Dokumentet e deklasifikuara amerikane dhe sovjetike janë një tablo tjetër të panjohur për Shqipërinë. Ja faktet të reja të politikës së Dajë Samit ndaj vendit të vogël ballkanik
Denoncimi i Enver Hoxhës te Stalini: Grekët po sulmojnë për të goditur pas shpine demokratët. Dokumentet që vërtetojnë se amerikanët ishin kundër agresionit grek. SHBA nxit vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe ngarkon Romën të zbusë diktatorin shqiptar, duke i sugjeruar të mos i nënshtrohej diktatit të Moskës
Ndërsa Enver Hoxha, më 2 gusht 1949, ankohej tek i dërguari i BS në Tiranë, Dmitri Çuvahin se “se objektivi i këtij provokacioni të ri të monarko-fashistëve grekë është i vjetër, d.m.th. të kalojnë territorin shqiptar dhe të futen në prapavijë të demokratëve grekë… grekët nuk shkojnë në thellësi të territorit shqiptar, por me luftim po lëvizin përgjatë kufirit shqiptaro-grek në anën shqiptare…”. Por në një gjatësi vale me Tiranën dhe Moskën është edhe… Uashingtoni! Veçse jo në deklarata publike, por në korrespodencën diplomatike.
KUNDËERSHTIMI
SHBA kanë qenë kundër provokacioneve greke në gusht 1949. Zbulohet kështu fakti kureshtar dhe i bujshëm pas deklasifikimit të dokumenteve sekrete të Departamentit amerikan të Shtetit. Sekretari amerikan i shtetit në vitet 1949-1953, Din Açeson (Dean Acheson, 1893-1971), shkruante më 15 gusht 1949: “U kemi thënë vazhdimisht grekëve se ne kundërshtojmë çdo veprim ushtarak të Greqisë në Shqipëri sikurse është rrethimi në malin e Gramozit ose Vici-ja nëpërmjet territorit të Shqipërisë apo ndjekja masive e partizanëve [grekë] në Shqipëri. Kohët e fundit kemi marrë siguritë e prera se kjo gjë nuk ka qenë në plan”.
DISTANCIMI
Po ashtu SHBA ngurronte të miratonte sugjerimin grek të shkëmbeheshin informacione mes Athinës dhe Uashingtonit lidhur me komitetin kombëtar shqiptar “Shqipëria e Lirë”, i krijuar më 25 gusht 1949. Por shefi i Degës së Çështjeve Greke, Turke dhe Iraniane Xhon Xhernegën, i përgjigjet më 16 gusht 1949 Gouras-it, ministër-këshilltar i ambasadës së Greqisë [në SHBA]: “kam krijuar përshtypjen se zyrtarët përkatës të Departamentit Amerikan të Shtetit dëshironin që përfaqësuesit amerikanë të distancoheshin plotësisht nga aktivitete të tilla shqiptare dhe mendonin se do të ishte e preferueshme që të shmangen edhe nga hapi tepër i paqartë i shkëmbimit të informacionit me përfaqësuesit grekë”.
ALETATËT “TRINGJYRËSH”
Jo vetëm kaq. Amerikanët janë të kujdesshëm dhe me aletatët “tringjyrësh”:
“Departamenti [i Shtetit] shpreh kënaqësinë që [sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane Vittorio Zoppi [1898-1967] ka ripohuar se Italia ka në themel të politikës së saj ekzistencën e një Shqipërie të lirë dhe të pavarur. Ne duhet, megjithatë, të pranojmë se çdo hap që duket se i jep Italisë rol të posaçëm apo drejtues në Shqipëri kuptohet vetiu ngjall drojën se Italia mund të dëshirojë të rifitojë pozicionin dominues që pati atje para luftës [së Dytë Botërore]”.
