Maksim Gorki i pagëzuar si Aleksej Maksimoviç Peshkov, lindi më 28 mars të vitit 1868 në Nizhni Novgorod, Rusi. Maksim Gorki ishte një shkrimtar rus, një nga themeluesit e metodës letrare të realizmit socialist dhe një aktivist i zedhshëm politik. Ai ishte gjithashtu i nominuar pesë herë për çmimin Nobel në Letërsi.
Maksim Gorki, i biri i një zdrukthari, është padyshim një rast specifik i letërsisë ruse dhe jo vetëm. Ai, mund të thuhet se erdhi rastësisht në letërsi, për të mbetur në kolanën e letrave ruse si akt historik krijimi. Në vogli ishte i pagëzuar me emrin Aleksej Maksimoviç Peshkov. U lindi më 28 mars të vitit 1868 në Nizhni Novgorod, Rusi dhe vdiq më 18 qershor 1936 në rrethana të mistershme. Hije dyshimi për vdekjen e tij pas kaq vitesh rëndojnë mbi shërbimin sekret rus.
Që në fëmijëri mbeti jetim dhe kreu vetëm një shkallë të ultë të shkollës. Mbijetesën në kushtet tejet e të vështira ai e siguroi duke mos i bërë naze asnjë lloj angazhimi që i sillte mundësi të fitonte bukën e gojës. Me çfarë nuk u angazhua ai në këtë përpjekje ngadhënjimtare për të ekzistuar; punoi si korrier, enëlarës, punëtorë me mëditje dhe argat në tokat e të pasurve, ngjyrosës ikonash, bukëpjekës, punëtorë krahu në limane, rojtarë dhe kopshtar. E gjithë kjo natyrshëm ka reflektuar në krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij politike.
Ka punuar si gazetar në media provinciale. Ai shkroi nën pseudonimin Jehudiel Khlamida. Duke punuar në Tiflisit për gazetën në Kaukasi më 1892 ai do të fillonte të përdorte pseudonimin “Gorky” që fjalë për fjalë do të thotë ” i hidhur”. Nofka që ai i zgjodhi vetes dhe që do të bëhej emri i tij i letërsisë dha famës, qartazi ishte një reflektim i shijes që do të kishte pena e tij, nxitura nga zemërata e valëve të zemërimit të tij për jetën e vështirë në Rusi dhe një vendosmëri për të folur për të vërtetën e hidhur. Ai kishte miq dhe armiq njerëzit me të shquar të revolucionit të kuq, Leninin dhe Stalinin, me të cilët ashtu siç e lidhi fuqishëm bolshevizmi, revolucioni, anticarizmi, proletariati, ashtu edhe i armiqësoi deri sa e detyruan që shumicën e jetës ta çonte në ekzil dhe pjesën tjetër të gatuante vdekjen e tij në Rusinë mëmë.
Ai ishte i njohur në botë me veprat: “Zgalemi”, “Makar Çudra”, “Jeta e Klim Samginit”, “Nëna”, “Vepra e Artamonovëve”, “Malva”, “Lindja e një njeriu”, etj. Jeta e djalit të zdruktharit, i cili mbeti jetim kur ishte ende i vogël dhe që të vetmin njeri që kishte ishte gjyshi i tij, nuk do të ishte aspak e lehtë në Rusinë e asaj kohe. Përmes episodesh do të mund të deshifrojmë një pjesë nga jeta që u bë tharmi i veprës së tij.
*****
Prindërit e varfër e lanë Maksim Gorkin jetim. I vetmi i afërm i mbeti gjyshi plak, i cili u përkujdes shumë për nipin e vogël. Djali ishte kokëfortë e me shpirt kryengritës dhe iu fut shumë zanateve. Ai u bë kamariei, këpucar, gdhendës, pastaj piktor, pjatalarës, kopshtar, por të gjitha i la dhe mori rrugët. U fut si shërbëtor në një anije, nisi të shëtiste nëpër botw dhe në orët e pushimit, pasi kishte gjetur disa libra të Dymait (babait) dhe të Gogolit, iu vu leximit. Ashtu papritur i erdhi dëshira e papërmbajtur për të mësuar.
Zbriti në Kazan dhe kërkoi të gjente ndonjë shkollë ku të jepej mësim pa para. Shkollë të tillë nuk gjeti. Përsëri nisi Odisenë e tij, duke u bërë hamall, roje në hekurudhë, shitës pijesh. Kështu njohu të gjithë të mjerë dhe të pastrehët që i quajti “Fëmijët e çifutit endacak”. Këta i admiroi shumë.
*****
Qysh në fëmijëri, Gorki kishte miqësi me Shaljapinin, i cili më vonë bë këngëtar i dëgjuar operistik në të gjithë botën. Një herë, Shaljapini dhe Gork për të fituar diçka, shkuan së bashku në një shoqëri teatrale. U paraqitë si koristë. Gorki, u pranua me vota të plota për zërin e tij të bukur prej tenori, kurse Shaljapini nuk u pranua si i paaftë për të kënduar.
Më vonë Gorkit, në një natë shumë të ftohtë dimri, i ra të fikët dhe mbeti gjatë përjashta. Mori një plevit të fortë me komplikime të shumtë në fyt. Kur u shërua, zëri i tij i bukur prej tenori ishte ashpërsuar dhe ngjirur për të mos u bërë më për skenë.
*****
Maksimi mori pseudonimin Gorki, që në rusisht do të thotë “i hidhur”. Kjo ishte një sfidë për shoqërinë e atëhershme, e cila u soll si njerkë me të.
Vetëm në vitin 1892, një student e këshilloi të merrej me shkrime dhe të hidhte në letër ato ndodhi që ai vetë ua tregonte me aq gjallëri të njohurve të tij. Shkrimtari Korolenko e ndihmoi dhe e bëri Gorkin që të njihej si shkrimtar.
*****
Mjeku e kishte ndaluar Maksim Gorkin të pinte cigare. Megjithatë, ai nuk e dëgjonte mjekun dhe pinte cigare pas cigare.
– Përse pi cigare? – i tha një ditë e zemëruar e shoqja, kur ai po kollitej vazhdimisht.
– Po ti përse jeton? – e pyeti ai i vërejtur.
*****
Më 1891, ishte në Nizhni Novgorod si shitës shëtitës. Ndërkohë, mori vesh se aty rrinte edhe shkrimtari i famshëm Korolenko. Shkoi që të merrte mendim prej tij për një poemë. Korolenko e lexoi poemën dhe thirri:
– Është e keqe, nuk ka asnjë pikë vlerw.
Kur e pa Gorkin që u trishtua, shpejtoi të shtonte:
– Po unë në fund të fundit jam gjykatës i keq për vargjet. Nga poezia nuk marr vesh dhe aq shumë. Më sill të shoh diçka nga proza juaj.
Kjo e nxiti Gorkin të shkruajë novelën e tij të parë. Kështu talenti i tij gjeti rrugën e vërtetë.
*****
Një ditë ishte duke lexuar biografinë e Çelinit të përkthyer në rusisht. Dikush tha se ishin krejt pallavra. Gorki protestoi duke thënë;
– E po mirë, në qoftë se janë pallavra mua më pëlqyen edhe ashtu siç janë. Janë pallavra të çuditshme. Vetëm ai dinte t’i thoshte dhe vetëm në kohën e tij të thuheshin.