Sami Frashëri njihet si romancier dhe dramaturg, si gjuhëtarë i madh dhe filozof, si përkthyes dhe pedagog, si autor i një sërë veprash shkencore për masat, si autor tekstesh për shkollën, si autor i manifestit të Rilindjes sonë kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, si politikan largpamës, si ideolog i Rilindjes sonë kombëtare.
Mjafton të marrësh në duar dhe të studiosh një nga veprat e pakta të tij të shkruara në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, që të ndjesh forcën e mendjes dhe të karakterit të këtij biri të madh që lindi kombi ynë; por për të pasur një përfytyrim të plotë e të saktë për rrugën e formimit të tij si shkencëtar i shquar dhe si ideolog i Rilindjes sonë, studimi i veprave të tij të shkruara në gjuhën shqipe është i pamjaftueshëm.
Një ndër veprat e tij, që njihet fare pakë, (vetëm nga rrethet e studjonjësve të Samiut dhe nga ata që zotërojnë turqishten) është edhe një përmbledhje fjalësh të urta, të cilën Samiu e botoi aty nga viti 1878 në serinë e botimeve “Biblioteka e xhepit”.
Sami Bej Frashëri (1 qershor 1850, Frashër – 18 qershor 1904, Stamboll). Ai ishte rilindas i shquar, dijetar i madh, shkrimtar, publicist dhe ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në literaturën e huaj është i njohur me emrin Shemseddin Sami.
Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke "Zosimea", ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine si dhe gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu (Kalkendelenli Mahmut Efendi), mësoi arabisht, persisht dhe turqisht .
Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të "Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare" dhe me themelimin e "Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip" (1879) u zgjodh kryetar i saj.
Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe "Drita" dhe pastaj "Dituria" (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat "Abetare e gjuhës shqipe" (1886), "Shkronjtore e gjuhës shqipe" (gramatika, 1886) dhe "Shkronjë" (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet", botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe i cili mbeti i pabotuar. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.
Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke "Terxhuman-i Shark". Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.
Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes.
Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri "Besa", e botuar më 1875 (?) e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.
Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroj disa libra dhe broshura, të ciat i përmblodhi në "Bibliotekën e xhepit", hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: "" ("Mëngjezi" 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, ("Java") etj.
Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime. Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që përshkon veprat e tij Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Atdhetari i shquar vdiq në Stamboll.
Disa nga diamantet e tij të mendimit
– Zemra e njeriut të përsosur është gjithmonë e pezmatuar, por fytyra e tij është kurdoherë e gëzuar.
– Njeriu dëshiron madhështinë dhe famën, trembet nga mospërfillja; megjithëkëtë nuk largohet nga sjelljet e këqija; kjo është si kur ke frikë nga lagështira e banon në moçal.
– Mos i poshtëroni njerëzit e mëdhenj për një a dy faje të tyre, sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm, i prerë në formën më të përsosur.
– Virtyti i bën të dashur me njëri- tjetrin, njerëzit e mëdhenj, njerëzit e zakonshëm- dëfrimi dhe zbavitja, të këqinjtë, vagabondazhi dhe delikti.
– Tri raste kanë tri virtyte shumë të pëlqyeshme: të ndihmosh nevojtarët kur janë në gjendje të vështirë, të thuash të vërtetën edhe në zemërim, të falësh kur je i zoti të ndëshkosh ose të hakmerresh
– Gjëja që ka shkaktuar fanatizmin (fetar) janë përrallat të shpikura nga keqdashja, të pranuara nga frika dhe të ruajtura nga marrëzia.
– Filozofi kinez Ming Çu thot: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’u mbyllësh portën, për të mos i pranuar.”
– Skamja dhe përvuajtja kërkon nikoqirllëk, përvuajtja dhe nikoqirllëku mirësjelljen, mirëpo pasuria sjell kryelartësinë e dorëlirësinë, e kryelartësia e dorëlirësia shthurjen dhe keqsjelljen.
– Mos jep shkas të flasë kush keq për ty; por mos u mundo t’i mbyllësh gojën keqdashësve, sepse qeni, ashtu sikundër i leh natën kusarit që i kalon afër, ashtu i leh edhe njeriut të ndershëm.
– Lëvdata e bën njeriun të kthehet nga rruga që ka zënë, kurse kritika e bën ta kontrollojë rrugën e vet dhe ta vazhdojë.
– Njeriut të gëzuar gjembi i duket trëndafil, për njeriun e pezmatuar s’ka ndryshim trëndafili nga gjembi; në çdo gjë ai sheh një pezmatim, një dëshpërim, s’kënaqet me asgjë.
– Babai që neglizhon edukimin e së bijës, përgatit turpin e vet dhe shkatërrimin e dhëndrit të tij.
– Miqësia është si drita e rrufesë, sa më i errët të jetë vendi, aq më shumë ndriçon.
– Po të dyshosh për besnikërinë e një shoku, dyshimi yt mund të bëhet shkak që edhe ai të dyshojë për ty.
– Tre vetë që ndihmojnë njëri-tjetrin çojnë një peshë, të cilën s’mund ta ngrenë gjashtë vetë, të cilët kërkojnë t’ia lënë barrën njëri-tjetrit.
– Jeta e njeriut është një pe i dredhur nga lumturia dhe fatkeqësia. Po të ishte dredhur vetëm nga fatkeqësia, do të ishte këputur shpejt, po të ishte përbërë vetëm nga lumturia, do të ishte tepër i ashpër dhe nuk do të hynte në punë.
– Fjala e keqdashësit është si qymyri, edhe kur nuk të djeg, të nxin.
– Kush nuk dëshiron të humbasë për jetë privilegjet e tij, duhet të lëshojë ca prej tyre me dëshirën e tij, sepse druri rritet më shumë kur krasitet.
– Ai që i përgjigjet me ligësi mirësisë sate, bëhet mjet për të bërë të njohur mirësinë tënde dhe ligësinë e vet.
– Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës.
– Për të jetuar njeriu rehat në botë, i nevojiten katër gjëra prej metali: një torbë me florinj, një pishtar i argjendtë, një fytyrë prej bronzi, një zemër prej hekuri.
– Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë
– Është për keqardhje që në botën politike nuk është bërë zakon të respektohet nderi dhe mirësjellja. Një njeri i rëndomtë humb besimin po nuk e mbajti fjalën, një diplomat që qeverisë një shtet, sa më shumë të gënjejë, aq më shumë numërohet për diplomat.
– Në kohën tonë të gjithë po merren me politikë; kjo punë ka bërë që të rinjtë të harrojnë zbavitjet e tyre, pleqtë -hallet e tyre, gratë – qeverisjen e shtëpive të tyre, adhuruesit – adhurimin, tregtarë- fitimin dhe mjekët – të sëmurët e tyre.