PIKË GRUMBULLIMI
Fqinji i tretë, Jugosllavia, e sapopërjashtuar nga Kominiformi, është nën vëzhgimin e SHBA, por edhe të fqinjve të saj. Më 25 gusht Sekretari i Shtetit Açeson udhëzonte ambasadën amerikane në Beograd: “Mund t’u thoni autoriteteve jugosllave se Komiteti “Shqipëria e Lirë” ka miratimin tonë të përgjithshëm, por që ne nuk e konsiderojmë si qeveri në mërgim dhe as nuk pretendojmë të jetë e tillë. Po të dëshironi, mund të përmendni komitete të ngjashme hungareze, rumune etj. që ekzistojnë këtu (në Londër), ose në SHBA. Ne vetëm sa e mirëpresim si pikë grumbullimi po të rrëzohet regjimi i Hoxhës dhe Shqipëria të zhytet edhe një herë në kaos me të gjitha rreziqet që pasojnë prej kësaj për paqen ndërkombëtare. Ju gjithashtu duhet të mohoni se formimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” paralajmëron masa aktive kundër qeverisë shqiptare nga ana jonë. Sugjerojmë të konsultoheni… me qëllim miratimin e të njëjtit qëndrim me Jugosllavinë, po të kërkohet.”
FRIKA
Është interesante se grekët kanë frikë nga italianët dhe jugosllavët se mos fusin nën ndikimin e tyre Shqipërinë, pas rrëzimit të regjimit të Hoxhës dhe daljen e Shqipërisë nga Kominformi. Açeson shkruan se: “Ambasada e Greqisë [në Amerikë] informon Departamentin [Amerikan të Shtetit] se qeveria greke e konsideron shumë të favorshëm krijimin e planifikuar të Komitetit Kombëtar Shqiptar në mërgim dhe se ka përgatitur një deklaratë me rastin e njoftimit publik të formimit të Komitetit. Megjithatë qeveria greke është e shqetësuar se mos Kominformi thjesht sa zëvendësohet nga Jugosllavia ose Italia për ndikim mbizotërues në Shqipëri”.
TIRANA DHE ROMA
Nga ana tjetër, dhe pse Uashingtoni përcolli duarbosh në maj 1949 Behar Shtyllën, emisarin e Enver Hoxhës, gjithsesi SHBA duan një kontakt në Shqipëri dhe kanë nxitur Romën për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Itali-Shqipëri: “Departamenti [i Shtetit] do të donte të dinte kur do shkojë në Tiranë misioni italian si rezultat i vendimit të fundit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Lidhur me këtë do të informoni në mënyrë diskrete Ministrinë e Jashtme [italiane] se Departamenti [i Shtetit] do ta çmonte faktin po të mbahet i informuar për zhvillimet e rëndësishme politike në Shqipëri, të cilat mund t’i raportohen Romës nga misioni italian atje”.
ZBUTJA E “KRYENEÇIT”
Jo vetëm kaq. Uashingtoni synon t’i ngarkojë Romës detyrën për të zbutur Enver Hoxhën: “Gjithashtu vlerësojmë se [Zoppi] merr në konsideratë pikëpamjet tona lidhur me qasjen e mundshme të Italisë në drejtim të qeverisë shqiptare. Ndërkaq do të vlerësonim ndonjë këshillë që Italia do t’i jepte regjimit të Hoxhës duke i sugjeruar se do të ishte i dëshirueshëm një ndryshim themelor në politikat, pasi është i pavend dhe jorealist në këtë rast nënshtrimi i tij ndaj Moskës. Besoj se mund të jetë e dobishme në qoftë se Italia gjen rastin e duhur t’i provojë qeverisë shqiptare se vazhdimi i ndihmës për partizanët grekë pengon rregullimin e Ballkanit dhe stabilizimin e situatës në zonën e Adriatikut, në të cilën si Italia edhe Shqipëria janë të interesuara drejtpërdrejt”.
