Historia nis aty, në qytetin e Lezhës. Ndoshta jo rastësisht, pikërisht në atë truall ku zëfillet e para besëlidhje e kryezotëve në 2 marsin e vitit 1444, aty ku ngjizet vetëdija e Arbrit dhe bashkohen në një besë e një qëllim krejkah dalëzotësit i bashkon Skënderbeu, i bën grusht gjaku dhe amaneti i të parëve. Është 11 maji i vitit 1991 kur erdhi në jetë ai zë që do të shkruante historinë, ajo e gjallë që do t'i jepte jetë zjarrit që do të kalitte flakën.
Historiku i medias shqiptare, natyrisht që nuk fillon me gazetën "Koha Jonë", por tradita e shtypit të pavarur nuk mund t'ia mohojë asaj atributet e simbolikës së mëvetësisë së lirisë së mendimit dhe shprehjes. "Koha Jonë", erdhi për të qenë gazeta e parë e pavarur. Ajo lindi dhe u rrit me shenjtërimin e fjalës së lirë që gurroi prej zjarreve pasionuese, për të mbetur e tillë, vazhdoi mes peripecish, persekucionit, përplasjesh dhe ngadhënjimit, për të dëshmuar misionin e saj historik. Ajo është sot, jo dhe aq një madhështi që mbështet mbi supet e saj të së kaluarës, se sa një zë i zëshëm që jehon nga zëri i zemrave dhe pasioneve që besojnë se liria e shprehjes dhe misioni i informimit meritojnë atë shpirt vullnetesh të kurajshme që mbolli dhe kultivoi në median e shkruar, "Koha Jonë". Për të dëshmuar historinë, për të treguar se si lindi, u rrit dhe po mbijeton kjo krijesë e lirisë e fjalës, duhet një zë, zjarrin dhe shpirti i së cilës ndezi një zemër që blatoi gjithçka asaj si një perëndie. E kush më mirë se Nikoll Lesi do ta bënte këtë, e cilës kambanë do t'i bashkoheshin më shumë besimtar se sa asaj. Është libri "Kështjella e medias" i Nikoll Lesit, është ky kumton i thjeshtë dhe tregues, ai që rreket të shfletojë kohën kur ngjizej kjo jetë, kalvarin që përshkoj kjo "Golgotë" përpjekjesh dhe sakrificash.
Prologu
Liria e fjalës dhe e shprehjes është një prej të drejtave themelore të njeriut, si e tillë ajo nuk mund të rrokej në postdiktaturë nga një kastë vazhduesish të atij regjimi despotik që përpëlitej në grahmat e fundit, por mundë të shndërrohej në një energji forcash nxitëse dhe transformuese, në vrullin dhe pasionin e atyre që guxuan dhe besonin në ëndrra. Sintezë e kësaj është çdo faqe e këtij libri, mëtim i kësisojtë është çdo gur dhe mur i kësaj kështjelle, bedenat e së cilës u ngritën si qëndresë për të dëshmuar se ajo vështirësi që nuk të nënshtron të bën më të fortë.
"Ka qenë një kohë kur realiteti i'a kalonte fantazisë", shkruan Lesi. Është pikërisht ajo kohë, bëhet fjalë saktësisht për atëkohjen, kur Shqipëria kacafytej gjithnjë e më mbijetueshëm me vështirësitë dhe të papriturat, që sillte një regjim në grahmat e fundit dhe nxiste një ëndërr që mbante ende në shpërgënjtë e pasionit vrullëtaret e shkëndijave të para të hovit për t'u hedhur në zjarrin përtëritës të kapërcyellit të kohërave. Pikërisht në atë realitet, kur gjithçka që mund të bëje ishte vetëm të mbijetoje, një grup zelltarësh të pasionuar pas krijimit dhe ideales, të dehur nga liria dhe kapluar nga hovi i moshës, ndoshta më me shumë kokëkrisje brenda vetës se sa pasion, hodhën vështrimin tej, shumë larg, shumë më larg se ç'mund të mbërrinte zjarri i vrullit të tyre. Kërkuan që mbi këtë zbraztësi dhe hutim, këtë amulli dhe çoroditje, këtë kllapi dhe ndrydhje vullnetësh, të lëshonin në eterin e asgjësë një zë që donte të thoshte diçka, një kushtrim që ngulmonte të mbushte kraharoret gjëmuese të njerëzve të shterrur nga shpresa. Ata ishin aty në kohën dhe vendin e duhur, ishin mbledhur në një përbetim dhe ishin gati të bënin gjithçka që ëndrra e tyre të prekte realen, që pasioni i tyre të shndërrohej në një gjenerues energjie mendimi dhe veprimi. Asnjëherë nuk e menduan se cili do të ishte çmimi me të cilin duhet të paguanin këtë dhe asnjëherë ata nuk ndaluan në atë udhë që u'a rrëfentë ideali dhe u'a pengontin, vështirësitë, kërcënimet dhe përndjekja.
