Nga Albert Vataj
Ai nuk bëri gjithçka, por ajo çfarë ai pohoi ishte më shumë se një hap përtej mendimit grek për universin. Teoria e tij u kundështua nga kisha jo mbi baza argumentesh, u ndalua prej saj për tre shekuj dhe u pranua bashkë me kundështitë dhe argumentet shkencërisht kokforta. Më shumë se një vëzhgues ai ishte një analizues.
Koperniku ishte një matematikan dhe astronom polak, i cili zbuloi modelin heliocentrik të universit ku vërtetohej se dielli dhe jo toka është qendra e sistemit tonë diellor. IQ e tij shkon nga 160-200. Libri i tij, “De Revolutionibus Orbium Coelestium”, u ndalua nga Kisha pas ai vdiq në vitin 1543. Libri mbeti në listën e lëndëve të ndaluara lexuese për gati tre shekuj pas kësaj ngjarje.
Më shumë se 2500 vjet më parë, filozofë grekë filluan të ngrenë pyetjet që na mundojnë ne edhe sot e kësaj dite. Si filloi gjithçka? Nga se përbëhet universi? Dhe si mund ta përshkruajmë matematikisht natyrën? Në vitin 450 para krishtit, filozofi grek Anaksagora parashtroi një teori çuditërisht moderne: Universi përbëhet nga dy gjëra, atome dhe hapësirë boshe. Ka një numër të pafundëm atomesh, ashtu sikurse hapësira është e pafund. Të gjithë atomet përbëhen nga e njëjta lëndë, por ata bëhen bashkë në mënyra të ndryshme, në objektet që ne shohim në botën që na rrethon.
Dy shekuj më vonë, astronomi Aristark i Samosit propozoi një teori heliocentrike, sipas së cilës planetët rrotulloheshin përreth Diellit. Megjithatë, ai nuk mundi të bindë bashkëkohësit e tij për vlefshmërinë e kësaj teorie, ndonëse ishte një matematicien shumë i aftë. Duke bazuar idetë e tij në themele matematikorë krejtësisht të saktë, ai përllogariti që Dielli është 19 herë më larg tokës se sa Hëna. Sot ne dimë që Dielli është në fakt 390 herë më larg, por gabimi i Aristarkut ishte se atij iu desh të mbështetej vetëm tek gjeometria për matjet e tij. Trigonometria, që do t’i kish bërë më të saktë përllogaritjet, nuk ishte shpikur ende.
Shumë shkencëtarë të tjerë grekë ishin të fiksuar pas idesë se të gjithë objektet qiellorë duhej të lëviznin në rrathë. Duke vendosur Tokën në qendër të universit dhe duke përllogaritur një numër të pafund orbitash rrethore, ata krijuan një sistem matematikor që mund të parashikonte lëvizjet e Diellit, hënës dhe planetëve me saktësi moderne. Diku rreth vitit 150, Klaudius Ptolemi mblodhi të gjithë dijen që kishte në kryeveprën e tij, “Almagest”. Kisha katolike e mbështeti modelin e Ptolemit për universin për 1500 vitet që do të vinin. Me ardhjen e Rilindjes, astronomët kishin probleme me sistemin shumë të komplikuar të orbitave rrethore që përshkruanin sistemin Ptolemian. Astronomi polak, Nikola Koperniku kuptoi se sa më e thjeshtë do të ishte gjithçka, nëse njerëzit pranonin se Toka vjen në orbitë përreth Diellit ashtu si të gjithë planetët e tjerë. Kjo teori ishte herezi në atë kohë, dhe vepra e tij nuk u botua deri pas vdekjes së tij në vitin 1543.
