Ajo është një histori e denjë për një legjendë. Çdo tragjedi dashurie gjithnjë ushqen pikëllim dhe zemërthyerje. Koha nuk i'a ka privuar njeriut që të ushqehet me gjithë forcën e pasionit prej zjarrit të këtij ndalimi që nga zëfillja e mosbindjes biblike të Evës dhe Adamit e në pambarimsi . Historia që rri e kyçur në "Varrin e Ashikut" është një histori që ngjeth, një e vërtet që kumbon si jehonë në besimin e kohërave që ngop ëndjen tonë për t'u përkundur në prehrin e këtij tragjizmi. Të gjithë mund të ishim pjesë e kësaj tragjedie, sepse zemra gjithnjë priret të na ushqejë me dashuri të ndaluara, me dashuri fatkeqe, me dashuri që shuhen prej zjarrit që i djeg.
Mes Tiranës dhe Durrësit një varr gojëkyçur rreket të dëshmojë ndodhinë, e cila u shndërrua në një emblemat e historive të dashurisë. Jo e vetme, ajo ka rrëmbyer vijimsisht interesimin e kureshtarëve për të mësuar të vërtetën, me shumë "të vërtetash" që janë jetësuar në tregime, gojëdhëna dhe roman. Historitë e dashurisë që përfundojnë tragjikisht si ajo mes Bardhës dhe Fatbardhit, është një ngjarje, e cila ka udhëtuar deri në ditët tona përmes rrëfenjash dhe tregimtarish të ndryshme. Të gjitha këto qasje përshkruese dhe përshkuese të kësaj historie, orvaten të devijojnë në periferinë e ngjarjes përmes retorikës dhe pathosit që mishëron gojtaria, por që të gjitha në momentin thelbësor të ngjarjes, konvergojnë në një pikë. Edhe personazhet janë realë dhe nuk rrjedhin në zgjatimin që ka pësuar ngritja në monument e kësaj ngjarje që mban të groposur në një varr këtë histori. Gjithsesi për ta përshkuar këtë udhëtim tragjik, cekim se çfarë kanë thënë dhe shkruar, si e kujtojnë dhe si e risjellin përmes rrëfimeve dhe tregimit shumë autorë këtë histori dashuri. A.V
Nga albanologu gjerman Hahn, tek romantiku Simon Shuteriqi
Në vitet 1850-1860, albanologu i shquar gjerman Johan von Hahn ndërmori disa udhëtime nëpër trevat shqiptare. Në udhëtimin e dytë që bëri në vitin 1863 Hahni udhëtoi më shumë në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Veriut. Duke udhëtuar nga Durrësi për në Tiranë, midis të tjerash shkruan: “Ne iu afruam gjithnjë e më tepër malit të pjerrët shkëmbor, në krye të të cilit ndodhej një kështjellë e vjetër. Ky mal u shpalos para syve tanë që kur hymë në luginën e ngushtë dhe sapo filloi të bjerë muzgu. Pak para shtëpive të para të Ndërrenjës (Ndroqit–M.D.), ne mbërritëm te një varr turk, i rrethuar nga pemë të larta, që ndodhej në të djathtë të rrugës dhe që mbante emrin poetik “Varri i Ashikut”. Këtu, sipas legjendës, është varrosur një djalë i ri së bashku me të dashurën e tij, të cilën e kishte grabitur, mbasi ajo rridhte nga një fis me të cilin ai ishte në armiqësi. I ndjekur dhe i rrethuar, duke parë që nuk kishte asnjë rrugëdalje, ai vrau më parë vajzën dhe mandej veten. Kur u afruan ndjekësit, djali rronte akoma dhe iu lut atyre që t’i varrosnin të dy së bashku me vajzën, në të njëjtin varr. Kërkesa e tij u plotësua. Ne do të kishim pasur dëshirë të mësonim hollësira të tjera lidhur me kohën e kësaj ngjarjeje, emrat e dashnorëve dhe të fiseve të tyre, mirëpo jehona e kësaj ndodhie ishte shuar me kohë. Ndaj për pyetjet e bëra lidhur me të unë mora këtë përgjigje: “më tepër se kaq nuk na është treguar nga ana e baballarëve tanë, për këtë arsye, as ata nuk duhet të kenë ditur më tepër.”
