Nga Albert Vataj
“Jam një nga qeniet më të vetmuar që kam njohur, dhe një nga më të trishtuarit , megjithëse duket e pabesueshme kur edhe në kulmin e gëzimit i kam sytë të trishtuar”, kjo maksimë është e endur me po të njëjtin origjinalitet dhe vërtetësi, me të cilin ai skaliti kryeveprat e letërsisë së realizmit magjik, atë kolanë përpjekjesh titanike të sprovave që do të ngulitej në nevojën e secilit nga ne për dritë, për rreze nga dielli i shpërthimit të tij. E mbrujtur me shumë trishtim, ai rreket që përmbledhtaz të mund ta sintetizojë të shkuarën, dhe këtë arrin ta bëjë me një dorë fjalësh të bashkëngjitura me fijëzat jehuese të ofshamave që e therin që nga kujtimet dhe mjegullat e largëta.
Në rininë e tij, Gabriel Garsia Markez ishte i mrekulluar veçanërisht nga historitë për vdekjen, megjithëse duket se ajo më shumë se e frikësonte atë ishte ajo, Vdekja që frikësohej për vdekje prej tij. Në kujtimet ai shkruan se si ka parë trupin e parë: një burrë i goditur për vdekje, teksa përpiqej të hynte me forcë në një shtëpi, një “pamje që do të më mbetej në kokë për vite me radhë”.
Por, Markez është një shkrimtar i munduar nga vdekja, disa thonë se ka shumë frikë prej saj. Një gjë e tillë është evidente në librat e Gabos; pothuajse të gjithë fillojnë me vdekje, apo një temë të ngjashme me të. Shmangja që Garcia Markez i bën funeraleve është legjendare, dhe vdekja e njerëzve të afërt të tij – dy vëllezër dhe e ëma vdiqën gjatë kohës që shkruante kujtimet – e prekin thellë. “Njëherë, Markez tha: Nuk është se kam frikë nga vdekja, por jam i zemëruar me të”, thotë i vëllai, Jaime.
Gustavo Tatis, gazetar në qytetin bregdetar të Kartagjenës, thotë se njëherë, shkrimtari ka shpjeguar frikën e tij nga vdekja në një intervistë. “Problemi me vdekjen është se ajo zgjat përgjithnjë”, kish thënë.
Në krijimtarinë e Gabriel Garsia Markez janë shkrirë, kanë marrë trupëzim sentimentesh dhe rrëfimtarie, janë jetësuar dhe qarkullojnë në gjakun e kumtit krijues. Përsosmëritë dhe ngarthimet e befta, trandtjet dhe e huajtura nga mitologjitë, bestytnitë, legjendat dhe të vërtetat ngjethëse të realitetit të vendeve të Amerikes Latine, kanë udhëtuar përmes fjalës dhe ligjërimit të tij si më denja përfaqësi e Realizmit Magjik. Vetmia dhe pasioni njerëzor janë kolona vertebrale e kësaj kërshërie larushitëse rrëfimtarie dhe mëtimi. Ai gjithnjë ka befasuar mes ardhjeve krijuese, ka qenë origjinal dhe i pakrahasueshëm. Gjithëpoaq ishte dhe mbeti një penë që ëndja për lexim gjente tek ai gjithnje një kërshëri dhe etje për ta shijuar me fund.
Jeta e mbretit magjik
Gabriel García Márquez (Gabriel Garsia Markez) i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.
Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.Ne 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitétin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.Megjithë pasionin e madh për librat Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit libéral Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.
Ne 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.Më 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët.
Në nëntor 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.
Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanezëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes (përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Aktualisht Gabriel García Márquez jeton në Mexico Disctricto Federal në Meksikë, ku shkruan autobiografinë e vet dhe lufton kancerin limfatik. Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerës, Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tij, Erendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc.
Pena e pashoqe e realizmit magjik
Mrekullitë e pendës së tij janë përkthyer në gjithë gjuhët e botës dhe është vlëresuar mjaft nga kritika boteror. Në vitin 1982 është vlërësuar me çmimin Nobel. Në krijimtarinë e Markezit janë shkrirë, kanë marrë trupëzim sentimentesh dhe mrrëfimtarie, janë jetësuar dhe qarkullojnë në gjakun e kumtit të tij krijues, përsosmëritë dhe ngarthimet e befta dhe trandëse të përsosur mitologjitë, bestytnitë me realitetin e vendeve te Amerikes Latine, duke e bërë atë një nga përfaqësuesit kryesor të Realizmit Magjik. Vetmia dhe pasioni njerezor janë kolona vertebrale e kësaj kërshërie larushitëse rrëfimtarie dhe mëtimi.
Jeta me vetminë dhe vdekjen
Loja e tij me vetminë duket se nuk do të jetë më një ngasje për të hyjnizuar privatësinë, për të medituar, për të ndarë botën nga vetja, për të ndërsyer të tjera ngasje në botën e letrave. Gabriel Garsia Markez ka kyçur gjithçka të tijën nga përreth, nga miqt dhe të afërmit, nga ngulme dhe dufe të fjetuna që e kanë yshtur herë mbas here për të riardhur në kolanën e tij të veprave më një tjetër titull. Në fjalimin e shkurtër që mbajti kur i dorëzuan çmimin prestigjioz “Rómulo Gallego”, për veprën e tij “Njëqind vjet vetmi”, Gabriel García Márquez tha se “gjithnjë kishte besuar se shkrimtarët nuk janë në këtë botë për të marrë çmime…”, dhe se “çdo çmim është një rrezik për ta”. Por në të vërtetë kur ai botoi historinë magjike të Macondo, çdo gjë u kthye për të në një dënim, dhe ai gjithnjë e më shumë filloi të fliste për vetmi të tmerrshme; dhe kjo ishte vetmia e suksesit të cilën ai e përshkruan :”e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një njeriu që nuk ka ndjeshmëri për suksesin në letërsi, dhe për më shumë kur ai jeton në një kontinent të pamësuar me suksesin , është të botojë një roman që shitet si salçiçet . Ky është rasti im. Unë nuk kam dashur kurrë të shndërrohem në një spektakël , urrej televizionin, kongreset e letërsisë, konferencat dhe jetën intelektuale”.