plotësuar ato. Një mik i tij, që mrekullohej me të, mori këtë përgjigje prej Dekartit:
– Po ç’të bëj ? Kur e kam shumë të sigurt jetën, atëherë merrem me mjetin tjetër të sigurta që të mos druhem nga vdekja.
SHTJELLIME NGA TEORITE E DEKARTIT
“Jeta është një ëndërr”, ky është titulli i një pjese teatrore të dramaturgut të madh spanjoll Pedro Kalderon, shkruar kur Rëne Dekarti përpunonte filozofinë e tij. Një princi, që i ishte grabitur trashëgimi, ia mbushin mendjen se po jetonte thjesht një ëndërr. Atë e ndihmon vetëm urtësia filozofike: duhet të veprojë në mënyrë të virtytshme, qoftë në ëndërr apo zgjuar. “Uni” sigurohet për qenien e tij duke u ngritur mbi mashtrimet e botës së jashtme, pasioneve dhe dobësive të trupit të tij. Kjo përputhet në mënyrë të përkryer me shfaqjen etike të cogito- s kartezian, sipas së cilës Uni që mendon, sundon trupin dhe botën fizike.
***
“Prova ontologjike”, Zoti ekziston, sepse nuk do të mund ta kapja përsosurinë, po të mos ekzistonte – kjo është ajo që e quajnë “provë ontologjike” e ekzistencës së Zotit, formuluar për herë të parë në shekullin IX nga Shën Anselmi i Kantëbërit. Shën Thoma d’Akuini nuk shkoi aspak më larg, sepse përziente regjistrat e mendimit dhe të qenies. Por me të arritur Dekarti në një përfundim logjik të mendimit për ekzistencën e qenies, prova ontologjike e ekzistencës së Zotit u bë e kapshme.
***
Rëne Dekarti vlerëson se asnjë nga perceptimet tona jetëshkurtra nuk mund të mbartë siguri. Siguria e vetme është që “unë jam” dhe që “unë mendoj”. Siguritë e tjera mund të jenë shtjelluar duke filluar nga këtej, me ndihmën e matematikës ; nga ana e saj, ajo na lejon të vëmë rregull në botën e dukjeve të jashtme. Kështu mund të përmblidhet shkurtimisht kartezianizmi : “Unë mendoj, pra unë jam”