Thonë u shtri, e thonë u vra, Po ti s’vdiqe, or Baba, As te shkëmb’ i Dragobisë, As te zëmr’ e Djalërisë. As je vrar’ e as po vritesh Legjendar Ante po rritesh. Dithiramb i Dragobisë, Tmerr, panik i mizorisë. Këto vargje janë pjesë e elegjisë që Fan Noli ka end për vdekjen e Bajram Currit, më 29 mars 1925.
Ndërsa kanë kaluar kaq vite, ende e vërtëta e vrasjes së bujshme rri pezull mbi mitikën e atyre maleve të Dragobisë sot e asaj dite, si për të ngasur kureshtinë, e trazuar prej amshimit legjendën, Bajram Curri. Megjithëse bashkëkohësit kanë patur të gjithë të mundshmen për të rrëfyer çfarë ka ndodhur në Shpellën e Dragobisë 29 marsin e vitit 1925, ende nuk është thënë fjala e fundit. E vranë të pagurit nga Ahmet Zogu, apo u vetëvra për të mos u dorëzuar i gjallë, duket se alibia e këtyre dy mundësive është më e fortë se çdo trillim, apo gojim, i cili prirur nga shumë ndikesa, ose i kërcënuar nga koha, nuk arriti deri në ditët tona si e vërteta e të vërtetave që i rrethvijnë fikjes së frymës së fundit të këtij legjendari.
Një burrë malësor i mbështjellë me çallmë të bardhë që i mbulon kokën, sytë dhe një pjesë të fytyrës, duke i lënë jashtë vetëm një palë mustaqe të errëta, kridhet i shtrirë përdhé i pajetë, ndërsa farë pranë tij, i ftohtë dhe triumfalist, një burrë i veshur me kostum dhe me fest në kokë, një veshje e përdorur nga funksionarët e kohës, është prefekti Hasan Kryeziu, i cili pozon pranë trupit pa jetë të Bajram Currit, si para një trofeu. Kësisoj mund të jetë përshkrimorja e asaj fotoje që me gjasë e realizuar nga fotografi gjakovar Ahmet Zherka, duke u bërë publike ka rikthye domosdonë e zbërthimit të këtij ekuacioni, duke u përpjek me e davarit diqysh tisin e trashë të mjegullës që mban të mbështjellë më mister dhe dyshim vdekjen e një prej veprimtarëve më të zëshëm të kohës, Bajram Currit.
Një histori e denj për të kapërthyer kufijtë e mitit. Sot pas 92 vitesh, qëkur kjo piskamë e thekshmë bjeshkësh, ky trazim i makthshëm i një vdekjeje, mjegulla që i rrethvjen është ende e trashë, si vetë hukama e bjeshkëve në Dragobi. U vra apo u vetvra? Kush e vrau Bajram Currin? U tradhëtua dhe pse? Ishin shqiptar apo serbë ata që e ndoqën deri ku ai hoqi shpirt? Janë këto pikëpyetje që mbajnë të gozhduar të vërtetën e bujshme të kësaj ngjarjeje. Ngase është thënë, është dëshmuar dhe përfolur nëpër malësinë e Gjakovës, e pamundur mbetet të mos zbardhet e vërteta. Dikujt i ka interesuar dhe vazhdon t’i interesojë, që Kutia e Pandorës të mbetet e mbyllur përgjithnjë.
Profili i veprimtarit
Bajram Curri mbamendet si një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës që daton 1899-1900, veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Rreth këtij personazhi mbetet merita e të qenit drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908-1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912. Ai shprehu energjikisht papajtueshmërinë me vendimet ogurzeza të Konferencës së Londrës së 1913, marrëvesha hijenash që i’a shkulën shtetit të pavarur shqiptar si gjymtyrët, Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore, duke e lënë të lëngojë gjymtimin. Ishte 1918 kur Bajram Curri u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” duke qënë vrulli më i hovshëm i këtij solidariteti, këtij kushtrimi. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol në qeverinë e asokohëshme të drejtuar nga Sulejman Delvina.
Është me rëndësi të citohet se në vitet 1920-1921, me cilësinë e komandantit të Operacionit, bashkëpunoi me ministrin e Brendshëm Ahmet Zogun për të realizuar vendosjen e autoritetit të shtetit në Shqipërinë e mbetur pas copëtimit. Do të jenë zhvillimet e mëvonshme politike, martesa e Ceno Beg Kryeziut me motrën e Ahmet Zogut, ato që ndikuan në ftohjen e marrëdhënieve të Bajram Currit me Zogun. Për rrjedhojë, nga marsi 1922, Bajram Curri zgjodhi rrugën e ngritjes kry kundër shtetit. Ishte një ndër protagonistët kryesorë në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, 24 dhjetor 1924, u tërhoq në Krasniqe, duke qëndruar si mik i bajraktarit, Sali Manit, nga ku vazhdoi përpjekjet e tij të dëshpëruara për organizimin e një lëvizjeje të re kundër pushtetit.