Shumë vite më vonë, aty nga viti 1911, babai i të mirënjohurit Dhimitër Shuteriqi, romantiku Simon Shuteriqi, i frymëzuar nga kjo histori e rrallë, do të botonte një “romancë të bukur”, siç thoshte vetë, me titullin “Vorri i Ashikut”. Ja se si e nis rrëfimin i nderuari Shuteriqi i Parë: “Ku kemi për të pushuem?”, pyesin të lodhun e të kapitun udhëtarët që shkojnë prej Tirane në Durrës, a prej Durrësi në Tiranë. Ke “Vorri i Ashikut”, përgjigjen menjiherë kalorët. E me të vërtetë, kësaj udhe që thamë, ndodhet prej kohësh, në hijen e nji rrapi shumë të vjetër, nji vorr i madh, që thohet “Vorri i Ashikut”. Vendi, aty përqark, asht që ta ketë anda shpirti, gjithë bar të njomë. Nga len ka nji han, nga perendon nji teqe, nga anë e veriut ara që s’kanë të mbaruem e nga an’e jugës udhën…E ç’vend asht ky pra, që rrinë e shplodhen e marrin frymë njerëzit nji copë herë, e si do të ketë qenë puna e këtij vorri të gjatë këtu?” Dhe pastaj, faqe pas faqesh, nis e shpalos historinë e legjendës me të njëjtin emër që rrëfehet prej dhjetëra e dhjetëra brezash në zonën e Ndroqit.
Janë dy të rinj, të cilët qysh në fëmijëri u lidhën me shpirt njëri me tjetrin. Vajza quhej Bukurie dhe ishte bija e Selman Agës, një burrë i pasur dhe i njohur në krahinë, ndërsa djali, Faqebardhi, nga një familje e varfër në fshatin Bozanxhije, i pashëm dhe që njihej për trimëri. Janë shumë interesante, sidomos detajet që jep autori për marrëdhëniet midis tyre: dita kur djali e shpëton vajzën nga vdekja e sigurt në valët e rrëmbyera të Erzenit, takimet e mëpastajme të tyre natën me hënë nëpër kopshtijet e fshatit, apo buzë lumit. Por kjo dashuri e sinqertë do të fikej një ditë tragjikisht. Selman Aga nuk pranoi që vajza e tij të lidhte jetën me Faqebardhin. I rënë në këtë dëshpërim, djali shigjeton mbi trupin e vajzës në ditën e martesës së saj me një tjetër dhe më pas mbi veten e tij, duke mbetur të dy të vdekur dhe më pas të varrosur, pikërisht në vendin që edhe sot mban emrin “Varri i Ashikut”…
***
Rrëfime të tjera për “Varrin e Ashikut”
Historiani Kristo Frashërit thotë se për historinë e Varrit të Ashikut ka shkruar një tregim në greqisht edhe një qytetar tiranas nga bashkësia ortodokse, i quajtur Naum P. Voilla, të cilin e ka botuar në vitin 1885 me titull “Varri i Ashikëve. Tregim i një historie tipike shqiptare”. “Varri i Dashnorëve, – shkruan ai, – ndodhet në rrugën që të shpie nga Durrësi në Tiranë. Është një shesh i vogël i gjelbëruar; në mes të tij ndodhet një lapidar varri mbi të cilin lëshon hije një rrap madhështor. Pranë varrit ndodhet nga lindja një han përdhes, nga perëndimi një teqe bektashiane, nga veriu një fushë e gjerë, kurse nga jugu rruga publike“. Për të mësuar më hollësisht ngjarjen, tregon Kristo Frashëri, ai qëndroi disa ditë në fshatrat rreth e rrotull dhe pasuroi historinë e dashnorëve me doket e zakonet e banorëve të kësaj treve.
