Nga Albert Vataj
Më 25 mars të vitit 1984 në rrethana të mbetura mister u nda nga jeta, Sandër Prosi, zëëmbli i skenës, ai që magjepsi me personalitetin dhe personazhet e tij, me mishërimin që ai u dha roleve, tipeve, karaktereve, për t’i jetësuar ato në kujtesën e përgjithmonshme.
Fundi i tij sa misterioz aq dhe tragjik
Duke ju referuar fakteve të bëra publike në media, dëshmitarëve të orëve që përcaktuan cakun e mbramë të një jete të mbushur plot me përkushtim dhe vepër kontribuese, rrekemi të ravijëzojmë ndarjen nga jeta të aktorit, Sandër Prosi.
Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, u hodh në krahët e vdekjes krejt në mënyrë të papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur.
Kur do të ishte ky momenti i duhur? Nën zë, gjithnjë është thënë se Sandër Prosi vrau veten, u hodh, si në një nga tentativat e tij, të cilën e përmbushi. E kanë thënë kolegë të afërt, të cilët nuk e kanë pranuar kurrsesi këtë gjë ta pohojnë publikisht.
Në të kaluarën vetëvrasjet nuk duheshin zënë në gojë, sikur të ishin shprehje e një individualiteti të pavarur, e një lirie personale, e vetvetiu, të rrezikshme. Në përgjithësi nuk ka pasur koment dhe shpjegime për to, thjesht nuk përmendeshin. Sot vetëvrasjet përbëjnë lajm, hollësirat si dhe pse janë të zakonshme për shtypin që ia fut kot, ngaqë i trajtojnë të vetëvrarët si krijesa që s’kanë më të drejta, që janë askush.
Rasti Sandër Prosi do të rrëfehet një ditë kur kultura jonë të ketë jetëshkrues profesionistë, biografë që të tregojnë pa stimuluar, cili ishte artisti dhe njeriu Sandër Prosi.
Në një nga vilat e vjetra në zonën e Bllokut, në galerinë e një piktori ruhet që nga 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë, fshehur pas syzeve, aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë marsi, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “Vollga”. Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje edhe dritën e atij kumtimi t’përmallshëm që puhiz nën zë përmes këtij raporti ngjyrash dhe drithijes që shquan linjat dhe përcakton profilin.
Tashmë kanë kaluar vite dhe ai portret sikur është harruar, por kujtesa e heshtjes është më e zëshme se çdo ligjërim. Ata që e ndërmendin ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto tani pakkush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…
Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekuilibri ka humbur shtratin e përhershëm dhe ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në ato momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty e mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri te hotel “Vollga” asnjëri nuk e ndjeu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.
Ç’farë u fiksua në kamera ato ditë?
Dy operatorët e filmit, Gavrosh Haxhihyseni dhe Mihal Rama ende i sjellin ndërmend ato ditë xhirimesh. Ai kishte kohë që nuk luante në një film dhe dëshirohej për një rol. Kur i ofruan rolin e një fotografi ai nuk nguroi. Vetëm se shqetësimin nuk e largonte dot nga vetja. Do mund të arrinte të krijonte një personazh që do të mbetej në mendjen e njerëzve? “Konsultohej çdo ditë për rolin e tij, megjithëse personazhi ende nuk kishte nisur të fokusohej si duhet në kamera. Ishin xhiruar vetëm planet e para të filmit. Madje në atë pjesëz filmi që ruhet ende në arkivin e Kinostudios, janë ato pamjet e pakta ku ai ecën buzë detit e monologon. Më tej kamera nuk fiksoi asgjë tjetër nga Sandër Prosi”- kujton operatori Gavrosh Haxhihyseni.
Ky ishte Sandër Prosi, ai burrë i hijshëm, ai zë dhe talent që i dha zë dhe zemër, puls dhe përjetësi, emocion dhe lotë, mallë dhe kujtesë dhjetra e dhjetra personazheve, me të cilët ai jeton, siç jeton me madhështi në suazën e emrit të tij si aktor dhe si njeri, si koleg dhe si mik, por mbi të gjitha si bashkëshort dhe si prind.
Tek ai fjala shqipe ishte më e bukur, më e ëmbël, tek ai personazhet emblematike të historisë së kombit shqiptar, rivijnë me atë shkëlqim shpërthimtar për të ngritur peshë vetëdijen tonë, për të rrokur më fuqishëm të drejtën tonë të krenarisë nacionale!
I përgjithmonshëm mbettë ndër ne ky imazh fisnik, ky zë i ëmbël, ky kumt i anshëm skenik.