Më 2 janar 1925, Bajram Curri mbledh parinë e Krasniqes dhe një ditë më pas deklarohet besa e Krasniqes për me i kundërshtue çdo mësymjeje qeveritare. Më 8 janar, rreth agimit, forcat e Bajram Currit nga Krasniqja mësyjnë Gashin, e mbas një luftimi ku mbetën 10 të vdekun e një i plagosun nga forcat qeveritare dhe një i vrarë e një i plagosur nga mbështetësit e Currit, Bajram Curri merr vetëm Tropojën, qendrën e Gashit. Më 9 janar, fuqia e Currit nga Tropoja niset për në Bytyç duke patur për objektiv Krumën, qendrën e Prefekturës së Kosovës, ku kishte nisur dhe forca të tjera nga Krasniqja, duke paraqitur kështu një kërcënim serioz për stabilitetin e shtetit.
Për të shuar këtë rebelim të ri në Veriun e Shqipërisë, Ahmet Zogu, që në atë periudhë ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, kishte emëruar komandant Operacioni për Veriun, Ceno Beg Kryeziun, kurse vëllanë e tij, Hasan Kryeziun, prefekt të Kosovës (nënprefekturat Lumë, Has, Malësia e Gjakovës).
Pas dështimit të Revolucionit të qershorit të 1924 , sipas dëshmive të përftuara nga dëshmimet dhe komunikimi mesvedi i zyrtarëve të asokohëshëm, Bajram Curri, i rrethuar nga trupat zogiste dhe serbe të prirë nga Ceno Kryeziu, kreu vetëvrasje në Shpellën e Dragobisë më 29 mars 1925 për të mos rënë në duart e armiqve. Ato gjysmë të vërteta që kanë qarkulluar nën zë, brez pas brezi në Malësinë e Gjakovës të kthyera tashmë në legjenda thonë se për vrasjen e tij ishte vënë një çmim, dhe ishin me qindra ata që i ishin vënë pas. I gjendur pa rrugëdalje, burri i Malësisë ka hequr xhamadanin për të mos e njollosur me gjak dhe me një plumb në kokë i ka dhënë fund jetës. Zëra të tjerë thonë se Ahmet Zogu nuk ka pasur gisht në vrasjen e tij, i vetëdijshëm se një veprim i tillë do të nxiste tërbimin e malësorëve që e admironin heroin e tyre. Thuhet se u vra nga bejlerët e Gjakovës në pabesi, në shpellë.
Dokumentet e zbardhura, të cilat rreken ë hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjeve në atë kapërcyell, nuk mund të saktësojnë diçka veçse të përpiqen të plazmojnë kundërshtitë e Bajram Currit ndaj regjimit dhe përpjekjet e Zogut për ta bërë të nënshtrohet këtë kreshtë të lartë të krenarisë dhe qëndresës malësore.
As deponimi i të vetëdorëzuarit Shefqet Draga në zyrat e prefekturës së Kosovës më 3 prill 1926, i cili pretendon të ketë qenë me Baca Bajramin deri pak momente para se të shuhej, nuk mbetet dhe aq bindëse. Kjo për arsyen se ai në procesverbalin e deponimit, dosje 33 me 11 fletë me 18 pyetje-përgjigje, (mungojnë 3 fletë, ndoshta vendimtaret për zbardhjen e misterit që mban të kyçur këtë vrasje), qaset më shumë të kapet pas të vërtetave që hamendet se mund t’i shpëtojnë kokën se sa të zbardhë besnikërisht se çfarë kishte ngjarë. Një arsye tjetër që e mbulon me mëdyshje këtë të vërtetë të bashkëluftëtarit të Bajram Currit është kërcënimi me litar, të cilit i bëhet me dije që në fill të rrëfimit, se gjoja për dëshmi të rreme ka për t’u dënuar nga gjyqi ushtarak me varje.
Në gjithë këtë hambar dëshmishë, librash të publikuar, bibliografishë e çmos tjetër, duket se çelësi i së vërtetës, ai që mban të mbyllur Kutinë e Pandorës është xhamadani i pagjakosur, të cilin të gjithë e pretendojnë se u gjet pranë trupit pa jetë të Bajram Currit.
