Ai ishte dhe mbeti një prej atyre emrave që shkruan historinë e artit skenik shqiptar. I përulur dhe i përkushtuar ndoqi deri në fund rrugën e tij të skenës. Erdhi dhe iku pa bërë bujë, por mbeti deri në shterrimin e frymës së fundit një personalitet i rëndësishëm dhe një emër që renditet i denjë krah plejadës së aktorëve të skenës. Nuk ngau nëpër tollovitje mediatike apo jargavitje anshmërishë politike për të përfituar apo për të nxjerr së andjemi të mundshme të pamerituara. Ishte nga fillimi deri në fund i përkorë. Modestia, urtësia dhe maturia ju bë një vetvete më të cilën përfaqësohej, bashkëndante gazmime dhe cfilitje me kolegët dhe sfidantët e betejave skenike.
Sulejman Pitarka pushoi së marri frymë dhjetë vite më parë, por tisi i përjetësisë do e mbështjellë kurdoherë këtë personazh, tek i cili u mishëruan tiparet dhe veçoritë e një personaliteti të fuqishëm skenik. Prej kohësh hapat i qenë ngadalësuar, e megjithatë shkallëzat e drunjta që të shpinin drejt skenës së Teatrit Kombëtar jo rrallë e kanë ngjitur në të. Sepse mosha dhe shëndeti të rëndojnë hapin dhe të zvargin gjurmën, por pa mundur të ta zbehin diellin e ndritshëm të dëshirimit për të qenë i ledhatuar nga magjia e skenës, nga mrekullimi i ovacioneve të sallave. Ai nuk e ndali atë çapitje drejt fundit, për të dëshmuar te çdo ngulm atë shpirt fillues të betejës për të kumtuar më të mirën, më pasionuesen, më përfaqësuesen, më konkuruesën.
Nuk nguronte të ishte gjithnjë ai Sul Pitarka i dashuri dhe gojëëmbël, sa herë që duhej për t’ju uruar kolegëve të tij përvjetore lindjeje, e herë të tjera për të marrë trofe dhe vlerësime. E prej asaj skene ku hodhi mund e derdhi lot, duke ligjëruar ngadalë, me frymë që i mbahej paksa, nuk ka reshur të flasë për paprekshmërinë e skenës së teatrit. Pak kohë para se të shuhej, kur në njërën dorë mbante trofeun “Kalorësi i skenës” dhe në tjetrën bastunin që e ndihte për të hedhur hapat e për të mbajtur shpinën pak më drejtë, Sulejman Pitarka pëshpërit kushtrueshëm: “Faleminderit dhe mbajeni të pastër këtë skenë”.
Interpretimi i tij, zëri grishës s’mund të mos të të emocionojnë, duke i siguruar atij përjetësinë. Janë role në teatër e kinema që përbëjnë një muze më vete për artin shqiptar. Skenë të cilën e shkeli për të parën herë në vitin e hershëm 1951, për të mos reshtur edhe kur kish mbushur të 82 vitet e jetës, dhe “Pjata prej druri” ishte e fundit dramë që mundi t’i rrëfejë shqiptarëve. Dhe ai, plaku i mjerë e i braktisur, si “Xha Gorioi” për të cilin sytë na i ka hapur Balzaku, erdhi në Shqipërinë e pas viteve ’90-të nga Pitarka, për të rrëfyer dramën e madhe të shqiptarëve. “Pjata…” dhe roli i tij prej plaku të braktisur u shpall edhe aktori më i mirë i Festivalit të Teatrove në Dibër të Madhe në vitin 2006.
Ndësa “Apollon 2005” u gjunjëzua para tij, duke i dhënë të madhit dhe të paarritshmit Pitarka, çmimin Aktori më i mirë i festivalit. Jo pak emocione duket se e kanë përshkuar hijendritshmin Sulejman Pitarka në atë moment, e pas këtij trofeu aktori nuk ka mundur në asnjë moment të fshehë gëzimin e madh, që i ka sjellë ky çmim të cilin e ka cilësuar si më të madhin përgjatë karrierës së tij.
***
Sulejman Pitarka ishte dhe mbeti një emër i rëndësishëm në traditën krenuese të artit tonë skenik. Ai lind në Dibër në vitin 1924. Ka luajtur me sukses rreth 71 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinema. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, kur ai ishte në moshën tre vjeçare familja e tij u vendos në Durrës. Këtu kaloi fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë. Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945-1947) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951, u përzgjodh për t’iu bashkangjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë një profil premtues skenik.
Disa nga rolet e tij në teatër janë: “Prefekti”, “Toka Jonë”, “Revizori”, “Otello”, “Gratë gazmore të Uinsdorit”, “Hamleti”, “Borgjezit Fisnik”, “Arturo Ui”, “Pjata e drunjtë”. Ato në kinematografi përfaqësohen nga interpretimet "Vdekja e burrit", "Historiani dhe kameleoni", "Rrethimi i vogël", "Nata e parë e lirisë", "Në prag të lirisë", "Shtëpia jonë e përbashkët", "Goditja", "Ballë për ballë", "Gjeneral gramafoni", "Pas gjurmëve", "Gunat mbi tela", "Tinguj lufte", "Horizonte të hapura" dhe "Debatik". E gjithë kjo kolanë është dëshmi e një veprimtarie të begatë krijuese. Rolet që ju besuan, një pjesë prej të cilëve role të vogla, ai diti ti trajtonte me pasion dhe përkushtim të madh për t'i shndërruar në gurë kilometrik të rendjes së tij drejt destinacionit të joharrimit. Sulejman Pitarka, si në kinema ashtu edhe në teatër la gjurmët e tij të pashlyera. Shembulli i mjeshtrit që shkëlqeu si në rolet protagoniste ashtu edhe në ato episodike është një domethënie, se si përmes periferiokes të kërkojë vëmendje qendrore, të rrëmbejë gjithnjë aty ku ndodhet, interesimin dhe vlerësimin e merituar. Ai ishte i till dhe do të kujtohet përgjithnjë, sepse me ikjen një dekadë më parë, ai la në kujtesën e kohës, në traditën e vyer të artit skenik një figurë të madh, një emër të mirë, një detyresë për ndërmendje dhe mirënjohje.