Molieri (Jean-Baptiste Poquelin) (15 janar 1622 -17 shkurt 1673) është një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore, që hodhi themelet e komedisë franceze.
* Komediani dhe mësuesi i tij
Babai i tij ishte shumë i pakënaqur që i biri kishte zënë karrierën e komikut. Që t'ia prishte mendjen e dërgoi në provincë. Atje Molieri gjeti shoqërinë e tij të dashur: mësuesin e tij të vjetër, që i kishte mësuar njohuritë fillestare të letërsisë.
Molieri e priti me gëzim këtë gjë. Ai në vend që të bindej për të lënë karrierën, bëri që edhe mësuesi i tij të luajë role komike doktorësh.
* Oferta e refuzuar
Princi i oborrit donte ta merrte Molierin si sekretar të tij ndaj një shpërblimi të mirë. Molieri që tashmë kishte personalitetin e tij, nuk pranoi dhe i tha:
– Unë jam aktor i mirë, kurse ju më propozoni që të bëhem sekretar i keq.
* Molieri dhe shërbëtorja
Molieri ia lexonte komeditë e tij shërbëtores. Kur kishte ndonjë pjesë që nuk e bënte për të qeshur ai e fshihte ose e ripunonte.
Një herë nga që deshi t'i bëjë lojë kësaj gruaje të zgjuar, i lexoi një komedi të një autori tjetër. Kur Molieri i lexoi disa skena, shërbëtorja thirri:
– Kjo komedi nuk është juaja.
* Ndalimi i "Tartufi"-t
Më 5 gusht 1667 u shfaq për herë të parë "Tartufi". Natën tjetër, kur teatri ishte mbushur plot e përplot me shikues për të parë shfaqjen e dytë të komedisë së shquar, erdhi urdhri i kryetarit të Parlamentit për ndalimin e shfaqjes. Atëherë Molieri doli në palkoskenë që të njoftonte publikun me ketë lojë fjalësh:
– Zotërinj, ne duam t'ju japim tartuf por zoti kryetar nuk do.
* Dilema e mbretit për publikun
Disa ditë mbas shfaqjes së "Tartufi"-t mbreti shkoi në teatër për të parë shfaqjen e një farse italiane. Komedia i pëlqeu publikut që qeshte dhe duartrokiste.
– Nuk e kuptoj, – i thoshte dukës së Kondesë që i rrinte pranë, – se si është e mundur që i njëjti publik, që u skandalizua aq shumë për "Tarturi"-n, nuk bën gjë tjetër veçse duartrokitet një farsë si kjo.
– Shikoni madhëri si është puna, – u përgjigj Kondeja, – në këtë farsë flitet keq vetëm për zotin, kurse te "Tartufi" flitet keq për të tërë fetarët hipokritë.
* Komediani dhe fshatari i varfër
Komediani i famshëm francez, Molieri, kur po kthehej nga fshati i dha një të varfëri si lëmoshë një monedhë prej ari. Kur ai ende nuk ishte larguar, i varfëri ju vu nga pas duke e thirrur, zotëri, zotëri.
Ai pa u ndjerë i lënduar në sedren e tij prej fisniku ndaloi për të pyetur se ç'kishte fshatari, dhe bashkë me të ndaluan dhe personat që e shoqëronin.
– Zotëri, zotëri, shqiptonte ai me zë të ngjirur, keni gabuar, më keni dhënë një monedhë ari.
– Shoikoni ku arrin ndershmëria e këtij njeriu të thjeshtë u tha Molieri të pranishëmve. Dhe pa e zgjatur nxori nga xhepi një monedhë të dytë duke i'a dhuruar fshatarit të varfër.
* Mbreti, mjeku dhe Molieri
Molieri kishte zënë krevatin prej disa ditësh. Kur erdhi mjeku shërbëtori i tha zotnisë së tij të bëhej gati.
– Mjeku? – thirri Molieri, – thuaji të lutem se jam sëmurë dhe nuk mund të pres asnjë njeri.
Një ditë mbreti i tha Molierit:
– Kam marrë vesh se keni marrë mjek për t'u vizituar dhe pas kësaj jeni bërë mirë me shëndet.
– Madhëri, – u përgjigj Molieri, – llomotitëm me të një copë herë. Ai më urdhëroi të merrja disa barna, unë nuk i mora dhe pastaj u bëra mirë.
* Shfaqja
Mbreti i Prusisë, Frederiku II, ishte në shfaqjen e një komedie. Ai u çudit se të gjithë francezët që ishin në teatër, qeshën për gjëra që atë nuk e bënin fare për të qeshur. Kur pyeti një francez, ai iu përgjigj:
– Madhëri, kjo gjë ndodh sepse janë shumë iluzione që ju nuk mund t'i kuptoni, sepse nuk e njihni ashtu siç duhet Parisin,
– Do të jetë shumë mirë, – u përgjigj mbreti, – por kur kam parë "Mizantropin" e Molierit, e kam kuptuar të gjithë komedinë shumë mirë edhe pa e njohur Parisin.
* Varrimi i komedianit, kisha dhe mbreti
Mbreti, ja si zgjidhi mosmarrëveshjen e varrimit të komedinit të shkishëruar
Kur vdiq Molieri arqipeshkvi nuk donte ta varroste në varrezat e besimtareve pasi ai që me Tartufin u shpall heretik dhe u leçit nga kisha si i pafe.
E veja iu drejtua mbretit, i cili e zgjidhi mosmarrëveshjen me një vendim shumë të mençur prej lideri dhe kurrsesi jo prej despoti.
– Në çfarë thellësie, – pyeti mbreti, – shkon toka e shenjtë?
– Në katër metra, – u prgjigj arqipeshkvi, i cili ngulmonte ta linte Molierin të prehej jashtë tokës së Zotit.
– E po mirë atëherë, futeni edhe një metër më thellë, – urdhëroi mbreti