Më shumë se një mënyrë të sfiduari dijen e mbartur të kohërave, të vërtetës supreme të skalitur në librin e librave, Biblën, njeriu e hedh veten vijimisht në hapësira të panjohura sfidash për të dëshmuar një rivlerësim të kapaciteteve të tij, dhe e bën këtë sapo në orbitën e shtjellës iluminuese vijnë fakte dhe argumente, ose fabrikohen qëllimsisht, shkakësi lëkundjesh sizmike. Një prej këtyre qasjeve ishte e kahershmja dilemë: A ka qenë i martuar Jezu Krishti me Maria Magdalenën?
Një dorëshkrim i pretenduar se është të paktën 1,450 vjet i vjetër, që Vatikani e ka cilësuar si një falsifikim, i cili bëri xhiron e vet të potershme katër vite më parë dhe tronditi jo pak themelet e të vërtetave biblike dhe gjithë atë strukturë qindravjeçare, nën hijen e madhështisë së të cilës krishterimi shkëlqen dhe dominon. Ky dokument, pretendohet së është shkruar në gjuhën antike siriane dhe flet për jetën sociale, familjare dhe politike të Krishtit, të ashtuajturin Biri i Zotit. Edhe pse herë pas herë janë zbuluar ungjij të humbur, asnjëri prej tyre nuk ka bërë bujë kaq të madhe në mesin e dijetarëve, sikur ky për të cilin e kemi fjalën.
Ky dorëshkrim antik pretendon në mënyrë sensacionale, (dhe sensacionet sot janë një mënyrë të jetuari dhe të bëri para), se Krishti ishte martuar me Maria Magdalena, madje ata së bashku kishin edhe fëmijë. Ekzistojnë dëshmi të shkruara që e sugjerojnë këtë. Për më tepër, dorëshkrimi e quan Josephin, sikur edhe Krishtin, djalë të Zotit. Duke pritur që të rizbulohet në Bibliotekën britanike, është një dorëshkrim antik i Kishës së hershme, të kopjuar nga një murg anonimm.
Pyetjet e kahershme dhe dilemat e kanë bashkëshoqëruar njeriun përgjatë gjithë udhës së tij në nevojën për një mirëkuptim me mësimet dhe predikimet e shenjta dhe paqen shpirtërore që garantohet prej tyre.
Një prej këtyre pyetjeve është: A ka qenë i martuar Jezu Krishti me Maria Magdalenën dhe nga martesa me të pati edhe dy fëmijë? Sigurisht që kjo mund t’iu duket një histori sensacioni, nga ato të cilat gjenden vetëm në faqet e letërsisë “fiction” dhe në atë shtysë të vetëdijes së njeriut, i cili në hovet për të tejkaluar kuotën e gjithëpranuar të dijes, kryesisht asaj biblike, ai kërkon nga vetja më shumë se mosbindjen, vendosjen e të tjerë kufinjë të së vërtetës supreme.
Në fakt, romani “bestseller” i autorit Dan Brown, “Kodi i Da Vinçit” pikërisht këtu është mbështetur: një lidhje e fshehtë, që buron nga bashkimi i Jezusit me Marian, dhe që ka pasur trashëgimtarë.
Por, tashmë një libër i ri, i titulluar “Ungjilli i humbur”, tregon dorëshkrimin që flet për martesën e Jezusit me Marian dhe dy djemtë që patën nga martesa e tyre. Ky dorëshkrim daton në vitin 570 pas Krishtit dhe është i shkruar në gjuhën siriane; një gjuhë e Lindjes së Mesme e përdorur mes shekujve 4-8 dhe që ngjason me gjuhën Aramaike, gjuhë e folur nga Jezusi.
I shkruar në një lëkurë të përpunuar e të lëmuar kafshësh, ky dorëshkrim ka qenë në arkivat e Librarisë britanike për rreth 20 vite, vend në të cilin ruhej pasi Muzeu në Londër e kishte blerë atë në vitin 1847 nga një agjent shitjesh. Ky i fundit pohonte se e kishte marrë dorëshkrimin nga Manastiri i Lashtë i St Macariusit në Egjipt.
Gjatë 160 viteve të shkuara, dokumenti është studiuar nga shumë dijetarë, por është konsideruar jo interesant. Por kohët e fundit, Simcha Jakobovic, një regjisor filmash izraelito-kanadez, dhe Barrie Wilson, një profesor i studimeve fetare në Toronto, iu rikthyen sërish këtij dokumenti.
Pas gjashtë viteve studim, ata janë të bindur se kanë zbuluar edhe një ungjill të pestë të munguar, që i shtohet katër ungjijve të tjerë, i cili tregon historinë e Krishtit, histori e cila thuhet se është shkruar nga evangjelistët Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, në shekullin e I-rë pas Krishtit.
Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të ishte padyshim zbulimi më madhor rreth jetës së Jezu Krishtit gjatë 2000 viteve. Jakobovic pretendon se dorëshkrimi, i cili është 29 kapituj i gjatë, është një kopje e krijuar në shekullin e VI dhe që hedh dritë mbi shumë gjëra.