Nikoll Lesi dhe "Koha Jonë" dy anët e të njëjtit medalion
Në stuhinë e jetëve të udhëkryqta të Shqipërisë në tranzicion, para këtij përcaktimi historik dhe më pas, emri i Nikoll Lesit sinjifikon "Koha Jonë" dhe "Koha Jonë" merr kuptim vetëm me këtë emër.
Si çdo përpjekje, edhe kjo e shndërroi mësuesin e fizikës, Nikoll Lesi në një rinok "kokëkrisur", që po bënte më shumë atë që ndjente se sa atë që duhej, dhe po e bënte siç vetëm ai dinte, me turr e me zjarr.
Me shtetin që i ishte vënë nga pas këmba-këmbës, vështirësitë dhe pamundësitë që kalitnin këtë shpirt sakrifice, ai i bëri ballë të gjithave; shantazhit, prapaskenave, sulmeve shtetërore, proceseve të montuara politike, dhunës barbare, djegies dhe denigrimit, për të mbetur po ai qëndrestari dhe vrullëtari i hoveve filluese. Dhe është aty, është aty për të dëshmuar gladiatorin e paepur, së bashku me një dorë miqsh dhe mbështetësish që i'u bënë krahu mbështetës, gjithashtu dhe tempi i këtij vërshimi flakatar.
Erdhën dhe ikën pafund emra, personazhe, kontribues dhe vullnete veprimi. Morën dhe dhanë fjalës së lirë, gazetës "Koha Jonë", por ai që e shndërroi gjithë këtë lëndë të ngjeshur dhe unike historish, përpjekjesh dhe sakrificash në limfën e këtij hovi, ishte Nikoll Lesi. Modestisht dhe çiltërsisht ai rend si një hap i ndrojtur në këtë terren të ashpër, nëpër të cilin kaloi kjo gazetë dhe mblodhi në të shkuarën, dhe në të tashmen e saj, çdo gufim jetë për t'i dhënë jetë këtyre faqeve prej letre dhe plumbi, kësaj ndodhie bërjesh sa të pabesueshme aq dhe reale.
Sikur gjithçka të ndal këtu, "Koha Jonë", ajo krijesë sakrificash dhe vetëmohimi, ajo që me kaq vërtetësi Nikoll Lesi e ka sjellë në këtë libër, ka shtresëzimin më ushqyes dhe bujar në humusin përtëritës të fjalës së lirë shqipshkruese. Ajo ishte dhe do të mbetet shembull frymëzimi dhe mëkues i ëndërrtarëve dhe idealistëve
Me gabime dhe faje, me arritje titane dhe shembëllime emblematike të së arritshmes përmes ndeshjes, "Koha Jonë" e ka endur palhurën e atij flamuri që u valvit në ciklonin e kapërcyellit të kohërave, u mbajt në gjoksin e zelltarëve, u ruajt në sirtarët e kujtesave, u përdor si rekomandim dhe si pasaportë, e pse jo edhe u harrua pikërisht nga ata, nga ata të cilët sa herë t'u volitej në qëllimet e tyre personale, nuk hezituan dhe ngurojnë ta tundin si flamurin e fitoreve të tyre. Por ai që e mbajti në tym dhe në flakë, e mban në rrebesh dhe vërshim, është Nikoll Lesi. Më shumë se si një e mundshme përfitimesh, ai e ushqeu dhe e rriti, siç bëri dhe vijon të bëjë, që ky emër i rëndësishëm i medias në Shqipëri, të jetojë edhe sot si atëherë, gjithnjë mes të pamundurash dhe sfidash të ethshme.
