Ngadhënjimtarët mund të bëjnë më shumë. Por ata nuk mund ta kalojnë vetë njeriun, kur ai do të matet. Ja përse ata nuk largohen kurrë nga vorbulla njerëzore dhe hidhen në flakë të shpirtit të revolucioneve
“Jo, tha ngadhënjimtari, mos mendoni se meqë dua veprimin, më është dashur të harroj të mendoj. Përkundrazi, unë mund të përkufizoj në mënyrë të përkryer atë që besoj. Sepse e besoj me forcë dhe e shoh me shikim të ngurtë e të qartë. Mos u besoni atyre që thonë: “Këtë gjë e di shumë mirë, prandaj nuk e shpreh dot”. Sepse nëse nuk e shprehin dot, kjo do të thotë që nuk e dinë ose që nga përtacia janë ndalur të lëvorja.
Nuk kam shumë opinione. Në fund të jetës, njeriu vëren se ka harxhuar vite të tëra që të sigurohej për një të vërtetë të vetme. Por një e vetme nëse ajo është dukshme, mjafton për drejtimin e një ekzistence. Për mua, unë kam me siguri diçka për të thënë për individin. Për të duhet folur me ashpërsi dhe, po të jetë nevoja, me përçmimin e duhur.
Një njeri është më tepër njeri nga gjërat, për të cilat hesht sesa nga gjërat që thotë. Ka shumë nga ato, për të cilat nuk do të flas. Por jam shumë i sigurtë se për të mbështetur gjykimet e tyre të gjithë ata që kanë dhënë vlerësime për njeriun e kanë bërë me shumë më pak përvojë se ne. Arsyeja, zgjuarsia prekëse ndoshta e ka parandier se çfarë duhej vërejtur. Por epoka, rrënojat dhe gjaku i saj na mbushin plot me të vërteta. Për popujt e lashtë dhe madje për më të mëvonshmit deri në erën e makinave, është e mundur të viheshin në balancë virtyte të shoqërisë e të individit, dhe të përcaktohej se kush duhej t’i shërbente tjetrit. Kjo gjë është e mundur fillimisht falë kësaj lajthitjeje të ngulitur në zemrën e njeriut dhe sipas së cilës qëniet janë krijuar për tu bërë ose për tu kërkuar shërbime të tjerëve. Kjo gjë është ende e mundur se as shoqëria as individi nuk i kishin treguar gjithë aftësitë e tyre praktike.
Kam takuar njerëz të ndershëm që mrekullohen nga kryeveprat e piktorëve holandezë të krijuara në zemër të luftërave të përgjakshme të Flandrës, që preken nga ligjërimet e mistikëve silezianë të kënduara në gji të luftës së tmerrshme 30-vjeçare. Vlerat e përjetshme shfaqen në sytë e tyre të çuditur, përmbi turbullimat shekullore. Por koha që atëherë ka ecur. Piktorët e sotëm nuk e gëzojnë më atë qartësi. Edhe sikur të kenë, aty thellë, zemrën që duhet për të qenë krijues, domethënë një zemër të pandjeshme, nuk do të kishte asnjë dobi, sepse të gjithë, përfshirë edhe shenjtorët, janë mobilizuar. Këtë gjë e kam ndier ndoshta në thellësi të shpirtit. Në çdo formë të dështuar nëpër transhe, në çdo shenjë, metaforë ose lutje, të shtypur me hekur, amshimi humb një ndeshje. I ndërgjegjshëm se nuk mund të shkëputem nga koha ime, kam vendosur të bashkohem me të. Ja përse nuk i kushtoj shumë vëmendje individit, sepse më duket qesharak dhe i poshtëruar. Duke e ditur se nuk ka ideale ngadhënjyese, më pëlqejnë idealet e humbura: ato kërkojnë një shpirt të tërë, të barasvlershëm me dështimet dhe me fitoret e veta kalimtare. Për atë njeri, i cili nuk e ndan fatin e tij nga ai i botës, ballafaqimi i qytetërimeve ka diçka të ankthshme. E kam pranuar këtë ankth dhe, në të njëjtën kohë, desha të luaja rolin tim. Midis historisë dhe amshimit zgjodha historinë, sepse më pëlqejnë të vërtetat. Të paktën me të jam i sigurtë dhe si mund ta mohoj këtë forcë që më shtyp?