Teori lëvizëse
Sistemi kopernikas, me Diellin në qendër të universit nuk u pranua menjëherë – dhe jo vetëm për shkak të kundërshtisë nga kisha katolike. Modeli i Kopernikut nuk prodhoi rezultate më të saktë se sa modeli gjeocentrik Ptolemaik. Në fakt, teoria e tij kishte dy të meta themelore. Së pari, pohimi i Kopernikut që planetët vinin në orbitë në rrathë dhe jo elipsë, shkaktoi pasaktësira. Problemi i dytë është një fenomen vëzhgimi i quajtur paralaksi yjor. Siç vërente astronomi danez Tycho Brahe në fillimin e shekullit 17, nëse Toka vjen në orbitë përreth Diellit, pozicionet e yjeve do të lëviznin në qiell përgjatë një viti – një efekt i njohur si paralaks yjor. Ai nuk mund të dallonte një paralaks yjor me sy të lirë dhe kështu që konkludoi se Toka duhet të jetë në qendër të universit. Më pas ai zhvilloi një model kozmologjik në të cilin Dielli rrotullohej përreth Tokës, ndërsa të gjithë planetët e tjerë vinin përreth Diellit. Brahe thjeshtë nuk mund të imagjinonte një univers kaq të madh sa që paralaksi të ishte kaq i vogël për t’u parë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Deri kur dikush të dallonte paralaksin yjor, nuk kishte një provë konkluduese, se Toka rrotullohej përreth Diellit. Kjo provë nuk ndodhi deri në vitin 1833, kur astronomi gjerman Friedrich Vilhelm Besel vërejti lëvizjen e yllit 61 Cygni dhe raportoi matjet e para të paralaksit yjor – por tashmë, astronomët kishin pranuar prej kohësh modelin heliocentrik të Kopernikut. Në fillimin e viteve 1600, ishte studenti i Brahes, Johan Kepler që më në fund u shkëput nga besimi se çdo gjë në qiell ndjek një rrugë rrethore. Kepler kuptoi se planetët lëvizin në orbita eliptike përreth Diellit.
Në vitin 1687, Isak Njutoni publikoi ligjin e tij të gravitetit universal, që përshkruan tërheqjen gravitacionale mes dy objekteve në univers, si për shembull një planet që vjen përreth një ylli. Ligji i Njutonit u mundësoi astronomëve që të përllogarisin lëvizjet dhe vendndodhjen e objekteve qiellorë, bazuar në masat e tyre dhe distancën nga një tjetër. Me një kuptim më të mirë të lëvizjeve të trupave brenda sistemit tonë Diellor, astronomët e kthyen vëmendjen drejt yjeve dhe Rrugës së Qumështit.
***
Nikolaus Kopernikus (Koperniku) u lind më 19 shkurt 1473 ne Thorn Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg. Ai u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjës së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një botëkuptim të ri pasmesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom, jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtar.
Kombësia e Kopernikut që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra. Një gjë por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithësisht Nikolaus Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikołaj Kopernik. Koperniku ishte biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak, kështu që ai formalisht njihet si polak.
Jeta
Koperniku, biri i një tregtari, lindi më 1473 në Poloni në qytetin Torni. Në Krakov dhe shumë universitete ai studioi matematikën, astronominë, teologjinë, drejtësinë dhe mjekësinë. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Koperniku në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën ajgëtuese të tij. Kopereniku e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i ofruan një të tillë.
Koperniku ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori: në kundërshtim me idetë e pranuara deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar, dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Koperniku arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga planetet që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë është parimi themelor i “pikëpamjes kopernikiane” për një nga miliona trupat e tjerë qiellorë. Koperniku në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë përfundimisht.
Sot ende, anipse Koperniku vërtetoi që kjo nuk ishte e vërtetë, ne themi “ngritja”, apo “ulja” e diellit në fillim dhe në fund të ditës.
Zigmund Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij: herën e parë, kur Koperniku nuk e pranoi tokën si qendrën e universit dhe e dyta kur Darvini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikut mendohej se dielli dhe yjet ishin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë, vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Koperniku pati një ndikim aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një lavdi të atillë.