Historia e botës, kryesisht ajo e botës politike ka kaluar përmes shumë skandalesh, shumë prej të cilave mbetën gojëkyçur për gjithë jetë, disa të tjerë u bënë publike dhe u përdorën si shembull ndëshkimi dhe denoncimi të shoqërive të emancipuara. Por kishte prej këtyre skandaleve, të cilat janë sjellë në mënyrë të përmbledhur në këtë tekst, që heshtja e pretenduar i shndërroi ato në katalizatorë reaksionesh të fuqishme. Politika botërore u trondit prej këtyre ngjarjeve, të cilat nëse do të trajtoheshin pa qëllime të mbajtjes larg syve dhe vëmendjes së publikut, ndoshta do të kishin një impakt më pozitiv ngase patën ato nga një lloj tendence për t’i “mbytur” këto ndodhi. Paradën e këtyre pikave kulmore të historisë e nisim me të ashtuajturën “Çështja Dreyfus” për të vijuar me aferat e shfrytëzimit të burimeve naftëmbajtëse nga administrata e presidentit të SHBA-ve, Warren G. Hardingut, “Afera Watergate”, etj. Çdo ditë nga ana shumë teoricienëve “bombardohemi” me teoritë e konspiracionit. Edhe pse disa janë joreale, të ekzagjeruara, kjo nuk do të thotë se asgjë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, historia është plot me komplote dhe skandale.
1. Çështja Dreyfus
Skandali i vitit 1894 tronditi seriozisht qeverinë dhe ushtrinë franceze. Atëherë një shtëpiak në kontejnerin e plehrave gjeti një letër të një atasheu ushtarak gjerman, që flet për spiunazh nga ana e një oficeri brenda ushtrisë franceze. Për ta heshtur gjithë rastin, vendosën që “kurban” të jetë Alfred Dreyfus, i cili ishte hebre.
Në shekulli XIX anti-semitizmi ishte gjë e zakonshme. Edhe pse Dreyfus kishte pohuar se ishte i pafajshëm, atë e dënuan me burgim të përjetshëm. Kur kreu i inteligjencës ushtarake, Picquart Georges, zbuloi se majori Ferdinand Walsin-Esterhazy ishte spiuni i vërtetë, eprorët vetëm e kanë hequr nga detyra.
Poeti i famshëm francez, Emile Zola, atëherë botoi një libër të titulluar “J’accuse” (Akuzoj), në lidhje me këtë rast, për çka u detyrua të largohet nga vendi. Protesta publike shkaktoi edhe informata se një oficer tjetër kishte zbuluar se dokumenti fillestar ishte i falsifikuar, qëllimisht për të dënuar Dreyfusin. Në gjyqin e dytë, një gjykatë ushtarake e dënoi atë me 10 vjet burg. Kryeministri francez në fund e përfundoi këtë farsë, kur në vitin 1899 e amniston Dreyfusin.
Afera e shfrytëzimit të naftës
Me ardhjen e Warren G. Hardingut në Shtëpinë e Bardhë, ka ndodhur skandali me shitjen e rezervave të naftës. Në fakt, ai në administratën e tij vendosi miqtë me të cilët kishte luajtur golf dhe poker. Edhe pse nuk ka qenë i pandershëm, në fund doli se vartësit e tij ishin të prirë ndaj korrupsionit.
Sekretari i tij i Punëve të Brendshme, Albert Fall, i lejoi fshehurazi një kompanie nafte eksploatimet në Wyoming dhe Kaliforni, në këmbim të disa qindra-mijëra dollarëve ryshfet. Pasi Wall Street Journal më 1922 njoftoi se nafta është shitur pa komision, u organizua këshilli i Senatit nën kryesimin e senatorit nga Wisconsini, Robert La Follette.
Prokurori shtetëror i Hardingut kërkoi nga FBI që të hetojë në zyrën e La Follettes, për të gjetur diçka me të cilën mund ta shantazhojnë. Megjithatë, kjo vetëm se e shtoi këmbënguljen e tij për të zbuluar gjithçka. Në fund, Albert Fall u bë i pari njeri nga kabineti amerikan që për shkak të korrupsionit përfundoi në burg.