Enver Hoxha: Objektivi i sulmeve helene
Nga memoja e të dërguarit të BS në Shqipëri, D.S. Çuvahin
SEKRET
Tiranë, më 2 gusht 1949
Më 2 gusht shkova për vizitë tek Enver Hoxha me nismë të tij. Enver Hoxha më komunikoi si më poshtë:
1. MBI PROVOKACIONET E MONARKO-FASHISTËVE GREKË.
Enver Hoxha më bëri të ditur se më 2 gusht, ora 5 të mëngjesit monarko-fashistët grekë me forca deri në dy batalione u futën në territorin shqiptar në rajonin e Vidohovës (në jug-lindje të Korçës). Kufitarët shqiptarë u bënë qëndresë këmbëngulëse monarko-fashistëve. Si rezultat i këtij provokacioni sipas të dhënave të orës 11 monarko-fashistët grekë pësuan humbje, numri i viktimave shkon deri në 100 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Humbjet e palës shqiptare sipas të dhënave të paverifikuara: një i vrarë dhe dy të plagosur. Hë për hë rezistencë ndaj monarko-fashistëve po bën vetëm sektori i mbrojtjes së kufirit, kurse trupat e rregullt të ushtrisë shqiptare nuk janë përfshirë në luftim.
Enver Hoxha mendon se objektivi i këtij provokacioni të ri të monarko-fashistëve grekë është i vjetër, d.m.th. të kalojnë territorin shqiptar dhe të futen në prapavijë të demokratëve grekë. Për këtë gjë, sikurse vuri ai në dukje, dëshmon zhvillimi i betejës që po bëhej tani – grekët nuk shkojnë në thellësi të territorit shqiptar, por me luftim po lëvizin përgjatë kufirit shqiptaro-grek në anën shqiptare, me qëllim që të arrijmë deri në pikën e caktuar në kufi, t’i kthejnë në territorin grek dhe t’i godasin demokratët grekë nga prapavija.
Sipas fjalëve të Enver Hoxhës nga ana e komandës së ushtrisë shqiptare janë marrë masa urgjente. Po çohen njësi të ushtrisë së rregullt në vendin e betejës, si dhe 3 bateri, përfshirë 1 [bateri] kundërajrore.
2…
3…
I dërguari i BRSS në Shqipëri
(Dm. Çuvahin).
Shënim: Titulli i fragmentit të dokumentit është i “Investigim-it”
Gusht 1949. DASH: Jo agresionit grek
Telegram i Sekretarit të Departamentit të Shtetit [Açeson] drejtuar ambasadës [amerikane] në Itali
SEKRET
UASHINGTON, 15 gusht 1949, ora 7 paradite
Nr. 1833. Departamenti [i Shtetit] ka kënaqësinë të marrë shënim sigurimet e Zopp-it për bashkëpunimin e qeverisë italiane në krijimin e kushteve lehtësuese për lëvizjen e anëtarëve të komitetit kombëtar shqiptar që pritet të krijohet, sikurse është raportuar në telegramin e mëparshëm nr. 2415, datë 5 gusht.[1] Gjithashtu vlerësojmë se ai merr në konsideratë pikëpamjet tona lidhur me qasjen e mundshme të Italisë në drejtim të qeverisë shqiptare. Ndërkaq do të vlerësonim ndonjë këshillë që Italia do t’i jepte regjimit të Hoxhës duke i sugjeruar se do të ishte i dëshirueshëm një ndryshim themelor në politikat, pasi është i pavend dhe jorealist në këtë rast nënshtrimi i tij ndaj Moskës. Besoj se mund të jetë e dobishme në qoftë se Italia gjen rastin e duhur t’i provojë qeverisë shqiptare se vazhdimi i ndihmës për partizanët grekë pengon rregullimin e Ballkanit dhe stabilizimin e situatës në zonën e Adriatikut, në të cilën si Italia edhe Shqipëria janë të interesuara drejtpërdrejt. Kini liri veprimi të mund të informoni përkatësisht Ministrinë e Jashtme.