Gjithmonë vjen çasti kur duhet të zgjedhësh midis soditjes e veprimit. Kjo quhet të bëhesh burrë. Këto mëdyshje janë të tmerrshme. Por për një zemër krenare nuk ka rrugë të mesme. Ose Zotin ose kohën, kryqin ose shpatën. Kjo botë ka një kuptim me të lartë që qëndron mbi veprimet e saj ose vetëm këto veprime ekzistojnë. Duhet të jetosh me kohën e të vdesësh bashkë me të ose t’i largohesh në emër të një jete më të madhe. E di se është e mundur të bëhet kompromis dhe të jetosh brenda shekullit duke besuar te përjetësia. Kjo do të thotë të pranosh. Por ky term nuk më pëlqen dhe kërkoj ose gjithçka ose asgjë. Nëse zgjedh veprimin, mos mendoni se soditja është për mua tokë e panjohur. Por ajo nuk mund të më japë gjithçka, dhe, i privuar nga përjetësia, dua të bëhem aleat me kohën. Nuk dua të më mbajnë as për nostalgjik as për të trishtuar, dua vetëm të shoh qartë. Po jua, them, nesër do të mobilizoheni. Për ju dhe për mua kjo gjë është çlirim. Individi nuk mund të bëjë dot asgjë dhe megjithatë mund të bëjë gjithçka. Brenda kësaj lirie të mrekullueshme, e kuptoni përse e ngre në qiell dhe njëherësh e rrëzoj njeriun. Bota e bluan dhe unë e çliroj. Unë i jap të gjitha të drejtat e tij.
Ngadhënjimtarët e dinë që veprimi në vetvete është i padobishëm. Ka një veprim të dobishëm, ai që do të rikrijonte botën e njeriun. Unë nuk do t’i rikrijoj kurrë njerëzit. Por duhet të “bëjmë sikur”. Sepse rruga e luftës më bën të takohem me tipin njerëzor. Edhe të poshtëruar, mishi e gjaku janë e vetmja e vërtetë imja. Unë mund të jetoj vetëm në sajë të saj. Krijesa është atdheu im. Ja përse zgjodha këtë përpjekje absurde e të parëndësishme. Ja përse jam në anën e luftës. Koha jonë të ndihmon për këtë gjë, e thashë më lart. Deri tani, madhështia e një ngadhënjimtari është gjeometrike. Ajo matej me hapësirën e territoreve të pushtuara. Nuk është e rastit që fjala ka ndryshuar kuptim dhe nuk shënon më gjeneralin fitues. Madhështia ka ndryshuar kamp. Ajo gjendet te protesta dhe sakrifica pa të ardhme. Nuk është aty sepse i pëlqen dështimi. Fitorja do të ishte e dëshirueshme. Por ekziston vetëm një fitore dhe ajo është e përjetshme. Është ajo që nuk do ta arrij kurrë. Ja ku pengohem dhe kacavirrem. Një revolucion kryhet gjithmonë kundër perëndive, duke filluar nga revolucioni i parë i Prometeut, i pari nga ngadhënjimtarët modernë. Është një protestë e njeriut kundër fatit të vet: pakënaqësia e të skamurit është vetëm një pretekst. Por unë mund ta rrok këtë mendje vetëm në aktin e vet historik dhe vetëm aty e takoj. Mos mendoni, megjithatë, që kjo gjë më pëlqen: përballë kontradiktës esenciale, unë mbroj kontradiktën time njerëzore. E vendos qartësinë time në mes të asaj që e mohoj. Unë e ngre njeriun në qiell para asaj që e shtyp dhe atëherë liria ime, revolta ime e pasioni im bashkohen me këtë tendosje, mendjekthjellësi e përsëritje të pamasë.