Dëshmitarët e këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë pohuar se xhamadani i Bajram Currit u gjend i hequr dhe i vendosur disa metra larg trupit të tij të vdekur, pa njolla gjaku. Sipas të drejtës zakonore të Veriut të Shqipërisë, ky gjest i tij në momentet e fundit të jetës interpretohej si mesazh për pasuesit e gjakut të tij që ta konsideronin të mbyllur konfliktin e familjes Curri me familjen Kryeziu të Gjakovës. Sapo mjegulla nis të davaritet dhe e vërteta kapet pas alibishë dhe hipotezash të dalë në sipërfaqe, të diftohet faqe dritës, ajo sërish rrëzohet për të mbëtur rishtaz e strukur nën tisin e trashë të dyshimeve. U vra vërtetë Bajram Curri nga nga njerëzit e Ahmet Zogut, apo ky i fundit duke shfrytëzuar ndonjë hasmëri a konflikt e përdori atë për të larë hesapet me kundërshtarin e tij më të flaktë, dhe për të mbajtur nën fre zemëratë e malësorëve që shikonin tek ky burrë udhëheqësin liberator. Gjithqysh Zogut nuk i interesonte të ishte pas këtij akti dhe gjithë mekanizmi që ngrihet rreth fundit të legjendarit Bajram Curri, duket si një përpjekje e matianit të rrafinuar për të mbetur dorjashtë. Por faktet janë kokforta. Me 9 janar 1925, Ceno Begut iu dërgua telegram urgjent, dokument i publikuar nga Veli Haklaj, me të cilin kryeministri Ahmet Zogu urdhëronte: “Currin gjallë â vdek duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet mâ”. Me anë të këtij telegrami Ceno Begu autorizohej nga Ahmet Zogu që: “batalionin e atyshëm ta merrte nën urdhnin e tij; në qoftë se kompanikomandantat nuk ishin të besueshëm të emnonte të tjerë besnikë; prefektin, në qoftë se i sillte pengime, ta pushonte nga detyra dhe për këtë të lajmëronte”. Në vijim të veprimeve operacionale, më 11 janar 1925, Ceno Begu me forcat qeveritare mbërrini në Gash dhe të nesërmen sulmoj Krasniqen. Sipas informacioneve që vinin nga Prefektura e Shkodrës, rezultonte që Bajraktari i Bujanit, Sali Mani me 60 veta i ka shkue në ndihmë Currit. Si rrjedhim kjo ministri urdhëronte Komandën e Operacionit të Veriut që “një kompani 110 vetësh të asaj komande pa vonesë me zânë të gjitha vanat e Drinit për mos me lânë me kalue për në Pukë komitat e fuqis së Currit.” Kështu thuhet në evidencën e dokumentuar të fakteve nga zoti Haklaj. Nga një burim përftojmë një dëshmi që flet për një tjetër moment të rëndësishëm të ngjarjes. Kur janë rrethuar në Dragobi nga forcat zogiste, Sali Mani mbështetësi kryesor i Bajram Currit ka pyetur çfarë të bëjmë? Bajram Curri mësohet të jetë përgjigjur se duhet me luftue se nuk ka asnjë besë, ata kane ardh me na vra. Kështu kanë dalë nga shpella dhe kanë filluar pushka. Mbas disa oresh luftime, kanë marrë vesh lajmin e kobshëm se Bajram Curri, i cili kishte vrarë veten. “Nuk e besoj se Bac Bajrami të vriste veten. Por duhet ta kenë vra në pabesi”, mbamendet të ket kumtu më vonë një nga bashkëluftëtarët e Shpellës së Dragobisë. Sali Mani dhe luftëtarë të tjerë, pasi kanë mësuar për vdekjen e Bajram Currit kanë marrë ikjen për me përfundu mbas disa ditësh në Gjakovë prejnga nuk do të mund të lëviznin për rreth 7 vjet nën kërcënimin me vrasje të Zogut.
Me interes është dokumenti i datës 2 maj 1930, (shkruahet në një të përditshme një vit më parë), me të cilin zavëndësisht Komandant i Përgjithshëm i Gjindarmërisë, Major Muharrem Bajraktari, i përcjell Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkresën e datës 12 prill 1930, të Komandës së rrethit Tropojë, ku njoftohet për ardhjen në Çerem e Dragobi të dy të arratisurve nga Jugosllavia, të shtyrë nga bajraktari i Krasniqes, Sali Mani, për të vrarë vrasësin e Bajram Currit, me argumentin e të drejtës zakonore se “na ka pre Bajram Begun tuej kenë Miku i jonë”.
Gjithqysh, 92-vite duket se vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për të zbardhur të vërtetën, një të vërtetë ndryshe nga ajo me të cilën është ushqyer opinioni publik, janë faktuar faqet e historisë, e cilas mund të jetë edhe vetë e vërteta e pamohueshme.
(Teksi i materilit është përpiluar nga koncentrimi i tekstshkrimeve të kohëpaskohëshme për legjendarin Bajram Curri, por kryesisht për vdekjen e tij, e cila vijon të mbetet mister. Kush ka diçka për të shtuar, ose ndonjë mënyrë më plotë të trajtimit mudn të kontaktojë në email: [email protected])