Tuskegee, eksperimenti i sifilizit
Një nga skandalet i cili është i njohur si një nga shkeljet më të mëdha të etikës mjekësore, është studimit Tuskegee për sifilizin, i kryer nga Shërbimi i Shëndetit Publik amerikan, në bashkëpunim me Institutin Tuskegee, që nga viti 1932 e deri në vitin 1972. Në studim janë përfshirë 600 njerëz, përfshirë edhe 399 që kishin sifiliz. Hulumtuesit nuk u thanë atyre se kanë sifiliz dhe se qëllimi i studimit ishte për të dokumentuar se si sëmundja shkatërron trupin e njeriut. Ata madje as më 1947 nuk u kanë treguar se penicilina është e efektshme në trajtimin e sifilizit. 28-100 persona vdiqën nga sifilizi, edhe pse numri ka mundur të jetë shumë më i lartë.
Në mesin e viteve ‘60 të shekullit të kaluar, Pete Buxton, një punëtor social erdhi deri te raporti i studimit, dhe provat ia dha një miku në Associated Press. Të gjitha studimet u shuan më 1972. Verën e ardhshme Qeveria ka arritur, përmes gjykatës, një marrëveshje që viktimave dhe familjeve të tyre t’ua sigurojnë kujdesin e përjetshëm jetësor.
Mohohen pasojat e pirjes së duhanit
Më 1950, mjeku dhe epidemiologu Ernst Wynder, publikoi një studim në Revistën e Shoqatës Mjekësore të Amerikës, duke theksuar se pirja e duhanit është shkaktar i kancerit të mushkërive. Pas kësaj, gjashtë kompani të mëdha të duhanit ranë dakord për të financuar kërkimin e tij.
Më 1954, Instituti i Duhanit për Kërkime, që më vonë ndryshoi emrin në Këshillin për Hulumtim të Duhanit, ka publikuar reklama në 400 gazeta me të cilat kanë sfiduar mjekët dhe shkencëtarët eminent. Por, shkencëtarët në industrinë e duhanit tashmë ishin të vetëdijshëm se është e mundur ndërlidhja e Wynderit. Kimisti Claude Teague, për shembull, arriti në përfundimin se studimi i të dhënave klinike ka tendencë për të konfirmuar lidhjen midis duhanit dhe kancerit të mushkërive. 46 shtete në SHBA janë bashkuar në padinë kundër industrisë së duhanit. Kompanitë e duhanit, në vitin 1998 kanë pranuar të paguajmë 10 miliardë dollarë në vit për dëmin që kanë shkaktuar.
Komploti kundër Castros
Vrasja e presidentit John F. Kennedy më 1963, ndërlidhet me atentatin kundër presidentit kuban, Fidel Castro. Përkatësisht, Komisioni Warren të cilin e ka ngritur trashëgimtari i Kennedyt, Lyndon Johnson, konkludoi se Lee Oswald i vetëm ka vrarë Kennedyn. Pas kësaj, dy ditë më vonë në pritë qëlloi Jack Ruby në Oswaldin. Megjithatë, skeptikët kanë sulmuar raportin e Warret që në fillim dhe ata kishin të drejtë.
Më 1967, kolumnistët Drew Pearson dhe Jack Anderson, paraqitën teorinë se vrasja e Kennnedyt nuk ishte akt i një individi, por hakmarrje për një atentat ndaj Fidel Castros nga CIA, që kishte heshtur aktivitetet e saj në Kubë. Oswald dhe vrasësi i tij Jack Ruby ishin të lidhur me Kubën. Oswald në një moment kishte kontaktuar ambasadën kubane.
Më 1979 arrihet në përfundimin se Kennedy, sipas të gjitha gjasave, është “vrarë si rezultat i një komploti”, edhe pse nuk ishte e mundur për të përcaktuar saktësisht se kush ishte i përfshirë në këtë komplot.
Afera Watergate
Një nga skandalet më të famshme ka qenë ai që në të cilin ishte i përfshirë edhe presidenti amerikan, Richard Nixon. Më 1972 policia kapi pesë vetë që fshehurazi hynë në hotelin Watergate dhe kompleksin e zyrave në Washington, e të cilët tentonin të vendosnin mikrofona në zyrat e demokratëve. Shpejtë u zbulua se në këtë tentim spiunimi ishte i përfshirë edhe presidenti Nixon.