Po, njeriu është qëllimi i vetvetes. Dhe ai është qëllimi i vetëm. Nëse do që të jetë diçka, këtë e do në këtë jetë. Tani, unë di edhe më shumë. Ngadhënjyesit flasin ndonjëherë për mposhtje dhe kapërcim. Por gjithmonë kanë parasysh “të kapërcesh vetveten”. E dini mirë se ç’do të thotë kjo. Çdo njeriu i është dukur vetja i barabartë me perënditë në disa çaste. Kështu thuhet të paktën. Kjo ndodh ngaqë vetëtimthi e ndien madhështinë çuditëse të mendjes njerëzore. Ngadhënjimtarët janë nga ata njerëz që e ndiejnë mjaftueshëm forcën e tyre për të qenë të sigurtë për të jetuar vazhdimisht në këto lartësi dhe me ndërgjegje të plotë për këtë madhështi. Ky është ca më shumë e ca më pak një problem aritmetikor. Ngadhënjimtarët mund të bëjnë më shumë. Por ata nuk mund ta kalojnë vetë njeriun, kur ai do të matet. Ja përse ata nuk largohen kurrë nga vorbulla njerëzore dhe hidhen në flakë të shpirtit të revolucioneve.
Aty ata gjejnë krijesën e gjymtuar, por aty ata takojnë gjithashtu të vetmet vlera që duan e admirojnë, njeriun dhe heshtjen e tij. Kjo është edhe varfëria edhe pasuria e tyre. Për ata ekziston vetëm një luks, dhe ky është ai i marrëdhënieve njerëzore. Si të mos e kuptosh që në këtë univers të brishtë gjithçka që është njerëzore dhe që është vetëm e tillë, fiton një kuptim më përvëlues? Fytyra të tendosura, vëllazëri në rrezik, miqësi sa të forta aq të ndrojtura të njerëzve midis tyre, këto janë pasuri të vërteta, meqë janë të përkohshme. Në gjirin e tyre, mendja ndien me lehtë pushtetet dhe kufizimet e saj. Domethënë efikasitetin e saj. Disa kanë folur për gjenialitet. Më duket se janë shpejtuar, unë do të flisja për zgjuarsi. Duhet thënë se atëherë ajo mund të jetë madhështore. Ajo ndriçon shkretëtirën duke e dominuar atë. Ajo i njeh detyrimet e saj dhe i ilustron. Ajo do të vdesë në një kohë me këtë trup. Por liria e saj është dituria.
Në e dimë, se të gjitha kishat janë kundër nesh. Një zemër e tendosur i shmanget amshimit dhe të gjitha kishat hyjnore apo politike, pretendojnë për përjetësi. Lumturia dhe guximi, paga dhe drejtësia janë për të objektiva dytësore. Ato krijojnë një doktrinë dhe u duhet ta pranojnë. Por unë nuk kam asnjë punë me idetë ose amshimin. Të vërtetat që mund t’i përvetësoj, dora mund t’i prekë. Nuk mund të ndahem prej tyre. Ja përse ju nuk mund të më besoni asgjë. Asgjë e ngadhnjimtarit, as edhe doktrinat e tij, nuk jetojnë gjatë.
Në fund të gjithë kësaj, pavarësisht nga gjithçka, gjendet vdekja. E dimë. E dimë, gjithashtu, që ajo i jep fund gjithçkaje. Ja përse varrezat që mbulojnë Evropën dhe që u kanë mbetur në mendje disave prej nesh, janë të neveritshme. Ne zbukurojmë vetëm ato gjëra që pëlqejmë, ndërsa vdekja na mërzit dhe na ngjall neveri. Edhe ajo duhet të pushtohet. Karrara i fundit, i burgosur në Padunë e zbrazur nga mortaja dhe të rrethuar nga venetikasit, vraponte duke ulëritur nëpër sallat e pallatit të vet të shkretuar: i thërriste djallit dhe i kërkonte vdekjen. Kjo ishte një mënyrë për ta kapërcyer. Dhe është një shenjë guximi e Perëndimit që i ka bërë aq të neveritshme vendet ku vdekja kujton se nderohet. Në universin e të revoltuarit, vdekja ngre në qiell padrejtësinë. Ajo është shpërdorimi më i madh.