Në botë, nëpër shekuj ka pasur zbulime të shumëllojshme për ungjijt “e rinj”, ku është folur për një marrëdhënie romantike mes Jezusit dhe Maria Magdalenës. Madje, rreth kësaj teme janë shkruar një sërë librash dhe janë prodhuar një sërë filmash. Në vitet ’50 u botua libri “Tundimi i fundit i Krishtit”, i cili tregonte për martesën. Libri u kthye në film me të njëjtin titull nga Martin Scorsese në 1988-n.
Një copë papirusi nga shekulli i katërt duhet të jetë dëshmi se Jezu Krishti ka qenë i martuar. Shumica e ekspertëve dyshojnë për vërtetësinë e dokumentit. I biri i Zotit nuk duhet të ketë jetuar aq dlirshëm, sa t’u përshtatet konceptit të atyre, që morën shekuj më vonë besimin e krishterë. Jezusi i Nazaretit ka qenë burrë i martuar. E shoqja e tij mendohet të ketë qenë e përdala Maria Magdalena.
Por çfarë ndodh, kur një studiuese e një universiteti me emër si Universiteti Humbold prezanton një fletë të madhe sa një kartvizitë të një papirusi të shekullit të 4-të, në të cilën është shkruar në shkrimin koptik: “Jezusi i thotë asaj: Gruaja ime…”?
Vërtetësia e këtij fragmenti është kontrolluar nga ekspertët, këtë e pretendon të paktën historiania amerikane e historisë së fesë, Karen L. King. Për gazetarët ajo thotë se kjo nuk është një dëshmi e qartë, se Jezusi ka qenë i martuar. Por gazetat titullojnë artikujt me pyetjen: “Ka qenë Krishti i martuar?” Me këtë pyetje tani është duke u marrë publiku.
Historia mund të ketë qenë krejt ndryshe: Në vitin 1982 pas Krishtit, dikush ka ngjitur gërma koptike në papyrus me përpjekjen për ta bërë atë që të duket sa më e vërtetë. Ky është versioni i historisë, për të cilin dyshon koptologu i Universitetit të Mynsterit, Christian Askeland. “Made in Germany” është titulli, që do duhet t`i vihej kësaj historie, thotë ai duke nënqeshur. Ose më mirë “Made in Berlin”.
Pra fragmenti i shfaqur tani është vetëm një fallsifikim? “Disa gjëra janë shumë zbavitëse”, thotë studiuesi amerikano- norvegjez. “Duket sikur dikush përpiqet sot, që të kopjojë gërma koptike nga një libër. Në shkrimet antike ekzistojnë ose tekste shumë të stilizuara me gërma të shkruara bukur, ose tekste dokumentareske, në të cilat gërmat nuk janë shumë të bukura. Por në mënyrën, si janë shkruar gërmat, mund të njihet stili individual i shkruesit.” Dhe kjo ndodh edhe në këtë rast. Përveç kësaj në mënyrën e derdhjes së bojës në papirus, apo në konsistencën e bojës dallohet, që nuk kemi të bëjmë me shkrime antike.
Dyshime nuk ka vetëm Christian Askeland. Në një kongres ndërkombëtar për studimet koptologjike të mbajtur javën e kaluar në Romë, historiania e historisë së fesë prezantoi zbulimet e saj dhe gati të gjithë pjesëmarrësit vunë në pikëpyetje vërtetësinë e copës së papirusit. Por dëshmia e vërtetë, nëse kemi të bëjmë me një fragment autentik të shekullit të 4 apo me një fallsifikim mund të jepet vetëm pas një analize, për shembull analize kimike.
Përgjigjja e Biblës
Bibla e bën të qartë se Jezui nuk ishte i martuar, edhe pse nuk flet në mënyrë specifike për statusin e tij martesor. * Shqyrto sa vijon:
Bibla flet shpesh për familjen e Jezuit, si dhe për gratë që e shoqëruan gjatë shërbimit e që qëndruan pranë tij kur u ekzekutua, por asnjëherë nuk thotë se ka pasur një grua. (Mateu 12:46, 47; Marku 3:31, 32; 15:40; Luka 8:2, 3, 19, 20; Gjoni 19:25) Arsyeja më bindëse pse Bibla nuk flet për këtë çështje është se nuk ka qenë kurrë i martuar.
Për ata që qëndrojnë të pamartuar për të bërë më shumë në shërbim të Perëndisë, Jezui u tha dishepujve: «Kush mund ta pranojë këtë [beqarinë], le ta pranojë.» (Mateu 19:10-12) Ai la modelin për ata që zgjedhin të mos martohen që t’i kushtohen më plotësisht Perëndisë.—Gjoni 13:15; 1 Korintasve 7:32-38.
Pak para se të vdiste, Jezui u sigurua që të kujdeseshin për të ëmën. (Gjoni 19:25-27) Nëse Jezui do të kishte qenë i martuar ose do të kishte pasur fëmijë, do të sigurohej që e njëjta vëmendje t’u tregohej edhe këtyre të afërmve kaq të ngushtë.
Bibla flet për Jezuin si shembull për burrat, por jo se ishte një burrë i martuar që e trajtonte gruan në mënyrë shembullore. Në vend të kësaj, thotë: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efesianëve 5:25) Nëse Jezui do të kishte qenë vërtet i martuar kur ishte në tokë, a nuk do të ishte përdorur në atë varg shembulli i tij i përsosur si bashkëshort i mirëfilltë?