Kam një andje me lumnue e me shenjtnue krejt ata, të cilët ngritën deri në qiell këtë përmendore të metaforës, këtë shenjtëri të predikimeve njerëzore. Tash këtë 21 mars, Ditën Ndërkombëtare të poezisë, ditën e shenjtërimit të shpirtit, poetë, vjershëtorë, krejt ju që me pëshpërimat e shpirtit, e llamburitni me drita yjësish netët e ndrydhjes dhe mëdyshjes, dëshpërimit dhe vetmisë. Ju poetë që kushtrimet e metaforave dhe shkulmeve të zashme të shpirtit, i flatruat nëpër kremte zotash që kunguat me tharmin e dëshirimit.
Poezi, më e epërmja epje marroke. Trilli i një zemre që ritmon në shpengimin idilik të një çasti pror. Frymëmerr në çdo grimcë që puhiza e ndrojtur e një rrëmbimi e hedh tej, tej në honin e jehonave ku mbrun krahët e qiellit. Shndërron gjithçka në zë zemre. Poezi, poet ti je me e njimendta që mishëron hyjnoren, në kurmin e asaj qenie të brishtë dhe mëkatare. Në këtë cak mbamendjeje, për këta shenjtor të fjalës dhe të virtytit, të qiellores tokësore, beh, me një urim dhe përunje të dlirët të zanafilluar në veten teme ma të kthjellët, më të papërlyme, ma të dlirë, në veten teme që flet me mu, atëherë kur gjithçka përreth zë dhe hesht, kur krejtçka më ka vënë përfundi e m'zatet babzishëm.
Poetët nuk janë njerëz të jashtëzakontë, jo. Ata janë secili prej nesh. Poezia gëlon në çdo shpirt. Vetë jeta është një poezi. Sa herë që rrekemi të dëgjojmë tjetërçka ngase e përmbyt ëndjen tonë kureshtare, dhe josh afrinë me dëgjimin, ne ndjejmë se diçka po ndodh brenda nesh. Zëri që na pëshpërin është ajo vetvete që ka kapërcyer pragun e është kredhur në brendinë tonë dhe ashtu e dehur nga hapësira, e etur nga drita, e dalldisur nga ngjyrat, lëshohet turraz në atë botë që struket brenda nesh, si një fëmij i ndrojtur. Lule më lule e hedh hovin, ledh më lëdh përhidhet si shkrepëtim dritë. Rend me vrap e fluturon nëpër krejt qiejt e shfrimeve poetike, për me sjell prej andej, cicërima zogjsh, shamatime resh, gufime zemëratash e lëngime të amështa të syve që u fiken në epjen eterne të përmallimit. Afshet ma gurgulluese të mishit në prekjet përfytyruese dritash të perëndishme mëton. Poet, ti njeri me Zotin përbri, fenë e shpirtit predikon, të vërtetën që përmes ngadhnimesh kacarritet për të ardh, me ty, te ti. Më delikatet ndjesi shkakton prej gjendjeve zotëruese, prej netëve që kurmi prehet në andrra me kryet vënë në gur.
Këndon krejkund muzika zë fill, në fëshfërimën hollake të gjetheve, në rrapëllimën e zemëratës së reve, në puhizën e lehtë të pendëve të një zogu, në fërgëllimin e kurmit të një pasioni, në britmën rrënqethëse të një nëne, në hapin e ndrojtur të një ikanaku nëpër terr. Ti je aty, ku të tjerët nuk të shohin, nuk të ndjejnë, s'të prekim dot, e megjithatë, ledhatare beh me fjalën tande të purpurtë, shkundullitëse je me virrmën që ngjeth, ngasëse me t'amëltat tinguj që flakëron, ti poezi. Atje ku s'ka asgjë, ai krijon, ajo lind. Bzan, ku heshtja rrënjëzon një gjëndje të amullt, të trishtë, të ndërkryme. Ma t'thuktit za, ndigju faqe kësaj toke, ia nep. Hesht me vetminë, nën qiparis, përmbi krrakamë korbash e natash që terri i ther. Frymën përgjon teksa në ty, gjimon nji za, që heshtjen vret.
Jë gjithçka në azgjënë e trajtës. Je ajri kur frymëmerr një kraharor që zbohet prej buçimave të thekshme. Je qielli i yjëzuem e hanëplotë, në rrugëtimin zemërthyem të një yryshi të ndërkryem.
Ti, poezi, je aty ku poeti është trup e shport, ku shëmbëllimi frushullon nëpër ëndje si frymë, e përpushet nëpër shtat si afsh. Në buzë të ulet, si një flutur krahëflakëruar në dëshirime të prushta, e kandesh kllapitjeve ndër dehje, që gurrojn shtërzive të gjakut.
Si mëkues i sublimes, ti poet, mëton misionarin e paepur dhe doktrinarin ngadhnjimtar. Në kujtesën e së tashmes, mbamendet dhe kremtohet, se ajo, poezia, ishte e themelta formë e komunikimit estetik dhe historik. Kësisoj zuni fill më e vetvetishmja trashëgimi, që njerzimi rrok prej kohësh të largëta. Te njeriu modern ka mbetur ajo krijesë epike, e cila beson tek fjala, tek shëmbëllimet dhe përfytyrimi, si në zërin e thellë të vetëdijes, si në arsyen e epërme të gjëndjeve, që e përkundin nevojën e tij për mrekullim, që e përfundin në ngasjen për jetësime ambozi dhe pelin.
