Për të ndërtuar kujtesën e një profili artkrijues, siç ishte Violeta Manushi, na duhet të kapim fijet inkandeshente të cilat endin këtë siluetë që rend gjithnjë në memuarin e kohërave dhe ëndjen e atyre që dëshirimi për të bukurën i lidhi si me teatrin ashtu edhe me kinemanë. Këto fije endëse të këtij personazhi kaq të njohur dhe të paharruar janë të shumtë, por le të ndalemi tek ata më shndritëset, le të përmendim këtu rolet saj në "Trishtimi i zonjës Shnajder , "Valsi i Titanikut" (1990), "Eja!" – (1987), "Telefoni i një mëngjesi" (1987), "Rrethimi i vogël", (1986), "Pallati 176" (1985), "Taulanti kërkon një motër" (1984), "Një shoqe nga fshati" (1980), "Përtej mureve të gurta" (1979), "Zemrat që nuk plaken" (1977), "Zonja nga qyteti" (1976), "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1976), "Plagë të vjetra" (1968), "Vitet e para" (1965) "Tana"(1958), etj..
Këta personazhe tani kanë udhëtuar në të gjithë vendin dhe Violeta Manushi, është bërë njësh me ta, është sinonimi i jetësimit të tyre në galerinë e artit skenik.
Nuk është e rastit, që njerëzit, fëmijtë, të rinj dhe të vjetër, sa herë shohin Violeta Manushin, e tregojnë me gisht: Ja,teta Ollga.
Kjo gjë arrihet vetëm në sajën e një mjeshtërie të thellë riktijuese. Ajo ka gjetur çelësin e zbërthimit të karakterit të gruas shqiptare, si amvisë shtëpie, si mbrojtëse të moralit dh si patriote, përmes rrugës së transformimit.
Violeta Manushi ka qënë dhe mbetet një nga veprimtaret më të shquara të shoqërisë shqiptare, që në vitet e para të themelimit të Teatrit Kombëtar dhe deri sa u nda nga jeta.. Së bashku me koleget e veta, nëpërmjet artit skenik dhe fisnik, ndihmuar në emancipimin dhe civilizimin e kësaj shoqërie dhe veçanërisht të gruas, duke qenë pjesëmarrëse aktive në transformimet shoqërore.
Violeta Manushi firmosi personalitetin e saj, duke shkelur mbi të gjitha rrugët e Shqipërisë, që tu sillte njerëzve gëzim, humor, shpirtgjerësi, prej saj buronte bukuria dhe humanizmi.
Artistja e Popullit Violeta Manushi, mbetet një nga kalorëset më fisnike të skenës, që bashkë me brezin e saj, hodhën themelet e Teatrit Kombëtar dhe vendosen bazamentin e dashurisë për teatrin tek njerëzit. Në këto themele, bashkë me teatrin, Violeta Manushi, ndërtoi edhe shtëpinë e saj. Për atë, teatri dhe shtëpia ishin një. Ajo nuk u martua, nuk bëri fëmijë, vatra e saj ishte skena dhe rolet, ishin fëmijët e saj. Këta ishin shumë, të vegjël, të rinj, të moshuar, të mençur, shakatarë e seriozë. Atyre u dha frymën e saj, shpirtin dhe mendjen, u dha karakterin kombëtar dhe popullor, veset dhe virtytet, zemërimin dhe trishtimin, prandaj, këto personazhe të krijuara prej saj, u bënë thellësisht popullore, bashkë me të. Le të përmendim këtu “Olimbinë” tek “Karnavalet e Korçës”, Nicen tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Zyhranë tek “Fytyra e dytë” dhe Ollgën tek “Zonja nga qyteti”. Violeta Manushi firmoi personalitetin e saj, duke shkelur mbi të gjitha rrugët e Shqipërisë, në klasa shkollash dhe auditore fakultetesh. Kudo, ajo ishte e mirëpritur, sepse u sillte njerëzve gëzim, humor, shpirtgjerësi. Prej saj buronte bukuria dhe humanizmi njerëzor. Janë shumë virtyte, që e bëjnë atë të pavdekshëm”.
Violeta Manushi, gruaja që sakrifikoi gjithçka për pasionin u lind në qytetin e traditave, Korçë më 6 mars 1926. Edhe pse kanë kaluar 40 vite prej ditës kur "Ollga" do të mrekullonte në komedinë e Pirro Milkanit "Zonja nga qyteti", pakkush refuzon ta shohë edhe sot pas kaq e kaq herësh që e ka parë këtë sprovë të kurajshme kinematografike. Manushi, me lojën e saj jo vetëm bëri të pavdekshme Ollgën por shndërroi Tushemishtin, vendxhirimin e këtij filmi në një vend pëlëgrinazhi për turistët dhe bujtësit në qytetin e bukur të Pogradecit. Vetëm një pasion i fuqishëm aktorial, një brendi që çel zemrën për t'i bërë vend një personazhi, mundet të prek zenitin e këtij caku. Jeta skenike e Violeta Manushit padyshim që nuk është sosur në një ngulm të vetëm atë të "Zonja nga qyteti". Jo. Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi ashtu edhe në dramë numeron nbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Kjo galeri përplotëson mozaikun e këtij personaliteti të spikatur të artit tonë skenik. Udhën e gjatë dhe bashkëjetimin me personazhet dhe karakteret e shumtë që i bëri memorie të historisë së dhe traditës skenike e mbylli me rolin e saj të fundit në tragjikomedinë e Ruzhdi Pulahes, me regji të Mihal Luarasi, “Streha e të harruarve”. Është pragu i mbramë që shënon dhe 60-vjetorin e Teatrit Kombëtar. Një jetë në këtë skenë Violeta Manushi zgjodhi ta mbylltë në një jubile, në maj 2004, tre vite para se të shuhej.
Ikona e skenës, Violeta Manushi, është ngjitur për herë të parë në skenë në vitin 1946. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe, u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit Kremlinit” (1957), ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi edhe sot e kësaj dite. Më pas, shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. Në maj të vitit 2004, u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”.
Duke qëmtuar mbi jetën dhe kalvarin e aktores mësojmë se në fëmijëri kishte një jetë aspak bujare. Familja e saj jetonte në varfëri e tejskajshme. Fëmijët u detyruan të punonin në moshë fare të njomë, për të siguruar bukën e gojës. Aktorja është shprehur se, ka qenë një fëmijë e padëshiruar, por kur u konstatua, prindërit gëzoheshin se mos do të lindte djalë, që t’i bëhej krah Llambit, djalit të vetëm. Që në moshën 14-vjeçare, ajo do të provonte mbi shpinën e njomë punën fizike fillimisht në fabrikën e këpucëve në Korçë, më pas punëtore në shtypshkronjën "PEPO". Pas largimit të familjes për në Tiranë, në shtypshkronjë “Dielli”, e cila do t’i ndriçonte rrugën drejt skenës së teatrit, ku shkriu jetën e saj. Vetë aktorja nuk u martua dhe ja çfarë thoshte për këtë gjë. “Vërtetë jeta erdhi ashtu, ndoshta fati vendosi të mos martohesha, por unë kam qenë nënë me shumë fëmijë, në skenë dhe në jetë. Gjithë kohës më ka shoqëruar dashuria e nipërve dhe mbesave, që më mbanin si ujët e pakët. Kështu jam edhe sot, si veshka mes dhjamit. Teze njëri, teze tjetri, të marrin mendjen, por edhe të mbushin me gëzim e lumturi. Jam një nënë me shumë fëmijë edhe në skenë.