Departamenti [i Shtetit] shpreh kënaqësinë që Zoppi ka ripohuar se Italia ka në themel të politikës së saj ekzistencën e një Shqipërie të lirë dhe të pavarur. Ne duhet, megjithatë, të pranojmë se çdo hap që duket se i jep Italisë rol të posaçëm apo drejtues në Shqipëri kuptohet vetiu ngjall drojën se Italia mund të dëshirojë të rifitojë pozicionin dominues që pati atje para luftës [së Dytë Botërore].
Departamenti [i Shtetit] do të donte të dinte kur do shkojë në Tiranë misioni italian si rezultat i vendimit të fundit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Lidhur me këtë do të informoni në mënyrë diskrete Ministrinë e Jashtme [italiane] se Departamenti [i Shtetit] do ta çmonte faktin po të mbahet i informuar për zhvillimet e rëndësishme politike në Shqipëri, të cilat mund t’i raportohen Romës nga misioni italian atje.
Lidhur me telegramin e tretë të mëparshëm: u kemi thënë vazhdimisht grekëve se ne kundërshtojmë çdo veprim ushtarak të Greqisë në Shqipëri sikurse është rrethimi në malin e Gramozit ose Vici-ja nëpërmjet territorit të Shqipërisë apo ndjekja masive e partizanëve [grekë] në Shqipëri. Kohët e fundit kemi marrë siguritë e prera se kjo gjë nuk ka qenë në plan.
Ambasada e Greqisë informon Departamentin [amerikan të Shtetit] se qeveria greke e konsideron shumë të favorshëm krijimin e planifikuar të Komitetit Kombëtar Shqiptar në mërgim dhe se ka përgatitur një deklaratë me rastin e njoftimit publik të formimit të Komitetit. Megjithatë qeveria greke është e shqetësuar se mos Kominformi thjesht sa zëvendësohet nga Jugosllavia ose Italia për ndikim mbizotërues në Shqipëri.
Dërguar në Romë, përsëritur në Athinë.
AÇESON
Shënim i botuesit të origjinalit anglisht [titulli i dokumentit dhe sqarimet në kllapat katrore janë të “Investigim-it”]:
[1] Telegrami nr. 1667, datë 29 korrik [1949], dërguar në Romë, që nuk është botuar, i kërkonte ambasadës [amerikane] të informonte Ministrinë e Jashtme italiane se Shtetet e Bashkuara kishin këshilluar ngritjen e menjëhershme të një Këshilli për “Shqipëri të Lirë” dhe mbajti të njëjtin qëndrim si ndaj tij ashtu dhe krijimit të komiteteve të tjera kombëtare në mërgim. Ambasadës [amerikane] iu tregua se britanikët kishin të njëjtën pikëpamje. Telegrami nr. 2415, datë 5 gusht [1949], nga Roma, që nuk është botuar, raportonte se i ishte përcjellë Vittorio Zoppi–t, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane thelbi i udhëzimeve të Departamentit [amerikan të Shtetit]. Zoppi paraqiste si mendimin e tij personal se ishte i ndërgjegjshëm plotësisht për përparësitë politike të mbajtjes së simbolit të një Shqipërie të lirë, por ai besonte se shqiptarët në mërgim të asociiuar me Këshillin për Shqipërinë e Lirë dhe të udhëhequr nga Midhat Frashëri përfaqësonin një pakicë tepër konservatore për të marrë pushtetin në Shqipëri kur të vinte koha e çlirimit të saj nga shtypja totalitare.
SHBA, ngurrim për shkëmbim informatash me Athinën
Memo bisede, nga shefi i Degës së Çështjeve Greke, Turke dhe Iraniane [DÇGTI] (Xhernegën)
SEKRET
[UASHINGTON,] 16 gusht 1949
Të pranishëm: Z. Gouras, ministër–këshilltar i ambasadës së Greqisë [në SHBA]
Z. Xhon D. Xhernegën (John D. Jernegan), shef i DÇGTI-së
Problemi: Nëse duhet pranuar sugjerimi i Greqisë për shkëmbimin informacioni në Paris dhe Romë lidhur me personalitetet e angazhuara në lëvizjen e mezipritur shqiptare për çlirim.