E ndjera Fatime Shabanagaj (Dardha), ose hallë Timja, siç e thërrisnim, pasi ajo ishte kushërirë e gjyshit tonë, e cila ishte martuar në fisin e njohur të Çelmetajve të Pezës së Madhe, ka vdekur më se 25 vjet më parë, në moshën 93 vjeçare. Nga kujtesa e saj vërtetë fenomenale, historia e “Varrit të Ashikut” vinte me një përshkrim të tillë. “Kam pas qenë e vogël, kur baba na tregonte historinë e “Vorrit të Ashikut”. Kur shkonim për te dajat në fshatin Çizmeli, do të kalonim afër me këtë vend. Shpesh bënim një pushim nën hijet e rrapit. Aty baba na kallxonte historinë e dhimshme. Në Lagjen e Pazarit të Nroqit ishte një gocë si yll, që quhesh Bukurie. Ishte e bija e Selman agës. Ajo kishte ra në sevda me nji djalë fort të hijshëm, por i vorfën, Faqebardhin. Thonë se ka qenë nga Bozanxhijasi (fshat i Durrësit që kufizohet me Ndroqin). Të dy të rinjtë u dojshin me zemër dhe i kishin dhanë besën njani-tjetrit se mund t’i ndante vetëm vdekja. Dhe kshu ngjau vërtetë. Kur agai mori vesh lidhjen e gocës së vet më Faqebardhin, e fejoi të shkretën larg, në nji derë të pasun në nahinë e Shijakut. Pas ksaj, me ngut preu ditën e martesës dhe bani dasmën. Taman në kte ditë, mu aty ku ashtë vorri, Bardhi zuni pusi. Thonë që aty ka pas shumë pemë dhe nji krua me ujë të ftoftë akull. Krushqit do të kalojshin se s’ban aty, sepse ishte vendi ku u merrte kthesa për të kalu në vaun ma të gjanë e ma të cekët të Erzenit, Vau i Çizmelive. Krushqit dhe nusja me duvak banë nji pushim të shkurtën për me u fresku ca me ujin e kroit. Por gzimi u kthy shpejt në mort. Faqebardhi, që priste i fshehun mes pemëve, doli dhe shtjeu mu në zemrën e gocës së vorfën, e cila u kput si nji mollë e bukur dhe ra përdhe. Të gjithë sa qenë aty ngrinë në vend. Pastaj djali iu avit Bukuries, që po jepte shpirtë dhe, pasi i mylli sytë, shtjeu mu në zemrën e tij. I pari krushqve shpejt kishte marrë nji vendim: Të dy ashikët t’i varrosnin bashkë në nji vorr, aty ku kishin dhanë shpirtë. Me lot e dhimje të dy të rinjtë i mbulun në një vorr. Ma vonë, vorri u rregullu me gurë të mdhenj dhe dikush, aty afër mbolli nji çinor (rrap) të butë. Çinori u rrit dhe me degët e tij bani nji hije që tërhiqte udhëtarët që kalojshin aty pari…”.
*****
Ringritja e tempullit, vend pelegrinazhi për të dashuruarit…
Kur mund të ketë ndodhur vallë kjo ngjarje tronditëse, e cila është përcjellë deri në ditët tona? Nga cilat familje mund të kenë qenë dy protagonistët tragjikë?… Këto dhe mjaft pyetje të tjera të lindin natyrshëm dhe të mbërthejnë në makthin shekspirian të përjetuar, ndofta 300-400 vjet më parë, pikërisht në këtë vend që sot ende vazhdon të quhet “Varri i Ashikut”. Kjo ngjarje ka ndodhur midis dy të rinjve ka qenë shumë tragjike dhe kësisoj shumë e bujshme, shumë solemne. Në ditën e dasmës vritet nusja dhe i dashuri i saj. Ka ndodhur pikërisht këtu në Ndroq sepse ndryshe nuk kishte përse të ngrihej ai varr. Ka ndodhur në Ndroq sepse Ndroqi është një vend i mirë, me njerëz të urtë, që e duan shumë jetën. Këtu ka shumë qiell dhe dielli ngroh si me dorë kodrat rrumbullake, të veshura me ullinj të moçëm, me vreshta dhe kopshtije të pafund….
Gjithsesi, të gjitha këto kanë pak rëndësi, përpara aktit të flijimit hyjnor që mbart në vetvete kjo histori rrënqethëse, e cila vjen përmes shekujve e gjallë dhe e papërsëritshme. Në llojin e saj, ajo mund të krahasohet vetëm me “Romeon e Zhulietën” e Shekspirit. Ashtu si në Veronë të Italisë, ku prej motesh ngrihet tempulli i këtyre dy dashnorëve tragjik, po kaq me vlerë do të ishte, së paku, të ringrihej varri i prishur, si një kult mbarëshqiptar i dashurisë së përjetshme.
***
Kjo është historia e ”Varrit të Ashikut”. I ngacmuar nga kjo histori e rrallë edhe Riza Lahi, ky poet dhe shkrimtar virtuoz, na ka lënë romanin e tij “Vorri i Ashikut”, i cili pavarësisht se në subjektin e tij kapërcen kohën dhe ngjarjet e rrëfyera rreth kësaj legjende, duke i sjellë ato në një vështrim tjetër dhe të përqasur me realitetin e ditëve tona, ka vënë një tjetër gurë në Altarin e Dashurisë Njerëzore. Ai duke marrë nektarin e kësaj historie dashurie tragjike të përcjellë në shekuj, ka realizuar një linjë tjetër dashurie, e cila vjen si një kumt dhe plot dramacitet për lexuesin e sotëm dhe të nesërm….
Materiali huazoi një pjesë nga një shkrim i Muharrem Dardha