Hetuesit e FBI-së kanë vërtetuar se ky tentim i spiunazhit dhe sabotimit politik erdhi nga presidenti Nixon. Një komision hetimor i ka kërkuar Kongresit regjistrimet e bisedave nga Shtëpia e Bardhë. Edhe pse Nixon refuzoi, u detyrua të dorëzohej. Në fund u vërtetua se në regjistrimet zanore mungonin 18 minuta, gjë që shtoi dyshimin në të. Pasi Dhoma e Përfaqësuesve më 1974 e nisi procesin e fajësimit, Nikson dha vet dorëheqjen.
Modeli Ford Pinto
Ky model i Fordit nisi të prodhohet më 1971. Shitja ishte e mirë, ndërsa prodhuesi vazhdonte prodhimin, ndonëse ishte i vetëdijshëm për të metat e sigurisë së kësaj veture. Problemi ishte në rezervuarin e karburantit, i cili me një përplasje mund të shkaktonte djegien e automjetit. Edhe pse riparimi Fordit i kushtonte 11 dollarë, ata vazhdonin prodhimin. Sipas llogarive të tyre, është më lirë të paguhet kompensimi për pronarët të cilëve vetura mund t’ju digjej.
Gazetari hulumtuese Mark Dowie, nga revista Mother Jones, ka ekzaminuar shkresat në sektorin amerikan për transportin, ku ishin të dhënat kontestuese. Ai mësoi se Fordi më lehtë mund të paguante kompensimet, sesa të angazhohej në ndërrimin e pjesëve. Pas publikimit të shkrimit të Dowiet, porota në Kaliforni, një personi që ishte djegur, ia ka ndarë 125 milionë dollarë dëmshpërblim. Më vonë kjo shumë u zvogëlua në tre milionë. Ky ishte edhe fundi i modelit Ford Pinto.
Katastrofa e Çernobilit
Testi rutinor në elektranën bërthamore në Çernobil, më 1986, solli një katastrofë të përmasave të mëdha. Kombinimi i dizajnit të pasigurt të reaktorit nuklear sovjetik dhe gabimi njerëzor, shkaktoi shpërthim që shkatërroi një prej katër reaktorëve.
Pas shpërthimit, u lëshuan sasi të mëdha të pluhurit radioaktiv. Dy punëtorë vdiqën në çast nga shpërthimi. Më shumë se 28 persona, përfshirë gjashtë zjarrfikës të cilët luftonin për ta ndalë zjarrin në një sektor, kanë vdekur më vonë nga rrezatimi. Nga era përhapej rrezatimi në tërë Bashkimin Sovjetik e madje edhe vendet evropiane. Sovjetikët për dy ditë e heshtën këtë katastrofë, derisa suedezët nuk vërejtën sasi të mëdha të rrezatimit në ajër. Lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev, ka pritur tri javë para të fliste publikisht rreth aksidentit.
Prifti pedofil
Më 1973, një prift katolik nga Massachusettsi, James R. Porter, dërgoi një mesazh shqetësues tek Papa Pali VI, në të cilën ai pranoi se kishte abuzuar seksualisht me fëmijët – për vite me radhë. Ai i kërkoi atij të zhvendoset, në mënyrën që të mos përsëriste këto krime.
Më 1992 Boston Globe zbuloi se Porter kishte ndihmë në mbulimin krimeve të tij ndaj qindra djemve dhe vajzave. Gjatë karrierën së tij 14-vjeçare, ai u hoq tetë herë nga detyra dhe u dërgua në “shërimin e pedofilisë”. Të shtojmë se për dekada të tëra, Kisha Katolike në të gjitha pjesët e botës ka mbuluar krimet e priftërinjve. Por, gjërat filluan të ndryshojnë kur viktimat e abuzimit dalin në publik më 1980. Një studim që është kërkuar nga zyrtarët e kishës në SHBA, gjeti se në mes viteve 1950-2002, 4392 priftërinj janë akuzuar për abuzim seksual. Disa, si Porter, përfundimisht u dënuan dhe u dërguan në burg.
Hakimi i telefonave celularë të figurave publike
Skandali i madh shpërtheu në Britani, kur u zbulua se disa gazetarë kanë hakuar telefonat e personave të famshëm. Skandali u zbulua më 2005, kur Clive Goodman, redaktor i News of the World, shkroi një histori rreth lëndimit të gjurit të Princit William. Familja mbretërore shpejtë dyshoi se dikush kishte qasje në telefonin e tij dhe se kështu i kanë marrë informatat. Gjithçka përfundoi me mbylljen e tabloidit News of the World dhe faljet e magnatit mediatik, Rupert Murdoch. /Telegrafi/