Thuhet se fjala e shkrimtarit i ka rrënjët thellë në sinqeritetin e tij, tek ajo lule me ngjyra të gjalla dhe delikate që ngandonjëherë lind dhe lulëzon edhe në shkrtëtirat më të thata.
Unë që po shkruaj këto radhë, mendoj se shkrimtari, njeriu që ka për profesion të shkruarit, është një kafshë llupëse pejsazhesh dhe stolisjesh, një qenie e babëzitur grykëmadhe që sngopet së përlari gjeografi njerëzore: qytetare, fshatare, detare. Secilën nga këto në kohën e duhur.
Shkrimtari – edhe ky shkrimtar që në këto momente është duke shkruar pikërisht këto rreshta – beson, gjer tani, se krijuesi – militanti i kësaj disipline (e trëndafiltë apo e hekurt, varet nga letra që paraqet), dmth i të shkruarit , kudo që të lindë, i mëson artet e veta gjatë adoleshencës; triumfon dhe bëhet njeri në qytetin e madh; pi në popull likerin tretës – po edhe të hidhur -, likerin e jetës; pastron shpirtin e vet – deri edhe stilin e vet – në kontakt me hapsira të pamata, dhe punon, në qoftë se do të punojë, e qëndron në vetmi, në vetminë e gëzuar e nganjëherë të ashpër të provincës, në brigjet e detit, buzë livadheve apo në këmbët e një mali të lartë e të mbështjellë me re. Nga që sdi të lëvizë në kohën e duhur (dhe do të ishte mizori e kotë të japësh përcaktim më të saktë), shkrimtarin – këtë, atë, apo tjetrin më tej -, nganjëherë, e gëlltit qyteti, po ai qytet i cili e pa të triumfojë dhe që e ngriti lart, siç ngrenë një mbasdite mbi supet dhe kokat e tyre turmat popullore një torero. Sepse – të mos gënjehemi shkrimtari është vërtet një pjesë e qytetit, veç (dhe kjo është një nga anët më delikate të tij) nuk është pjesa themelore, por pjesë plotësuese dhe, për çdo rast, e ndryshueshme. Në të vërtetë, në stivën e ndërlikuar të aktorëve dhe faktorëve, të veprimeve dhe kundërveprimeve, të prove dhe kundrave, të virtyteve dhe veseve, të konfuzioneve dhe simulimeve, me të cilat është i mbushur qyteti i madh, gjithçka – dhe është e qartë se në atë gjithçka hyn edhe shkrimtari, edhe pse është gjë aq e paktë mund të jetë kalimtare dhe e shkëmbyeshme dhe vetëm qyteti është i përhershmi.
Për shkrimtarin, qyteti është plot rreziqe dhe vetëm deklarimi i tyre do të ishte sa i stërzgjatur aq edhe i bezdisshëm. Grupimet e shkrimtarëve e ndihmojnë atë, por edhe i prishin punë. Politika i jep zjarr, por edhe e bën shterp. Jeta shoqërore e kënaq, por edhe e bën ti vijë krupë. Konkurrimi e nxit, por edhe e ndal në vend. Vetëm prirja, kjo dhunti e perëndive – vetëm ato ia japin apo nuk ia japin -, dhe përkushtimi i plotë e i vërtetë, në qoftë se do të dijë ta ruaj, e bëjnë të denjë dhe e gjallërojnë. Dhe, mbi të gjitha, e lehtësojnë prej vajit vetmitar që shkakëton profesioni i të krijuarit. Shkrimtari, pavarësisht Aristotelit, nuk është një qenie e shoqërisë letrare, por një ilaç i rrallë për vetminë.
Shkrimtari duke mos ditur të sillet ndryshe, në rastin më pak të keq, historia e tij shpesh paraqitet e stërpikur nga marrëzitë – duke jetuar në qytet harron se nuk duhet të shkojë i tërhequr nga politika, si vazhda pas anijes, por duhet ti paraprijë historisë në rrugën e saj, në rolin kapitenit të shquar dhe heroik për tu treguar rrugën.
Shkrimtari që shkëlqen në sallone është i gllabëruar, as për mirë as për keq, nga armiku i tij i natyrshëm: shoqëria e mirë. Askush nuk duhet të harrojë se tashmë nuk jemi në kohën e pushtuar nga kalorësit, as në shekullin e njerëzishëm dhe të hijshëm të Iluminizmit, as në periudhën e dhunshme dhe të idealizuar të romantizmit.
Shkrimtari që lëviz nga impulset e konkurrencës me bashkëkohësit e tij, shpejt ndalet papritur sepse bashkëmoshatarët e tij, vetëm pse janë të tillë, akoma nuk janë klasifikuar e as qartësuar. Prirja është frutë që lidh kokërr vetëm në vetmi, në vetminë e gëzuar, shoqëria e të trishtuarve, gjë që na i ka thënë i vetmuari, po edhe i potershmi Migel de Servantes. Dhe shkrimtari bën të pamundurën që të ndihet shkrimtar. Ai, me mundim të madh, do të shtrydhë vetëdijen e vet prej shkrimtari – e vetmja gjë që joshkrimtarët se kanë bërë dot – dhe, po qe nevoja, në prag të pjekurisë, do të kthehet tek ajo vetmi e shenjtë që adoleshenca ia ruajti të paprekur edhe në mes të rrëmujës.
Për të dhimbshmin Gustavo Adolfo, vetmia është perandoria e vetëdijes. Dhe vetëdija ky superioritet mbahet vetëm duke mos e lënë të infektohet. Një shkrimtar pa vetëdije është si një kafshë e egër pa sy, një lloj qenieje që nuk preferon të ruaj kujtesën. Epërsia e shkrimtarit dogmë shoqërore që e proklamojmë për të qenë e sigurt, duhet të strehohet tek vetmija. Në fshat, në mal, në det…, me të gjitha të metat e veta.
Përktheu Bajram Karabolli
Discussion about this post