Nga Albert Vataj
Me legjimitetin e gjithkohshmërisë dhe kapërthimit të çdo limiti të mundësisë së njeriut për të sunduar botën, ai është quajtur “babai i fantashkencës”. Por, kohëpaskojet, tejpërçimi i dijes dhe ç’kodimi i mistereve dhe sekreteve nga njeriu, vërtetuan se ishte shumë më shumë se aq. Ai ishte një mëndje e ndritur, një forcë e tranformimit të përfytyrimeve në fakte shkencore të pakontestueshme. Ai nuk vinte nga qielli, por gjithçka që endi me kaq pasion dhe mendjebegati, e ngriti famën e tij lart në qiell, në një shkrepëtimë shndritëse ylli. Është fjala për poetin, dramaturgun dhe romancierin e zhanrit fikshën shkencor, Jules Verne, (Zhyl Vern) (8 shkurt 1828 – 24 mars 1905). Ai ishte një ndër shkrimtarët i njohur dhe më të lexuar francez në botë.
Reputacioni i tij ishte dukshëm i ndryshëm në rajone anglishtfolëse, ku ai nuk ka qenë shumë i mirëpritur sepse është etiketuar si një shkrimtar i zhanrit fikshën ose shkrimtar për fëmijë. Megjithatë kjo nuk shterroi interesimin e gjithë shtresave dhe grupmoshave, gjë që shtyu botuesin e tij të ribotojë disa herë romanet e Jules Vern.
Grupmoshat që lexuan, ëndërruan dhe jetuan me aventurat e tij janë pa dallim. Siç ka mrekulluar të rriturit, ka megjepsur fëmijët. Mendimtarët, shkencëtarët, zbuluesit dhe studiuesit, i ka shokuar me faktet dhe përfytyrimet, saktësia e të cilave do të ishte befasuese me ballafaqimin e fakteve përmes sprovave dhe sfidave shkencore në periudhat e mëvonshme. Deri para disa kohësh ka qenë autori më i përkthyer dhe më i admiruar, por do të mbetet përgjithmonë një shembull i pashembullt i letërsisë fantashkencës. Vepra e Zhyl Vern që nga viti 1979, u rendit me të njëjtën pritshmëri dhe interesim me kolanën krijuese të Agatha Christie dhe William Shakespeare.
Shpikjet e përshkruara në shumë prej librave të tij më të famshëm tashmë janë bërë realitet dhe veprat e tij kanë frymëzuar breza të terë krijuesish e shpikesish.
Biografia Zhyl Verni lindi në qytetin e Nantes, në Francën Perendimore. Ai ndoqi hapat e babait të tij dhe filloi studimet për drejtësi në Paris, por i ndërpreu ato për të filluar karrierën e si shkrimtar. Ai filloi të bashkëpunonte me botuesin Pierre-Jules Hetzel, i cili e ndihmoi Vernin të publikonte por edhe duke e këshilluar për këshilluar për fushën e letërsisë. Jeta e tij është e mbarsyer me aventura dhe befasi, të cilat ngjizën thellë realitete imagjinative dhe zgjuan ato botë, ato larmi fantastike përfytyrimesh, të cilat kanë mbetur përgjithmonë si vlerat më të vlefta të leximit.
Pas suksesit të librave të tij, Zhyl Verni fitoi popullaritet në gjithë botën duke u shndërruar nga emrat më të lakuar. Ai u tërhoq nga jeta publike dhe bleu një shtëpi në Amien, një qytet i qetë bregdetar. Këtu ai filloi të rregullonte marrëdhëniet me disa nga anëtaret e familjes me të cilët s`kishte marrëdhënie të mira (përfshire dhe djalin e tij) si dhe u frymëzua për disa nga kryeveprat e tij. Zhyl Vern vdiq në Amien më 24 mars 1905 dhe u varros në këtë qytet.
Vepra e tij është sa interesante aq dhe bujare. Zhyl Vern ka shkruar 58 romane, por midis veprave të tij më të njohura përmenden: Aventurat e tri anglezëve dhe tri rusëve në Afrikën Jugore, Gjarpëri i detit, “Pesë javë në balonë”, “Ishulli misterioz”, Rreth botës për 80 ditë, “20 milje nën det”, “Nga Toka në Hënë”, “Udhëtim në qendër të Tokës”, “Aventurat e kapitenit Hateras”, “Fari në fund të botës”, “Sfinksi i akujve”, “Bijtë e kapitenit Grant”, “Kapiteni pesëmbëdhjetëvjeçar”, “Dy vjet pushime”, “Aventurat e çuditshme të kapiten Antiferit”, “Mateo Sandorf”, “Mikel Strog”, “Piloti i anijeve të Danubit”, “Fshati ajror”, “Ndodhitë e një kinezi”, “Rrezja e gjelbert”, “Ylli jugor”, “Doktor Oksi”, “Kështjella në Karpate”, “Përplasja e anijes Xhonatan”, “Nje qytet lundrues”, “Vullkani i artë”, “Aventura e jashtëzakonshme e ekspeditës Barsak”, “Arkipelagu në flake”, “Mësymja e detit”, “Rrëmbimi i shpikësit”, “Dramë në Livoni”, “Udhëtaret e rinj”, “Shkolla e Robinsoneve”, “Dimërim në akull”, ” 2 vite me pushime “.
Kolana e tij krijuese pushtoi me mrekullimin përfytyrues gjithë botën dhe foli me gjuhët e gjithë rruzullit për të vijuar të mbetet në shkallën më të lartë të interesimit në gjininë e fantashkencës.