Truri i njeriut është në gjendje që të ruajë në “arkivat e fshehta” një të ashtuquajtur “hartë terrori”, për të kujtuar vendet ku ka përjetuar përvoja të frikshme. Kështu thuhet në një studim të publikuar nga revista “Nature Neuroscience”.
Duket se natyra e ka armatosur njeriun me këtë mëkanizëm të përvojave, të cilat aktivizohen në një përballje të mundshme të tij me raste të ngjashme. Po pse e bën këtë dhe si arrin të realizojë duke rikthyer në kujtime një episod të tillë, të cilin ai mendon se i'a ka përpirë harresa. Të fshehtat dhe misteret e njeriut janë gjithnjë në proporcion të zhdrejtë me kurajën dhe ambicien e ethshme për të kërkuar përtej asaj të mundshme që ka arritur.
I eksperimentuar për herë të parë tek minjtë, studimi mund të hedh dritë mbi mekanizmat që i lejojnë kujtesës “të ripeshkojë” kujtimet e vjetra, duke treguar edhe mënyrën me të cilën zbulohen sëmundje si Alzheimeri, një nga sëmundjet që kërcënon kryesisht moshën e tretë.
“Mendja jonë përthith gjithnjë kujtime”, shpjegon Daoyun Ji. “Unë mund të kujtoj rrugën që bëj çdo mëngjes nga shtëpia në punë: çfarë sinjalesh gjeneron truri im në momentin kur unë rikuperoj kujtimin?”.
Testet
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, shkencëtarët kanë regjistruar aktivitetin cerebral të disa minjve të laboratorit, ndërsa ecnin para dhe pas në një korridor të vogël dhe të gjatë. Pas rrugës së parë, brejtësit kanë ecur sërish përgjatë korridorit që përshkruan në fillim dhe më pas pësuan një goditje elektrike. Në rrugët e tjera, minjtë e frikësuar, ndërprisnin përpara kalimin e tyre dhe ktheheshin pas për të shmangur pikërisht vendin e elektroshokut.
Vendndodhja e neuroneve
Në momentin e kujtimit të frikshëm, truri i minjve “ndizte” neurone specifike të quajtura “qelizat e vendit”, që përfaqësojnë në mendje pikërisht vendin fizik, ku brejtësit kishin përjetuar përvojën e terrorit. “Duke vërejtur aktivitetin cerebral të brejtësve”, shpjegon Ji, “mund të kuptojmë që kafsha po udhëtonin psikologjikisht nga vendi ku ndodhet në vendin që pësoi tronditjen”.
Kërkimi vazhdon
Studiuesit synojnë të zbulojnë nëse këto mekanizma mund të shkaktojnë sëmundjen e Alzheimerit. Studimet e shumta kanë treguar se sëmundja nuk fshin kujtimet, por e bën të pamundur rikuperimin e tyre. /Gazeta Shqip/