Gjithçka nisi aty në Prekaz 19 vite më parë. Ishte qëndresa që u shndërrua në një ngritje krye, rrokje armësh në një prej dalzotjeve që ka gjakuar dhe gufuar në çdo vullnet lirie në shekuj të shekujve. Prej aty merr shkas gjithçka që pasoi deri në mëvetësinë e Kosovës dhe shtetkrijimin e saj. Ajo shkrëndi therori ndezi çdo zemër e hovi çdo forcë. Ai burrë, ajo kullë, ajo qëndresë, ai vetëmohim, shkroi faqen e amaneteve të historisë së tokës dardane. Një familje u shua pothuajse krejt, por Prekazi, Kosova dhe krejt shqiptaria lindën ne këtë shkulm ëndrrën e bashkimi.
Kronologjia e ngjarjes
Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë.
Ata filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotsjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.
Organizata "Amnesty International", në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Nga ana tjetër televizioni serb "B-92" lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. Dhe disa anëtarë të familjes Jashari ende jetojnë.
Vlerësimin nga Nishani
“Arkitekt dhe komandant i lëvizjes mbarëpopullore për çlirimin e Kosovës, i cili me shembullin e tij, deri në flijim, frymëzoi përpjekjet për liri e pavarësi të një populli të tërë”, ky është motivacioni me të cilin Presidenti Bujar Nishani nderoi "Komandantin Legjendar" Adem Jashari me Urdhrin e Flamurit Kombëtar më 2013.
“Sakrifica e Komandant Adem Jasharit, sakrifica e familjarëve të tij, por dhe e qindra çlirimtarëve të Kosovës, dhe e popullit të Kosovës, është sot simboli i qëndresës në mbrojtje të trojeve të tyre ndaj spastrimit etnik. Sakrifica sublime, përkushtimi i Adem Jasharit dhe i të gjithë shqiptarëve të Kosovës është sot simboli i qëndresës ndaj agresionit dhe gjenocidit, është sot simboli i asaj çka popujt në të gjithë botën, në tërë historinë e tyre kanë luftuar për ta fituar, lirisë”, u shpreh Presidenti Nishani.
“Me këtë urdhër, nderohen të gjithë ata, të cilët në ditët më të vështira, të rrugëtimit të Kosovës bënë hapa gjigantë për të arritur në atë që është më sublime, liria e vendit. Të gjithë luftëtarët duke përfshirë dhe Adem Jasharin, luftëtarët e familjes Jashari dhe luftëtarët e lirisë u frymëzuan nga shteti shqiptar, prandaj askush më mirë sesa shteti shqiptar nuk mund t’i nderojë ata”, u shpreh nipi i Komandantit Adem Jashari.
Kush ishte Adem Jashari?
Adem Jashari lindi në rajonin e Prekazit të Drenicës në Kosovë, më 28 nëntor 1955. Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së.
Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikat në historinë e luftërave. Ai mban titullin "Komandanti Legjendar i UÇK-së". Titullin "Hero i Kosovës" u dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës.
Në vitin 1991,Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri për t'u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup kryengritës të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-quonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve e tij kundër Forcave Federale ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Jasharajt me shokët, thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe të policisë. Adem Jashari në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale më 22 janar të vitit 1998, por me trimërinë e tij e përballoi sulmin me sukses.
Adem Jashari dhe familja e tij që mbeten theror e shndërrimeve të mëdha historike për Kosovën dhe shqiptarinë, është shembulli më sinjifikativ i asaj përpjekje qëndrese, e cila përshpejtoi atë që do të njihet lufta për pavarësinë e Kosovës, i dha zemër atij kushtrimi liri, zgjoi nga gjithë bota ato hove vetmohuese dhe u mblodhën të gjithë për t'i bërë ballë një makinerie të përbinshme, të etur për gjak, asaj që inicohej nga diktatori i fundit, Slllobodan Millosheviç. Ishte kjo qëndresë, ishte shpërthimi i këtij zjarri lirie ajo që i bëri shqiptarët me miq të fuqishëm dhe një zë i zëshëm në veshët e shurdhër të Evropës plakë dhe intrigave që thureshin në dëm të interesave legjitime për liri dhe pavarësi të kosovarëve. I përgjithmonshëm qoftë kujtimi yt Adem Jashari, e paharruar qoftë ndër breza kjo vepër, detyruese qoftë për të gjithë kjo mirënjohje.