Veprimi i kërkuar: Vendim nëse ambasada amerikane në Paris dhe Romë duhet të udhëzohet për shkëmbim informacioni mbi këtë temë me përfaqësuesit grekë në këto kryeqytete.
I dërgohet për veprim: EL-së [Evropa Lindore] – zotit Kampbell. (Ju lutem kini parasysh se asnjë veprim nuk duket i nevojshëm, nëse nuk vendoset diskutimi i sugjerimit grek).
Z. Gouras iu referua thirrjes së ambasadorit Dendramis javën e kaluar, [1] kohë në të cilën ambasadori kishte sugjeruar që ambasada greke në Romë dhe Paris, në veçanti e para, mund të ofrojë informacion shumë të dobishëm mbi aktivitetet dhe personalitetin e liderëve shqiptarë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të kenë lidhje me krijimin e mezipritur të një Komiteti “Shqipëria e Lirë”. Nisur nga udhëzimet e qeveria së tij, kishte sugjeruar se do të ishte e dëshirueshme për ambasadën amerikane në Romë dhe Paris të shkëmbenin informacion në këtë drejtim me përfaqësuesit grekë. Z. Gouras tha se qeveria greke nuk ka ndërmarrë asnjë hap dhe nuk kishte dërguar udhëzime për ambasadat e saj, sepse ishte në pritje të reagimit tonë për idenë.
Thashë se këtë sugjerim ia kisha kaluar zyrës së Çështjeve Evropiane në Departamentin [e Shtetit]. Nuk kam marrë asnjë përgjigje përfundimtare, por kam krijuar përshtypjen se zyrtarët përkatës të dikasterit dëshironin që përfaqësuesit amerikanë të distancoheshin plotësisht nga aktivitete të tilla shqiptare dhe mendonin se do të ishte e preferueshme që të shmangen edhe nga hapi tepër i paqartë i shkëmbimit të informacionit me përfaqësuesit grekë. Theksova se kjo nuk ishte përgjigje përfundimtare ose zyrtare për sugjerimin e ambasadorit dhe se do të ishte gjithmonë e mundur që pas pak kohe, në të ardhmen, të kishim kënaqësinë të pranonim ofertën greke.
Z. Gouras tha se shprehte mirëkuptim dhe do të njoftonte qeverinë e tij. Ai vuri në dukje se personalisht kishte pak besim në aftësinë e shqiptarëve për të organizuar opozitë ndaj regjimit të tanishëm. Bazuar në ato që dinte nga përvoja e tij mbi karakterin e shqiptarit, nuk besonte se ata kishin ndjenjë të mjaftueshme patriotizmi për të përballuar rreziqet nga vendosja e një regjim të ri.
[Xhoin D. XHERNEGËN]
Shënim i botuesit të origjinalit anglisht [titulli i dokumentit dhe sqarimet në kllapat katrore janë të “Investigim-it”]:
[1] Kjo referencë, me sa duket, ka të bëjë me një bisedë, të zhvilluar më 10 gusht [1949] mes ambasadorit [grek në SHBA] Dendramis dhe Henri F. Grejdi-t (Henry F. Grady), ambasador [i SHBA] në Greqi, i cili atëherë ishte në Uashington për konsultime.
“Shqipëria e Lirë”: jo qeveri në mërgim
Telegram i Sekretarit të Departamentit të Shtetit [Açeson] drejtuar ambasadës [amerikane] në Itali [1]
TOP SEKRET
UASHINGTON, 25 gusht 1949, ora 16.