Të tjerët, pa bërë gjithashtu kompromis, kanë zgjedhur amshimin dhe denoncojnë iluzionin e kësaj bote. Varrezat e tyre buzëqeshin në mes lulesh e zogjsh të shumtë. Kjo gjë i shkon për shtat ngadhnjimtarit dhe krijon pamjen e qartë të atyre gjërave që ai ka hedhur poshtë. Përkundrazi, ai i ka zgjedhur shoqërinë e hekurit të zi ose varrin anonim. Më të mirët midis njerëzve që besojnë te amshimi i kap ndonjëherë një frikë plot respekt dhe mëshirë para mendjeve që mund të jetojnë me një përfytyrim të tillë të vdekjes. Por, megjithatë, këto mendje gjejnë aty forcën dhe përligjjen e tyre. Fati ynë është përballë nesh dhe ne e provokojmë atë. Më shumë nga ndërgjegjja sesa nga krenaria për gjendjen tonë të parëndësishme. Ne, gjithashtu, kemi ndonjëherë mëshirë për vetveten. Kjo është e vetmja mëshirë që na duket e pranueshme: një ndjenjë që, ndoshta, ju nuk e kuptoni aspak dhe që nuk ju duket burrërore. Megjithatë, janë më të guximshmit midis nesh ata që e provojnë këtë. Por ne quajmë burrërorë njerëzit e ndërgjegjshëm dhe nuk na pëlqen ajo forcë që largohet nga mendjekthjelltësia.
Edhe një herë e themi që këto figura nuk na propozojnë morale dhe na angazhojnë gjykimet tona: ato janë vizatime. Ato pasqyrojnë vetëm një stil jete. I dashuruari, komediani ose aventurieri hiqen absurdë. Por edhe njeriu i papërlyer, funksionari ose presidenti i republikës, po të duan, hiqen të tillë. Mjafton të dish dhe të mos fshehësh asgjë. Në muzeumet italiane, ndonjëherë sheh ekrane të vegjël të ngjyrosur që prifti mbante para fytyrës së të dënuarit që të mos shihte gijotinën. Hopi në të gjitha format e tij, hedhja në prehrin e hyjnores ose të amshimit, dhënia pas iluzioneve të përditshmërisë ose të idesë, të gjitha këto ekrane fshehin absurdin. Por ka dhe funksionarë pa ekrane dhe për këta dëshiroj të flas.
Kam zgjedhur më të skajshmit. Në këtë pikë, absurdi u jep atyre një pushtet mbretëror. Është e vërtetë që këta princa janë pa mbretëri. Po mbi të tjerët ata kanë përparësinë se e dinë që të gjitha mbretëritë janë iluzione. Ata e dinë, këtu qëndron e gjithë madhështia e tyre, dhe më kot kërkojnë të flasin në adresë të tyre për fatkeqësi të fshehtë ose për mbetje të zhgënjimit. Të zhvishesh nga shpresa nuk do të thotë të dëshpërohesh. Flakët e tokës vlejnë po aq sa dhe parfumet qiellore. As unë, askush tjetër, nuk mund t’i gjykojë. Ata nuk kërkojnë të jenë më të mirë, ata përpiqen të jenë konsekuentë. Nëse fjala i urtë i përshtatet njeriut që jeton me çfarë ka pa spekuluar, me çfarë nuk ka, atëherë ata janë njerëz me urtësi. Njëri nga ata, ngadhnjimtar, veçse në lëmin e arsyes, Don Zhuan, por në fushën e njohjes, komedian, por në sferën e zgjuarsisë,e di më mirë se kushdo kur shkruan: “Ne nuk e meritojmë aspak një privilegj mbi tokë dhe në qiell, kur e kemi çuar butësinë tonë prej manari deri në përkryerje; megjithatë, ne vazhdojmë të jemi, në rastin më të mirë, qesharakë dhe me brirë dhe asgjë më tepër – duke pranuar që nuk plasim nga i mëndjemadhësia dhe nuk shkaktojmë skandale me qëndrimet tona prej gjykatësi”.
Në të gjitha rastet, duhej t’i jepnim arsyetimit absurd pamje më të përzemërta. Imagjinata mund të shtojë edhe shumë të tjera, që i ngjiten kohës dhe syrgjynit, që dinë, gjithashtu, të jetojnë sipas kërkesave të një universi pa të ardhme e pa dobësi. Atëherë kjo botë absurde dhe pa perëndi popullohet nga njerëz që mendojnë kthjellët dhe që nuk shpresojnë më. Ende nuk kam folur për personazhin më absurd që është krijuesi.
Marrë nga Miti i Sizifit – Albert Camus