Pavarësia nisi me "Koha Jonë"
Me ose pa lejen dhe pëlqimin e ndonjë egoje të sëmurë, ndonjë sëmbimi xhelozie apo lëngimi hatërmbetës, "Koha Jonë" është një faqe në Historinë e Shqipërisë, një kapitull i rëndësishëm në traditën e pavarësisë së medias, një etapë e qenësishme në ndërgjegjen, emancipimin dhe vullnetin dëshmues të atyre, të cilët duke vënë jetën në rrezik, duke kaluar përmes peripecish dhe vështirësish, duke u ndeshur dhëmb për dhëmb me postdiktaturën, u përpoqën të bëjnë gazetari, të informojnë opinionin publik, të përmbushin misionin e tyre historik. Dhe e bënë këtë, ndoshta nuk bënë më të mirën, por askush para dhe pas tyre nuk mundi të bënte atë që bënë ata.
"Kështjella e medias" erdhi në një kohë të pazakonta, kohë të tilla, që logjikës së tashme i ngjajnë më shumë si trille se sa si të vërteta kur ajo nguli themelet dhe hodhi shtat. Ishte koha e humbjes së shpresës, kohë kur "Koha Jonë", me fjalën dhe të vërtetën rrekej të hymnizonte fjalën e lirë, të shtatonte atë kryelartësi që ngjitej mundimshëm në baltën e absurdit dhe tokën e dëshpërimit të fatit të keq. Kjo gazetë, e drejta sublime për të denoncuar keqqeverisjen, ndoshta nuk shëroi plagët e hapura, por u përpoq që të paqtonte me ballsam dhimbjet dhe të jepte kurajë zemërthyerjes dhe dëshpërimit, t'u mësonte atyre alfabetin e qëndrestarit. Mes pengimit, prangave, dhunës dhe represionit, ka përjetime makthi që qëndrojnë varur në fasadën e djegur të një dëshmimi që e shkuara la gjurmë në ndërgjegjen e kohës dhe kambanë në forcën e besimit.
"Kështjella e medias" është jo vetëm historiku plot të vërteta dhe befasi i gazetës së parë te pavarur "Koha Jonë", ajo nëpërmjet protagonistëve, personazheve dhe profileve të ndryshme, të gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve dhe jo vetëm, është gjithashtu dhe treguesja e Shqipërisë së atyre ditëve të potershme dhe transformuese të periudhës së trazuar të atij tranzicioni që nuk kishte mbarim.
Djegia e gazetës "Koha Jonë"
Ngjarja e 3 marsit 1997, ajo e djegies së "Koha Jonë" nga SHIK është një nga kreshtat e kulmimit të historikut të kësaj gazete, është një nga ndeshjet ngadhënjyese që përplotëson kuadrin e heroikes së fjalës së lirë në Shqipërinë e postdiktaturës. Djegia e redaksisë së gazetës ishte dhe mbeti e paprecedentë në historinë e shtypit të shkruar. Ky shprehje e barbarisë, i pararendur dhe i pasvijuar me rrahje dhe burgosje të gazetarëve, korrespondentëve dhe bashkëpunëtorëve të saj, përbën jo vetëm kapitullin më me interes të librit "Kështjella e medias", por dhe ngjarjen më ngjethëse të kësaj gazete. Ngjarja e asaj nate ferri të 20 viteve më parë ishte akti i fundit i tragjedisë së pushtetit të drejtuar nga Sali Berisha. Gjithçka që finalizon në këtë cak ishte padyshim një shenjë dëshpërimi e një shteti, i cili pasi i kishte humbur të gjitha betejat për të mbajtur përdhunshëm pushtetin, hamendësonte se duke u përpjekur të kyçi gojën "Koha Jonë", duke e djegur atë, do të mund të ndal ortekun që kishte marrë tatëpjetën duke shkatërruar gjithçka, edhe vetë shtetin. Lesi përcjell mes fotove, dokumenteve dhe dëshmive, procesin e stërgjatë të së drejtës, e cila pret të finalizohet, e cila kërkon drejtësi dhe shpagim, respekt dhe dinjitet.
Megjithëse flakët dogjën e shkatërruan gjithçka, ato nuk mundën të shuajnë pasionin e vullnetmirëve të fjalës së lirë, të cilët mbi makthin e flakëve të juntës policore, ngritën me vetëmohim pasionin, atë që e shndërroi "Koha Jonë" në një tribun të mendimit të lirë, në një feniks të fatit të fateve të udhëkryta.
Kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë
Parakalon si në një dëshmues filmik jeta e "Koha Jonë", e përditshmja e 25 viteve të saj të mbushura me ngulm, të papritura, rrezik dhe emocion në 456 faqet e këtij libri.
Nikoll Lesi, në këtë sprovë modeste më shumë se sa për të shfletuar ditarin e tij, vjen për të shkruar historikun e gazetës së parë të pavarur, e pse jo dhe për t'u shprehur mirënjohjen të gjithë atyre, të cilët kontribuan që kjo krijesë lirie të vinte në jetë, të mbijetonte dhe të rritej në kushte ekstreme, për të mbajtur mbi vete peshën e kohës, barrën e atyre viteve të stuhishme, Shqipërinë e sapodalë nga diktatura më e egër e Evropës dhe shtetin që përpëlitej mes të mundshmes dhe të pamundurës së shtetbërjes.
"Kështjella e medias" nuk pretendon se ka sjellë gjithçka dhe të tregojë me gjuhën e rrëfimit gjithkënd që ka qenë dhe e gjen veten si pjesë e gjallë e kësaj organizmi, por Nikoll Lesi ka qenë i vëmendshëm sa të mos lërë askënd të ndjehet i përjashtuar.
Emër për emër, Lesi i ka përfshirë të gjithë. Foto e përjetime, rrëfenja e kujtesë, të gjithë i mbledh në këtë votër, pa harruar askënd, madje as ata që për një arsye apo për një tjetër e kanë fshirë nga kujtesa çdo gjë që i bashkon me "Koha Jonë". Ata, të cilët duke i'u falur krenarisë së rreme të të mundshmes së sotme, nuk i atribuojnë asnjë lloj besimi apo mirënjohjeje që i detyrohen kësaj gazete dhe mundësive që u dha ajo, duke i marrë nga asgjëja për t'i shndërruar në sfidantë të drejtimit të medias, ambiciozë të ngjitjes së shkallëve të karrierës, ngulmëtar të sprovavë të pushtetit.
"Kështjella e medias", pavarësisht nëse i pëlqen ose jo dikujt, kthen koka mënjanë, e ngas në shfryrje e turfullim e smirë dikë, ajo vjen nga Nikoll Lesi, përmes të pakontestueshmeve rrëfenja, fakte dhe dëshmi, si një ndërmendje, kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë ata që ju bashkuan kësaj kauze, për krejtkënd që u bënë pjesë e kësaj historie, pjesë e "Koha Jonë", Radio Koha, TV Koha, AKS dhe "Sport Ekspres". Ky libër, kjo detyresë kumtuese i pjesëmerr të të gjithë duke i dëshmuar si pjesë e saj, duke u treguar atyre se ishin dhe janë pjesë e një historie të papërsëritshme dhe unike të lirisë së shprehjes dhe mendimit.
Përmes protagonistëve dhe dëshmitarëve, fakteve dhe dokumenteve, të njohura dhe të panjohura për publikun, sot ajo vjen të grish kujtesën e përgjumur të shoqërisë shqiptarë dhe të shkund nga kllapia dhe hutimi opinionin publik, i cili duke u riparë kësisoj me të shkuarën, motivohet për të sotme dhe zgjon forca besimi për të parë tej, i çliruar nga frika e maksimës, sipas së cilës: "Kush harron të shkuarën rrezikon ta përsërisë atë.".
Epilog
"Koha Jonë", erdhi sfidoi dhe triumfoi, gurë nga një gurë e mur përmbi mur, ndërtoi "Kështjellën e medias", në bedenat e së cilës ka edhe sot pena dhe zemra që luftojnë, luftojnë në një kohë ndryshimesh të themelta, në të tashmen e një rivaliteti të frikshëm, ku të gjithë guxojnë dhe fare pak prej tyre zgjedhin të ndeshen. "Koha Jonë" ishte, është dhe do të mbetet emblema e historisë së shtypit shqiptar, mëvetësisë së medias dhe Nikoll Lesi, më shumë se gazetari, drejtuesi dhe botuesi i kësaj gazetë, është sinonim i kësaj logoje ndeshjesh dhe qëndresash të kurajshme.