Kur n'zemër t'poetit dhimbja ia ngjesh me tërbim, e trishtimi zashëm vikamës në kup të qiellit ia nep, poezia, asht një shpend që shkapet krahët, një vlagë që i'a lëron ma thellë plagën. Prahesh n'kushtrim, e s'ka gja çka me e paqtu këtë dhimbje prore, qi kafshon unshëm shtatin e molisun të gjendjeve të vagullta që përpushim. Lëshohesh përpara me tërbim si një përrua i ngasun prej rrebeshit, e përpara mësun tuj e dyst malin, krejtkah teposhtja t'ka hov. S'ke dit me hesht, me u përlesh s'ke nguru, tana hyjnit në ty kanë marrë izëm hyjnie dhe çdo Zot në shpirtin tand ka ba Olimpin, poet.
Ai, poeti, krejçfarë e ysht në këtë arenë përballjeje, është misioni, për të cilin ai i është përbëtuar vetvetes, amaneteve që e zgjojnë dhe e hedhin pupth në yshtje dhe kandje përjetuese. Ai në jetësimin e çasteve sublime, grimcave që bubrron realiteti, thur vargun, si përplasja e reve rrufenë, e lëshohet predikues në kërshërinë e sejcilit, si psalmet e një besimi prehistorik. Së këndejmi, ngarendur me fjalën, ai hedh farën e së bukurës, shëmbëllimit të së epërmes, përfytyrimin e të magjishmes. Krejtkjo në emër të besimit, poezisë, shenjtërimit të këtij shërbestari të dlirë të vullneteve.
Thellë lëron kurmin e njeriut, qiellit, me një psherëtimë gjithësinë e tejpërtej. I perëndishme është ai çast. Andet me ardh te unë si një predikim, e kurrnji mallkim s'të tuti. Jeton në mu dhe në krejt ata zemra, si njaj zog vetmitar që me kangë e çukitje zbon kafazin e krahnorit tënd.
Sot është një ditë e shenjtë, një kremte e mirënjohjes për të gjithë ata që duke dhënë copë nga një copë botën e tyre shpirtërore, e mbushën me dritë të tashmen e sekujt, që në dëshirimet e veta kandet me vrapu pas ngjyrave, pas kjartësisë, pas hoveve të shpirtit!
Poezia është liri dhe e vërtetë e asaj kohe, jo shumëfishimi abstrakt i ndjenjës.
Poezia asht frymëmarrja eterne që ne poetët, i napim momenteve vetanaka, gjendjeve të strukuni në lëvozhgën e gjallimeve të mefshta dhe shkelmimeve rrapëllitëse. Ne kridhna në përjetime të llojllojshme, aty ku tjetërkush nuk përgjon kurrçka që lëviz, nuk pikas gjallimin e asgjasë të tjetërllojtë. Prej grimcave të vockla të përthyerjes së dritës, ne shpuzimit shpërthime galaksish. Atje ku pikat e shiut zvargen, ne kacavjerrim njasi përjetimesh të etuna, të cilat vetëm qiellin munden me ia kumtu zjarminë. Ajo, poezia, është vetë misteri i jetës…
Ajo nuk është askun dhe gjithkund, rrok përplot pasion qenësin e saj të hyjshme, të mylmyeme nëpër shugurime të perëndishme.
Prej shkreptimave të rrufeve, dritë i nep skutave ma të thella, e prej andej e dëbon gjendjet e ndrydhuna, qeninen e burgosun në vullnetet e tua të varrueme prej vetmisë dhe frikës së netëve të gjata të pritjes, jashtë i nxjerr.
Nëpër ndërkallje të këtilla marroke, ti hovesh prej meje, poezi, depërtuese, e tejpërtejme si britma që vërret nëpër natë, si zani që flatron përmadhshëm prej kambanave, ndjeve në qytetin tem.
Shkartis frymën që era ia përzien nëpër gjethe, tuj ngec doherë nëpër ta, si gishtat e mi në flokët e tu e dashtun, të shpupurishun prej stuhive të afshit.
Andrra mëkon e nëpër andrra jetën shuguron, si t'epërmen mbrrimje që vetja ka cek me kap në çaste solemne, kur shpirti flet ma zashëm se heshtja, që me hijen tande përgjithnji i sheh me ty, poet.
Në lot e ngjyn pendën e legjendës, t'i ligjërues sqim e kumtues. Në gjak e lan eposi vargun, në teh të rrufesë e në frymëmarrjen ma të thekshme të ferrit, çapit me hapin e tij të lehtë, poet.
Nëpër ode e ditirambe, nepesh, kotesh, si fëmijë i nji epoke t'harrume, i nji miti të mbetun kyçun në gjuhën që zani nuk e gërmëzoi. E derdhesh turravrap për me e mrri me kangën e zogut, larminë e lulimit, i pari pranverën. Dimnin tuj e lan në kreshta tuj kuvendu.
Dhimbja, dhëmbët kur në mish mi ngul, britmat më zenithen, e veç teje, jo tjetërkush, prej kësaj piskame s'theret.
I përafrum në përfytyrime e emocioneve ma të thekshme, zgjon kandën e përjetimit, njat thellësi të vetvetishme që ngjizet përbrenda teje.
I beson pendëve të fjalës ma t'randin amanet të shpirtit. E kënaqesh kur këndon me erën që nëpër degë hoket, me aromën që prej kurmit turfullon njat gjendje eteri që vetëm ti mundesh me e deshifru, më pasionin tand.
Nata të pëshpërit në vesh kuvendime yjesh, e çka hana ka përgju mes pemëve dhe reve.
N'krahë kujtimesh më hedh si n'prehna përmallimesh që m'kanë zhuritun. Tek loti që tinëz prej qerpikut zbret, njom buzët që puthja ti ka kallën n'harrim.
Poezi, ti që shenjtëron shpirtrat e dlirë, ti je krejçka që kam në këtë përleshje epike me njeriun, Hy.