Nr. 1930. Për ambasadorin Kenon (Cannon) dhe Pejxhin (Page) [2] lidhur me letrën e datës 12 gusht drejtuar Pejxhit nga Tompsoni (Thompson). [3] Më poshtë teksti i udhëzimeve të Forin Ofisit (Foreign Office – Ministria e Jashtme britanike) të Londrës drejtuar Pikut (Peake) [4] në Beograd, që ambasada britanike këtu na ka sugjeruar t’u bashkëngjitemi:
“Sugjeroj që, nëse është bërë përçapje, mund t’u thoni autoriteteve jugosllave se Komiteti “Shqipëria e Lirë” ka miratimin tonë të përgjithshëm, por që ne nuk e konsiderojmë si qeveri në mërgim dhe as nuk pretendojmë të jetë e tillë. Po të dëshironi, mund të përmendni komitete të ngjashme hungareze, rumune etj. që ekzistojnë këtu (në Londër), ose në SHBA. Ne vetëm sa e mirëpresim si pikë grumbullimi po të rrëzohet regjimi i Hoxhës dhe Shqipëria të zhytet edhe një herë në kaos me të gjitha rreziqet që pasojnë prej kësaj për paqen ndërkombëtare”.
Teksti i mësipërm përmban fjalinë e mëposhtme: “Ju gjithashtu duhet të mohoni se formimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” paralajmëron masa aktive kundër qeverisë shqiptare nga ana jonë”. Nuk besojmë se do t’u bëhej vullnetarisht jugosllavëve ndonjë deklaratë e tillë dhe kështu duhet informuar ambasada britanike këtu.
Sugjerojmë të konsultoheni me Pikun me qëllim miratimin e të njëjtit qëndrim me Jugosllavinë, po të kërkohet. [5]
AÇESON
Thanas Mustaqi
Shënime të botuesit të origjinalit anglisht [titulli i dokumentit dhe sqarimet në kllapat katrore janë të “Investigim-it”]:
[1] Ky telegram u përsërit në drejtim [të ambasadës amerikane] të Beogradit me nr. 483.
[2] Kavendish Kenon (Cavendish W. Cannon), ambasador [i SHBA] në Jugosllavi, bëri një vizitë të shkurtër në Romë në fund të gushtit, me sa duket, për t’u konsultuar me zyrtarët e ambasadës [amerikane] atje. Telegrami me nr. 535, datë 13 shtator, i dërguar në Beograd, që nuk është botuar, tregon se Kenoni u informua për situatën në Shqipëri, teksa ndodhej në Romë. Eduard Pejxh (Edward Page Jr.) ishte këshilltar i ambasadës [amerikane] në Romë.
[3] Letra me referencë nga zëvendës-ndihmës i Sekretarit [amerikan] të Shtetit për Çështjet Evropiane Tompson Luelin [Thompson E. Llewellyn] nuk ishte e mundur të identifikohej.
[4] Sër Çarlz Pik (Sir Charles Peake), ambasadori britanik në Jugosllavi.
[5] Telegrami qarkullues, datë 26 gusht [1949] dërguar ambasadave [amerikane] në Romë, Athinë, Ankara, Stokholm, dhe Paris dhe Legatës në Vjenë, që nuk është shtypur, thoshte se krijimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” do të shpallej atë ditë në Paris. Shefat e misioneve autorizoheshin të informonin qeveritë e shtereve ku ishin të akredituar që Komiteti “Shqipëria e Lirë” ishte formuar me nismën e udhëheqësve anti-komunistë shqiptarë në mërgim, të cilët shpresonin në rivendosjen eventuale të lirisë dhe pavarësisë në Shqipëri. Shefat e misionieve autorizoheshin gjithashtu të tregonin se qeveria amerikane natyrisht ishte i interesuar për objektivat e Komitetit [“Shqipëria e Lirë”], të cilët po dilnin duket se paralelisht me ata të komiteteve kombëtare të formuar nga udhëheqësit në mërgim të vendeve të tjera të Evropës Lindore.